Nga Artan Lleshi Gjomarkaj/
Kushtuar bijave të Mirditës; Motrave tona të lume, Marie Tuci, Luçe Gjokë Prendi (Oroshi), Marie e Davita Gjomarkaj. Atyre që qëndisën Kryqen e Krishtit me vuajtjet e tyre. Ç’ka do me thanë “Davita,”!?
– Thue domethanë me dhanë jetën!? Po Maria!?
E se duhet me e dhanë jetën, atëherë pse u desht me shkue e me nxanë në shkollën Françeskane ose Kolegjin Saverian, pse duhej udhtue prej dyerve të Oroshit për tek Kështjella e Motrave Stigmatinë?!
Pse duhej rrugtue ndër kolegje e shkolla, kur botës njerzore do t’i beditej një Herod, që vret gratë dhe fëmijët, i prangos deri në kockën e njomë me hekura të ndryshkuna burgu, sikur ka ndodhur ti shtrëngohen duar martires Marie Tuci në sy të diktatorit Mehmet Shehu, teksa Maria ishte betue në Krisht mos me derdh pikë loti edhe sikur ato duer po t’ia kishin cungue.
– Inatosun me forcën dhe guximin e një gruaje kaq engjëllore, xhelati i saj Hilmi Seiti, merr shkas e i drejtohet Martires së Mirditës.
– “Do të të baj që të mos njihesh, Marie,”
Kur Marie Tucin, vajzën e bukur e plagosën me pranga e tortura dhe e dorzuen në pavionin e vdekjes, në spitalin e Shkodrës, tinëz gjithkujt, shkuan ta kërkonin Maria e Davita Gjomarkaj, motrat stigmatine, të bijat e Llesh Ndue Gjonit, që për t’i kurue shtatin e ballin e për ti dhanë forcë.
Pavioni paska qënë i gjatë. Ato, kaluan perafër krevatit të Maries sot të Lumnueme por nuk e njohën. Me gjith plagë e duer të mpime prej hekurave, Marie Tuci ngrihet e u thirr.
– Oj Davitë
– Oj Marie!
Motrat asokohe jan shtang e u ka ra ndërmend fjala e xhelatit.- “do të baj që të mos njihesh”.
Kryqi u përgjak por s’u dorzue.
Ajo ditë e pa ardhë ende fundi i vjetit 1950, ishte errtue pa marrë dielli, Kapidan Marku bashkë me Kapidan Lleshin ishin vra, Abati i Mirditës Frano Gjini ishte pushkatue, plot 14 burrat e mirë të Mirditës, bajraktar e qëndrestar i kishin dërrmue në nji humnerë të Shpalit, Oroshit e Shkodrës, Kthellës e Kaftallës i asht beditë vdekja e për me dekë për Mirditë, nuk duhej vetem ti me dhanë jetën por edhe duhej jetue nderkamb xhelatëve, duhej me andrrue lirinë e dritën e Krishtit, duhej me qëndrue me të tana forcat , si e lumja Marie para prangave duhej qëndrue .
Kryqi u përgjak por nuk u dorzue.
Imzot Frano Gjinin e pushkatuen, për mos me pas ma Mirditë e Abat, por ai Krisht, që lutëm ndër ditët e motit, mori prej Mirdite të gjallë fillakat, nji filiz të lisit të Mirditës së gjalli e ja la frymën imzot Zef Oroshit deri asodite kur diktatura filloj me ra.
Në kërkim të Dritës së Krishtit për Mirditën e plagosun duersh e bajrakësh, imzot Zef Oroshi u arratis pēr të ruajtun farën e Dritës së Kishës së Arbnit, e Zoti ja priu vullnesēn e mbarë.
Në fakt, fjala Dritë prej Krishti don me thanë edhe Luçe.
Thue vetë Pagëzimi e ka stolis motrēn Luçe Gjokë Prendi me emër të vetë Dritës.
E rritun jetime Luçja u ba së dyt motra e denjë e dom Zef Oroshit, sikur Zoti ta kishte falë për së dyt në votër të kishës së Kaftallës, për me përtëri lutjen, uratët, me i këndue Krishtit Mbret në të ardh të verës e në të dalë të vjeshtës.
Luçja nuk e njohu babën e saj sepse ai ndrroj jetë në vit të ardhjes së saj në dritë më 1919, duke lënë jetimë tre fëmijë tre djem e një vajzë të cillët nana Dilë i rriti me mund e vuajtje.
Motra Luke sikur në Kaftallë theksohet emri i saj, zgjodhi ti shërbente të vllatë si misionare duke veshur petkun e Katedrales së Shejtë, edhe pse dorën e saj shumkush e kërkoj.
Arratisja e të vllatë të saj dom Zef Oroshi u bë shkak, që familja e Gjokë Prendit të internohej dhe Luçes i ra fati i trishtë të provonte internimet e Tiranes, Beratit, Tepelenes duke e mbyllur kalvarin në Plug të Lushjes.
Mbylli sytë më datën 20 prill 2008, me rrokull vllazninë fisnike të imzot Zef Oroshit, pēr të udhtue me engjejt nëpër qiell të Kaftallēs.
Si të katër cepat e kryqes së përgjakun, katēr bija të Mirditës bujare e Besnike, Marie Tuci e Davita Gjomarkaj të dyja shkolluar nē Kolegjin Franceskan në Shkoder, Marie Gjomarkaj ,shkolluar në Romë e pranuar misionin si murgeshe, Luçe Gjokë Prendi, misionaria fisnike e murgesha pranë të vëllatë monsign Zef Oroshi jan romani i vërtet i bijave të Mirditēs.
Zani i kumbonëve të Mirditës po therret.