-VETEVENDOSJA: AUTORITETET E KOSOVËS TË HETOJNË PAKOT E ARDHURA NGA SERBIA/

Një javë pas zgjedhjeve të 6 Tetorit në Kosovë, procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë pas erës së rëndë kur u hapën zarfet, e që sipas disa mediave kanë shkaktuar helmim të 26 personave – verifikuesëve.

Besnik Buzhala, udhëheqës i Divizioniet për Shërbim të Votuesve tha se disa prej verifikuesëve u është shfaqur alergji në duar dhe fytyrë.Deri tani nëntë persona janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marrë trajtim mjekësor.Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se kanë një informacionin e tillë, por që nuk mund të jep më shumë detaje në këtë fazë.“Policia posedon informacionin e tillë. Ndërsa lidhur me detaje në këtë fazë adresojuni në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, citohet ai nga media.Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjve, Valmir Elezi, ka sqaruar se, “ngjarja nuk ka ndodhur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, por në hapësirën e ndërtesës së Ministrisë së Infrastrukturës, ku është i vendosur Shërbimi Votues”.“Puna në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vijuar me normalitet”, ka thënë Elezi. Prokurori dhe Policia janë në vendin e ngjarjes duke zhvilluar hetimet. “Tani për tani unë nuk mund të them asgjë më shumë. Ju lutem kontaktojeni Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, ka deklaruar Elezi për median.Ndërsa, nga Qendra Klinike Unversitare e Kosovës në një komunikate për media bën të ditur se gjendja shëndetësore e të helmuarëve është stabile. “Në ora 11:58 në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 paciente, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thuhet në komunikatë.Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive ka ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.Konziliumi në vazhdimësi është duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.
***
LVV: AUTORITETET E KOSOVËS TË HETOJNË PAKOT E ARDHURA NGA SERBIA
-Lëvizja Vetëvendosje: Reagim për helmimin e punonjësve të KQZ/
Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.
Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.
Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar.