
Nga Enver Lepenica
Këto ditë kam nxjerrë në qarkullim librin e ri “Kongreset e Organizatës dhe Partisë Balli Kombëtar”
Në këtë libër përshkruhet Kongresi i Parë të Organizatës Balli Kombëtar mbajtur në Berat më 3 dhe 4 janar 1944 dhe gjashtë kongrese të tjera tashmë të Partisë Balli Kombëtar mbajtur në Itali dhe i fundit në Detroit të SH.B.A.
Balli Kombëtar lindi në vitin 1939 në shtëpinë e Mid’hat Frashërit si alternativë për të luftuar për lirinë e vendit kundër pushtuesit të huaj.
Studjuesit kanë arritur në përfundim se «Asnji lëvizje kombëtare në Shqipni nuk ka pasë jetën dhe gjallninë e Ballit Kombëtar. Asnji parti politike nuk ka qindrue me punë, me luftë me ballë hapët, sikurse ka qindrue Partia e Mid’hat Frashërit.
Asnji lëvizje shoqënore nuk ka përcaktue nji drejtim aqë të qartë për mirësimin e jetës shqiptare sesa Balli i lindun në luftë, i rritun në luftë, i burrënuem dhe i brumuem me djersë dhe gjak në kohën e robnisë fatale». (Shih: prof. Zef Pali)
Me marrjen e pushtetit nga Partia Komuniste, duke e njohur natyrën kriminale e diktatoriale të kësaj partie, shumë udhëheqës, komandnatë dhe ushtarë të Ballit Kombëtar emigruan në vendet e lira të Europës.
Para se Mid’hat Frashëri të hypte në barkën për të dalë në emigrimin e pa dëshiruar në botën e lirë deklaroi shpërndarjen e organizatës Balli Kombëtar e cila e kishte kryer misionin e vet. Në mërgim i pari kongres u bë në Reggio Emilia me 150 veta më 31.12.1945. Aty Balli Kombëtar u shpall Parti Demokratike. U pranua statuti, Dekalogu, Tetë pikat e Nacionalizmës Shqiptare, si dhe parimet politike.
Tashmë Partia e Ballit Kombëtar Demokrat do të luftonte me të gjitha mjetet për të shpëtuar popullin shqiptar nga robëria komuniste. Për realizimin e këtij qëllimi të lartë Partia e Ballit Kombëtar vazhdoi të jetë e bashkuar dhe organizuar. Duke mbajtur Kongresin e Dytë në Romë në vitin 1948, Kongresi Tretë u mbajt në Napoli më 29 nëntor 1949, Kongresi i Katërt u mbajt Napoli më 24 shkurt 1954, Kongresi i Pestë u mbajt në Napoli më 10 mars 1957, Kongresi i Gjashtë u mbajt në Detroit më 10 – 11 tetor 1970.
Udhëheqësit e Ballit Kombëtar ishin politikanë vizionarë prandaj ata bashkëpunuan ngushtësisht me anglo- amerikan siç kishin vepruar edhe gjatë Luftës Antifashiste në Shqipëri.
Kështu Partia Balli Kombëtar do të ishte arkitekt i marrëdhënieve dhe aleancave me perëndimin demokratik. Ndërsa partia Balli Kombëtar ishte pranuar në NATO që në vitin 1949, Shqipëria u pranua vetëm pas 60 vjetësh më 1 prill 2009!
”Në mërgimin e pa dëshëruem Mid’hat Frashëri, punoi për Shqipni me vrull djaloshar tue i dhanë zemër dhe kuxim gjithkuj. Si fryt i përpjekjeve të Tij qe krijimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, edhe mbas pak ditësh dha shpirt, i kënaqun se i dhuroi Shqipnisë nji vepër të çmueshme…”, shkruan prof. Vasil Andoni.
Bota demokratike, anglezët dhe amerikanët gjithnjë menduan se ç ‘duhej bërë për të rrëzuar regjimin gjakësor e diktatorial të Tiranës, për këtë arsye pas Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, anglo-amerikanët ngritën “Kompaninë 4000”, krahu i armatosur i Komitetit Kombëtar.
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Kujtesës së Martirëve dhe Viktimave të regjimit komunist, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani nderoi me Dekoratën e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” efektivët e “Kompanisë 4000”, me këtë motivacion:
“Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e vyer dhe të pamohueshëm në përpjekje për rrëzimin e shtetit diktatorial hoxhist në Shqipëri, duke nxjerrë në pah vlera të çmuara atdhetare si dhe duke sakrifikuar jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe euroatlantike”.
Partia Balli Kombëtar është e para parti politike shqiptare që pranohet në një organizatë ndërkombëtar “ Lidhja Katundare”.
* * *
Në pjesën e parë të librit përshkruhet Kongresi Parë i Organizatës Balli Kombëtar mbajtur në Berat më 3 dhe 4 janar 1944.
Ky Kongres përshkruhet e analizohet me hollësi, për herë të parë në historinë tonë, duke saktësuar e kritikuar shumë shtrembërime që janë bërë në shkrime të ndryshme me qëllim apo pa qëllim. Një vend të veçantë zë kapitulli i kritikës së komunistëve të vjetër dhe atyre të ditëve tona të cilit vazhdojnë të falsifikojnë historinë.
Në pjesën e dytë përshkruhen e analizohen Kongreset e Partisë Balli Kombëtar Demokrat dhe Partisë Agrare Demokratike Balli Kombëtar, në mërgim, rezolutat dhe rëndësia e kongreseve.
Fryma e kongreseve, rezolutat dhe vendimet ishin në harmoni me zhvillimet demokratike në Evropë. Kështu p.sh. në Kongresin IV theksohet: “Duhet të punohet për realizimin e idesë së Federatës Evropiane , nga e cila, të gjitha shtetet dhe sidomos kombet e vegjël si Shqipnia presin siguri, mirëqenie dhe liri”. (Gazeta ”Flamuri”, nr. 49 – 51, Vol. V – (VIII), dt. 31.3.1954, f. 2.)
Kjo frymë vazhdoi nga Kongresi Parë deri te i gjashti.
Në pjesën e tretë përshkruhen e analizohen Kongreset e Partisë Balli Kombëtar pas vitit 1990 në Shqipëri.
Ri ngritja e Ballit Kombëtar, Kongresi Tetë, 17 -18 shtator 1993, Kongresi i Nëntë 31 maj – 1 qershor 1998 dhe ndarja e Ballit Kombëtar në dy parti. Kongresi i dhjetë u mbajt në vitin 2002. Kongresi njëmbëdhjetë mbahet në vitin 2003. Kongresi i dymbëdhjetë i Ballit Kombëtar u mbajt në vitin 2008.
Në një kapitull botohen Pankarta të lëshuara gjatë Luftës Antifashiste ku i bëhet thirrje popullit që të mos besonte mashtrimet e Partisë Komuniste, pasi ata janë diktatorë e prishës së familjes.
Në fund në libër janë botuar 45 faqe me faksimile të dokumenteve historike shumica botohen për herë të parë dhe bibliografia.
Libri gjendet në librarin ART’S në Tiranë, Bulevardi ZOG I dhe në Vlorë në librarin “TOENA”