Ne Foto:Rudina, vajza e gjenerali Hysni Dema me nënën dhe një bashkëvuajtëse në një nga kampet e internimit/
*Raport i qeverisë amerikane në OKB për të drejtat e njeriut./
“Më e tmerrshme situata në 10 burgjet politike, ku 10.000 fatkeqë trajtohen në mënyrë çnjerëzore të pabesueshme”/
“Kolonitë e Burrelit, Bedenit, Maliqit e Vloçishtit, geto çnjerëzore”/
“Kampet e vdekjes për kundërshtarët e regjimit”/
“Qeveria shqiptare nuk bën as orvatjen më të vogël për të fshehur punën skllavëruese që zbaton me kundërshtarët politikë dhe të tjerë, shumica e të cilëve u përket ish-borgjezëve dhe pronarëve të tokave”. Jo rastësisht raporti që qeveria e SHBA i adresonte OKB-së në vitin 1955 për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, fillonte me një konstatim të tillë.
Ndjeshmëria e qeverisë amerikane për dallimet klasore dhe dhunimin e lirive themelore në përgjithësi përbën shtyllën kryesore të këtij dokumenti, që shqyrton me imtësi realitetin shqiptar në diktaturë. Në morinë e raporteve vjetore të qeverisë së SHBA për situatën globale, ai i vitit 1955 e rendit Shqipërinë në kreun e vendeve që dhunojnë brutalisht të drejtat dhe liritë e njeriut, duke tejkaluar madje edhe simotrat e saj të Europës Lindore. Vendosja me ligj e punës së detyruar për shtetasit nga 16 deri në 70 vjeç, mobilizimi ushtarak për plotësimin e brigadave të punës, sanksionimi në Kushtetutë i punës vullnetare, alias punës së papaguar, çelja e kampeve të punës për pinjollët e familjeve të shpallura kundërshtarë të regjimit, ekzistenca e kolonive të punës skllavëruese, janë ndër çështjet kryesore të kapitullit “Punë e detyruar në Shqipëri” të raportit të Departamentit të Shtetit. Për herë të parë, zyrtarët amerikanë arrijnë të zbulojnë krijimin e kampeve të vdekjes, siç i cilësojnë ata vendizolimin e të burgosurve politikë, që përfshijnë ministra, deputetë, nëpunës të tjerë të qeverive të para luftës, të kohës së luftës, të pasluftës dhe njerëz të tjerë që kanë kundërshtuar ose kanë qenë të dyshimtë si kundërshtarë të regjimit komunist. Në raportin e vitit 1955 bie në sy panorama rrëqethëse në kampet skllavëruese të Burrelit, Bedenit, Tepelenës, Maliqit, Vloçishtit, ku punohej në kushte çnjerëzore për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, për tharjen e kënetave, për fortifikimin e rajoneve ushtarake, për ngritjen e qytezave urbane etj. Të dhënat e publikuara, konfirmon raporti, janë siguruar nga burime katërçipërisht të besueshme, ndër të cilat veçon ato nga trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, nga shtypi zyrtar e Radio Tirana, por edhe nga burime konfidenciale, sikundër kanë qenë kontaktet dhe bisedat me të arratisurit shqiptarë, viktima të luftës së klasave. Gazeta “Panorama” ka siguruar kopjen e raportit që përfaqësuesi shqiptar në OKB ia ka dërguar të përkthyer ministrit të Jashtëm menjëherë pas publikimit zyrtar. Në numrin e sotëm po zbardhim kapitullin “Puna e detyruar në Shqipëri”, që është pjesa e parë e dokumentit…
PUNË E DETYRUAR NË SHQIPËRI
A-Legjislacioni
1-Varietete të punës me përdhunë që zbatohen.
Qeveria e sotme shqiptare nuk bën asnjë orvatje të fshehtë faktin se ajo kërkon punë me detyrim nga personat kundërshtarë të politikë dhe “dembelë”, shumica e të cilëve janë klasa ish-borgjeze ose pronarë tokash. Veç kësaj, ajo imiton dhe tejkalon shembullin e zakonshëm satelit në ushtrimin e kontrolleve të saj mbi punën dhe përdorimin në masë të së ashtuquajturës “punë vullnetare” (në të vërtetë me dhunë) në projektet industriale, të ndërtimit dhe ato bujqësore.
PUNA E DETYRUESHME ME KUSHTETUTË
Si punëtorët e krahut, ashtu edhe të mendjes janë të detyruar të punojnë për shtetin në bazë të ligjeve dhe rregullave të përshtatura qëkur regjimi erdhi në pushtet në fundin e vitit 1944. Principi kryesor i punës së detyrueshme u mishërua në Kushtetutën komuniste të vitit 1946, neni 22 i së cilës, në një vend thotë se: “Në Republikën Popullore të Shqipërisë puna është nder dhe detyrë”. Kjo u përforcua akoma më shumë edhe në Kushtetutën e vitit 1950, neni 13, në të cilën thuhet se: “ai që nuk punon, nuk ha”. Disa dispozita u vendosën edhe para se të botohet Kushtetuta e 1946-s. Kështu, më 15 dhjetor 1944, pak javë pas çlirimit të Shqipërisë nga komunistet, të gjithë të aftët për punë dhe profesionistët u deklaruan të mobilizuar nga shteti dhe në prill 1945, ligji Nr. 48 parashikonte që të gjithë personat e emëruar në çdo zyrë publike dhe shtetërore, qoftë përkohësisht ose të përhershëm, të ishin të mobilizuar.
POLICIA DHE KAMPET E PUNËS
Mbasi gjithë ndërmarrjet ekonomike u shtetëzuan më 1945-1946 dhe u vunë në funksionim nga shteti, gati çdo punëtor u bë nëpunës shteti. Njëkohësisht, kontrolli i fortë iu vu të gjithë punëtorëve në Bashkimet e Punëtorëve, të cilat në vetvete janë organizata fronti për plotësimin e politikës dhe programit të partisë e qeverisë në fushën e punëve. Ligji për mbrojtjen e punëtoreve dhe mbrojtjen e punës përshtatur më 9 korrik 1945 dhe i rregulluar më 20 prill dhe 31 gusht 1946 u siguronte Bashkimeve të Punëtoreve fuqi të plota të rregullonte orët, rrogat, konditat e punëve dhe mëditjet e pushimet nga puna, si të punëtorëve të krahut, ashtu edhe të mendjes. Veç kësaj, statuti i bashkimit të punëtoreve dhe urdhëresa për rregullimin e punës në të gjitha ndërmarrjet parashikonte disiplinë të fortë për të gjithë punëtorët dhe vinte në dukje me hollësi detyrat dhe detyrimet e tyre. Ligji nr. 372, i 12 dhjetorit 1946, mbi krijimin e Policisë Popullore, autorizonte policinë të arrestonte individë dhe t’i dërgonte nëpër burgje apo kampe për pune të detyrueshme. Një vendim qeveritar karakteristik i marrë më 30 korrik 1947 parashikonte që në të gjithë administratën qeveritare, në fabrikat dhe në të gjitha qendrat e punës, puna që mund të bëhet nga gratë nuk duhet të bëhet nga burrat dhe burrat duhet të bëjnë pune që nuk mund të bëhen nga gratë.
URDHËR USHTARAK PËR PUNË
Më 13 gusht të këtij viti, Radio Tirana njoftoi se qeveria ishte vendosur të vinte në veprim punën e detyrueshme, sipas së cilës gjithë personat që u kishin shërbyer regjimeve antipopullore dhe ishin pa punë, do të mobilizoheshin dhe futeshin në punë ndërtimi. Përsëri më 28 shkurt 1948, Radio tha se qeveria sapo kish nxjerrë urdhrin që parashikonte futjen në punë të të gjithë qytetarëve të aftë 16-50 vjeç, të cilët si rezultat i dembelizmit i largoheshin punës.
Drejtoria e Punës së Shqipërisë më datë 6 maj 1947 u ngarkua të mobilizonte dhe grumbullonte ushtarakisht gjithë punëtorët me anë të zyrave të punës. Funksioni kryesor i këtyre zyrave u përkufizua në “Gazeta Zyrtare” e 16 janarit 1948, si shpërndarja e punëtorëve në ndërmarrjet, institucionet ekonomike etj., si shtetërore, ashtu dhe private në bazë të planit ekonomik shtetëror.
Sipas ligjit, ndërmarrjet ekonomike mund të gjejnë punëtorë vetëm nëpërmjet Zyrës së Punës. Ligji nr. 726 i gushtit 1949 zgjeroi fuqitë e grumbullimit të punëtorëve nga ana e qeverisë. Neni 1 i këtij ligji thotë se disa kategori të punëtorëve të aftë dhe profesionistë, duke përfshirë edhe mësuesit, specialistët e tjerë e gjithë punëtoret e kualifikuar që janë të aftë për punë, mund të urdhërohen të punojnë në qendra prodhimi, ndërtimi ose në shërbim të shtetit. Punëtorëve që nuk u binden këtij urdhri, u janë ngarkuar gjoba të rënda.
Ligji nr.747 i 30 dhjetorit 1949 parashikon mobilizimin e gjithë popullsisë mashkull 18-45 vjeç për një numër ditësh për ndërtim e për mirëmbajtje rrugësh. Ligje të tjera që merren me disiplinime të rrepta në punë, parashikojnë dënime të renda për punëtoret që ikin pa leje nga puna, thyejnë disiplinën ose vijnë vonë në punë.
PROCESE GJYQËSORE PËR PUNË
“Gazeta Zyrtare” e Shqipërisë është mbushur plot me thirrje gjyqi ose vendime që thërresin punëtoret për t’i gjykuar dhe i kanë dënuar me dënime të renda për thyerje kaq të vogla për vajtje në punë me 20 minuta vonesë.
Midis dekreteve që merren me zhvendosjen e detyrueshme ose mbërthimin e punëtoreve në vendet e tyre, është vendimi nr. 137 i 2 marsit 1950 i Këshillit të Ministrave, mbi kontratën e përbashkët, e cila thotë se me qëllim që të plotësohet plani ekonomik i shtetit për vitin 1950 para kohe, është i nevojshëm një mobilizim i përgjithshëm i masës punonjëse. Një vendim i tillë i njëllojtë u lëshua edhe më 30 qershor 1951, i cili parashikonte:
1-Gjithë punëtorët e specialistët duhet të mbeten në projektet e ndryshme industriale pas 1 korrikut, pavarësisht nga kontratat e tyre derisa të mbarohen këto projekte.
2-Gjithë nëpunësit civilë dhe punëtorët 16-55 vjeç në qytetet e Tiranës, Korçës dhe Elbasanit duhet të punojnë në një minimum prej 10 ditësh në muaj në disa projekte të veçanta industriale shtetërore dhe duhet të plotësojnë normat më minimale të punës.
3-Ministria e Kontrollit të Shtetit ngarkohej të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi. Nga 6 korriku 1952, gjithë grave 18-55 vjeç u është kërkuar të punojnë në projekte pune të ndryshme, sidomos në hidrocentralin “Enver” në lumin e Matit.
PARADOKSET E KODIT PENAL
-Parashikime për punë në Kodin e ri Penal.
Kodi Penal i ri i Shqipërisë, i cili u përshtat nga Kuvendi Popullor më 23 maj 1952 dhe hyri në fuqi më 1 shtator 1952, është bazuar, ashtu siç tha ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi, kur ia paraqiti për miratim Kuvendit Popullor, “me parimet e luftës së klasave” dhe “drejtësisë revolucionare” dhe mishëron parimet kryesore të drejtësisë sovjetike. Kodi është në dy pjesë, që përmbajnë përkatësisht parashikimet e përgjithshme dhe të veçanta.
Parashikimet e përgjithshme (nenet 1 – 63) shtrojnë qëllimet e Kodit e si atë që i shërben dhe ruan “diktaturën e proletariatit” dhe cakton si elementin kryesor të krimit “rrezikun e shoqërisë socialiste”, “rrezikun shoqëror”, më tej është përcaktuar si një aktivitet i drejtuar kundër bazave ekonomike e politike të shtetit socialist kundër pushtetit popullor dhe pasurisë socialiste. Mosha më e vogël përjashtuar nga përgjegjësitë e përgjithshme penale është vendosur 14 vjeç, por përgjegjësia penale për krimet kundër shtetit, dëmtimit të pasurisë shtetërore dhe sabotimit ekonomik është vendosur mosha 12 vjeç (neni 6). Shumica e dënimeve të parashikuara nga Kodi janë me vdekje, burgime dhe internime në punë korrektonjëse (neni 16). Internimi përcaktohet si “heqja e të pandehurit nga vendbanimi dhe detyrimi që të jetojë në një vend të caktuar me ose pa “punë korrektonjëse” (neni 21). Internimi si një dënim i rëndë, shton ky nen, jepet për një kohë 1–10 vjet. Dënimi për punë korrektonjëse numëron nga 15 ditë–1 vit dhe e vuajnë në një punë të caktuar nga vendimi i gjyqit, ose në vende të caktuara nga organet ekzekutive të shtetit (neni 23).
Parashikimet bazë që merren me punën, janë përmbledhur në pjesën e dytë të Kodit, sidomos nenet nga 90–205. Neni 90 thotë se prodhimi i sendeve industriale me cilësi të dobët, jo në sasi të mjaftueshme, ose kundër standardeve të caktuara nga drejtori, inxhinieri ose ndihmësi dhe përgjegjësi të ndërmarrjes industriale, dënohet me punë korrektonjëse ose burgim deri në 5 vjet. Neni 201 thotë se ikja nga puna pa leje e një punëtori ose nëpunësi nga ndonjë ndërmarrje shtetërore ose shoqërore ose institucioneve dënohet me punë korrektonjëse deri në 6 muaj dhe, në rastet e rënda, deri në burgim me 4 muaj. Neni tjetër parashikon se mungesa në punë e një punëtori ose nëpunësi shteti, ose ndërmarrje shtetërore, ose institucioneve pa arsye të justifikueshme, dënohet deri në 6 muaj punë korrektonjëse. Neni 203 parashikon dënime që arrijnë nga 0.6–4 vjet burg për punëtorët ose nëpunësit që nuk i binden urdhrit që e zhvendos atë nga një ndërmarrje në një tjetër. Dënime më të rrepta që përshijnë deri në 2 vjet punë korrektuese, parashikohen nga neni 204 kundër atyre që nuk u binden urdhrave, që i ngarkon ata të punojnë vazhdimisht ose përkohësisht për kryerjen e planeve shtetërore të prodhimit e ndërtimit.
PUNA NDËSHKUESE
Kampe përqendrimi dhe punë e ndëshkueshme 1-Punë nga të burgosur politikë. Në Shqipëri nuk bëhet asnjë dallim i mprehtë midis të dënuarve me punë të rëndë, si pasojë e veprimeve gjyqësore dhe atyre të grumbulluarve kot dhe të vënë në punë. Shumica e mijëra të burgosurve politikë që sot janë vënë në punë të rëndë, janë dënuar para botimit të Kodit Penal të ri të 1952, në bazë të nenit 18 të ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake (janar 1945), i cili dënonte persona të akuzuar si “bashkëpunëtore fashistë” me gjobitje në të holla ose me punë të detyrueshme deri në 20 vjet. Të tjerët kanë qenë mobilizuar nga veprime administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bazë të parashikimeve të të famshmit dekret të 26 shkurtit 1951, lëshuar pak ditë më vonë se hedhja e bombës në Legatën sovjetike në Tiranë, dhe parashikonte dënimin kapital ose të tjera pa formalitete të nevojshme ligjore, për secilin që merret me aktivitete terroriste. Burgjet politike në Shqipëri që përfshijnë ministra, deputetë, nëpunës të tjerë të lartë qeveritare të para luftës, të kohës së luftës dhe të pas luftës dhe shumë njerëz të tjerë që aktualisht kanë kundërshtuar ose kanë qenë të dyshimtë kundërshtarë të regjimit komunist, janë internuar në vende të tilla vuajtjeje, si në Burrel, Beden, Maliq dhe VLoçisht (të quajtura kampe vdekjeje) dhe kanë qenë të futur në punë kryesisht për hapje kanalesh, ndërtime hekurudhash dhe portesh, ngritjen e barakave ushtarake, fortifikimin etj. Madhësia e këtyre kolonive është lëkundur që nga mbarimi i luftës sipas nevojave lokale. Drejtori i Byrosë së Statistikave të Shqipërisë në zyrën shtetërore të hetimeve, i cili u arratis nga burgu më 1948-n, ka deklaruar se në fund të vitit 1947 ishin 18 mijë të burgosur politikë, veç kampeve të përqendrimit. Disa si këta, Kostaq Kotta – kryeministri i fundit para pushtimit fashist më 1939-n, kanë vdekur si rezultat i jetës së keqe në koloninë e famshme në Burrel. Të tjerë si Kolë Kuqali, një nëpunës i Legatës amerikane më 1922–1938, i cili në fillim u përpoq të bashkëpunonte me Frontin dominuar nga komunistët, vrau veten në burgun politik të Tiranës.
Midis deklarimeve të kategorisë së parë rreth kolonive penale, ajo e dhënë nga Skënder Dume, i cili kaloi 5 vjet në këto kampe para ikjes së tij në Greqi në prill 1951. Sipas tij, deri në atë kohë kishte 10 burgje politike në Shqipëri, prej të cilave 10 mijë vetë jetonin në kushte tmerruese. Torturat e tyre dhe trajtimi çnjerëzor ishin përshkruar si të pabesueshme. Vetë Dume shërbeu në dy koloni ndëshkuese në kampin e vdekjes në Vloçisht, afër Korçës, ku nga 1.200 persona, kryesisht njerëz të ligjit, doktorë, studentë, ish-oficerë të lartë, klerikë katolikë dhe myslimanë, tregtarë dhe në kampin e Bedenit në Kavajë. Të burgosurit në kampin e parë punonin në projektin e shpallur të Maliqit, ndërsa ata të tjerët në kanalin kullues Peqin–Kavajë. Në kampin e vdekjes në Vloçisht, të burgosurit zgjoheshin në orën 3:30 dhe fillonin punën në kanal në orën 6:00, ktheheshin në kamp ora 20:00. Disa nga shokët që ishin shumë të sëmurë për punë, aktualisht varroseshin të gjallë në kanal, midis këtyre ishin edhe prifti Josif Papamihali – kryetari i kishës unite në Korçë, nënkolonel Sulejman Vuçiterna, hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, Jaçe Zleusha, Luigj Luli, Ali Elezi dhe të tjerë. Për arsye të një thyerje rregulli, një student u lidh nga rojet e burgut me një kolonë dhe u la aty për 72 orë.
Kampi në liqenin e Maliqit mund të preket si një shembull tjetër, që tregon se si kalojnë të burgosurit politikë në Shqipëri. Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120–140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej tyre prej 3 skuadrash. Personeli që komandon njësitë e ndryshme, përbëhet nga shokë të tyre që quhen të dëmshëm nga komandanti i kampit, megjithëse çdo brigadë është nën mbikëqyrjen e fortë të një oficeri të Policisë. Të burgosurit banojnë në baraka dërrasash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta koçekësh me dy krevate, njëri mbi tjetrin, ku flenë të burgosurit. Shteti nuk i jep ndonjë mbulesë dhe ata të burgosur që nuk kanë, duhet të flenë ashtu siç janë, mbi kotecin e zhveshur. Barakat nuk janë të mbrojtura prej kohësh. Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë, të cilat shpejt grisen, se puna e të burgosurve ka të bëjë me tharjen e liqenit të Maliqit dhe duhet që ata shumicën e kohës të punojnë në ujë. Nëse i burgosuri nuk ka rroba të tij për t’u ndërruar pas pune, duhet të mbetet me veshjen e punës së lagur. Si rregull, punojnë 10 orë punë në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës. Në gërmimin e kanalit për tharjen e liqenit të Maliqit, shumica e të burgosurve janë zakonisht në ujë që arrin deri në gjunjë, e disa herë deri në brez. Në kundërshtim me këtë kusht, puna vazhdon pa marrë parasysh kohën ose stinën e vitit. Një rrezik tjetër i punës është numri i madh i shushunjave në kanal, që sulmojnë të burgosurit. Si rezultat, shumë të burgosur u sëmurën dhe shpesh rreth 150 syresh kishin nevojë mjekësore të përditshme. Vetë doktori i kampit është i burgosur përjetë. Megjithëse është doktor i mirë, ai nuk ka as veglat dhe as barnat e nevojshme.
Veç skenës së punës së rregullt, që fillon nga ora 4:00 dhe përfundon në orën 16:00, me dy orët që nevojiten për ecje nga barakat në punë, puna shpesh vazhdon për 1 ose dy orë më shumë. Pushimi jepet 3 herë në ditë. Racioni i bukës është 500 gramë, një përzieje gruri dhe thekre, zakonisht e papjekur, që u jepej në drekë. Ushqimi i zier u jepet vetëm për mëngjes dhe darkë. Zakonisht përbëhet nga një supë uji me makarona, fasule ose kunguj. Çdo i burgosur duhet të marrë 100 gramë mish në ditë, megjithëse kjo ndodh rrallë. Kohë pas kohe, të burgosurit lejohen të marrin pako me ushqime për të shtuar dietat e tyre.(Kortezi AFRIM IMAJ-PANORAMA)
Pellumb Lamaj USA says
Dhe sot ne pushtet jane pjella e atyre qe i kryen keto krime ndaj shtreses me fisnike e me patriote shqiptare….
Eshte kjo ironi e fatit.mallkim i pafund apo loja e me te medhenjeve…..?!Drejtesia e vonuar,eshte drejtesi e mohuar!
Interesat e me te medhenjeve ngrihen mbi male martiresh
Dhe vjene nje dite,martireve nuk ju lejohet as varr
Per ironi te fatit ne metropolet e botes se qyteteruar
Vrasesit ngrehin dolli dhe priten si clirimtar……..
Tini says
Per te tera keto vuajtje qe u kane shkaktuar njerezve te pafajshem ne Shqiperi,asnje kriminel nuk eshte pergjigjur para drejtesise.