
QSPA/
Kujtojmë sot në 183-vjetorin e lindjes poetin lirik dhe një prej personaliteteve më të rëndësishme ndër arbëreshët e Italisë dhe të letërsisë shqipe, Zef Serembe.
Zef Serembe lindi më 6 mars 1843 në Strighar (San Cosmo Albanese) në krahinën e Kozencës, Kalabri dhe ndoqi mësimet në kolegjin e Shën Adrianit. Në moshë të re, ra në dashuri me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila emigroi në Brazil me familjen dhe vdiq atje. Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin, Serembe mori detin për në Brazil më 1874 në kërkim të një jete të re. Me një letër rekomandimi në dorë nga Dora d’Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt. Kjo ngjarje ndikoi në krijimtarinë e tij lirike.
Në të gjallë ai botoi: “Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja” (Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese), Kozencë 1883 në italisht e shqip, “Il reduce soldato, ballata lirica”, (Kthimi i ushtarit, baladë lirike botuar në Nju Jork 1895, në italisht, dhe “Tingëllima të ndryshme” (Sonetti vari), Napoli 189? (Tingëllima të ndryshme), një përmbledhje tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italishte të pajisura me një hyrje, të gjitha të ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta. Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhuzepe Skiroit “Arbri i Ri” më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan pas vdekjes në përmbledhjen “Vjersha”, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe. Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva të ndryshme në vitet e fundit, kurse disa vjersha madje kanë ardhur deri në ditët tona duke kaluar gojë më gojë ndër fshatarët e Strigarit. Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë.
Zef Serembe, ky poet i madh i ndjenjës, sidomos i vetmisë dhe zhgënjimit u nda nga jeta më 1901 në Shën Pali, Brazil.
Më shumë mbi figurën e Zef Serembe gjeni në librin “Historia e letërsisë shqipe” nga Giuseppe Schirò Junior , botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë, 2021.