

Prof. Viola Isufaj/
Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë
e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.
Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë
e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…
Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë
e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.
e ngulur thik…
e futur thellë ….
e mbetur thatë… (Zef Zorba, NJË GOZHDË)
***
Duket se teksti poetik i Zef Zorbës “Një gozhdë” do të shihet si tekst i formës së pastër të artit për art. Është sikur të themi se kemi përpara një poezi që, edhe pa asnjë interpretim, i mjafton vetvetes. Letërsia, ajo flet për letërsinë.
Një instrument i fortë dikur ka goditur. Vetëm se goditja na vjen sot e shurdhët, si vetë natyra e bashkëtingëllores th te ndajfoljet thikë/thellë/thatë – ky tingull i përsëritur, pa zë, si vetë dhimbja na fut përsëri në mjegulli. Një goditje ritmike dhe pas pak, harmonia ka marrë tone të zymta. Vetë rock-u karakterizohet nga një natyrë ambigue e përfshin tema nga më të ndryshmet. Ashtu si gjuha e rock-ut, është përdorur këtu një gjuhë harmonike dhe e thjeshtë, por që bëhet e komplikuar, shumë e komplikuar gjatë kombinimeve. Cilësimi i ritmit rock nga vetë autori në shënimet në fund të librit mundet që të ketë të bëjë me një ironi:
Ironia e fatit mbi diç që kurrë nuk supozohej të mbetej thatë apo të mbetej vetëm por që mbeti pikërisht ashtu.
Në poezinë e Zorbës shpesh një skenë apo një ngjarje e veçantë shprehet me anë të rrethanave të jashtme, duke komunikuar emocionet që provokojnë pikërisht këto rrethana; a janë të nevojshme të përcaktohen rrethanat vetë? Të kërkosh për realitetin-do të thotë mbase të gabohesh për letërsinë. Po çfarë përvoje-prapë e pyesim veten-është pështjellë, esencializuar, transformuar në imazhin e pashlyeshëm pamor e tingullor dhe ka lejuar mbishtresimin e disa kuptimeve e shumë të tjerave?
Në vend që të syrgjynosim qëllimin, ne mund të qëndrojmë të përngjashmimi, ose më mirë përfaqësimi i referencës për ta lidhur me vlera ekstraletrare (ekzistenciale, etike) dhe momente historike.
Elipsa do ta bëhet pëfaqësim i një “heqjeje” diku në botë, ngase gozhda është ngulur thellë, prandaj më pas ka mbetur kaq thatë; e sikur të mos ish ngulur kaq thellë, nuk do të kish mbetur kaq thatë.
***
Një ditë, për shkak se vajza e poetit ndiente dhimbje të fortë dhëmbi, i ati e shoqëroi në ambulancë.
Në momentin që hyjnë atje, gjejnë si çdo ditë, varur në mur portrete të anëtarëve të byrosë politike, por ndryshe nga çdo ditë, një vend ishte bosh: sapo e kishin hequr portretin e Beqir Ballukut. Krerët e shtetit diktatorial po godisnin njëri-tjetrin dhe pas një dënimi e ndëshkimi, kishte mbetur një gozhdë, thatë në mur, pa foton. Vajza e vëren dhe i tregon gozhdën pa portret, futur thellë në mur. Ai e pa dhe qeshi.
Më vonë, Zef Zorba do të shkruante:
“Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë… “
***
(Viola Isufaj, disa fragmente nga “Baladë dritash per Zorbën”, Akademia e Shkencave e Shqiperise, 2024, nderuar me:
1. Çmimi për veprën studimore më të mirë për kontributin në historiografinë letrare shqipe Panairi i Librit, 2024 – Shoqata e Botuesve Shqiptarë
2. Çmimi për veprën studimore më të mirë të vitit– Panairi i Librit, Ulqin 2024)