(Nuk është vetëm selia e burokracisë, por edhe vendi ku përcaktohen fatet e miliona njerëzve)/
Shkruar nga FEDERICO FUBINI- “Corriere della Sera”/Askush nuk do t’i besonte sigurinë e Washingtonit policisë së Distriktit Kolumbia ose shërbimeve të fshehta të Virgjinias. Askujt nuk do t’i shkonte ndër mënd të mbronte kështu Shtëpinë e Bardhë ose Kongresin e SHBA-s e, megjithatë, është saktësisht ajo që ndodh në Bruksel. Kryeqyteti i Bashkimit Evropian është selia e Aleancës atllantike, një qytet në qendër të një sistemi të 508 milion njerëzve e të një ekonomie të madhe si ajo e Shteteve të Bashkuara, por i mbrojtur si një ngulim i vjetër fushor. Mbrojtjet e saj thonë gjithshka mbi ngurimin e Evropës për të pranuar rolin politik që, poshtërsisht, edhe vetë islamistët i kanë njohur nëpërmjet gjakut të derdhur dje.
Në Bruksel përcaktohet në këta muaj e ardhmja e milionë të ikurish sirianë dhe ajo e monedhës së dytë të botës. Angela Merkel luan me kancelerinë e Berlinit dhe vendin e saj në librat e historisë. Ndërkaq siguria është në duart e autoriteteve belge e të Krahinës Bruksel-Kryeqytet. Kjo do të thotë se as nuk mund të mbështetet në një trupë policie të bashkuar – në qytet veprojnë gjashtë forca të ndara, mbi bazë rajonale e klientelare – dhe as mbi një shërbim të fshehtë të krahasueshëm me atë të një fuqie të mesme perëndimore. Mbas sulmeve të Charlie Hebdo në Paris në janar 2015, qeveria belge zbuloi se i mungonin 150 nga 750 agjentëve të zbulimit ; që atëherë ka marrë 42 por, shkruan Politiku, mbeten në stërvitje për së paku dy vjet.
Ndoshta problemi është se Brukseli është shumë gjëra së bashku, bashkon shumë kundërshti në një hapësirë më të vogël se Milano. Popullsia arabe ka filluar të vijë në vitet 50 nga Maroku, Tunizia e Algjeria së bashku me ato italiane, turke dhe portugeze : të gjithë të pajtuar në Vendet e tyre për minierat apo uzinat e çelikut të Valonias. Sot janë 300.000 brukselas të besimit mysliman, pak më shumë se një e katërta e banorëve të kryeqytetit ; nga 2013 Valonia, krahina frengfolëse, ka riemëruar pushimet e krishtlindjes në shkolla si “leje dimërore”, për të mos prekur asnjë ndjeshmëri. Shumica e madhe e myslimanëve bashkëjeton në paqe me bashkësitë e tjera. Ka një pakicë të dyshimtë, mjaft të gjërë, që i ka siguruar mbulim terroristit Salah Abdeslam në Molenbeek, gjysmë ore me biçikletë nga Komisioni i BE. Aty pranë, në tregun e thertoreve të Anderlehtit, është vështirë të gjindet edhe një njeri i vetëm me origjinë evropiane në një turmë prej stadiumi.
Në Bruksel mund të ecet ndërmjet një blloku ndërtesash e një tjetri e të ndryshojë gjuha në zyrat (nga frengjishtja në flamandçe). Edhe më shpesh, në një shëtitje prej pesë minutash, ndryshojnë aromat dhe rrobat e kalimtarëvet, nga kravatat e firmuara tek dollomaja salafite, tek festja fisnore e Kongos. Kulla Madou, nga ku fuksionarët e Konkurrencës së Komisionit BE vendosin t’ardhmen e bankavet italiane, brënda është përsosmërisht sterile. Praktike dhe e thjeshtë në stil të përsosur eurokratik. Jashtë është e mbështjellur nga popullsia myslimane e Saint Josse, demografikisht vërshuese dhe gjithënjë e më shpesh e radikalizuar tek të rinjtë në kërkim të identitetit.
Nga ana tjetër e lagjes evropiane, mbrapa krahëvet të Parlamentit të ri e të stërmadh, rrugët kryesore të Ixelit janë plot kafene të shijes franceze e të rinj të diplomuar në çdo qoshe t’Evropës. Por rrugicat e vogla janë të mbushura me Internet kafè të vjetëruara, ku bijtë e të mërguarvet marokenë apo bengalezë kalojnë netët gjithmonë mbi të njëjtit siti web në arabisht.
Brukseli është tepër kompleks, i rëndësishëm dhe simbolik për t’a quajtur atë të djeshmin një sulm vetëm kundrejt Belgjikës. Deri edhe armiqtë tanë, tragjikisht deklarojnë me një veprim lufte, se ky është kryeqyteti politik i Evropës dhe ka ardhur koha për qytetarët ashtu si për qeveritë t’a trajtojnë si të tillë. Brukseli kishte muaj që pregatitej për këtë ditë. Për Krishtlindje qeveria belge kishte shpallur deri edhe një shtetrrethim të gjatë ; megjithatë dje, më shumë se një orë mbas masakrës së parë në aeroport, askush nuk u kujtua të mbyllej metroja për të parandaluar goditjen e dytë.
T’i lihet siguria e Brukselit qeverisë belge dhe policive të saj rajonale është sikurse të mëtohet që qeveria greke dhe peshkatarët e Lesbos të mbarështojnë vetëm valët e refugjatëve. Duhet një forcë e sigurisë evropiane gjatë kufijve dhe në qendrën nevralgjike të Bashkimit. Terroristët, që kanë goditur zemrën e Bashkimit, duket se i kuptojnë këto kundërshtí më mirë se ne vetë evropianët. Duke shpërthyer bombat në aeroportin e Zaventemit dhe në metrò, dy hapa larg Komisionit dhe Parlamentit BE, e trajtojnë Brukselin – në mënyrën e tyre të tmerrshme – si kryeqytetin e Shteteve të bashkuara t’Evropës. Do të shihet shpejt nëse përgjigja do të jetë në lartësinë e duhur. Ose nëse mbas lotëvet do të mbizotërojnë ende ikjet iluzore mbas mureve apo kufijve të vegjël, pikërisht atje ku armiqtë tanë do të donin të na mbyllnin.
“Corriere della Sera”, 23 mars 2016 E përktheu Eugjen Merlika
products says
Hi there would you mind letting me know which web host you’re working with?
I’ve loaded your blog in 3 different internet browsers and I must say this blog loads a lot quicker
then most. Can you recommend a good internet hosting provider
at a fair price? Thank you, I appreciate it!
dgreca says
okay: Imjeku@yellowpages.com