
Prend Ndoja/
Festë e bukur në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” dhe degën e Vatrës në Long Island.
Me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e shkollës shqipe, që mban emrin e patriotit dhe shkrimtarit të madh Gjergj Fishta, nga dega e Vatrës në Long Island, u organizua një aktivitet i bukur kushtuar këtij përvjetori të rëndësishëm. Merrnin pjesë nxënës e mësues të shkollës, prindër, si dhe aktivistë të Vatrës e qytetarë të tjerë shqiptarë që banojnë në këtë zonë dhe më gjerë.
Kjo ditë është për të gjithë shqiptarët një festë e rëndësishme dhe e lumtur, është një ditë gëzimi mbarëkombëtar. Ndaj edhe atmosfera në shkollë ishte aq e bukur e festive. E morën fjalën e përshëndetën sekretari i Vatrës së degës në Long Island, Klaudio Turkaj, themeluesi i shkollës “Gjergj Fishta”, Dr. Paulin Marku, sekretari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj, Prend Ndoja, si dhe në fund të programit i falënderoi të gjithë të pranishmit mësuesja e gjuhës shqipe, zonja Fabiola Gjinaj. Në këtë takim të rëndësishëm pata kënaqësinë të përshëndesja edhe unë, si shkrimtar dhe aktivist i Vatrës. U ndala në vështrimin historik dhe në rëndësinë e madhe që kishte liria e Kosovës jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për Ballkanin, Bashkësinë Evropiane e më gjerë, shpallja e pavarësisë, fitorja e lirisë së Kosovës dhe krijimi i shtetit më të ri në Evropë.
Tokat tona që shtrihen në gadishullin ilirik gjithmonë patën sulme nga armiqtë që vunë shumë kufij në tokat tona, por në zemrat e në mendjen e popullit shqiptar, në dashurinë për atdhe, kurrë nuk kanë arritur të vënë kufij. Vetvetiu lind pyetja: Pse ky popull kaq fisnik, kaq bujar, u sulmua pa reshtur nga armiqtë, nga fqinjët? Ne jemi të parët e këtyre trojeve dhe jemi të vetmit që nuk kemi afërsi farefisnore gjenetike me fqinjët, ashtu siç kanë ata në mes veti. Sepse ne jemi autoktonë, kurse ata janë të ardhur e kanë zaptuar trojet tona. Historia dhe gjuha jonë janë më të vjetrat e kjo i ka munduar armiqtë tanë.
Ne e dimë se asgjë nuk vjen falas, ashtu as pavarësia e liria e Kosovës nuk erdhën falas. Historikisht kemi vuajtur për liri, jemi detyruar të shtrëngojmë armët për të mbrojtur tokat tona aq të lakmuara prej tyre, të përballemi me qëllimet e errëta të tyre dhe të triumfojmë mbi ta. Në këtë kuptim lufta për lirinë e Kosovës ka filluar shekuj më parë.
Gjatë viteve ’90 unifikimi i popullit tonë ishte një shembull i mirë që nuk do të harrohet kurrë. Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, i paharruari presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, lidhi aleanca me shtetet më të fuqishme të botës, formoi forcat e armatosura të Kosovës dhe me një diplomaci të jashtëzakonshme demaskoi politikën e gjenocidin serb para botës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, edhe pse me armatime e në numër luftëtarësh e oficerësh ishte shumë larg me atë të armikut, doli triumfuese, sepse mbronte familjen, shtëpinë dhe tokën e tyre stërgjyshore, mbronte të drejtën e popullit për të jetuar i lirë në trojet e veta. Ajo e projektoi dhe e ndërtoi fitoren betejë pas beteje, që nga beteja e Loxhës e deri tek ajo e fundit, në Koshare, që kurorëzoi lirinë e Kosovës. Në këtë luftë u bashkua një popull i tërë liridashës, shumë familje u shuan, shumë shtëpi e fshatra u dogjën e u shkatërruan, heroizëm të pashoq shkruan familje si ajo e Adem Jasharit e të tjera. Vepra dhe gjaku i tyre nuk shkuan kot, por qëndisën fitoren e madhe historike.
Në vitin 1999 Ushtria Çlirimtare, së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, sidomos me aleatin tonë më të fuqishëm, superfuqinë botërore, SHBA, e dëbuan armikun nga vendi ynë. Dhe fryma e flamuri i lirisë u valëvitën vatër më vatër në trojet tona dardane.
Më 17 shkurt të vitit 2008, me shpalljen e Pavarësisë, u vunë themelet e shtetit tonë të pavarur, i cili sot njihet nga 121 shtete të botës. Sot Kosova është një shtet i ri, një shtet që po tregon qytetërim autokton, kulturë demokratike, vështrim euroatlantik dhe po e projekton veten për në Bashkësinë Evropiane. Po punohet me projekte të qarta e konkrete për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, për të drejtat dhe mirëqenien e popullit, për forcimin e rendit e të mbrojtjes kombëtare. Sot policia e Kosovës është ndër më të mirat e rajonit. Kemi ushtrinë tonë, për fuqizimin e së cilës qeveria po bën investimet e duhura, kemi djem e vajza që sot e mbrojnë vendin me atdhedashuri, ashtu siç natyra e vendit tonë i ka krijuar, me vendosmërinë për të mbrojtur atdheun tonë.
Të gjithë ne e dimë që ka mjaft vend edhe për më mirë. Ngaqë në syrin tonë, atdheu është si fëmija në syrin e nënës. Asnjëherë nuk është mjaft i mirë, mjaft i suksesshëm. Ndaj të gjithë e duam Kosovën tonë akoma më të fuqizuar, më të lulëzuar e më të begatë, shembull përparimi në rajon dhe në gjithë Evropën.
Në vitin 1999 ushtria serbe e humbi betejën përballë popullit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe forcave të miqve ndërkombëtarë. Por ata që dje bënin gjenocid në vendin tonë, sot e kanë ndërruar strategjinë politike. Organizojnë metoda të tjera kundër shtetit dhe popullit. Një ndër to janë aleancat ruso-serbe me mbeturinat e tyre, që, me gjyqe politike të manipuluara nga prokurorë keqdashës të çështjes shqiptare, po bëjnë çmos të dënojnë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne e dimë që lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë një ndër luftërat më të shenjta që nga koha e Skënderbeut, luftë për liri, për të mbrojtur familjen, tokën, shtëpinë, historinë, kulturën e gjuhën kombëtare. Ndaj manovrat e armiqve tanë e të mbështetësve të tyre do të dështojnë me turp e emri i Kosovës dhe i shqiptarizmit do të ngrihen gjithnjë e më lart.
Gëzimin e kësaj dite feste e bënë edhe më të bukur e më të prekshëm nxënësit e shkollës, të cilët recituan vjersha e kënduan këngë, në zemër të të cilave ishin gjithnjë Kosova, liria, flamuri kombëtar, gjuha shqipe.