Dhjetëra veta dyshohet se kanë humbur jetën të enjten pasi një avion udhëtarësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Haëk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak, pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan”.
Në një deklaratë të Administratës Federale të Aviacionit thuhet se avioni po udhëtonte nga qyteti Wichita i Kanzasit dhe po i afrohej pistës së uljes kur ndodhi përplasja me helikopterin Sikorsky H-60.
Zyrtarët thanë se tre pjesëtarë të ushtrisë amerikane ishin në helikopter, i cili po kryente një fluturim stërvitor. Kompania American Airlines tha në një deklaratë se në avion ishin 60 udhëtarë dhe katër pjesëtarë të ekuipazhit.
Në raportet e mediave citohen burime që kanë thënë se shumë prej tyre dyshohet se kanë vdekur nga përplasja.
Autoritetet thanë në një konferencë shtypi se janë përqendruar në një operacion shpëtimi që përfshin anije dhe zhytës në lumin Potomak ngjitur me aeroportin.
I pyetur nëse kishte ndonjë të mbijetuar, shefi i zjarrfikësve të Uashingtonit, John Donnelly tha, “nuk e dimë ende, por po punojmë”.
Zoti Donnelly tha se ekipet prej rreth 300 vetash po punonin në kushte të vështira, në errësirë dhe ujin e ftohtë në zonë.
Ndërsa zyrtarët nuk konfirmuan asnjë vdekje, senatori amerikan Roger Marshall nga Kanzasi tha në konferencë se “ne vajtojmë me familjet që humbën të dashurit”.
“Të gjitha ato jetë janë kaq të vlefshme dhe është një tragjedi që ne i humbëm ato”, tha senatori Marshall.
Organizata e Patinazhit Artistik të Shteteve të Bashkuara, tha se disa anëtarë të këtij komuniteti dhe anëtarë të familjeve, ishin në mesin e udhëtarëve në avion.
“Jemi të dërmuar nga kjo tragjedi e papërshkrueshme…”, thuhet në një deklaratë të organizatës.
Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington tregonin një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale, dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi. Të dhënat nga avioni treguan se ai ishte në një lartësi prej rreth 120 metrash në çastin e përplasjes.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se ishte informuar mbi atë që e cilësoi “një aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikëqyrte situatën.
“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, shtoi ai. “Faleminderit të gjithë ekipeve të emergjencave për punën e jashtëzakonshme që po bëhet. Po e ndjek situatën dhe do të jap hollësi sapo të jetë e mundur”.
“Ç’natë e tmerrshme ishte kjo”, shkroi më vonë Presidenti Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Është një natë e kthjelltë, dritat në aeroplan po vezullonin, pse helikopteri nuk u ngjit më lart ose nuk u ul apo nuk u kthye. Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që të pyeste nëse e panë aeroplanin”, shkroi Presidenti Trump. “Kjo është një situatë e keqe që duket se duhej të ishte parandaluar. JO MIRE!!!”
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth e quajti situatën “absolutisht tragjike”.
https://platform.twitter.com/embed/Tweet.html?dnt=false&embedId=twitter-widget-0&features=eyJ0ZndfdGltZWxpbmVfbGlzdCI6eyJidWNrZXQiOltdLCJ2ZXJzaW9uIjpudWxsfSwidGZ3X2ZvbGxvd2VyX2NvdW50X3N1bnNldCI6eyJidWNrZXQiOnRydWUsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdHdlZXRfZWRpdF9iYWNrZW5kIjp7ImJ1Y2tldCI6Im9uIiwidmVyc2lvbiI6bnVsbH0sInRmd19yZWZzcmNfc2Vzc2lvbiI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfZm9zbnJfc29mdF9pbnRlcnZlbnRpb25zX2VuYWJsZWQiOnsiYnVja2V0Ijoib24iLCJ2ZXJzaW9uIjpudWxsfSwidGZ3X21peGVkX21lZGlhXzE1ODk3Ijp7ImJ1Y2tldCI6InRyZWF0bWVudCIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfZXhwZXJpbWVudHNfY29va2llX2V4cGlyYXRpb24iOnsiYnVja2V0IjoxMjA5NjAwLCJ2ZXJzaW9uIjpudWxsfSwidGZ3X3Nob3dfYmlyZHdhdGNoX3Bpdm90c19lbmFibGVkIjp7ImJ1Y2tldCI6Im9uIiwidmVyc2lvbiI6bnVsbH0sInRmd19kdXBsaWNhdGVfc2NyaWJlc190b19zZXR0aW5ncyI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdXNlX3Byb2ZpbGVfaW1hZ2Vfc2hhcGVfZW5hYmxlZCI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdmlkZW9faGxzX2R5bmFtaWNfbWFuaWZlc3RzXzE1MDgyIjp7ImJ1Y2tldCI6InRydWVfYml0cmF0ZSIsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfbGVnYWN5X3RpbWVsaW5lX3N1bnNldCI6eyJidWNrZXQiOnRydWUsInZlcnNpb24iOm51bGx9LCJ0ZndfdHdlZXRfZWRpdF9mcm9udGVuZCI6eyJidWNrZXQiOiJvbiIsInZlcnNpb24iOm51bGx9fQ%3D%3D&frame=false&hideCard=false&hideThread=false&id=1884830433608683978&lang=en&origin=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7956454.html&sessionId=45d558ae022f84a54ab1a38a7ee21636aa766cc6&siteScreenName=zeriamerikes&theme=light&widgetsVersion=2615f7e52b7e0%3A1702314776716&width=550px
“Përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë ende në vazhdim. Lutje për të gjithë shpirtrat e prekur dhe familjet e tyre”, tha sekretari Hegseth në rrjetin X.
Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, por një sërë incidentesh në vitet e fundit kanë ngritur shqetësime për sigurinë.
Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 5 të pasdites, me orën lokale.
*Disa pjesë u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters
*Ky është një lajm në zhvillim