
Anila Kadija/
Në sallën qendrore të konferencave të Akademisë së Shkencave u zhvillua një ngjarje me peshë të veçantë kulturore, artistike dhe historike, e titulluar “Zëri krijues i gruas intelektuale që përcjell artin dhe bukurinë çame në Shqipëri dhe diasporë”.
Ky aktivitet u bë i mundur falë nismës dhe organizimit së shkrimtares me banim në Angli, znj. Nexhmije Hasani, në bashkëpunim me 21 krijuese femra me origjinë çame, të cilat jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri dhe në diasporë (Angli, Amerikë, Itali, Greqi, Gjermani). Moderatore dhe bashkorganizatore e aktivitetit ishte znj. Anila Kadija.
Eventi u shndërrua në një tribunë të pasurisë shpirtërore dhe krijuese, ku u ndërthurën vargjet, fjala artistike, dashuria për rrënjët, kujtesa e dhimbshme historike dhe krenaria për origjinën. Një mozaik i gjallë që u pasqyrua edhe në larmishmërinë e kostumeve popullore çame, duke krijuar një atmosferë të veçantë emocionale dhe artistike.
Në këtë aktivitet dhanë kontributin e tyre krijueset:
Lumturi Plaku, Arjana Fetahu Gaba, Nurie Maliqi Baduni, Ildije Xhemali, Arbana Sheme, Mimoza Eliona Osmani, Matilda Omeri, Nezi Plaku Velaj, Rakela Yzeiri, Shqiponja Panajoti Sulejmani, Silva Xhemo, Neviana Shehi, Alma Mehmeti, Luela Myftari, Estela Balo, Lulëzime Goburi, Pranvera Belba Fusha, Enkeileda Arifi, Luljeta Gjyzeli Gjeli.
Të pranishëm ishin familjarë, miq dhe dashamirës të artit e letërsisë çame. Për imazhin dhe dokumentimin fotografik u kujdes fotografi Kristaq Janushi.
Programi u pasurua nga performanca e studentëve me origjinë çame në recitim, balet dhe një paradë me tabela sensibilizuese mbi çështjen çame, që shtoi vlerën ndërgjegjësuese të këtij aktiviteti. Atmosferën e gjallëruan edhe zërat e njohur të këngës popullore çame, Hysni Alushi dhe Enkelejda Arifi, ndërsa përfaqësueset e veshura me kostume tradicionale u përfshinë në një valle të përbashkët. Me një interpretim të fuqishëm, aktiviteti u hap nga regjizori Bajram Torba, duke i dhënë veprimtarisë një hyrje mbresëlënëse.
Ky event u cilësua si hapi i parë i një rruge të gjatë të bashkëpunimeve të ardhshme mes krijueseve çame në Shqipëri dhe në diasporë. Vetë pjesëmarrëset u shprehën:
“Duam që ajo dega e bukur e tokës sonë t’i bashkohet trungut. Tani le të bashkojmë krijimtarinë kudo që ndodhemi!”
Një falënderim i veçantë u drejtua për kryetarin e Akademisë së Shkencave, z. Skënder Gjinushi, për mbështetjen dhe hapjen e dyerve të institucionit, duke e bërë të mundur zhvillimin e këtij aktiviteti dinjitoz në një mjedis akademik, si dhe për kontributin e tij në promovimin e vlerave të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.
Ky takim krijues është dëshmi se arti, fjala dhe kujtesa historike mbeten ura të fuqishme që lidhin shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, duke i dhënë zë një prej pjesëve më të ndjeshme e të vyera të identitetit tonë: Çamërinë.