Nga Astrit Lulushi/ Themeluesit e Amerikës ishin të kujdesshëm për të shmangur krijimin një demokracie të drejtpërdrejtë, pasi shqetësoheshin se demokracia e drejtpërdrejtë do të ishte e barabartë me sundimin e turmës. Kështu u vendos që qytetarët e secilit shtet të votojnë për zgjedhësit (kolegj zgjedhor), të cilët nga ana tyre zgjedhin presidentin. Senatorët u zgjodhën nga legjislaturat e shtetit – jo nga populli. Vetëm anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve u zgjodhën drejtpërdrejt.
Etërit themelues shikuan të kaluarën për udhëzime se si të ndërtonin një qeveri të ekuilibruar – me kufizime të kujdesshme, kontroll e balancë – dhe askush nuk ndikoi në mendimin e tyre më shumë sesa burri i shtetit Romak Ciceroni (106-43 pes) Gati dy mijë vjet pas kohës së tij, Ciceroni u bë arkitekt i kushtetutave që ende drejtojnë jetën tonë. Për themeluesit e Shteteve të Bashkuara dhe homologët e tyre politikë në Britaninë e Madhe, shkrimet e Ciceronit ishin baza e edukimit të tyre. Ciceroni shkroi se si një shtet duhet të organizohet më së miri, dhe vendimmarrësit e shekullit XVIII prej tij kuptuan atë që thoshte.
Libri i parë dhe zotërimi më krenar i John Adams ishte Ciceroni përkthyer në anglisht nga William Blake (1757-1827). Bazuar në këtë libër, Adams paraqiti idenë e tij për një kushtetute të përzier ose të ekuilibruar. Ai nuk favorizoi as monarkinë as oligarkinë dhe as demokracinë, por një kombinim të tyre. Modeli ishte vetë Roma, por e përmirësuar. Drejtuesit e Romës kishin patur fuqi pothuajse mbretërore. Ajo u përmbajt pjesërisht nga përdorimi i gjerë i vetove, dhe nga një Senat, i dominuar kryesisht nga familje të mëdha politike. Politikanët zgjidheshin në detyrë nga populli.
Ky model nuk është aq shumë i largët nga kushtetuta e Shteteve të Bashkuara me balancën midis ekzekutivit dhe legjislativit, si dhe kufizimet, që u hoqën, të cilat e bënin demokracinë e pastër të paplotësuar. Kur George Washington, duke medituar mbi vështirësinë e sigurimit të një qeverie të qëndrueshme, tha, “Çfarë triumfi për mbrojtësit e despotizmit të zbulojnë se ne jemi të paaftë për të qeverisur veten, dhe se sistemet në bazë të lirisë së barabartë janë thjesht ideale dhe të gabuara”, ai mund të ishte duke cituar Marcus Tullius Cicero.