
Fitim Zekthi/
Sistemi ynë politik, demokracia, është plotësisht i varur nga ardhja dhe ikja e politikanëve dhe qeverive përmes zgjedhjeve. Politikanët mund të jenë të paaftë ose gabimtarë, mund të keqpërdorin pushtetin, por ata vijnë dhe ikin; duhet të vijojnë dhe të ikin me zgjedhje, duhet të lejojnë ardhjen dhe ikjen përmes zgjedhjeve. Kjo është gjëja themelore. Kjo është edhe vlera e tyre më e lartë. Pa këtë, çdo gjë tjetër është e rreme, është krim.
Është monumentale një deklaratë e kryeministrit turk Ismet İnonu në vitin 1950, kur humbi zgjedhjet. Ai kishte ardhur në pushtet si kryeministër në një sistem me një parti. Ai hapi, lejoi dhe zhvilloi zgjedhje shumëpartiake, dhe në zgjedhjet e para humbi. Ai tha: “Fitorja ime më e madhe është fiaskoja ime, humbja ime elektorale në këto zgjedhje.” Pra, ai erdhi në pushtet me zgjedhje në një sistem njëpartiak dhe iku nga detyra me zgjedhje në një sistem shumëpartiak. Ai ishte një politikan me probleme, i kritikuar për shumë gjëra, por bëri një akt të madh.
Është vërtet gje e madhe të vish në detyrë përmes zgjedhjeve pluraliste, por edhe më e madhe të ikësh me zgjedhje. Një prej problemeve më të rënda tek ne është marrja nën kontroll e qeverive dhe politikës nga politikanë që nuk duan të ikin me zgjedhje, që nuk duan të largohen fare, absolutisht fare. Të gjitha të tjerat, të këqijat që kemi, rrjedhin nga kjo. Kudo në botë, problemi nis ose ka nisur kur gjërat janë bërë keq, ose kur popujt kanë rënë në tirani apo forma të poshtra të sundimit politik. Prandaj, në fillim, diskutimi duhet të nisë nga kjo kur flasim per politikanët tanë. Demokracia nuk është sistemi më i mirë politik për të shmangur problemet por është më i miri për ti korrigjuar ato. Ky korrigjim bëhet nga largimi i pushtetarëve, i politikanëve nga pushteti dhe funksionet politike.