
KOSOVË-PRESIDENTI THAÇI, KONSULTIME ME PARTITË/
-Në Kosovë, pas dorëheqjes së Kryeministrit, Presidenti nis konsultimet me partitë politike javën e ardhshme/
-Pika 5 e Nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Korrik 2019/ Presidenca deklaroi sot se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tone”, thekson deklarata dërguar nga Presidenca.
Për më tepër, vijon deklarata, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. “Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”, shtohet më tej.
Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit, përfundon deklarata.
Pika 5 e Nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejton, të premtën e 19 korrikut 2019, kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin që u zhvillua në 24 korrik.
Sipas shumicës së deklaratave të partive politike, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, por ka edhe pritje që të mandatohet një kandidat i ri për të formuar Qeverinë, e cila do mund të zgjedhej me së paku 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh.
Kuvendi i Kosovës aktualisht ka këtë përbërje të grupeve parlamentare: Lidhja Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lëvizje Vetëvendosje 19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12, Partia Social Demokrate 12, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 8 dhe Grupi 6+ (i komuniteteve pakicë) 6. Ndërsa, pa grup parlamentar janë 5 deputetë.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.