Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari.
PRISHTINË, 18 Tetor 2021/ Pas votimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë të dielën e 17 Tetorit 2021 me pjesëmarrje të votuesëve 42,50%, sipas rezultatit preliminar të garës për kryetarë në shumicën e 38 komunave – në 21 do votohet përsëri në balotazh e në 17 u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.
Partia që qeverisë Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje, në asnjë komunë nuk arriti rezultatin mbi 50% të votave që e kishte në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit 2021, prandaj në asnjë komunë kandidatët e saj nuk u zgjodhën kryetarë që në raundin e parë e katër prej tyre do vazhdojnë garën në balotazh në Prishtinë, Podujevë e Gjilan përballë kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në Gjakovë përballë kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në garën për kryetarë komunash që në raundin e parë kanë fituar Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Skenderaj dhe në Han të Elezit, Lidhja Demokratike e Kosovës në Pejë e Lipjan dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan e Suharekë.
Në 9 nga 10 komunat me shumicë serbe që në raundin e parë janë zgjedhur kryetarë kandidatët e Listës Serbe, e cila në një komunë shkon në balotazh. Edhe në Mamushë – komunën e vetme të banuar me shumicë nga minoriteti turk kryetari do zgjedhet në balotazh.
Numërimi i votave ka filluar mbrëmjen e së dielës dhe vijon edhe sot edhe për kandidatët për 1 002 asambleistët në 38 kuvendet komunale.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) Eugen Cakolli ka shkruar:
Nëse merren votat për kuvendet komunale, që përfaqësojnë votën popullore në nivel vendi, atëherë shihet se rezultati mes subjekteve politike është tejet i ngushtë.
Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë në nivel vendi me 22.5%, pasuar nga LDK me vetëm 0.03% më pak. Pas tyre radhiten PDK me 22%, AAK me 11.9%, Lista Serbe me 7.6%, NISMA me 2.5%, AKR me 1.2% dhe subjektet tjera me 9.7%.