
-Akreditohet Gazetari i Diellit ne KQZ/

-Kosova zgjedhje të parkohshme parlamentare në 6 tetor 2019, tre partitë më të mëdha – Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje garojnë të vetme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e deklaroi të mbyllur afatin për koalicione mbrëmë në mesnatë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 31 Gusht 2019/ Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë në 6 tetor 2019, do garojnë pa koalicione parazgjedhore – të vetme tre partitë më të mëdha përnga numri i deputetëve që kishin në Kuvendin 120 anëtarësh të vetëshperndarë në 22 gusht – Lidhja Demokratike e Kosovës me 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës me 23 dhe Lëvizja Vetëvendosje me 19. E vetme do garojë edhe Srpska Lista (Lista Serbe), e cila kishte grupin parlamentar prej 10 deputetësh. Edhe një partie serbe -Samostalne Liberalne Stranke (Partisë së Pavarur Liberale), e cila në legjislaturën e kaluar kishte 1 deputet, i mbetet mundësia të garojë e vetme pasi nuk figuron në koalicionet e deklaruara deri në përfundimin e afatit.
Ndërsa, janë 4 koalicione, dy të partive shqiptare, që u paraqitën për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit që përfundoi në mesnatën e kaluar: Koalicioni i dy partive -Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social Demokrate që në legjislaturën e kaluar kishin nga 12 deputetë; koalicioni i tre partive – Nismës Socialdemokrate me 8, Alances Kosova e Re me 2 e Partisë së Drejtësisë pa asnjë deputet në legjislaturën e kaluar.
Dy koalicionet tjera jënë, njëri i tre partive nga komunitetet pakicë joserbe, të cilat komunitete në legjislaturën e kaluar kishin Grupin parlamentar 6+ me 6 deputetë, e tjetri i dy partive të komunitetit pakicë serb që nuk kishin deputetë në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës Këto dy koalicione parazgjedhore të partive politike të pakicave sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë: “Koalicioni Vakat, i deklaruar ndërmjet 3 Partive Politike: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka; Koalicioni Sloboda, i deklaruar ndërmjet 2 Partive Politike: Progresivna Stranka Kosova dhe Nova Partija Kosova”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi sot se në mesnatën e kaluar përfundoi vetëm periudha për deklarim të pjesëmarrjes në zgjedhje përmes koalicionit, ndërsa për të gjitha subjektet politike (partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare), të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës në 6 tetor, afati i aplikimit për certifikim përfundon në 6 shtator.
Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, pasi në 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e 111-të të qeverisë që nga zgjedhja e tij, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin që u zhvillua në 24 korrik.
Në mbledhjen e paralajmëruar për 26 korrik 2019 qeveria e Kosovës në detyrë nuk ka proceduar me rendin e ditës, por vetëm ka diskutuar për ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit e më pas nuk është mbajtur asnjë mbledhje tjetër.
Qeveria e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.