Dr. Evarist Beqiri
Në Iran, të premten e shkuar u zhvillua ruandi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Fitues u shpall kandidati reformist Masoud Pezeshkian me 30.5 milion vota. Pezeshkian fitoi 53.6% të votave duke mundur kandidatin ultra-konservator Saeed Jalili, i cili mori 44.3% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 49.8% e zgjedhësve. Ndërkohë që raundi i parë i votimeve shënoi pjesëmarrjen më të ulët të zgjedhësve në votime qysh prej vendosjes në Iran të Republikës Islamike në vitin 1979…
Fillimisht duhet qartësuar se çfarë nënkupohet me termin “reformist” në Iran. Në një vend ku nuk lejohen partitë politike, sistemi teokratik përdor element të sistemit demokratik siç janë zgjedhjet. Dhe në zgjedhje lejohen që të marrin pjesë fraksionet ideologjike të elitës qeverisëse të Republikës Islamike. Pra, me termin “reformist” nuk kuptohet një politikan, i cili përkrah vlerat e sistemit të demokracisë liberale. Si reformistët ashtu edhe konservatorët iranian janë Islamist, por reformistët besojnë se moderimi i ideologjisë së regjimit mund të jetë më i dobishëm për klasën sunduese dhe shoqërinë iraniane.
Presidenti i ri është një kardiokirug 69 vjeçar me prejardhje nga pakica azero-kurde. Ai do të jetë edhe presidenti më i moshuar që zgjidhet në këtë post në Iran. Këshilli Gardianëve, të cilët shqyrtojnë paraprakisht kandidaturat presidenciale, e pranoi kandidaturën e tij në këto zgjedhje, pas refuzimit që ata i bënë kandidaturës së tij në zgjedhjet presidenciale të viti 2021.
Pas protestave masive që shpërthyen në Iran në shtator 2022, menjëherë pas vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini, në duart e policisë së moralitetit, fitorja e Pezeshkian duket si një shenjë që regjimi po dëgjon zërin e protestës masive popullore. Njëkohësisht, zgjedhja e tij shpërfaq edhe ndasitë që ekzistojnë brenda së plotëfuqishmes Gardë Revolucionare Islamike, ku një pjesë e saj e ka përkrahur kandidaturën e Pezashkian dhe jo atë të rivalit të tij konservator.
Masoud Pezeshkian pas humbjes së bashkëshortes dhe djalit të tij të vogël, në një aksident automobilistik në vitin 1994, vendosi të mos rimartohej duke i rritur i vetëm të tre fëmijët e tij. Dhe përgjatë fushatës elektorale presidenciale ai është shfaqur në publik përkrah vajzës së tij, Zahra. Pezashkian ka shërbyer si ministër i shëndetësisë në vitet 2001-2005, përgjatë mandatit të dytë të presidentit reformist Mohammad Khatami. Përgjatë fushatës elektorale presidenciale ai e ka shfaqur veten si një njeri i popullit, i cili do to jetë zëri atyre që nuk kanë zë…
Pezashkian është anëtar i parlamentit iraninan që prej vitit 2008. Ai u shfaq si një zë kritik ndaj dhunës së ushtruar nga organet shtetërore përgjatë protestave popullore të vitit 2009, 2018 dhe 2022. Zgjedhja e tij ka ngjallur disi shpresën në shoqërinë iraniane, të rraskapitur nga sanksionet e gjata ekonomike perëndimore. Asnjë ekonomi në historinë botërore nuk ka arritur që rritet, duke qëndruar e izoluar në një kafaz…
Prandaj, Pezashkian synon që të ringjall Marrëveshjen Bërthamore Iraniane të arritur në vitin 2015, dhe të heq sanksionet ekonomike ndaj Iranit. Ai ka premtuar ndjekjen e një politike miqësore me të gjitha vendet e huaja, duke përjashtuar Izrealin. Kjo nënkupton se Irani do të vijojë të mbështes Aksin e Rezistencës. Dhe pikërisht një nga telefonatat e para të urimeve për zgjedhjen e tij ai e mori nga Presidenti rus Vladimir Putin, i cili syonon garantimin e ndihmës iraniane për Luftën në Ukrainë. Nëse Irani do të vijojë forcimin e aleancës me Rusinë dhe mbështetjen e proksive të tij në Liban, Palestinë dhe Jemen, pak gjasa ka që dialogu me vendet perëndimore të ketë sukses.
Gjithsesi, zgjedhja e Pezashkian është pritur mirë veçanërisht nga të rinjtë, femrat, si edhe nga minoritet etnike në Iran, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre. Se sa do të jetë në gjendje presidenti Pezashkian që të sjell ndryshime sociale në Iran, kjo ngelet për t’u parë. Duke pasur parasysh që fjalën e fundit në politikën e jashtme dhe atë të brendshme në Iran e ka lideri suprem Ali Khamenei, hapësirat e manovrimit të tij janë të kufizuara.
Megjithatë, si një njohës i mirë i sistemit politik iranian, Pezashkian do të përpiqet që të ringjall ekonominë dhe të krijojë një mjedis më pak shtypës. Dhe patjetër që zgjedhja e një fytyre më të moderuar mund t’a lehtësojë dialogun me vendet perëndimore, por kjo do të varet sidomos edhe nga fakti se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA…