Nga Akri Çipa/
Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit në shkurt. E përshëndetur me reagime të përziera, ajo merr parasysh disa nga shqetësimet dhe sugjerimet e shteteve anëtare, sidomos ato të Francës, e cila bllokoi fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tetorin e kaluar.
Ndërsa shumë shtete anëtare dhe zyrtarë nga vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE e kanë mirëpritur qasjen e re, disa i kanë përshkruar ndryshimet si kozmetike dhe me synimin e vetëm për të kënaqur presidentin francez Emmanuel Macron dhe për ta bindur atë të japë dritën jeshile për hapjen e bisedimeve të pranimit me dy vendet e Ballkanit në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, problemet kryesore me politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkan kanë të bëjnë shumë pak me metodologjinë. Problemi më i madh është qasja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare ndaj kësaj çështjeje kritike.
Çfarë ndodhi me parimet?
Pamundësia ose mosgatishmëria e BE-së për t’u përballur me liderët lokalë në Ballkan kanë sjellë disa situata absurde. Asgjë nuk mund ta reflektojë më mirë këtë mungesë konsistence sesa çështja e respektimit të sundimit të ligjit në mesin e vendeve të cilat aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së.
Theksuar nga Komisioneri Varhelyi në prezantimin e metodologjisë së re, çështja e mungesës së sundimit të ligjit në Ballkan është një nga çështjet e ngritura më shpesh dhe më me zell në Bruksel.
Por, ndërsa zyrtarët e BE-së e nënvijëzojnë gjithmonë nevojën e përmirësimit të sundimit të ligjit – dhe mbështeten te kjo për të justifikuar mungesën e progresit në procesin e zgjerimit – ata përballen me ata të cilët janë përgjegjës për të.
Në të njëjtën kohë, BE-ja ka bërë diferencim të qartë midis vendeve të ndryshme të Ballkanit që aspirojnë të hyjnë ne BE. Kompromiset e dhimbshme dhe reformat e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk u shpërblyen me hapjen e negociatave. Nga ana tjetër, Serbia është etiketuar si vend favorit për të hyrë në BE, pavarësisht se ajo është një forcë destabilizuese në rajon nëpërmjet përpjekjeve të saj për të bllokuar njohjen e Kosovës dhe për të sfiduar sovranitetin e saj.
Ndërsa vendet e tjera të Ballkanit rreshtojnë politikat e tyre të jashtme me BE-në, Serbia mban një marrëdhënie shumë të ngushtë me Moskën dhe kërkon të tërheqë investime kineze. Statusi i saj në Bruksel nuk është dëmtuar nga këto fakte dhe as nga akuzat bindëse për kapjen e shtetit dhe heqjen dorë nga sundimi i ligjit.
Është e vërtetë që në politikë nuk mund të zgjidhen liderët me të cilët bashkëveprohet dhe me të cilët duhet të bashkëpunosh, zakonisht nën nevojën e kompromiseve.
Por, nga një këndvështrim më i gjerë, një politikë e përgjithësimit të kritikave, e cila në mënyrë indirekte mbron frenuesit e progresit dhe u bën qejfin liderëve lokalë që nuk janë plotësisht të përkushtuar ndaj objektivave të BE-së, nuk është as e justifikueshme dhe as efikase.
Pa një ndryshim në këtë qasje, asnjë metodologji zgjerimi nuk do të ndihmojë kurrë në demokratizimin e mirëfilltë të rajonit.
Promovimi i modeleve joliberale
Metodologjia e re e zgjerimit nuk mund të bëjë shumë për ta bërë BE-në një forcë të fortë dhe transformuese në Ballkan, nëse të gjitha shtetet anëtare angazhohen për këtë qëllim.
Miopia e shfaqur nga shtetet anëtare në rastin e zgjerimit jo vetëm që ka dobësuar dorën e BE-së në rajon, por ka krijuar gjithashtu një asimetri midis vlerave që promovon BE-ja dhe aktorëve që janë “forca për mirë”.
BE-ja flet për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Por, me një mungesë koherence dhe largpamësie strategjike, ka krijuar mundësi që Hungaria dhe Polonia, dy nga vendet anëtare më të kritikuara të BE-së përsa i përket respektimit të sundimit të ligjit, të jenë ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit.
Është mungesa e një vizioni parimor nga disa shtete anëtare të BE-së që ka lehtësuar një situatë në të cilën vende si Hungaria dhe Polonia mund të rrisin kreditet e tyre si “kampionë të zgjerimit” dhe të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon.
Ndërsa vendet më demokratike europiane e mbajnë Ballkanin në distancë, modelet joliberale të cilat nuk janë në përputhje me atë çfarë BE-ja aspiron për rajonin promovohen më lehtë.
BE-ja duhet të rifitojë fuqinë e saj transformuese
Procesi aktual i zgjerimit të BE-së është kritikuar për humbjen e fuqisë transformuese. Shumë skeptikë ndaj zgjerimit argumentojnë se ideja e zgjerimit duhet riparë, pasi shembujt e fundit kanë treguar se hapja e negociatave ka humbur efektin e saj në vendet aspirante.
Ata e drejtojnë gishtin nga Turqia, e cila hapi bisedimet e pranimit me BE-në në vitin 2005, dhe që nga ajo kohë ka bërë pak progres. Shembuj të tjerë janë Serbia dhe Mali i Zi, të cilët, përkundër hapjes së negociatave, kanë parë pak progres demokratik në vitet e fundit.
Por, që procesi i zgjerimit të ketë fuqi transformuese, nevojitet vullnet politik dhe presion i mjaftueshëm ndaj klasës politike nga aktorët e brendshëm dhe partnerët europianë. Ajo që skeptikët nuk duan të marrin parasysh është se kur nuk ka vullnet politik brenda një vendi që të transformojë dhe përparojë në integrimin në BE, sikurse është rasti i Turqisë, kjo nuk do të thotë dështim i procesit. Integrimi në BE nuk është i pashmangshëm; është thjesht opsioni më i mirë i mundshëm për vendet europiane.
Sa i përket përbërësit të dytë, institucionet e BE-së duhet të bashkëpunojnë fuqishëm me aktorët apolitikë brenda vendeve që aspirojnë për të ndihmuar proceset demokratizuese, duke ushtruar presion të mjaftueshëm ndaj aktorëve politikë.
Ndërsa metodologjia e zgjerimit mund të fajësohet për shumë gjëra, është butësia e BE-së dhe mungesa e kërkesës së llogarisë ndaj liderëve lokalë që irriton më shumë popujt e Ballkanit dhe aktorët e shoqërisë civile të cilët punojnë shumë për të siguruar llogaridhënie dhe vënien e elitave politike përpara përgjegjësisë.
Mjaft vutë bast për liderët “e domosdoshëm”
Shpresa dhe gjasat janë që metodologjia e rishikuar e zgjerimit të kënaqë francezët dhe të shtrojë rrugën për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por për të pasur një ndikim transformues, BE-ja duhet të përmirësojë qasjen e saj ndaj rajonit dhe vetë zgjerimit.
Vendet anëtare të BE-së, sidomos forcat kryesore drejtuese brenda saj, duhet të lënë mënjanë konsideratat e brendshme dhe pazaret politike dhe t’u japin përparësi objektivave strategjikë afatgjata në çështjet e mëdha si në rastin e zgjerimit.
Arsyeja kryesore pse qytetarët e Ballkanit duan që vendet e tyre të hyjnë në Bashkimin Europian është valenca dhe ajo çfarë BE-ja simbolizon për demokracinë. Mundësia që modelet më joliberale brenda BE-së të portretizohen si nxitësit më të fortë të zgjerimit ndikojnë negativisht në mënyrë të dyfishtë: dëmtohet procesi i demokratizimit të Ballkanit dhe dëmtohet esenca dhe kuptimi i zgjerimit.
Së fundmi, në vend që të vërë bast për liderët e domosdoshëm të rajonit, BE-ja duhet të investojë te kapitali njerëzor dhe aspiratat e popujve në Ballkan. Në fund të fundit, ky është elementi më i rëndësishëm dhe transformues që ekziston.(Balkaninsight, e dergoi per Diellin autori)