Eneida Jaçaj/
Rikthimi i Presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, për një mandat të dytë katër vjeçar, pritet të forcojë ekonominë e brendshme amerikane dhe të rishikojë marrëdhëniet diplomatike në aspektin e luftës si rregullator i botës, duke zgjidhur konfliktin Rusi-Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Në zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, Trump ka siguruar votën popullore dhe elektorale, ku ka arritur të fitojë 2.5 milionë vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e 2020-ës; ndërsa arriti të marrë 312 vota elektorale nga 538 gjithsej; në 2020 arriti të sigurojë vetëm 232 vota. Kjo fitore e Trump është një këmbanë alarmi për ekonominë amerikane në radhë të parë, pasi populli është i pakënaqur me rritjen e çmimeve, taksave, etj, dhe e pa të nevojshme rikthimin e tij në Presidencë duke i dhënë votën, pasi ai ka premtuar se do t’i rikthejë Amerikës madhështinë, duke nënshkruar marrëveshje tregtare, duke larguar emigrantët pa dokumenta, duke rritur buxhetin ushtarak për t’i dhënë më shumë peshë dhe rëndësi SHBA-ve, etj. Gjithashtu, ajo që vlen për t’u theksuar është se fitorja e Donald Trump-it do të jetë një shuplakë e fortë në arenën ndërkombëtare ndaj kampit të luftës, pasi është etiketuar si një figurë emblematike e paqes, pasi nuk ka provokuar asnjë konflikt në botë, gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Por, le të ndalemi në fatin e luftës Rusi-Ukrainë, i cili është një konflikt shumë delikat dhe zhvillohet në Europë, se çfarë rrjedhe do të marrë pas marrjes së detyrës së Presidentit Trump, në 20 janar. Presidenti i zgjedhur ka premtuar edhe gjatë fushatës elektorale, se do të ndalojë luftën në Ukrainë, duke hyrë në bisedime me Vladimir Putin. Sa e mundur do të jetë kjo? Në 4 vitet e fundit, bota është futur në një qerthull të rëndë mosmarrëveshjesh, në një arenë të nxehtë lufte, e cila nëse do të thellohet akoma më shumë dhe nuk do të përdoren mjetet diplomatike për t’u dhënë zgjidhje konflikteve, globi do të tronditet nga themelet dhe do të vendoset një rend i ri botëror, ku shtetet më të fuqishme do të konkurrojnë me njëri-tjetrin, për të dominuar dhe për të drejtuar politikën në arenën ndërkombëtare. Thellimi i luftës në Ukrainë, me fitoren e Vladimir Putinit si rezultat, do të ishte një kërcënim për vetë SHBA-të dhe globin, pasi qëllimi i Rusisë ka qenë i kahershëm që në Luftën e Ftohtë për të dominuar. Nga ana tjetër, Rusia është e interesuar që Serbia dhe Kosova të hyjnë në luftë me njëra-tjetrën, duke i dhënë mbështetje maksimale Vuçiçit, pasi kërkon të ushtrojë ndikimin e saj në Ballkan.
Ndoshta Trump nuk ka shumë përvojë në çështjet diplomatike ndërkombëtare, por është aq i mençur sa të kuptojë lojën e Putinit. Afrimi i flotës ushtarake të NATO-s në kufi me Rusinë, ishte edhe një nga arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë, ku Putin e kërcënoi SHBA-në, dhe gjithashtu ka kërcënuar edhe shumë shtete të tjera nëse do të ndihmojnë me armatime Ukrainën. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump u përpoq të vendoste marrëdhënie të mira me Putin, por nga ana tjetër i vendosi edhe sanksione. Kështu që Trump do të gjejë një rrugë për t’i dhënë fund luftës. Ekspertë të çështjeve diplomatike thonë se konflikti do të zgjidhet me kompromis, por që me shumë mundësi ajo që do të humbë më shumë është Ukraina sesa Rusia. PhD. Lutfi Bilalli, njohës i Gjeopolitikës dhe Autor i tre librave për Ukrainën, për gazetën “Dielli”, sqaron situatën aktuale dhe jep disa zgjidhje për konfliktin Rusi-Ukrainë. “Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump , në fokusin e tij në politikën e jashtme, prioritet do ta ketë dhënien fund të luftës në Ukrainë. Ai tani më ka emruar të deleguarin e tij për Ukrainën, ish-gjeneralin në pension z. Keith Kellogg. Presidenti Trump si duket dëshiron që përmes takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në të ardhmen e afërt të ridizanjojnë një marrëveshje mbi baza të gjendjes në terren që do nënkuptonte një pozicion jo të mirë për integritetin territorial të Ukrainës. Sigurisht në tavolinë mund të jenë disa zgjidhje: 1.Demilitarizimi në vijat ndarëse në terrerin e luftimeve -që defacto do ishin vijat ndarëse -vijat e kontrollit rus në katër regjone në pjesën lindore të Ukrainës ( Luhansk, Donbas, Zaporozhe dhe Kherson, tre regjionet e fundit me një përqindje mbi 50% nën kontrollin e forcave okupuese ruse). Kjo do ishte një lloj modeli i Qipros dhe aspak i dëshiruar për interesat ukranise, por dhe të vet perëndimorëve. 2.Çështja e Krimesë do trajtohej si “temë e kryer” në këmbim me pjesën e katër regjioneve në Ukrainen Lindore? 3.Një autonomi e lartë pë katër regjionet lindore në kuadër të Ukrainës (pa prezencë ushtarake ukrainase-zonë e demilitarizuar-Statuse speciale). 4.Heqja dorë e Ukraines për anëtarësim në Nato ( noratorium për një periudh ), dhe e drejta e Ukrainës për rikthim të territoreve të humbura përmes rmetodave diplomatike. 5.Anëtarësimi i Ukrainës në Nato dhe Unionin Evropian, si kompromis për “heqje dorë” nga territoret e pushtuara ruse në Ukrainën Lindore dhe Krimenë. 6.Tërheqja e trupave ruse nga territoret e pushtuara në Ukrainë dhe statusi i Krimesë, fatëkeqsisht zgjidhje vështirë e realizuar”, thekson Bilalli.
Lutfi Bilalli shprehet se do të jetë e vështirë, por SHBA do të luftojë që ta mbajë sa më larg Ballkanit, Rusinë. “A do arrijë presidenti i ri amerikan, Donald Trump, pas 20 janarit ta “disiplinojë” Putinin dhe a do ketë sukses Trump ta rikthejë Rusinë në taborrin e Perëndimit, me qëllim të largimit nga aleanca me Kinën (ridefinimi i rendit të ri botëror me dominim amerikan)? Apo në planin afatgjatë amerikanët do presin një “Jelcin të ri ” në Rusi? A do kemi një lloj “Jalte II” nga një marrëveshje Trump-Putin dhe interferim rus në Ballkan? Rusia është sponzoruesi numër 1 i interesave serbe në Ballkan në veçanti ndaj aspiratave serbe në lidhje me Kosovën, por edhe me shqiptarët në përgjithësi. Shpresa e vetme për të ndaluar hovin rus në Ballkan janë amerikanët dhe interesat e tyre që Rusinë ta lënë sa më larg Ballkanit. A do kemi një arkitekturë të re të gjeopolitikës në Ukrainë dhe Evropë ( por edhe në Ballkan ) nga e ardhmja e fatit të Ukrainës, mbetet pyetje dilematike. Viti 2025, shpresojmë të jetë viti i përfundimit të luftës në Ukrainë, por me një finale enigmatike: “Paqe me drejtësi apo Tokë për paqe””, thotë Bilalli.
Gjithashtu, edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, jep një mendim të tijin, ku shprehet se lufta do mbyllet me kompromis, por Rusia nuk do dalë pa gjë. “Lufta mbyllet vetëm me kompromise, Rusia është e lodhur nga sanksionet dhe nga lufta, dhe Putin nuk mund të dalë pa lavdi. Trump ka armik Kinën, në ndryshim më radikal se politikat e Biden. Janë raporte që janë underground, komunikime, interesa të mëdha ekonomike dhe gjeopolitika, që po ndryshojnë. Biden largohet duke lënë një fushë të minuar dhe me shumë problematika. Trump do përqëndrohet te rritja e brendshme ekonomike, duke ulur shpenzimet në veçanti për Naton, duke detyruar aleatët e saj të investojnë mbi bazën e detyrimit”, shprehet Softa. Pra, situata është delikate ku do të dominojnë më shumë interesat e më të fortëve, ndërsa më të dobtit janë ata që do të vuajnë pasojat. E rëndësishme është që toka e minuar të zëvendësohet me një tokë për paqe, ku të mos ketë më viktima lufte, pasi populli i pafajshëm është ai që vuan pasojat, ndërsa kokat e mëdha ndajnë miliardat dhe forcojnë pushtetin e tyre.