Sadik Elshani*
*Shkrimi eshte qendrim personal i autorit dhe nuk perfaqeson qendrimin e Vatres.
Në gjithë hapësirën shqiptare sot nuk kemi asnjë udhëheqës që të frymëzon, që i jep shpresë kombit. Dikur e kishim Ibrahim Rugoven.
Më 25 qershor u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë (zgjedhjet parlamentare). Dhe si zakonisht dhe që është fare e logjikshme, në këto zgjedhje fiton një parti apo koalicion partish, një krah apo krahu tjetër, “të majtët” apo “të djathtët”, por kurrë nuk fitojnë kombëtarët, nuk fiton kombi, nuk fiton Shqipëria. Arsyeja për këtë është e thjeshtë: Në Shqipëri nuk kemi asnjë parti që ka një program kombëtar, një platformë, strategji kombëtare – parti që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe kujdeset e lufton për mirëqenjen e popullit shqiptar kudo që jeton ai. është fatkeqësi kombëtare që partitë politike kryesore të Shqipërisë, si për nga ana organizative, ashtu dhe mënyra sesi e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, më tepër u perngjajnë grupimeve klanore, mafioze. Që në fillim dua të sqaroj se nuk i përkas asnjë partie, asnjë grupimi politik, as në Shqiperi dhe as në Kosovë. Qysh në rininë time të hershme jam përcaktuar vetëm për një parti: Kombin dhe ideologjinë e tij, shqiptarizmin. Gjithmonë do ta perkrah atë parti që vjen në pushtet me votën e lirë, që punon për kombin dhe jo për interesat e klaneve të tyre. Ngjarjet që po zhvillohen para syve tanë po na deshmojnë qartë se asnjëra nga partitë politike kryesore të Shqipërisë as që e çanë kokën për interesat kombëtare, për mirëqenjen e popullit.
Shpresat e mia u ngjallen pak me ardhjen e zotit Lulzim Basha në krye të Partise Demokratike të Shqipërisë. Mendova se ndërrimi i gardës së vjetër me gardën e re ndoshta do të sillte diçka të re në skenën politike të Shqipërisë. Thënë të drejtën, nuk kam pritur edhe aq shumë, por si një udhëheqës i brezit të ri, i edukuar në një universitet përendimor, ai do të sillte diçka të re në jetën politike të partisë së tij dhe të Shqipërisë. Nga zoti Basha është pritur që ai të qendrojë mbi nivel dhe jo të lëshohet në nivele të ulëta si dikur homologu i tij kur ishte në opozitë, apo paraardhësi i tij. Dikush duhet të bëjë hapin e parë, levizjet e para për të dalë nga ky rreth vicioz që po ia zë frymën Shqipërisë, ta zbusë pak klimën e ashpër politike. është pritur që ai te sjellë energji pozitive, stil te ri, qasje të reja ne politikën shqiptare; të përdor gjuhën e kompromisit, bashkëpunimit dhe jo gjuhën e përçarjes, grindjes. E di, për tango duhen dy, por dikush duhet të prijë.
Por, zoti Basha bëri të kundërtën nga ajo që pritej prej tij. Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e vitit 2013, pastaj edhe ato vendore. Kur ndodh diçka e tillë, atehere çdo parti duhet të bëjë një analizë, autopsi, se pse ndodhi kjo, cilët ishin faktorët që sollën humbjen e papritur dhe si duhet të mënjanohen të metat, gabimet që çuan drejt këtyre humbjeve. Çdo parti serioze, çdo udhëheqës serioz do ta bënte këtë, por ja që zoti Basha nuk e bëri fare. Në vend se të ndërtonte partinë, te përpilonte një program bindës që do ta gezonte përkrahjen e gjërë, ai zgjodhi rrugën e ulët të kacafytjes, grindjes, sharjeve e fyerjeve. Me sharje e fyerje nuk mund ta mposhtësh kundërshtarin tënd politik, por me punë serioze, veprime bindëse, duke ua paraqitur votuesve një program të detajuar sesi do t’i përmbushësh premtimet tua zgjedhore (elektorale).
Zoti Basha nuk ishte përgatitur fare për zgjedhjet e vitit 2017, edhe pse ai e ka ditur qysh në vitin 2013 se do të ketë zgjedhje pas katër vitesh. Ai nuk bëri asgjë për ta riorganizuar, përtrirë partinë e tij, për ta ngjallur, shtuar entuziazmin e anëtarëve të partisë së tij. Duke e ndier thellë në vete se do t’i humbiste zgjedhjet, ai zgjodhi rrugën tjetër: retorikën demagogjike, rrugën e kërcënimit, kacafytjes – metoda këto tipike bolshevike. Hapi vdekjeprues ishte ngrehja e tendes (çadres) mu ne qendër të Tiranës, duke bllokuar një nga pjesët më të gjallëruara të kryeqytetit shqiptar. Ai dhe përkrahësit e tij u mbyllën në çadër dhe lëshonin deklarata helmuese, duke kërcënuar me mosbindje qytetare, luftë vëllavrasëse, kaos, shkatërrimin e shtetit. Dhe këto veprime po ndodhnin pikërisht në njëzetvjetorin e ngjarjeve të mbrapshta të vitit 1997. E përse? Vetëm për t’i arritur (sipas tij) qëllimet e tij politike që përndryshe nuk mund t’i arrinte në kutitë e votimit. Zoti Basha si një njeri i edukuar në perëndim dhe si ish ministër i Punëve të Brendshme duhet ta dinte mirë se trazirat fillojnë lehtë, por nuk mbarojnë lehtë dhe gjatë kohës së zhvillimit të tyre ndodhin shumë gjëra tragjike, dëme njerëzore e materiale. Me këto veprime ai e shndërroi veten e tij në një figurë tragjiko – komike, për të ardhur keq ta shikoje me sy në këtë gjendje. është për t’u habitur se askush nga përkrahësit e tij nuk i tha se ajo që ai po bënte ishte tepër gabim, rrugë e verbër (qorre) që nuk të shpie askund, por që mund të çonte drejt greminës politike, ashtu edhe siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, 2017. Me siguri edhe ai e ka ditur se kjo është gabim, por si të dilte tani nga ky qorrsokak?! Nga ky donkishotizëm atë e shpëtoi marrëveshja e 18 majit me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Rama. Zoti Basha me të drerjtë e kritikonte qeverisjen e dështuar te zotit Rama, por ja që tani ai pranoi të jetë pjesë e kësaj qeverisje të cilën çdo ditë e kritikonte. Hipokrizi e marrëzi! Dhe ai mendonte se kjo hipokrizi e marrezi do t’ia zbardhte atij fytyrën e marrur. Me këtë marrëveshje zoti Rama e bëri zotin Basha te dukej si njje piun shahu, ndërsa vete dukej si mbret (shahu) në këtë lojë të çmendur shahu politik.
Pastaj zoti Basha i acaroi marrëdhëniet me figurat kryesore të Partisë Demokratike. Tamam si një figurë autoritariane, si një diktator, ai vetë i përpiloi listat e kandidatëve për deputetë, duke futur emra të panjohur dhe duke i eliminuar figurat kryesore që kishin dhënë ndihmesën e tyre në ngritjen e kësaj partie. Ky refuzim, kjo mospërfillje solli edhe përçarje në Partinë Demokratike, demoralizimin e anëtarësisë dhe përkrahësve të tyre që si rrjedhim pati humbjen katastrofike të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit. Sikur edhe një bari të ishte në krye të Partisë Demokratike nuk do të ballafaqohej me këtë humbje katastrofike. Zoti Basha çdo gjë e bëri ashtu siç nuk duhej bërë. Me veprimet e tij ai u tregua se nuk është një drejtues, strategjist, udhëheqës i mirë, udhëheqës largpamës.
NJë udhëheqës serioz e i ndërgjegjshëm merr përgjegjësi për veprimet, dështimet e veta dhe nuk i fajëson të tjerët. Në vendet përendimore një udhëheqës që do të pësonte një humbje të tillë të thellë, menjëherë do të jepte dorëheqje. Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, dha dorëheqje pas rezultatit te Brexit-it. Askush nuk duhet ta kryqëzojë zotin Basha për veprimet e tij, por edhe askush nuk duhet të na paraqesë atë si një udhëheqës të rrallë siç bëjnë disa servilë e militantë të partisë së tij. Në një shkrim të saj, dr. Albana Deda e quan Bashen “investim serioz kombëtar”, “personalitet shumë serioz politik”. Por, realiteti tregon diçka tjetër: Zoti Basha mund të jetë një aparatçik, byrokrat i mirë, por jo një udhëheqës, prijës i mirë. Ai po të kishte një fije ndërgjegje do të jepte dorëheqje dhe jo të kandidohej e të zgjidhej përsëri kryetar i Partisë Demokratike. Në këtë çast ai është një politikan i lënduar, që nuk gëzon autoritet dhe si i tillë nuk mund të jetë nje prijës i përshtatshëm për të vazhduar udhëheqjen e partisë, për t’u ballafaquar me sfidat nëpër të cilat eshte duke kaluar partia e tij. Përçarësi nuk mund të jetë bashkues i partisë. Me sjelljet e tij zoti Basha po dëshmon se është një poltikan tipik në kuptimin negativ të kësaj fjale, oportunist që kujdeset vetëm për veten e tij. Nëse zoti Basha e do partinë e tij, nëse e do Shqipërinë, atëherë ai duhet të jepë menjëherë dorëheqje nga pozita e kryetarit te Partisë Demokratike dhe t’ua lëshojë rrugën të tjerëve. Me këtë veprim ai do të sillte diçka të re në politikën shqiptare: ndjenjen e përgjegjësisë dhe vënjen e interesave kolektive, kombëtare, mbi ato vetjake (personale).
*Shkrimi eshte qendrim personal i autorit dhe nuk perfaqeson qendrimin e Vatres.