Intervistë ekskluzive, me Poeten Lirike, Prozatoren dhe Gazetaren Zhuliana JORGANXHI/
Bisedoi: Raimonda MOISIU/
Poetja Zhuliana Jorganxhi është vlerësuar si një poete lirike, -mjeshtre e maturuar e vargjeve lirike shqiptare, plot mirësi, mëncuri dhe vitalitet i këngës në poezi. Vargjet poetike të Zhulianës mbartin frymën tejet lirike, ndjesore dhe njerëzore, që zbulojnë bukurinë dhe të fshehtat e shpirtit. E lindur dhe e rritur në një familje artistësh, të cilat e bënë poeten: një kërkuese tek letërsia, poezia dhe rrënjët e saj, të mbështetura këto nga tradita e kulturës të vendlindjes, Korcës, nga frymëzimet e soneteve të serenatave korcare dhe vargut të lehtë të fëshfërimës së blireve, duke hyrë brenda shpirtit njerëzor dhe përpjekjes për të ekslporuar enigmat e këndvështrimit personal dhe perceptimit origjinal të botës e njerëzve që e rrethojnë. Pena krijuese e Zhuliana Jorganxhiut zotëron një ndjeshmëri mahnitëse me elokuencë dhe energji të cmuar intelektuale, filozofike e letraro-artistike. Falë formimit dimensional letrar, artistik, poetik, prozë, letërsi për fëmijë, përvojës në gazetari, historike e filozofike, artdashësit dhe media të ndryshme e kanë vlerësuar Zhuliana Jorganxhiun “Mbretëreshë e teksteve të këngëve”. Tekstet e shkruara kanë rëndësinë dhe mesazhin e dhimbjes e dashurisë njerëzore, të zbukuruara me vargje lirike, për të kuptuar të vërtetën, që ngjallin zemrat e shërojnë shpirtrat, por edhe e kanë vendosur atë në elitën e shquar të poetëve lirikë që kanë bërë epokë. Ja si shprehet shkrimtari dhe poeti prof. Vangjush Ziko, për Zhulianën: “Kam kujtimet më të mira për të si nxënësja ime, por edhe si njeri; për gjithë familjen Jorganxhi, me ne krye artistin legjendar të Korit karakteristik të Korcës, të madhin Gaqo Jorganxhi. Zhuliana meriton shumë ajo, është e sinqertë, po aq edhe njerëzore, me kulturë dhe personalitet të vecantë krijues, me shpirt të vërtetë artisteje, të trashëguar nga geni familjar.”
Në këtë intervistë, Poetja, Prozatorja dhe Gazetarja e mirënjohur, Zhuliana Jorganxhi rrëfen rrugëtimin e saj njerëzor, qytetar, intelektrual e krijues. Për më shumë ndiqni intervistën:
Përshëndetje e nderuar Zhuliana, besoj se na shkon një bisedë arti, paçka se mes nesh është Atlantiku! Disi larg, por arti, i afron kufijtë. Ju jeni vlerësuar me Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTVSH më 2001-ë, ju dha “Çmimi i Karrierës”, në vitin 2005-ë kini marrë çmimin e “Mirënjohjes” nga RTVSH, dhe vjet nga Promotor dhe TVKlan kini marrë çmimin “NDERI I KËNGËS SHQIPTARE”. Si ndjeheni për këto vlerësime?
Në radhë të parë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese në punën tuaj krijuese, gjithashtu përshëndet gjithë bashkëatdhetarët e mij aty në Sh.B.A. duke ju uruar shëndet te plotë dhe mbarësi! Ju përmendët disa nga vlerësime dhe çmimet, që më janë dhënë nëpër vite për punën time si poete e këngës. Natyrisht jam ndjerë e gëzuar për këtë dhe ju jam mirënjohëse gjithë atyre që më kanë vlerësuar dhe në veçanti kompozitorëve, këngëtarëve, orkestruesve, orkestrantëve të RTVSH-ë dhe dirigjentëve, që kanë bashkëpunuar me mua ndër vite dhe këta iu përkasin plejadave të tëra. Një mirënjohje speciale do t’iu dërgoja gjithë artdashëve tanë kudo që ndodhen, të cilët i kanë duartrokitur dhe i kanë vlerësuar këto këngë nëpër vite edhe sot.
-Ju jeni një nga poetet pioniere të letrave shqipe. Ju vetë vini nga ndonjë familje shkrimtare dhe artistike? A ka qenë letërsia një interes shumë i hershëm i juaji apo diçka që lindi si pasion e dëshirë më vonë?
Jam lindur dhe rritur në një familje muzikantësh, por them që ishte muzika ajo që më çoi tek letërsia. Nëna ime lexonte shumë jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhën greke, se kishte mbaruar gjimnazin grek dhe ajo kërkonte dhe nga ne fëmijët të lexonim, por për mua ishte motra ime Rozmaria, ajo që më hapi rrugën nga muzika tek letërsia. Ajo, sa herë vinte me pushime në Korçë nga studimet jashtë shtetit sillte pllaka gramafoni dhe partitura. Duke dëgjuar operat e ndryshme si “Fausti”, “Boris Godunov”, “Dama Pik” etj. unë jam njohur me Gëten, Pushkinin etj. Më vonë fillova si të thuash belbëzimet e para në poezi në gjimnaz. Ishin shoqet e mia të klasës lexueset e mia të para. Në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” kemi pasur profesorë të mrekullueshëm në çdo lëndë. Kështu mua më ka dhënë lëndën e letërsisë poeti, dramaturgu dhe përkthyesi i shkëlqyer Profesor Vangjush Ziko dhe Profesor Niko Mustaka. Profesor Vangjushi krijoi rrethin letrar të gjimnazit dhe aty u aktivizova dhe unë. Nuk e di a shkova unë tek poezia apo erdhi ajo tek unë? Them më shumë se erdhi ajo tek unë si pasion!
– A ju kujtohet kur ju së pari keni shkruar një poezi, tregim apo ndonjë gjini tjetër dhe i keni thënë vetes: Ja dola! Kam krijuar dicka që është me të vërtetë krijimi im. Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?
Kjo më ka ndodhur tani shumë vonë pas viti 2000, kur kam shkruar një tregim “Fajtor pa faj” kushtuar artistit dhe shkencëtarit të shkëlqyer , të ndriturit Eriko Veizi, i cili hoqi kalvarin e burgjeve dhe vdiq në kulmin e krijimtarisë, shumë i ri në vitin 1993! E kisha si vëlla Erikon dhe ai më quante “motër”, një nga karikaturistët e talentuar dhe një shkëncëtar i shkëlqyer i gjeofizikës. E shkrova me vonesë këtë tregim dhe kur e mbarova dola menjëherë jashtë shtëpisë dhe mora frymë thellë:Ndjeva se kisha shlyer një peng të madh për këtë NJERI TË MADH dhe TË VËRTETË! Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit, që i thashë vehtes: “Ja dola!”
– Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?
Prindërit, natyrisht kanë qënë ata që më kanë nxitur të shkruaj, por unë them që gjithmonë duhet një “dorë e ngrohtë” që të të ndihmojë. Kur isha në maturë, në Korçë erdhi për pushime shkrimtari i mirënjohur Petraq Qafëzezi, me të cilin kam lidhje familjare. Mora guximin dhe i tregova poezitë e mia. Ishin të gjitha poezi lirike. Ai i mori dhe botoi dy prej tyre në gazetën “Drita” më 28 qershor 1964, që rastisi të ishte dhe mbrëmja e maturës. Ende s’i kisha mbushur 18 vjetët!
– Ju jeni një autore prodhimtare në shqip e disa gjuhë të huaja. Po citoj disa tituj: “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971) ,”Lule në pemën e lirisë” (1982), Vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975), “Gaqo Jorganxhi dhe grupi LIRA” (monografi letrare) (2005), “Dhembje e ndaluar” (Poezi) (2008), “Dhimbje e bukur” (Lirika dashurie) (2008), “…Edhe ata pinin çaj…” (vëllim me tregime) (2009). Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Unë e kam nisur karrierën time poetike si poete lirike, por nga përvoja ime dhe si gazetare, sepse unë kam mbaruar fakultetin histori Filologji dega gjuhë letërsi shqipe dhe njëkohësisht kursin dy vjeçar të gazetarisë, që u çel atëhere pranë fakultetit juridik dhe shkencave politike, sepse fakulteti i gazetarisë u çel më vonë. Pra, kam punuar për 6 vjet si gazetare tek revista “Shqiptarja e re”, (revistë për gratë) dhe kam shkelur pothuaj gjithë Shqipërinë, fshat e qytet, përveç Tropojës dhe Përmetit. Kjo punë më bëri të prek me sy gjendjen e popullit tim dhe në veçanërisht të grave. Ishin gratë ato që punonin nëpër fusha dhe ara, ndërsa burrat i gjeje tek zyrat e kooperativave…Kam ndërrojen , se kjo vazhdon ende. D.m.th. gruaja në fshat bën punët më të rënda dhe kjo është shumë e dhimbshme. Nga poezia kalova shpejt në gjininë e tregimit dhe kam botuar disa tregime nga vitet ’69-70 tek “Zëri i Rinisë”, “Shqiptarja e re “, “Pionieri”, “Fatosi”. Ato atëhere u mirëpritën, por unë pas botimit me tregime “Fëmijët e teto Nastës” nuk botova më vëllim me tregime në ato vite, se puna në RTVSH për tekstet e këngëve më merrte shumë mund dhe kohë. Nuk ishte e lehtë në atë kohë të ishe redaktore dhe skenariste e festivalit, pra të mbaje përgjegjësinë e përmbajtjes së festivalit, që ishin tekstet e këngëve! Jam marrë në kohën e festivaleve deri tek programet e tri netëve, që shtypeshin tek shtypshkronja “Mihal Duri”.
-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike në shqip, por edhe të përkthyera në gjuhë të huaj. E vlerësuar me çmime kombëtare për talentin tuaj brilant në vargje. Cfarë mendoni se ju ka frymëzuar për t’u bërë poete?
Jam vlerësuar me dy çmime kombëtare për dy poemat e mia dhe kjo më ka gëzuar dhe nxitur që të punoj më shumë. Çdo punë dhe aq më shumë ajo krijuese do shumë mund, nerva dhe mbi të gjitha frymëzim e pasion. Frymëzimi vjen atje ku s’e pret. Nuk harroj njëherë për një tekstin e një kënge , në mos gaboj titullohej “Këngët e trimërisë” me të ndriturin Agim Prodani punuam gjithë para diten dhe unë nuk arrita të bëj as edhe një varg. Në drekë do të shkoja tek vëllai i vogël, se më kishte ftuar. I hipa autobusit të Tiranës së Re, kur më erdhi vargu i pare. Këtë e shpjegoj dhe kështu: Në trurin tim tashmë ishte melodia e këngës, që më ndiqte pas edhe aty në autobus, ndaj aty lindi vargu i parë, pas të cilit rrodhi gjithë poezia. Ajo këngë me sa më kujtohet u këndua në Dekadën e Majit të viteve ’70-ë nga dy këngëtarë të mirënjohur korçarë Gjergj Suljoti dhe Petrika Rrëmbeci dhe pati shumë sukses.
-Çfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të vecantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?
Nuk ka receta për frymëzimin, këtë e thotë vetë fjala frymë-zim, pra vjen si frymë e shenjtë, do të thoshnja. Natyrisht kur e ndjen, që ke krijuar një fjalë të bukur të pathënë më parë, ndjen një kënaqësi , sepse ke vënë shpirtin në të.
-Ju keni me qindra vargje si krijuese tekstesh për këngë të vlerësuar me çmime të para në festivalet e RTVSH-ë? Si ndjeheni për këtë?
Natyrisht 7 çmime të para nëpër festivalet e RTVSH dhe 4 në koncertet “Kur vjen Pranvera” më kanë dhënë kënaqësinë e veçantë ato çaste, por Unë i jap rëndësi atyre teksteve që i kanë rezistuar kohës , atyre këngëve me tekstin tim që këndohen dhe sot dhe ato nuk janë pak! Këtë e treguan “Këngët e Shekullit” , ku unë kam gati 20% të tyre me tekstet e mia dhe kjo nuk është pak për një krijues, kur diçka ka lënë nëpër vite.
-Znj. Zhuliana ju keni studiuar edhe për gazetari. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo dicka e papritur, që ju zgjodhët të jeni gazetare? A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
Dita e parë si gazetare ka qenë kur unë isha ende studente dhe shërbimin e parë e kam bërë në Sukth, tek një ofiçinë, ku punonin edhe gra dhe vajza. Pata emocion që kur mora trenin dhe pyetjet ende nuk i kisha përgatitur, por ato erdhën duke parë aty gjendjen dhe punën e tyre. Ishte një shërbim për revistën “Shqiptarja e re” dhe unë falenderoj ish kryeredaktoren e kësaj reviste gazetaren e mirënjohur Ballkiz Halili për besimin, që pati tek unë si vajzë e re. E kam pasur pasion punën e gazetares, që në vitet kur isha studente dhe atëhere shumë nga miqtë dhe mikeshat e mia poetë dhe shkrimtarë të rinj aktivizoheshin në gazeta dhe revista të ndryshme për reportazhe, portrete etj. Kjo ka qenë dhe një nga eksperiencat e para në fushën e gazetarisë nga shumë prej nesh, që më vonë pas studimeve filluam punën edhe si gazetarë në organe të ndryshme të shtypit dhe në RTVSH.
– Është një rastësi e mrekullueshme, që ne kemi mundësi për të diskutuar rrëth krijimtarisë tuaj. E them këtë sepse përvec poezisë, hartuese tekste muzikorë , gazetarisë, ju lëvroni edhe prozën, në gjininë e tregimit, vecmas asj për fëmijë. Unë vecanërisht, do të përmendja librin me tregime “”Fëmijët e teto Nastës”, që pati jehonë në letrat shqipe, por dhe mjaft i vlerësuar nga kritika e kohës. Çfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë libër me tregime? Përse ky titull?
Vëllimi “Fëmijët e Teto Nastës” e kam shkruar nga vitet ’70-ë. Isha aktivizuar me tregime të ndryshme tek “Zëri i Rinisë”, por edhe në gazetën “Pionieri” dhe atë “Fatosi”. Në gazetën “Pionieri” atëhere ishte kryeredaktor i ndrituri dhe i mirënjohuri shkrimtari për fëmijë Bekim Gaçe, shkrimtarja Elena Kadare dhe poeti shumë i talentuar për fëmijë Xhevat Beqaraj ( ky i fundit ka qenë dhe redaktori letrar i vëllimit tim të parë me poezi “Net provimesh”), të cilët me dashamirësinë e tyre më hapën dyert e redaksisë dhe më nxitën të shkruaj edhe për fëmijë. Po ashtu mikja ime e mirë, shkrimtarja dhe skenaristja Shpresa Vreto atëhere kryeredaktore e revistës “Fatosi”, më botoi tregime për fëmijë. Disa prej këtyre tregimeve të botuara në këto organe shtypi unë i përmblodha edhe në vëllimin tim “Fëmijët e Teto Nastës”. Është e vërtetë , që kritika dhe vetë shkrimtari i madh për fëmijë, i ndrituri Bedri Dedja u shpreh me entusiazëm për vëllimin tim, por ndërkohë unë fillova punën në RTVSH, si redaktore letrare në Redaksinë e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore dhe nuk munda më t’i përkushtohem siç duhej gjinisë së tregimit për fëmijë. Titulli këtij vëllimi është marrë nga një prej tregimeve, në të cilin unë përshkruaj pak a shumë atë rrugicën time në Korçë, miqte e mikeshat e mia të vegjëlisë, që për çdo mbrëmje, veçanërisht në verë, na mblidhte para portës së shtëpisë së saj një nga të moshuarat e mëhallës, e cila dikur kishte qenë një nga mësueset e para: E quanin Olimbi Ikonomi dhe ishte nusja e xhaxhait të këngëtarit të mirënjohur Mihal Ciko, babait të Zhani Cikos dhe na tregonte shumë legjenda dhe histori të bukura. Unë tek figura e Teto Nastës kam mëshiruar jo vetëm atë, por edhe një nga nënat e dy dëshmorëve të Korçës: Raqi dhe Stavri Themeli, që ishte gjyshja e shoqes sime të ngushtë qysh në fëmijëri, Zhaneta Themelit. Me emrin Nastë, desha të përjetësoj gjyshen time nga babai, që e quanin Anastasi.
Letërsi artistike, poezi, prozë, publicistikë . Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë, apo nga proza në vargje?
Të gjitha këto gjini më pëlqejnë, por gjithmonë do të kthehem tek dashuria e parë, që për mua është POEZIA! Nuk e di si ndodhi kalimi nga poezia në prozë. Mbaj mend që ka ardhur papritur një pasdite në zyrën e redaksisë së revistës ku punoja. U ula pranë makinës së shkrimit dhe fillova të shtyp tregimin “Pragu”, i cili u botua atëhere në “Zëri i Rinisë” me një ilustrim të shkëlqyer nga e madhja, e ndritura Safo Marko. Ishte viti 1969.
-Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato ç’ka ju keni lexuar apo vënë re?
Nuk mund të jap mendimin tim të prerë për gazetarinë në Shqipëri, por kam idenë, se mungojnë shumë gjini gazetareske si reportazhi, portreti, analiza e vërtetë e fakteve dhe gazetarët jepen mbas “sensacionit” shpesh pa verifikuar mirë lajmin. Ajo që nuk më pëlqen dhe që më krijon pështjellim është, që nuk ka gazetë tek ne mos të flasë për seksin, shpesh duke rënë në vulgaritet. Shtypi serioz në Perëndim nuk bije në këto vulgaritete. Shpesh gazetari a gazetarja, në vend që të bëjë portretin e plotë të artistit, këngëtarit a kujtdo personi publik rend e gjen rrugën më të lehtë intervistën. Unë çmoj shumë gazetaren Rezarta Reçi , e cila ka bërë dhe bën një punë të shkëlqyer me portretet, që ka dhënë të artistëve, shkrimtarëve, piktorëve, njerëzve të shkencës në emisionin e saj plot kulturë “Arratia e Peshkut të Kuq”. Gjithashtu çmoj penën e gazetarit Aleksandër Çipa për problemet e thekshme që ngre dhe me vërtetësi. Ju uroj suksese gjithmonë e më të mëdha këtyre gazetarëve dhe kujdo, që bën gazetari të vërtetë në Shqipëri.
– Ju gjithashtu, jeni bija e këngëtarit veteran lirik, “Artisti i Merituar”, solistit të Grupit historik “Lira”, të Korcës, Gaqo Jorganxhi . Cili është “çelësi sekret” i lidhjes me atin tuaj, dhe a ka ndikuar formimi tuaj intelektual dhe profesional artistik në formimin tuaj, poete dhe shkruese tekstesh lirike?
Natyrisht im atë ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në të katër ne fëmijët e tij, gjithashtu dhe nëna. Mbaj mend ende fëmijë 7-8 vjeç ai më merrte përdore në provat, që bënte në Pallatin e Kulturës. Aty unë kam ndjekur pothuaj gjithë provat e operetës “Agimi” (1954) me libret të Kolë Jakovës, muzikë të Kristo Konos, që u vu në skenë nga kori, orkestra dhe solistët e Pallatit të Kulturës në Korçë. Aty im atë luante një nga rolet kryesore atë të Murr Keçit. Atëhere, mbaj mend zjente e gjithë Korça për vënien në skenë të kësaj operete të parë shqiptare. Në rolet kryesore luanin dhe këndonin: Pirro Suljoti, Marika Balashi, Lefkothe Kane, Gaqo Jorganxhi, Dhimitra Mele, Pandi Raidhi, Andrea Trebicka, Liza Skrami etj. Në korin e madh merrnin pjesë punëtorë, zanatçinj, mësuese etj. Ishte një sipërmarrje e madhe, që doli me shumë sukses jo vetëm në Korçë, por edhe në gjithë Shqipërinë. Në vitin 1956 u riorganizua dhe kori i grupi “LIRA” me këngët karakteristike korçare, grup, i cili ishte formuar në vitin e largët 1928-ë. Aty merrnin pjesë gjithë anëtarët e parë të këtij grupi dhe ishin 12-ë, me gjithë katër orkestrantët, kitara dhe mandolina. Këta të 12-ë, populli i Korçës i quante “12 Apostujt e muzikës korçare”. Aty im atë dhe Tole Adhami ishin solistë, kurse dirigjent ka qene Profesor Kostaq Osmanlli.
Unë jam rritur mes këngëve korçare, arieve të operave, që im atë m’i këndonte, të cilat ai i interpretonte dhe në koncerte të ndryshme, i shoqëruar nga pianisti i mirënjohur i ndrituri Boris Plumbi. Të gjitha këto ndikuan në formimin tim si poete. Unë me Profesor Boris Plumbin dhe më vonë me pianistin e mirënjohur Sami Bujari kam studiuar 10 vjet piano në Pallatin e Kulturës së qytetit tim. Kjo më ka ndihmuar dhe lehtësuar shumë në krijimin e teksteve.
-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Nuk besoj të ketë njeri, aq më shumë krijues që të thotë, se ka arritur aty ku duhet me krijimtarinë e tij. Është një shprehje latine: “I gjatë je o, art, e shkurtër je o, jetë!” Kam disa vjet që kam një vëllim gati me tekstet e mia nëpër vite duke përzgjedhur ato që unë mendoj që janë më të realizuarat, por do dëshëroja ta shoqëroja me vijat melodike dhe dy CD. Kjo është një punë e vështirë dhe ky vëllim ka vite që po fle. Gjithashtu kam disa vjet që po shkruaj kujtimet e mia për punën time si redaktore letrare dhe poete e këngës, por ende s’e kam mbaruar.
-Ç’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Cfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura muzikore, nga ajo italiane ku ju jetoni aktualisht?
Çdo brez krijon këngët e tij dhe thuhet se kënga “është modë”, por unë them që një këngë është këngë kur jep një mesazh të bukur dhe atë e merr publiku dhe e këndon dhe kënga pa melosin nuk jeton dot. Në Shqipëri ka muzikantë të formuar në Universitetin e Arteve dhe ata për mua bëjnë muzikën e vërtetë. Një muzikant nuk mund të kuptohet pa njohjen e një vegle muzikore, notave, solfexhit, harmonisë etj., që e formojnë një muzikant, por kam idenë që ndonjëherë mjafton një kompjuter, merret kopja e ndonjë kënge të huaj dhe hidhet në treg. Kënga italiane i provoi të gjitha rrymat pas viteve ’60 dhe ’70, por tani i është kthyer traditës: melodisë. Ata tre djemtë e trios “VOLO” po pushtojnë botën me këngën e vërtetë italiane. Kështu them, që dhe kënga shqiptare duhet të tingëllojë shqip, pa rënë në folklorizëm.
-Sipas mendimt tuaj, çfarë është qëllimi maksimal i Artit? Ju kanë quajtur artdashësit tanë dhe media të ndryshme “Mbretëreshë e teksteve të këngeve”, por a është ndjerë artistja Zhuliana Jorganxhi e vlerësuar nga shteti?
Kur e pyetën të madhërishmin Bethoven:”Pse shkruani?!” Ai u përgjigj: “Atë që kam në shpirt dua të shpërthejë!” Ky është dhe qëllimi i një artisti, të verë shpirtin në artin e tij dhe ky art të çojë mesazhe tek çdo njeri, ta fisnikërojë atë. Sa për pyetjen e fundit a jam ndjerë e vlerësuar nga shteti po ju them, se përveç çimimeve dhe vlerësimeve nga institucionet e ndryshme nuk kam asnjë titull dhe jam me një pension minimal prej 150.000 lekë të vjetra, kur kam mbi 50 vjet krijimtari të botuar dhe të interpretuar, por mua më mjafton vlerësimi i artdashësve tanë, të cilët ndoshta kanë filluar të më quajnë me një “titull” shumë të madh, siç thatë dhe ju, të cilin ndoshta s’e meritoj duke më quajtur “Mbretëresha e teksteve të këngëve”. Nuk e bëjnë titujt një artist a krijues, e bën ajo ç’ka ai ka lënë prapa.
-Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj?Dhe pse?
Kur njeriu nxjerr nga duart dhe mendja e tij një punë të pastër, që iu shërben të tjerëve, ose iu jep njerëzve kënaqësi shpirtërore unë them që duhet të ndjehet krenar për atë që ka krijuar. Kjo më ka ndodhur jo rrallë, kur teksti, pra mesazhi i këngës ka hyrë në zemrat e njerëzve si p.sh. për tekstin “Në duart e nënës”, “Në sytë e tu”, “Pragu i vegjëlisë”, “Se kënduam Let it be” etj. kam marrë urime nga shumë njerëz, sepse tek teksti i parë ka një varg. “dhe vehten qortova të zënë në gabime, zemrën kur ta theva, o e shtrenjta ime!”, varg i cili për mendimin tim i përket gjithkujt nga ne, se s’ka njeri mos t’i ketë thyer zemrën qoftë dhe njëherë nënës së tij dhe të mos jetë penduar. “Në sytë e tu” preket një temë shoqërore. Aty tregohet një çifti “i zemëruar, që i ndjek pas një fëmijë si zog i trembur i hutuar!”…Tek “Pragu i vegjëlisë” them se gjithkush kudo që të shkojë do të kthejë sytë tek ai prag vegjëlie, ku hodhi hapin e parë, tha fjalën e parë…”Se kënduam Let it be” është një këngë që i kushtohet brezit tim, i cili “mohoi për një çast Zotin”, “por, se këndoi Let it be, rrojti i përgjuar”…dhe i kërkon falje Zotit: “Falna ti dhe mjaft me lot/ veç tek ti kam për të besuar!”
-Çfarë është dashuria për Ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!
Dashuria për mua është jeta! Një grua duhet të ndjehet e dashuruar kur nuk e kupton dot asgjë në jetë pa atë që dashuron.
-Sa ju ka mbështetur familja në karrierën tuaj artistike?
Familja më ka mbështetur në çdo çast dhe ka jetuar me shqetësimet e mia në periudhën e festivaleve në veçanti familja e motrës sime me kunatin tim të ndriturin Profesor Kostandin Leka, i cili gjatë gjithë jetës sime krijuese ka qënë një udhëheqës i shkëlqyer shpirtëror me vërrejtjet dhe kritikat e tij prej njeriu erudit dhe i jam mirënjohëse gjithë jetën atij, prindërve të tij të ndritur Jolanda dhe Minella Leka dhe motrës sime Rozmari. Unë kam jetuar me familjen e motrës dhe jetoj ende me të, pas 15 vjet jete në konviktet e qytetit “Studenti”, 4 vjet studime dhe 11 vjet si nënpunëse e pastrehuar(1964-1979).
-Një mesazh për brezin e talenteve të reja?
Gjithmonë i kam dashur dhe i kam përkrahur talentet e reja, sepse atyre iu përket e ardhmja! Do dëshëroja, që ata të jenë gjithmonë vetvehtja dhe të çojnë gjithmonë e më lart kulturën dhe artin në Shqipëri, sepse vetëm kultura shpëton një vend dhe e çon atë drejt përparimit!
Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU