Dr. Nikollë Loka/
Në periudhën para pushtimit osman, në Shqipëri, si dhe në vendet e tjera të rajonit e më gjërë, institucionet e para kulturore dhe arsimore qenë manastiret, që shërbenin si shkolla, por edhe si shtëpi botuese për shumëfishimin e librave dhe institucione ku përgatiteshin dijetarët e periudhës (Monroe, 1909: 255), prandaj monasticizmi u bë, në një kuptim më të gjërë, një forcë arsimuese me rëndësi të madhe për shoqërinë në tërësi (Benson, 1943: 61).
Manastiret e krishtera të dy riteve, perëndimor dhe lindor, megjithë dallimet, kishin si tipare të përbashkëta përvujtësinë, përkushtimin, punën, sakrificën dhe dashurinë për dijen e kulturën. Në mes të gjithë urdhërave të dy riteve, me arsimin u morën më shumë benediktinët në Perëndim dhe bazilianët në Lindje. Si dëshmi e veprës së tyre janë Kodikët e Shqipërisë, të shkruar në intervalin prej 13 shekujsh, në masën më të madhe nga murgjit e ritit ortodoks. Koleksioni i kodikëve (the codex) përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe një pasuri me vlera botërore(Historia e popullit shqiptar, vëll. 2, 2002: 340).
Gjurmët e monasticizmit kanë ardhur deri ditët e sotme me manastiret ortodokse të Shën Mërisë së Apollonisë, Fjetja e Shën Mërisë i Ardenicës, Shën Mërisë së Zvërnecit, Gjon Vladimirit në Shpat të Elbasanit, Shën Pjetrit në Vithkuq, Shën Vlashit në Shnavlash të Durrësit, Shën Marenës afër Pogradecit, e dhjetra të tjerëve. Në manastirin ortodoks të Ardenicës, që në fillim të shekullit XIII kishte një shkollë të veçantë. Po kështu, në Delvinë, pranë manastireve të Jan Thellogut të Kamenicës, Navericës dhe të Stillos, që nga viti 1275, kishte shkolla klerikale. Ka të dhëna për praninë e një shkolle pranë manastirit të Zvërnecit në Vlorë, që ka funksionuar deri në vitin 1376 (Shllaku, 2002:11).
Njihen edhe 30 kuvende benediktine që kanë ekzistuar në trevat katolike, disa prej të cilëve i trashëguan domenikanët dhe françeskanët (Koliqi, 2005: 30). Ndër ta përmendim manastirin benediktin të Shën Shirgjit, e Shën Mëhillit të Rotecit, e Shën Palit, (Sant Paulus Polatensis), Shën Mërisë së Ndërfanës, e Shën Salvadorit të Rubikut dhe Shën Aleksandrit të Oroshit.
Më vonë, me zhvillimin e qyteteve, qendra e gravitetit të jetës kaloi drejt tyre dhe katedralet e qyteteve morën funksione edukative-arsimore, kur pranë tyre u ngritën shkolla. Gjatë kësaj periudhe, formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat fetare pranë kishave të mëdha si në Durrës, Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, etj Historia e popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 335). Në Mesjetën e vonë qytetet shqiptare u kthyen në qendra të zhvilluara, ndrë të cilat përmenden: Durrësi, Shkodra, Drishti, Berati, Prizreni, Gjirokastra, Vlora, etj Historia e popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 269). Gjatë kësaj periudhe interesi intelektual kaloi nga manastiret te shkollat, të cilat u çliruan prej ndikimit tërësisht kishtar dhe kaluan në ndikimin formalisht kishtar, duke qenë në thelb kryesisht sekulare dhe drejtimi i shkollës kaloi nga njerëzit e kishës te doktorët që ishin të prirur drejt racionalizmit. Interesi intelektual që kishte filluar si interes teologjik përfundoi pothuajse tërësisht në interes filozofik dhe logjik (Monroe, 1909: 327).
Në arealin ku si gjuhë mësimi përdorej gjuha latine, me largimin e benediktinëve nga skena fetare, aty nga gjysma e shekullit XIII, erdhën menjëherë fretërit domenikanë dhe françeskanë, që ishin në fillimet e veprimtarisë së tyre Malaj, 1998: 22).
Midis viteve 1250-1370, Kuria i pati nga këta dy urdhëra gati të gjithë prelatët shqiptarë (Shuflaj, 2013: 155). Qendra e dominikanëve në trevat shqiptare ishte kuvendi i Shën Maurit në Durrës, i cili u themelua në vitin 1224 (Drançolli, 1999: 68). Kuvende të tjera u hapën në Ulqin në vitin 1258, në Shkodër në vitin 1345, në Lezhë në vitin 1350. Dominikanët i dhanë shtysë zhvillimit të arsimit në trevat shqiptare. Pranë kuvendeve të tyre hapën shkolla të ulëta dhe të larta fetare, si rezultat i të cilave u shtua numri i njerëzve të ditur që ushtronin veprimtari intelektuale. Në Ulqin rreth vitit 1258, noteri (noterus-shënues, këshilltar ligjor) ishte edhe mësues në shkollën e qytetit (parte per scrivere nostre carte e parte per insegnare lettere a nostril fioli). Në periudhën kohore 1261-1406 në këtë qytet punuan gjashtë noterë (Koliqi, 2002: 52).
Nga rradhët e domenikanëve dolën klerikë të njohur që zunë pozita të larta kishtare jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Në vitin 1345, Vikari Gjeneral i Urdhërit të Domenikanëve për Dalmaci dhe Durrës ka qenë Dominik Topia; Prior i Kuvendit të Domenikanëve në Dubrovnik ka qenë një ulqinak; në vitin 1374, në kuvendin e domenikanëve në Dubrovnik, përveç njërit që ishte nga Trogiri, të gjithë të tjerët qenë shqiptarë, sikur dhe në kuvendin e Mletit.
Prej domenikanëve shqiptarë duhet përmendur Andrea nga Durrësi, i cili në vitin 1387 emërohet Arqipeshkëv i Dubrovnikut. Një durrësak tjetër, në vitin 1375 emërohet Ipeshkëv i Kotorrit. Domenikanët e ushtruan veprimtarinë e tyre misionare gjatë gjithë periudhës së Skënderbeut dhe u larguan nga Shqipëria 33 vjet pas vdekjes së tij, kur së bashku me kolonët e tyre u transferuan në afërsi të Tragurit (Trogirit) në Dalmaci, duke formuar fshatin Arbanasi në ishullin e Sholtës (Malaj, 1998: 22-23).
Françeskanët ose fretërit gri erdhën pothuajse në të njëjtën kohë me domenikanët. Ata u prirën të jenë më demokratikë dhe më pak intelektualë, pasi iu kushtuan të varfërve(Parker, 1912: 76) dhe arsimimit fillestar, prandaj u vendosën jo vetëm në qytete, por dhe në mjedise rurale, ku nuk shkuan domenikanët.
Disa prej fretërve shqiptarë u bënë drejtues të Urdhërit apo klerikë të lartë në vende të tjera. Në vitin 1300 përmendet fra Shtjefni nga Shkodra si vikar në një kuvend të Raguzës. Në vitin 1385, Provinciali i Provincës së Dalmacisë është një shqiptar. Edhe Guardiani i kuvendit të Zarës më 1396 është një françeskan shqiptar. Po kështu, në vitin 1396, Guardian i Kuvendit Françeskan në Zarë ka qenë Aleksi nga Shkodra. Në vitin 1440, Provincial i Provincës së Dalmacisë ka qenë fra Nikolla nga Durrësi(Mirdita, 1998: 262). Urdhëri i françeskanëve që u forcua vazhdimisht, veçanërisht prej ipeshkëvinjëve që dolën nga gjiri i tij, filloi ta shpaloste veprimtarinë më me force në kohën e pushtimit turk.
Universiteti i Durrësit u hap në vitet ’80 të shek. XIV. Ai ishte universiteti i parë mesjetar në Ballkan dhe njëri ndër universitetet e para të Evropës. Atë e themeluan dhe e drejtuan autoritetet e urdhërit dominikan të qytetit të Durrësit. Kur u themelua kishte 9 magjistër dhe 100 studentë. “Durrësi ka qenë qendër studimesh, jo vetëm për Shqipëri, por edhe për Bosnjë, Dalmaci dhe Hungari…Ligjëratat janë mbajtur në pallatin e Kuvendit dominikan të Durrësit”(Drançolli, 1993:108). Në shekullin XIII dhe në shekullin që pasoi, Anzhuinët e Napolit e ushtruan ndikimin e tyre në Shqipëri, në fillim drejtpërdrejt dhe pastaj përmes feudalëve lokalë. Shitja e zotërimeve dalmate nga ana e Ladislavit të Durrësit në vitin 1409, kur kishte pak vite që ishte në fronin napoletan, formalizoi politikën e mosinteresimit për Ballkanin që kishte qenë ndjekur përpara tij, qëkur princat lokalë si Karl Topia u deklaruan të pavarur dhe me tituj sovranë. Por kultura anzhuine në mes të fisnikërisë u përtëri nga shkëmbimet e vazhdueshme portuale me portet puljeze dhe nga marrëdhëniet fetare në mes të Shqipërisë dhe Italisë së Jugut që në shekullin XV u forcuan më tej. Gjergj Kastrioti, Princi i Krujës u lidh me Mbretërinë e Aragonës që kishte zevendësuar Mbretërinë Anzhuine (Campobasso).
Në Mesjetë, siç dihet, pushteti politik dhe ai shpirtëror kishin marrëdhënie të ngushta në mes tyre, prandaj pranë qendrës së pushtetit politik ngrihej edhe një qendër e rëndësishme shpirtërore. Selia e Shenjtë në procesin e shtrirjes së ndikimit të saj në trevat shqiptare u mbështet nga shtresa e fisnikërisë. Në atë kohë zhvillimet politike ishin të lidhura me zhvillimet fetare dhe zotëruesit feudalë në përcaktimin e orientimit të tyre politik e merrnin parasyshë fenë dhe duhet të deklaronin mbështetjen e njërit prej riteve të krishtërimit: katolicizmit ose ortodoksisë.
Në institucionet kishtare të shpërndara në të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe nga formimi këta përbënin një masë tepër heterogjene. Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë, murgj, dhjakë etj, rekrutoheshin nga shtresat e vobekta të popullsisë dhe, për shumë prej tyre, shërbimi fetar ishte një mjet jetese, ndërsa klerikët e lartë, si rregull, vinin nga radhët e aristokracisë.
Përfshirja e bujarëve feudalë në radhët e klerit të lartë katolik, i lidhte ata me interesat e kishës katolike. Në shekujt XIV-XV, qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh nga dyert Suma, Jonima, Kamona. Bujarë të tjerë nga familjet Dushmani, Zaharia, Skura drejtuan selitë ipeshkvnore të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës. Po kështu, më 1422, Pjetër Shpani nga Drishti emërohet Kryeipeshkëv i Tivarit dhe drishtiani tjetër, Pal Ëngjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit, (Historia e Popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 335) ndërsa Dominik Topia, Vikari Gjeneral i Urdhërit të Domenikanëve për Dalmaci, më parë kishte qenë kapelan i Kapelës së Mbretit të Siçilisë.
Prelatët shqiptarë autorizohen nga Selia e Shenjtë dhe bujarët feudalë vendës si përfaqësues në marrëdhëniet diplomatike me shtetet e tjera. Në vitin 1457, Abati i Ndërfanës është Pali merr një autorizim nga Papa Kaliksti III, që të mund të paraqitet si i dërguari i tij për punë të jashtëzakonshme në dioqezat e Shqipërisë, Bosnjës dhe Greqisë (Dedaj, 2006:266). Ipeshkëvinj dhe klerikë të tjerë të rëndësishëm të Ipeshkëvisë së Arbërit kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjon Kastriotit dhe djalit të tij, Skënderbeut. Ndër ta, do të veçonim abatin Pjetër, kushëri i Kastriotëve dhe peshkopin Andrea. Në korrik të vitit 1439, abati Pjetër qe dërguar prej Skënderbeut dhe nënës së tij në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët raguzianë të drithit kishin ndaj Gjon Kastriotit, i cili kishte vdekur. Ndërsa në dhjetor të vitit 1447 ai qe dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë mbretit të Napolit, Alfonsit V. Kurse peshkopi Andrea kishte qenë në krah të Skënderbeut më 4 tetor të vitit 1448, gjatë nënshkrimit të traktatit të paqes midis tij dhe Venedikut (Biçoku, 2008). Njëri ndër përfaqësuesit më të shquar të Skënderbeut pranë kancelarive europiane ishte Pal Engjëlli. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës, për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt peshkopi i Janinës etj. Në këtë periudhë, klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit, i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësonin rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të klerit shqiptar.
Feudalët shqiptarë, ndër ta dhe Kastriotët, filluan të mbajnë kancelari e arkiva të vetat (Xhufi, 2006: 71). Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë “civil” të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente “mëkatet” e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj (Historia e Popullit shqiptar, vëll.II, 2002: 334) Bujaria shqiptare ishte mësuar të komunikonte njëlloj në areale të ndryshme kulturore dhe këtë nuk e shpjegon asgjë më shumë se prania e kancelarive shumëgjuhëshe greke, latine italiane të aristokracisë shqiptare (Mihaieviç, 1968).
Shkollat e mesme në Europën e Mesjetës ishin krijuar para së gjithash për të mësuar latinisht, (Parker, 1912: 18), por duke qenë gjuhë e vdekur që nuk përdorej në të folurën e përditshme, latinishtja nuk mund të mbijetonte më si gjuhë me përdorim të gjërë (Kane, 1954: 136-137). Mësimi i përbashkët fetar ishte dhënë pandërprerë në gjuhën vernikulare, (Parker, 1912: 220, por shkollat në ato gjuhë u zhvilluan vetëm kur gjuha dhe letërsia popullore arritën një shkallë të caktuar zhvillimi(Parker,1912: 33).
Por gjuha shqipe mbeti instrument privat i komunikimit për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Një dokument raguzian i vitit 1284 njihet si burimi i parë historik, ku përmendet gjuha shqipe (Krekic, 1998: 10-12). Kleriku frëng Gulielm Monahu më 1332 në veprën e tij latinisht “Directorium ad passiagium facienda”, libri I, pjesa e tetë shkruan:”Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, megjithëse kanë alfabetin latin (literam latinam) në përdorim dhe në tërë librat e tyre”. Është plotësisht e pranueshme se që të arrihet te librat e botuar, duhet të kesh një traditë më të hershme të shkrimit, jo më pak se një shekull” (Historia e Arsimit, 2003: 63). Edhe Marin Barleti në librin “Rrethimi i Shkodrës” na sjell këtë informacion: ”Na patën rënë në dorë disa shkrime me shumë fragmente sa t’i quash anale, në të cilat flitej më shumë për meremetimin që i bënë atij qyteti stërgjyshërit tanë se sa për ndërtimin. Ishte shkruar aty në gjuhën e popullit (vernacolo) se një e quajtur Roza me një ndër motrat e veta, të quajtur Fa, qenë themelueset e para të Shkodrës, e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa” (Historia e Arsimit, 2003: 40).
Ka prova se gjuha shqipe shkruhej edhe në kohën e Skënderbeut.Në një lëtër shumë të njohur, italisht, që Skënderbeu i ka dërguar prej Kruje me 30 dhjetor 1460, Princit të Tarantos, Giovanni Antonio Orsini, ai përmend “kronikat tona”, sipas të cilëve “ne quhemi epirotë” (Shuteriqi, 2005: 69) dhe po t’i besojmë dëshmisë së Gulielm Adaes, ato kronika duhet të jenë të shkruara në shqip.
Për një letër në gjuhën “arnaute”, të cilën Skënderbeu ia dërgonte si përgjigje sulltan Mehmetit II, flitet në librin “Le Grand Catriotto d’Albania. Histoire”, Franncfort 1776. Autori ishte një malazez nga Kotorri, Stafano Zanowitch (1715-1786), që e mbante veten si pasardhës të Skënderbeut dhe pretendon se letra ruhej në arkivat e Cërnojeviç-Kastriotit në Cetinë, pranë katedrales së Shën Venerës. Në libër botohet vetëm frëngjisht (Koliqi, 2002: 86).
Gjergj Kastrioti Skënderbeu drejtimin e kancelarisë së tij ia kishte besuar Pjetër Smaqit që mendohet se ka qenë nga fshati Smaq në Kurbin. Nga kjo kancelari deri më sot është dokumentuar të kenë dalë letra në latinisht/italisht, sllavisht dhe greqishten bizantine. Letërkëmbimi që Skënderbeu pati me fisnikët italianë (princin e Tarantit, Giovanni Antonio de Orsini) është futur në analet e korrespondencave europiane. Kjo korrespondencë fitoi një njohje të madhe në Europë, pasi një përmbledhje të saj Papa Piu II e botoi në veprën e tij historike Commentarii(Abazi-Egro).
Dokumenti më i vjetër, i mbijetuar, që shqiptarët kanë shkruar shqip është Formula e Pagëzimit (1462). “Formulën e pagëzimit” Jorga e zbuloi në biliotekën Laurentiana të Firences, Ashburuham 1167, në një kodik prej 36 fletësh. Dokumneti titullohet “Constitutiones Ordinationes et Statuta” (Vendime, Urdhëresa dhe Rregullore) të lëshuara nga “Paulus Angelus Miseratione divina Archipischopus Durrachiensis et Illiricae Regionis (…) in Ecclesia sante Trinitas de Emathia Anno Dei MCCCCLXII. Indictione Decima Dio vero Lune octava mensis Novembris (1462, 8.XI). Ai bashkë me Ipeshkëvin e Lisit Andrean (Andrea, Episcopo Lisignensi) kishin drejtuar Kuvendin kishtar të Matit të vitit 1462(Shuteriqi, 2005: 71). Imzot Pal Engjëlli kishte gjetur shumë të meta e mangësi në punët e ushtrimit të fees dhe për t’i shmangur ato ai kishte lëshuar në këtë Kuvend kishtar një qarkore në gjuhën latine që mban datën 8 nëntor 1462. Me anë të saj, ndërmjet të tjerash, ai jepte leje që, në ato kohë luftërash, kur prindërit nuk kishin mundësi t’i dërgonin fëmijët në kishë, t’i pagëzonin vetë në shtëpi, duke thënë shqip “Formulën e pagëzimit” që është: “Un të pagëzonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”. Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine. Gjuha e tekstit dhe vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave latine kanë një afri shumë të madhe me veprën e Buzukut, çka të bën të mendosh se shkrimi i shqipes duhet të ketë pasur një traditë më të vjetër, ku janë mbështetur të dy, si shkruesi i kësaj formule ashtu edhe Buzuku.
Në vitin 1483, ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe (çka është njëherazi edhe mallkimi i parë) në një pjesë teatrale të kohës së Rilindjes evropiane me titullin Epirota. Në këtë komedi në stilin e Plautit, të shkruar latinisht nga Thoma Mediusi (ital. Tommaso de Mezzo), bashkëkohës dhe i njohur i Xhovani Piko dela Mirandola (Giovanni Pico della Mirandola, 1463-1494), një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) me emrin Damasken shan një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, duke e mallkuar në gjuhën e vet me fjalët Dramburi te clofto goglie (T’u dridhtë goja). Ky mallkim u ngjan shumë sharjeve që përdoren edhe sot, “T’u mbylltë goja”, “T’u thaftë gjuha” etj., d.m.th. “Humbsh zërin për të keqen tënde”. Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë që njihej se ishte në gjuhën shqipe, u botua vetëm në vitin 1972 (Elsie, 1995: 24).
Me të njëjtin alfabet latin si “Formula e Pagëzimit” është shkruar në shekullin e XV edhe Fjalorthi i Arnold fon Harfit, i vitit 1497. Udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) ne vitin 1496, u nis nga Këlni, për të bërë një vizitë në tokat e shenjta, në Palestinë, udhëtim që e kreu për tre vjet. Në vitin 1497 ai kaloi në bregdetin e Shqipërisë dhe konkretisht në Ulqin, Durrës e Sazan. Gjatë këtij udhëtimi, për të komunikuar sadopak me njerëzit, ai shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje e numrat 1 deri 10 dhe 100 e 1000 të shoqëruar me përkthimin në gjermanisht. Janë fjalë të zakonshme si: ujë, verë, bukë, mish etj., që iu deshën udhëtarit në jetën e tij të përditshme sa qëndroi në Shqipëri (Elsie, 1997: 24). Me përshtypjet e udhëtimit Harfi la në gjermanisht një dorëshkrim, i cili u botua më 1860, pas tre shekujsh e gjysëm. Këtu gjendet edhe Fjalorthi, i cili përbën dokumentin e dytë të shqipes së shkruar.
Për shkrimin e shqipes flet edhe kronisti osman Ruhi Çelebi Edreneviu, që përshkruan fushatën e Bajazitit II kundër Himarës, në vitin 1492. Sipas kronistit “shqiptarët nuk kanë shkrim të zhvilluar”, që do të thotë se shqiptarët e shkruanin gjuhën e tyre, ndonëse jo në mënyrë të zhvilluar (Shuteriqi, 2005: 99).
Te shqiptarët, në periudhën e Skënderbeut ka patur një çështje të gjuhës amtare. Kjo çështje e gjuhës është zhvilluar në të njëjtat paralele që ka patur diskutimi mbi gjuhët amtare në Evropë. Shkrimi e kthen gjuhën e folur të një populli në gjuhë kulture dhe krijon kushtet për themelimin e shkollave kombëtare. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: A ka qenë shkrimi i shqipes një nismë politike? A po shkonte Skënderbeu dhe oborri i tij drejt hartimit të dokumenteve në gjuhën shqipe? Se çfarë do të sillte stabiliteti dhe vazhdimësia e shtetit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut është e pamundur të përcaktohet, por ajo që dihet me siguri është se Pal Engjëlli e kishte filluar një proces i cili nuk përfundoi me shtetin e Skënderbeut. Përdorimi i shqipes në liturgji/ ligjërimin teologjik, që nisi në periudhën e Skënderbeut me Formulën e Pagëzimit, u bë për të forcuar ndjenjën e përkatësisë fetare të krishterë, kundrejt rrezikut dhe kërcënimit osman në Ballkan (Abazi-Egro).Për sa i përket shkrimit të gjuhës shqipe, duhet të krijoheshin kushtet e përshtatshme kulturore e politiko-kishtare për nisma si ajo e Gjon Buzukut që shënoi fillimin e traditës letrare në gjuhën shqipe që nga shekulli XVI. Ky është shekulli i periudhës kulmore të Rilindjes evropiane dhe i lëvizjes politiko-fetare të Reformës që shënoi fillimin e përkthimeve biblike në gjuhët popullore. Brenda vendit ishin rrethanat e pushtimit osman me rrezikun e përhapjes së fesë së tij që rizgjuan elementet e vetëdijes kombëtare dhe nxitën nevojën e ruajtjes së krishtërimit nëpërmjet propagandimit të fesë në gjuhën e vendit (Omari, 2014). Shkrimi i gjuhës sonë shënon fillimin e shkëputjes nga përdorimi i gjuhëve dominante të kohës dhe zgjerimin, në mënyrë graduale, e përdorimit të shqipes drejt sferave që kontrollonin ato gjuhë. Nga njohja e deritanishme, kuptojmë se shqipja e zgjeroi sferën e përdorimit të saj, së pari në liturgji dhe katekizëm, d.m.th. në sferën fetare (Formula e pagëzimit 1462; Meshari i Gjon Buzukut 1555 ) dhe pastaj vazhdoi me krijimin e letërsisë së mirëfilltë në gjuhën shqipe (Abazi-Egro).
Literatura:
– Abazi-Egro, Genciana. Shqiptarët e Mesjetës dhe kultura e shkrimit, http://www.eperditshme.al/…/shqiptaret-e-mesjetes-dhe…
– Biçoku, Kasem. “Mjedisi kishtar dhe politik i Kuvendit të vitit 1462”, gazeta “Tema”, 22 janar 2008.
– Campobasso, Gianvito. Alcune fonti per lo studio del Regnum Albaniae degli Angiò: dokumenti, epigrafi, araldica e visual evidences, https://journals.openedition.org/mefrm/3291
– Dedaj, Ndue. (2006). Toka e Katedraleve, botimet “Mirdita”, Tiranë.
– Drançolli, Jahja. (1995) . “Universiteti i Dutrrësit (shek.XV)”, Buletin i Fakultetit Filozofik nr. XXIII/1993, Prishtinë.
– Drançolli, Jahja, (1999). “Kontributi i dominikanëve shqiptarë për kishën katolike”, “Dardania sacra” I, Shtufi, Prishtinë.
– Elsie, Robert. (1997) Histori e letërsisë shqiptare, përkthyer nga origjinali anglisht nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë.
– Historia e popullit shqiptar. (2002), Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI vitet 20 të shekullit XIX, botimet “Toena”, Tiranë.
– Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar, (grup autorësh) (2003), botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003.
– Kane, William Terence, (1954). History of education, considered chiefly in its development in the Western world, Loyola University Press.
– Koliqi, Hajrullah. (2002). Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, shtëpia botuese e Librit Shkollor, Prishtinë.
– Krekic, B. (1998). “Albanians in the Adriatic Cities: Observations on Some Ragusian, Venetian and Dalmatian Sources for the History of the Albanians in the La te Middle Ages”, The Mediaeval Albanians, National Hellenic Research Foundation- Institute for Byzantine Research, Athens.
– Malaj, P.Vinçenc, (1998). Kuvendi i Arbnit 1703, Instituti i Filozofisë dhe Sociologjisë, Prishtinë.
– Mihaieviç, R. (1968). “Slovenska kancelarija arbanska vlastele”, Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968, Prishtinë.
– Mirdita, Zef. (1998). Krishtenizmi ndër shqiptarë, Misioni katolik shqiptar në Zagreb, Prizren-Zagreb.
– Monroe, Paul, 1869-1947, (1909). A text-book in the history of education.
– Omari, Anila. (2014). “Gjuha në kohën e shtetit të Arbërit”, gazeta “Telegraf”23 prill.
– Parker, Samuel Chester. (1912).A textbook in the history of modern elementary education,Ginn and Company, Boston, New York, Chicago, London, Atlanta, Dallas, Columbus, San Francisco.
– Power, Edward J. (1962). Main currents in the history of education, Mcgraw-Hill Book Company, Inc, New York, San Francisco, Toronto, London.
– Shllaku, Ludovik. (2002). Shkollat klerikale, vështrim historik nga fillimet deri më 1924, botimet “Camaj-Pipa”, Shkodër.
– Shuflaj, Milan.(2013). Situata e kishës në Shqipërinë paraturke, botimet françeskane, Shkodër.
– Shuteriqi, Dhimitër. (2005). Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, Akademia e Shkencave, Tiranë.
– Xhufi, Pëllumb. (2006). Dilemat e Arbërit, studime mbi Shqipërinë mesjetare, Pegi, Tiranë.