
Imam Edin Gjoni/
Me emrin e Zotit e filloj. Të nderuar vëllezër e motra, miq të dashur, Paqa qoftë mbi ju! Me zemër jam me ju në këtë ditë të madhe, edhe pse për shkak të detyrimeve të mia nuk kam mundësi të jem fizikisht i pranishëm. E megjithatë, mendja dhe lutjet e mia janë me ju, derisa kremtojmë një nga momentet më madhështore të historisë sonë kombëtare.
Dita e Pavarësisë së Kosovës nuk është thjesht një datë në kalendar—ajo është një përkujtim i shenjtë i sakrificës së të gjithë atyre shqiptarëve që dhanë gjithçka për lirinë. Një liri e larë me djersën, gjakun dhe lutjet e atyre që patën guximin ta ëndërrojnë atë edhe në orët më të errëta të historisë sonë. Të ëndërrojnë një Kosovë ku gjuha jonë nuk shuhet, ku kultura dhe identiteti ynë nuk frikësohen, dhe ku shqiptari jeton me dinjitet të plotë—pa u përkulur para askujt për atë që është.
Ne që jemi në mërgim kemi një detyrë të madhe: të mos harrojmë rrënjët tona, të mos lejojmë që gjuha jonë të zbehet, dhe të edukojmë fëmijët tanë me dashurinë për kombin dhe historinë e tyre. Prandaj, më lejoni të shpreh mirënjohje të thellë për Vatra Long Island dhe Shkollën Shqipe “Gjergj Fishta” që me përkushtim po bëjnë një punë të shenjtë—duke mbjellë rrënjët shqiptare tek brezi i ri. Ju jeni dëshmia se pavarësia nuk është vetëm një fitore e së shkuarës, por një amanet për të ardhmen.
Por sot, nuk mund të flasim për pavarësinë e Kosovës pa shprehur falënderim të sinqertë dhe mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qëndruar krah për krah me shqiptarët në ditët më të vështira. Me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre të palëkundur, SHBA luajti një rol vendimtar jo vetëm për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, por për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve kudo.
Thellësisht jemi mirënjohes SHBA për ndihmën, për besimin dhe për miqësinë e pathyeshme me popullin shqiptar!
Le ta festojmë këtë ditë jo vetëm me këngë dhe valle, por me një zotim të fortë: të jemi të bashkuar, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të ruajmë gjuhën dhe traditat tona, dhe të mbetemi gjithmonë krenarë për atë që jemi.
Në fund, le të bëjmë një lutje:
– O Zot, dhuroju udhëheqësve të Kosovës mençuri dhe urtësi, që ta drejtojnë vendin me drejtësi dhe përkushtim.
– Shtoju largpamësinë që të udhëhiqen nga e mira e përbashkët dhe harmonia mes njerëzve, dhe forcoju zemrat që të shërbejnë me drejtësi, përkushtim dhe dashuri ndaj popullit të tyre.
– Bekoje Kosovën me paqe, unitet dhe begati për të gjithë bijtë e saj, kudo që janë. Amin!
Edhe pse nuk jam me ju sot, zemra ime rreh me juve. Qoftë kjo ditë një burim frymëzimi për të gjithë ne!
Zoti ju bekoftë juve! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptarë kudo që të jetë! Zoti i bekoftë SHBA, këtë tokë dhe popull për të cilën Zoti lidhi fatin tonë!
Me respekt e vëllazëri,
Imam Edin Gjoni