Në takimet me liderët europianë, Zv.presidenti Pence i garantoi ata duke i thënë se, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për bashkëpunim dhe partneritet me Bashkimin Europian.
Numri dy i Shtëpisë së Bardhë ndodhet këto ditë në Bruksel, ku zhvilloi takime me presidentin e BE-së, Jean Claude Juncker; Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe presidentin e Këshillit të Europës, Donald Tusk.
Nga ana e tij, Tusk u shpreh se takimi me zotin Pence ishte “vërtet i nevojshëm”, pas zërave të shumtë që kanë qarkulluar në muajt e fundit e që vinin në dyshim marrëdhëniet SHBA-BE.
Zoti Tusk tha gjithashtu se, zv.presidenti Pence kishte shprehur mbështetjen e SHBA për një Europë të bashkuar. Po ashtu, zyrtarë të tjerë europianë thanë për mediat në fund të takimeve se, ndiheshin të inkurajuar dhe se kishin marë nga Pence atë që kërkonin.
Por disa të tjerë thanë se, dëshirojnë të dëgjojnë të njëjtat fjalë nga presidenti Trump para se, të ndihen të sigurtë. Ndërkohë Zv.Presidenti amerikan Mike Pence, ka paralajmëruar sërish vendet anëtare të NATO-s, që të përmbushin detyrimet e tyre sa i takon shpenzimeve për mbrojtjen. Zoti Pence deklaroi se, populli amerikan mund të humbasë durimin me ato vende që nuk realizojnë objektivat.