Zëvendësambasadori amerikan tregoi raste konkrete, sesi dy kompani amerikane vendosën të largoheshin nga Shqipëria, kur u përballën me vendime gjyqësore të padrejta. Bashkë me shembujt konkretë ishte edhe llogaria konkrete. “Vitin e kaluar ne kemi biseduar me disa kompani që do të investonin 250 milionë dollarë, por këto kompani vendosën të investojnë tjetërkund, për shkak të frikës se nuk do të kishin një gjykim të drejtë në gjykatat shqiptare”, tha David Muniz. Që situata të marrë fund, investitorët e huaj bashkë me përfaqësitë diplomatike mbështetën pa rezerva Refomën në Drejtësi. Por, kur reforma është në kapitullin e fundit të saj, kur deri tani nuk është bërë asnjë votim i neneve dhe kur Partia Demokratike ka draftin e saj, që kërkon thjeshtësimin e arkitekturës së sistemit, amerikanët kanë një mesazh për të dhënë. “Parlamenti është në kohën e duhur për ta miratuar refomën. Nëse ka negociata që duhen zhvilluar në mënyrë që drafti përfundimtar të votohet, është shumë vonë që të bëhen ndryshime thelbësore për pjesë të rëndësishme të reformës. Le të ecim përpara dhe t’i japim fund. Nuk ka më kohë për vonesa dhe argumente të pafundme”, tha David Muniz. Ambasadorët kanë nisur të përdorin edhe skenarin, se ata e dinë kush është kundër reformës. “Ka grupe dhe individë që nuk e duan këtë reformë. Dhe ne e dimë këtë. Ne dimë arsyet dhe frikën e tyre. Ata përpiqen dhe do të përpiqen deri në fund ta shtyjnë reformën, ta ndryshojnë dhe ta pamundësojnë atë. Por nuk ka më kohë për të luajtur kukafshehtas”, tha Romana Vlahutin. Deri tani, askush nuk thotë asnjë emër, por mesa duket, po u jepet ende kohë negociatave për një draft konsensual.