![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2024/06/448479898_872984331536757_6158211070671401758_n.jpg)
Kosta Nake/
Pasi ka pranuar ndarjen e shpirtit nga trupi, duke përdorur një mjet kafkian, autori e rikthen Kristofor Dukën mbi tokë, jo vetëm për të parë ç’ndodh pas vdekjes së tij, por edhe përë të bërë një retrospektivë të krejt asaj që e çoi në ndërprerjen e papritur të jetës. Nëse te Kafka Gregor Zamza kthehet në një kandërr të shpifur që nuk e komandon dot veten mbi ato putërzat e vogla, te Virion Graçi shpirti merr trajtën e një sfere, të një topthi bilardoje, të një unaze të shtypur si elips, ose të një shtëllunge resh dhe lëviz lirisht duke iu larguar rrezikut të qenve, ndërsa kur e sheh veten në sipërfaqe pasqyrore, duket si një vijë e verdhë, e valëzuar, pa fillim e pa fund. Gjithsesi hapësira e lëvizjes është e kufizuar te një shtyllë telefonike mememce, te një dëllinjë, te një pyll. Këtij territori do t’i shtohet më pas edhe brezi me fidanët e rinj dhe trupi i vajzës.
Ky ndryshim i papritur metamorfik, i realizuar me metafora dhe simbole, është vetëm një teknikë e gjetur artistike, jo për të depërtuar në filozofinë e jetës dhe të vdekjes, por për të lëvizur lirisht në mjedisin e sotëm shqiptar ku sistemi burokratik i Kafkës ia ka dorëzuar pushtetin sistemit të interesave që burojnë dhe ushqehen nga lufta politike të cilat e depersonalizojnë individin në mënyrën më të dhimbshme. Nëse te “Metamorfoza” e Kafkës krijohet një atmosferë mistike që e izolon Gregorin nga familja dhe shoqëria dhe e vë përballë pyetjeve filozofike që reflektojnë kuptimin e jetës, te romani “800 hapa larg Venerës” nuk ndryshon asgjë, jeta vazhdon normalisht. Tek ne, kur vdes dikush, përdorim shprehjen “ish njeri, u bë llaf”, por Kristofori nuk dëgjohet askund as si llaf. Ky ndryshim i madh me shpërfillje të njeriut dhe fatit të tij që ka ndodhur në shoqërinë e ditëve tona nuk mund të mos përcillet me të gjitha mjetet që ofron humori, ironia, sarkazma dhe grotesku duke filluar që nga fjalia e parë që ngre siparin e librit, duke vazhduar me hipokrizinë e fjalimit të përmortshëm, me zbulimin e marrëdhënieve të Kristoforit me bashkëshorten Zana, me reklamën e shërbimit funeral, me citimet e herëpashershme jo të filozofëve, por të pijanecëve, me qentë përgjues që e rrezikojnë shpirtin e Kristoforit dhe janë qen me dy këmbë, me ngrënien e pjeshkës së shokut, me qasjen ndaj rulove, me epitafet prekëse që qëndrojnë mbi varre të njerëzve problematikë, me përmendjen e shpeshtë të shpejtësisë së erës që matet me milimetra për orë, etj.
Ç’ishte kjo vdekje e papritur e punonjësit të urbanistikës në bashkinë e qytetit? Ishte goditje stresi për shkak të largimit nga puna. Kur ndërrohet forca politike që administron jetën e një qyteti, dihet se ç’ndosh, spastrohet administrata nga punonjësit e forcës humbëse të cilët nuk ka status që i mbron dhe i shpëton. Ishte një deklarim verbal i kryetarit të bashkisë për atë që ndodhi, i kërkoi të ndryshonte listat e ndihmës ekonomike për të kënaqur votuesit e fituesit, “bëje, ose liro karrigen!” kjo është praktika e punës. Ky fat e pret edhe inxhinier Tekiun, i paralajmëruar, me një hapësirë të vogël kohore midis të dy punonjësve që janë në listën ku emrat kanë vijë të kuqe.
Vëzhgimet e shpirtit të Kristoforit kalojnë përtej jetës familjare dhe ecurive të punëve bashkiake, ato rrokin një panoramë të gjerë të jetës shqiptare dhe këtu mund të përmendim analizën sarkastike për folëset kukulla të televizionit, për ironinë në qasjen ndaj kronikës së zezë, për vlerat e dëllinjës, për perceptimin e ri të shprehjes “jetë qeni”, për goditjet e shtyllës në ndeshjet e futbollit, etj. Paralelisht ka dhe probleme të mprehta siç është ngujimi i fëmijëve dhe pamundësia e tyre për të shkuar në shkollë, afishet dhe mesazhet kërcënuese të grupeve mafioze, fanatizmi partiak i sjellë nëpërmjet komandant Adufit, ngjallja e kukunjve nacionalistë grekë kur ngritja e flamurit i takon një fëmije shqiptar për shkak të rezultateve më të larta, etj.
E reja dhe e pamunduara që ndodh me shpirtin vëzhgues të Kristoforit është zbulimi i një skene erotike të një impotenti të moshuar dhe një të riu që i përgjon, madje arrin të mësojë se kjo marrëdhënie ka përfunduar me vrasje dhe me përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Prej këtu fillon një linjë e re me premtim për ta pritur me vite daljen e shpirtit të vajzës prej varrit duke i dhënë veprës një tjetër përmasë humane dhe një përsiatje për lumturinë që lidhet me moshën dhe jo me pozitën shoqërore dhe depozitat bankare. Filozofisë së pritjes i shtohet qasja e rrezikshme ndaj anekdotave dhe kufiri i vështirë mes dëshirës dhe detyrës, mes përvojës dhe intuitës.
Rrëfimi karakterizohet nga përdorimi i vargjeve të pasur të enumeracioneve, veçanërisht ato me folje që i japin dinamizëm krejt veprës dhe faqet e librit i shfleton pa e kuptuar. Dhe kur arrin te faqja e fundit e veprës, me siguri do të mendosh pozitivisht: janë shkrimtarët, poetët dhe artistët syri i vëmendshëm i Shqipërisë, janë ata idealistët që nuk i zvetënon paraja, janë ata atdhetarët që ruajtjen e vlerave nuk e shkëmbejnë me krijimtari surrogato.
(Romani “800 hapa larg Venerës” i Virion Graçit, Onufri 2020)