Nga Prof. Thanas Gjika/
Midis bijve të shquar, që i ka dhënë Dardha e Korçës historisë sonë kombëtare, është edhe Josif G. Pani, i cili tërë jetën punoi për mbarëvajtjen e shoqërive patriotike në ShBA, si “Besa-Besën”, “Mbleta” e “Vatra” dhe për propagandimin e ideve patriotike me anë të gazetave “Kombi”, “Dielli”, “Koha” si dhe duke botuar gazetat e veta “Sazani”, në Worcester, MA, me 1917-1918 dhe “Drejtësia”, në Watertown, MA, me 1920. Ky punëtor i thjeshtë, që e la fshatin për te marrë rrugën e vështirë të kurbetit, vetëm pasi kishte mbaruar shkollën fillore në gjuhën greke, na bën me turp ne mërgimtarëve të sotëm, që kemi mbaruar gjimnaze e fakultete të larta, por që po aktivizohemi me shumë ngadalësi në lëvizjen patriotike të këtushme, me shumë kursim po i japim dollarët për të ndihmuar vëllezërit tanë të Kosovës martire, apo për të paguar kuotat e shoqërive, që kanë krijuar me aq mund mërgimtarët e mëparshëm, apo ndihmat për të mbajtur e për t’i shtuar institucionet fetare, që na nevoiten për edukimin tonë dhe të fëmijëve tanë…
Josif Pani lindi në fshatin malor të Dardhës, ku banorët mezi nxirnin bukën me bagëtitë e pakta që mbanin dhe me zanatet e druvarit e të qymyrxhiut, me 1868. Dardharët para se të mbushnin moshën për të shkuar asqer në ushtrinë osmane niseshin për kurbet në Greqinë e afërt, ku mërgimi bëhej me mushka e kuaj, që i merrnin për të punuar si druvarë e qymyrxhinj. Mirëpo Greqia nuk ishte në atë kohë një vend ku mund të bëjë para dhe, për më tepër, duhej të duroje përrallat e dhaskenjve e të priftrinjve, të cilët me një pasion të veçantë, të çanin kokën duke të thënë se të gjithë shqiptarët ortodoksë janë grekë, që e kanë harruar gjuhën greke dhe tani flasin shqip, shqipja duhet braktisur si gjuhë e pazhvilluar dhe duhet folur e shkruar vetëm greqisht, se kjo gjuhë është gjuha e kulturës, gjuha e kishës, gjuhë e tregëtisë, etj., etj.
Josifi e provoi kurbetin e Greqisë, ku vente e vinte; por mbasi u bë me fëmijë, e kishte të vështirë të mbante familjen me punët e krahut në Greqi, prandaj me 1904 u nis për në kurbetin e ri, në ShBA, ku vërtetë puna ishte e rëndë nëpër fabrika e punishte, por edhe paga ishte më e mirë dhe mund të fitoje mbas disa vjetësh ca para për të blerë një shtëpi, ca tokë e disa bagëti. Shumica e shqiptarëve kishin filluar të mërgonin në këtë kohë në New England, sidomos në Boston e rrethinat e tij. Këtu erdhi edhe Josifi, ku u lidh me bashkëfshatarë dhe me drenovarë, katundallinj, trebickallinj, treskallinj, panaritas, të ardhur para tij. Dardharët ranë në sy të parët për përpjekjet e tyre për t’u organizuar në Boston e për të botuar gazetë shqipe në mërgim. Me 15 qershor 1906, bashkëfshatarët e tij, Sotir Peci, si editor, dhe Gjergj Konda Gjonleka si manager, në bashkëpunim me Eftim Nacin nxorën të parën gazetë shqipe në Amerikë, gazetën “Kombi”. Josifi ia filloi punës për të popullarizuar idetë e gazetës, filloi t’u lexonte shokëve të konakut ku jetonte çdo numër të “Kombit”, t’u mësonte atyre shkrim e këndim me faqet e kësaj gazete, të jepte ndihmat e tij për botimin e mëtejshëm të saj e të mblidhte ndihma tek të tjerët. Duke dashur të shprehte dufin që i zjente nga brenda, për t’i parë shqiptarët të bashkuar e Shqipërinë të lirë, filloi të provojë veten duke shkruar artikujt e parë me temë nga lufta kundër propagandës grekomadhe e për sqarimin e detyrës që kishin shqiptarët si bij të një nëne të bashkoheshin e të luftonin të gjithë tok kundër armiqve të çështjes kombëtare.
Punën e bashkëpunëtorit në shtypin shqiptar të kolonisë, ai do ta vazhdonte edhe në faqet e gazetës më të rëndësishme “Dielli”, në vitet e para të botimit të saj dhe në faqet e gazetës “Koha”, që nxori atdhetari Mihal Grameno, në Jamestown, NJ, me 1915-1919.
Josifi, i shtytur nga zjarri i atdhedashurisë, më 1 janar 1917, botoi broshurën “Adriatiku dhe Lufta Evropiane”, ku sqaronte se Lufta e Parë Botërore u shkaktua nga lakmia e qeverisë serbe për të dalë në detin Adriatik. Përsa i përkiste Shqipërisë, kyçit të Adriatikut, Josifi si edhe Kristo Dako e të tjerë mendonin se nuk mund t’u jepej, mbas luftës, as Italis as Greqisë e as Serbisë, po do të bëhej shtet më vete, siç u njoh me 1912. Jepte, pra, kurajo në ato kohë të vështira, kur pushtimi i vendit nga ushtritë e vendeve ndërluftuese kishte krijuar një hamulli dhe dëshprim të përgjithshëm për fatet e nesërme të Shqipërisë së shumëvuajtur, të cilën le që e krijuan me gjysmën e territoreve e të popullsisë së saj, por tani po kërcënonin edhe ekzistencën e saj. Për t’i bërë me të njohura idetë e tij kundër lakmive të shteteve fqinje, ai botoi në Worcester, MA, gazetën e tij “Sazani”, nga tetori 1917 deri në fund të marsit 1918, në shqip e anglisht, gazetë e përdyjavshme, me ndihmën edhe të miqve të tij Ilo Pano si manager, Zisi Stavre, si sekretar, Kosta Pano, si arkëtar dhe të birin, Vasilin, që kish riardhur në kurbet, si radhitës dhe reporter.
Josif Pani së bashku me Mihal Gramenon dhe Jorgji Sevon, në vitet 1917-1920, u quajtën në shtypin e atyne viteve si “bolshevikë” sepse përqafuan disa ide socialdemokrate, që vlonin aso kohe në shtypin amerikan dhe në atë evropian. Duam të sqarojmë këtu se të përqafoje në atë kohë ide të tilla mbi barazinë njerëzore, mënjanimin e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, zbatimin e një reforme agrare me shpërblim e të tjera, ishte diçka përparimtare dhe nuk kishte të bëjë aspak me socializmin si ideologji e partive komuniste te mëvonshme dhe me diktaturën e proletariatit si formë shteti që u aplikua më vonë në Evropen Lindore.
Disa ide të shprehura nga Josifi lidhur me synimet grabitqare të fqinjve tanë janë aktuale edhe sot. “Serbët i njohim që janë, i dijmë që i kemi armiq të mërzitshëm, të liq e shekullorë”, shkruante ai, me 1915, kur ushtria serbe u vërsul mbi Shqipërinë e Veriut, para se të pushtohej Serbia nga ushtritë austro-hungareze, dhe vijonte: “Programi i tyre është të na shuajnë fare nga faqe e dheut.” Po kështu me vlera për sot është edhe këshilla që u jepte ai lexuesve të vet: “Sot nuk është koha të merremi me gjëra personale, kur armiqtë shekullorë po na përgatisin varrë, sot është koha të përqafohemi, muhamedanë e të krishtërë si vëllezër që jemi prej një babe e një nëne, në duam lirinë e atdheut, në duam Shqipëri për shqipëtarët.”
Me 1922, mbasi kishte dhënë ndihma të shumta në dollarë për më se 18 vjet për çështjen kombëtare, mbasi kishte luftuar për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare tek mërgimtarët me fjalime e artikuj gazetash, Josif Pani u kthye në atdhe për të shpënë ato pak dollarë që kish kursyer në fshatin e lindjes, ku ndërtoi shtëpinë, shtoi arat e bagëtinë, martoi vajzat dhe vijoi punën për zbukurimin e Dardhës, për ta bëre këtë fshat një pikë turistike për mbarë Korçën. Kështu i mbylli vitet e fundit xha Josifi, duke punuar falas me bashkëfshatarët për ndreqjen e rrugëve, kopshteve, kishave të fshatit, etj. Endrra e tij për ta bërë Dardhën një fshat të punësuar në Amerikë ishte bërë realitet: me paratë që dërgonin djemtë nga kurbeti ishin ndërtuar shtëpi me gurë të skalitur, ishin shtruar rrugët e fshatit me kalldrëme, ishin ndërtuar çezma me ujë të bollshëm në çdo rrugë; kishat organizonin piknikë ditët e shënuara, kur mblidheshin dardharët e korçarët me ato këngët e bukura e mishrat e pjekura; grupe të rinjsh këndonin serenata në mbrëmjet e beharit. Ndryshimi ishte shumë i madh nga jeta që la Josifi kur shkoi në kurbet.
Josif Pani vdiq me 14 maj 1934, i nderuar nga gjithë populli i zonës së Devollit të Sipërm dhe i Korçës, sepse të gjithë e dinin se xha Josifi jo vetëm kishte qenë një punëtor i ndershëm dhe ndihmëtar i madh i “Vatrës” dhe i “Diellit”, por kishte qenë edhe një mik e bashkëpunëtor i afërt i gjigantëve të Amerikës, i Sotir Pecit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos e të tjerëve, që ndihmuan aqë shumë për çështjen shqiptare. Varrimi i tij u kthye në një manifestim popullor, sepse populli di të nderojë jo vetëm burrat e mëdhenj që bëjnë histori, por dhe të gjithë ata që punojnë me gjithë zemër e pa inrteres për të mirën e atdheut… I tillë ishte edhe xha Josifi, të tillë e edukoi djalin e vetëm, i cili, si e dimë e mbajti “Vatrën” me shpenzimet e veta për më se 16 vjet.
* * *
Në mbyllje të këtij artikulli përkujtimor, dua të falënderoj z. Sotir Pani, nip i të ndjerit Josif, për punën e madhe që ka bërë në Tiranë, Korçë e Dardhë për të ruajtur koleksionet e gazetave, për të mbledhur artikujt e gjyshit e të babait të tij, fotografi e relike të tjera me vlera muzeale, të cilat na i ka vënë në dispozicion sa herë që na janë dashur për të shkruar për këta patriotë dhe për të tjerë, vepra e të cilëve është e lidhur me jetën e Josifit e të Vasil Panit.
Në Shqipëri, jo vetëm intelektualët si Skënder Luarasi, që mblodhi shkrimet e të atit, por edhe shumë bij e bija patriotësh, që nuk kishin formin filologjik e historik, i futeshin punës dhe i mblidhnin shkrimet e prindërve e të gjyshërve të tyre, për t’i pasur si materiale me vlerë për historinë e familjeve të tyre dhe të të gjithë shoqërisë. Më kujtohet ingj. Skender Dako, i cili me vite të tëra punoi për të kopjuar shkrimet e babait dhe të nënës së tij, Kristo e Sevasti Dako dhe të tezes, Parashqevi Qiriazi, punë me të cilën i nxori ata nga harresa, ku donte t’i hidhte diktatura komuniste. Kështu punonin edhe shumë të tjerë; por këtu në ShBA, ku njerëzit janë të dhënë shumë pas fitimit, shohim se ruajtja e dokumantave familjare nuk vlerësohet sa e si duhet dhe, me vdekjen e pleqve, fëmijët i hedhin si gjëra pa vlerë koleksionet e gazetave, artikuj e fotografi të ndryshme, të cilat e kanë vendin shumë shpejt në një muze të emigracionit shqiptar në Amerikë. Me këtë rast, dua të falënderoj disa miq që kam njohur, si zonjat Sara Panariti, Dhimitra Peters, Viktoria Peters, Ofeli Shaban. Mary Quen, Marika Naum, Lillian e Dollores Steven, Georgia Drenova dhe zotërinjtë Vangjo Naum, Bobi Steffo, Gaqo Mborja, Sejfi Protopapa, etj., që i ruajnë materialet me vlera historike. Një gjë të tillë duhet ta bëjnë të gjithë, sepse pothuaj çdo familje ka gjëra me vlera për muzeun e ardhshëm(Dielli-arkiv)
Caption:Josif Pani, ish kryetar i Besa-Besen me Faik Konicen, 1909