Revista diplomatike ndërkombëtare (1928) / Shoqata e fuqishme patriotike “Vatra” dhe Mbreti Zog I kanë dhënë kontribut të lartë për Shqipërinë/
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Dhjetor 2018/
Revista diplomatike ndërkombëtare “Ambassades et consulats” ka botuar, në muajin tetor të vitit 1928, një shkrim me titullin “Coup d’oeil sur l’Albanie – Vështrim mbi Shqipërinë” ku vihen në pah meritat e shoqatës patriotike “Vatra” dhe të mbretit Zog I në ndërtimin – zhvillimin e kombit tone, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Vështrim mbi Shqipërinë
“Shqipëria, mund të themi, ishte truri dhe njëkohësisht krahu i djathtë i Perandorisë Osmane. Është ky paradoks i cili konfirmon cilësitë e shquara të kësaj race : ky vend malor, i braktisur, pa komunikime, pa ndonjë prodhim, pa mjete për ekzistencën e vet, mobilizoi Turqinë perandorake me zyrtarët më të mirë, politikanët, gjeneralët më të guximshëm dhe elitën e trupave të saj. Rojet perandorake ishin ende të përbëra nga regjimentet shqiptare.
Vizirët më të njohur, gjeneralë dhe madje Sheikh-ul-Islam (patriarku suprem musliman), ishin shqiptarë.
Pasardhësit e emigrantëve shqiptarë për shekuj me radhë në vendet fqinje gjenden ende në të gjitha vendet e Ballkanit, veçanërisht në Greqi dhe Rumani, ku shumica i përkasin elitës së botës politike, intelektuale dhe ushtarake.
Në këto kushte ekzistence, shpirti kombëtar për pavarësi u zhvillua gjatë tridhjetë viteve të fundit. Një shoqatë e fuqishme patriotike “Vatra”, në të cilën u bashkuan të gjithë bejtë (fisnikëria feudale e vendit), ka kontribuar shumë në realizimin e aspiratave kombëtare me një përgatitje të qëndrueshme dhe metodike të terrenit. Luftërat ballkanike të vitit 1912 dhe Lufta e Madhe bënë pjesën tjetër.
Por në këtë vend të privuar nga gjithçka dhe të cilit, nga një ditë në tjetrën, iu dha pavarësia, gjithçka duhej të krijohej dhe të organizohej. Mbi të gjitha, ishte e domosdoshme të rivendosej një homogjenitet dhe një frymë mirëkuptimi midis myslimanëve dhe të krishterëve (katolikë dhe ortodoksë), të cilët ishin të ndarë sipas urdhrave dhe ndikimit të shefave feudalë të çdo rajoni ; ishte e nevojshme shtypja e klaneve personale dhe imponimi i frymës së disiplinës në të gjithë shtetin.
Kjo shpjegon revolucionet dhe grusht shtetet e njëpasnjëshme, dhe peripecitë e shumta që Shqipëria ka vuajtur deri në 1924 në politikën e saj të brendshme.
Veçanërisht që nga paraqitja aktive në jetën politike të vendit të mbretit Zog I, vendi ka përjetuar një periudhë paqeje, rendi dhe organizimi.
I lindur në vitin 1893, në Mat, i biri i Xhelal Pashë Matit, guvernator feudal dhe pothuajse trashëgimtar i këtij rajoni, ai studioi në Kostandinopojë. Gjatë luftërave ballkanike, ende shumë i ri, u kthye në Shqipëri dhe filloi të demonstronte aktivitetin e tij politik. Ishte ai që, në krye të armatës së tij, vrapoi në ndihmë të princ Wied-it, i rrethuar nga kryengritësit dhe e shpëtoi atë.
Gjatë Luftës së Madhe, ai u emërua kolonel nderi nga austriakët.
Në vitin 1919, i zgjedhur deputet i Matit, ai mori pjesë në Kongresin e Lushnjes, i cili përpunoi statutin e parë të shtetit shqiptar. Që atëherë, deri në vitin 1924, ai mbarti me sukses postin e Ministrit të Brendshëm, të Presidentit të Këshillit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Pas një grushti shteti, iu desht të strehohej për disa muaj jashtë vendit. Por në dhjetor 1924 ai u kthye triumfues dhe i aklamuar nga populli, dhe në janar 1925 u shpall President i Republikës.
Nën administratën e tij, domosdoshmërisht disi autoritare, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në të gjitha fushat.
Ushtria e tij, e përbërë nga tri divizione, është e organizuar dhe pajisur me përmirësimet më të fundit. Ajo ka një flotë detare të shkëlqyer. Një xhandarmëri shumë e mirë është e organizuar nga oficerë anglezë, me gjeneralin Pearch si shef.
Të gjitha shërbimet administrative janë krijuar në mënyrë moderne dhe funksionojnë përsosmërisht. Shumë rrugë komunikimi lidhin të gjitha qendrat kryesore të vendit. Janë ndërtuar ura. Një shoqëri franceze ndërtoi urën e madhe metalike mbi Mat, e cila është ura më e madhe ekzistuese e varur në Ballkan. Është përfunduar amenaxhimi modern i portit të Durrësit. Shërbimi i rregullt ajror lidh Italinë me Shqipërinë dhe shërben qendrat kryesore të këtij vendi.
Çështja e fesë është zgjedhur përfundimisht me shpalljen e shtetit laik. Është martesa civile ajo që ka rëndësi, dhe tani muslimanët dhe të krishterët mund të martohen lirisht me njëri-tjetrin.
Kishat e ndryshme, katolike, ortodokse, muslimane, janë autonome dhe secila ka një kryepeshkop. Kodi penal italian dhe kodi civil zviceran janë miratuar.
Është duke u studiuar një projekt ndërtimi hekurudhor. Një linjë prej 175 kilometrash do të lidhë portin e Durrësit me kryeqytetin e Tiranës, Elbasanin, Kosturin pranë Korçës dhe do të përfundojë në Manastir për t’u lidhur me hekurudhat orientale.
Mësimdhënia është organizuar në një mënyrë moderne. Shkollat komunale funksionojnë kudo. Për arsimin e mesëm janë organizuar dy gjimnaze franko-shqiptare në Korçë dhe Gjirokastër. Njëzet e pesë mësues francezë janë të angazhuar në këto shkolla nga qeveria shqiptare.
Financat janë organizuar me kujdes të veçantë. Një Bankë Kombëtare është krijuar. Franga e arit është monedha e vendit. Tregtia me vendet e tjera po rritet gjithnjë e më shumë, veçanërisht importet, sepse Shqipëria, pa ndonjë industri, ka nevojë të importojë të gjitha llojet e mallrave të prodhuara.
Shqipëria ka burime të rëndësishme natyrore që janë në pritje të shfrytëzohen. Burime të rëndësishme të naftës tashmë shfrytëzohen nga katër kompani të huaja. Një kompani franceze operon në rajonin e Elbasanit, Anglo-Persian dhe Standard Oil, në rajonin Fierit të Shqipërisë qendrore, dhe Shoqëria e Hekurudhave italiane në rajonin e Vlorës. Nëntoka është shumë e pasur me minerale të ndryshme. Depozita të rëndësishme të bakrit ekzistojnë në rajonin e Pukës (në Shqipërinë veriore). Të gjitha këto pasuri janë në pritje të ndihmës se vendeve të jashtme që të vihen në vlerë.
Kjo punë gjigande organizimi dhe rinovimi është bërë kryesisht nga Mbreti Zog I dhe bashkëpunëtorët e tij të afërm.
Këtu duhet të gjejmë shpjegimin e unanimitetit të njerëzve që e ngritën atë në fronin e Shqipërisë.”