
Dr. Bledar Kurti/
Shumë kërkime shkencore në arsim tregojnë se një mësues frymëzues ndikon në vendimet e jetës, karrierën dhe suksesin e nxënësve kur ata dalin në jetë. Studimet dëshmojnë se njerëzit e suksesshëm kanë patur mësues e profesorë frymëzues gjatë rritjes dhe edukimit te tyre.
Një studim nga University of Cambridge zbuloi se nxënësit që morën kurajë dhe mbështetje nga një mësues kishin shumë më shumë gjasa të bëheshin profesionistë të dalluar dhe se marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësit është një motor i fortë për sukses dhe mobilitet social.
Gjithashtu, ekonomisti i arsimit Eric Hanushek analizoi ndikimin e cilësisë së mësuesve në arritjet e nxënësve dhe arriti në përfundimin se cilësia e mësuesit është faktori më i rëndësishëm në suksesin akademik.
Shumë studime të tjera konkludojnë se motivimi dhe mbështetja e mësuesit apo profesorit formojnë mënyrën si nxënësit e shohin veten dhe aftësitë e tyre.
Kësisoj, “mësuesit frymëzues” i bëjnë nxënësit të besojnë te vetja, të krijojnë mundësi të larta për sukses, mundësojnë rritjen emocionale, ndikojnë në vendimet e jetës, karrierën dhe suksesin.
Studimet na e bëjnë qartësisht të ditur që nuk ka nxënës e studentë të paaftë por mësues e pedagogë që nuk frymëzojnë, duke mos e përmbushur misionin profesional.
Fjala “mësues” rrjedh nga lashtësia: didaskalōs (διδάσκαλος = mjeshtër) dhe pedagogue (παιδαγωγός = shërbëtor). Kësisoj mësues do të thotë “mjeshtër shërbëtor,” dy atribute që kërkojnë nga cilido edukator të kultivojë së pari veten e të thellohet në dijen njerëzore në nivelin më të lartë, duke arritur ekspertizën sublime dhe profesionalizmin kulmor, e më pas të gjithë mjeshtërinë t’ua shërbejë të tjerëve, duke qenë njëkohësisht mjeshtri i parë i një fushe të jetës dhe shërbëtori i parë ndaj të gjithë njerëzve duke frymëzuar e duke udhëhequr me shembull. Ndaj edhe ky profesion është fisnik sepse është një jetë skajesh: lartësi dhe përulësi.
Të nderuar edukatorë lartësohuni në rritjen vetjake dhe përuluni ndaj të tjerëve, ndaj vëllazërisë sonë njerëzore, dhe frymëzoni brezat e rinj, sepse nuk ka krim më të madh ndaj shoqërisë se të jesh një mësues i keq por nuk ka privilegj më të madh të jesh një edukator i vërtetë, një shërbëtor i përulur, frymëzues e në dobi të brezave.
Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mjeshtërve shërbëtorë të vërtetë të këtij vendi.