
Dr. Bledar Kurti/
Shumë gjak është derdhur e sakrifica të pafundme njerëzore janë kryer për të siguruar lirinë që gëzojmë sot!
Nderim dhe respekt të thellë për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët që dhuruan jetën e tyre për lirinë dhe mbrojtjen e integritetit njerëzor!
Sot, ne kemi një flamur të cilin e valëvitim lirisht, një gjuhë që e flasim pa robëri, mendojmë e jetojmë pa kafaze pushtimi, e fluturojmë lart me imagjinatë e ëndrra pa frikë, diktat e censurë, falë atyre që e paguan me gjak, përmes penës, pushkës, besimit dhe ideve, këtë privilegj që bartim sot.
Detyra dhe përgjegjësia jonë është të mos harrojmë, e mbi të gjitha TË DIMË. Të kemi njohuri për domethënien e sakrificës sublime të heronjve tanë pasi mos-dija i zhbën jetët e rëna.
Ndaj mësues edukojini fëmijët siç duhet mbi çmimin e lirisë të paguar prej të parëve. Profesorë frymëzojini studentët ta çojnë më tej stafetën e paqes dhe harmonisë. Prindër ushqejini fëmijët me dashuri për jetën dhe respektimin e të drejtave njerëzore. Politikanë silluni si patriotë e shtetarë duke e dashur popullin dhe atdheun. Intelektualë investoni në ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe rrëzimin e mureve të ndasive. Bashkëatdhetarët e mi shqiptarë e bashkëqytetarët e mi të botës, jini vigjilent e qëndroni zgjuar në mbrojtje të lirive të njeriut, sepse, siç na mëson historia, mjafton një dremitje e vogël që t’i humbasim menjëherë liritë dhe vlerat që na bëjnë të jemi qenie njerëzore.
Dëshmorët e djeshëm janë ata që sakrifikuan jetën për lirinë tonë, heronjtë e sotëm janê ata që punojnë, mendojnê e kontribuojnë në mbrojtjen e kësaj lirie.
Nderim përjetë dëshmorëve të lirisë ![]()