Sokol Paja/
Queens – New York, 3 Qershor 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, Dega e Queens organizoi një festë madhështore në nderim të 10 vjetorit të themelimit. Në këtë veprimtari të shkëlqyer patriotike, editori epokal i Diellit 2009-2021 Dalip Greca u nderua duke u shpallur Kryetar Nderi i përjetshëm. Nën prezantimin brilant të vatranes Enejda Karaj, ceremonia festive dhe e nderimit filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë nga soprano Deshira Ahmeti dhe Arian Kerliu. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha falenderoi Dr.Skënder Murtezanin për punën e përpjekjet e një dekade dhe punën e shenjtë të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rreth jetës, veprës dhe trashëgimisë së shkëlqyer që Editori i Diellit 2009-2021 Dalip Greca la në gazetën Dielli, në Federatën Vatra dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për stilin dhe gjuhën për specifikën e tematikën që lëvroi z.Greca, folën kryetari i Vatrës Queens Dr.Skënder Murtezani, Editori i Diellit Sokol Paja dhe miku i ngushtë Veiz Belliu. Pas fjalimeve prekëse, kujtimeve e rrëfimeve personale, kryetari i Vatrës Queens Dr.Skënder Murtezani i dorëzoi familjes çmimin dhe vendimin e nderimit të përjetshëm për Dalip Grecën. Në emër të familjes, Xhemile Greca falenderoi dr.Murtezanin, Vatrën e komunitetin shqiptar për respektin ndaj Dalip Grecës.
Dr. Skënder Murtezani ekspozoi mjeshtrisht për të gjithë të pranishmit veprimtarinë patriotike, komunitare e atdhetare të një dekade të degës Vatra Queens, një rrugëtim patriotik historik që filloi më 30 Mars 2013. Mbi rëndësinë e aktivitetit 10 vjeçar të degës së Vatrës Queens përshëndetën: Prof.Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Eris Rusi nga Universiteti Fan Noli i Korçës dhe në program Prof.Begzad Baliu nga Universiteti i Prishtinës. Pas diskutimit të editorit për Vatrën dhe Diellin e së ardhmes, mbrëmja madhështore u mbyll me muzikën dhe zërin e mrekullueshëm të artistëve Arjan Kërliu dhe Dëshira Ahmeti. Një takim i shkëlqyer patriotik që nderoi dhe promovoi punën e shkëlqyer atdhetare dhe komunitare të Vatrës Queens në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.