28 Kronika në një 100 vjetor të lavdisë shqiptare
Abdurahim Ashiku
Është një ngjarje e jashtëzakonshme, një ngjarje që më kishte vrarë në shpirt, larg në kohë, 29 vjet të shkuara kur i vetmja shenjë kujtese, një lapidar i vogël, në krye të një fushe të madhe, u thye në shkronjë, u thërrmua në beton e hekur, u tentua të përcillet në harresë, në interes të dikujt që nuk e ka deshtë dhe nuk e donë Shqipërinë. Pyeta: Kujt i intereson…? Nuk mora përgjigje…Një tjetër ngjarje historike, 100 vjetori i Luftës së Vlorës, ma solli në kujtesë…Një vit më parë iu drejtova opinionit publik që më 28 tetor 2021 në vendngjarjen e madhe kur dibranët thërrmuan armën moderne të kohës serbo-jugosllavisë, në 100 vjetorin e saj të organizohej një përkujtim i denjë, me sesione shkencore historike, me festival të këngës patriotike të lidhur me historinë betejave dibrane, me një përmendore në shkëmbin e lartë të Tajanit (ku e tërë Dibra të vjen në pëllëmbë të dorës)…Kishte kohë, një vit të tërë…E harroi Bashkia e Dibrës…E harroi Akademia e Shqipërisë. Në planin e saj për vitin 2021 nuk figuron asnjë veprimtari apo kujtesë për 100 vjetorin e betejës së Lanë Lurës dhe për 100 vjetorin e konsolidimit përfundimtar nga Lidhja e Kombeve të kufirit që kemi sot. Megjithatë, (më mirë vonë se kurrë), siç më shkruan Dr. Mustafa Tola diçka do të flitet në sallën diku tek 100 metra katrore të Akademisë së Shkencave…Larje duarsh apo përveshje krahësh që 28 tetori 1921 dhe 9 nëntori 1921 dita kur Këshilli i Lidhjes së Kombeve mori vendimin për “largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugoslllave nga Shqipëria…” të shkruhen në histori, të shkruhen në librat shkollorë, të përkujtohen në çdo përvjetor
Kam kërkuar këto ditë, në kuadrin e rubrikës: “28 Kronika në një 100 vjetor të lavdisë shqiptare” në shumë adresa, në libra dhe në internet.
Sot po u përcjell Kristo Frashërin, të vetmin historian që guxoi, shkroi dhe botoi “HISTORIA E DIBRËS”, që “Nga lashtësia deri në mars 1939”, një vepër tash 9 vjet në qarkullim.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 4 tetor 2021
BETEJA E LANË LURËS DHE VENDIMI I KËSHILLIT TË LIDHJES SË KOMBEVE 28 TETOR – 9 NËNTOR 1921
Kristo Frashëri, HISTORIA E DIBRËS…
Ofensiva ushtarake jugosllave filloi në mëngjesin e 21 tetorit 1921, me një bombardim të gjatë kundër pozitave shqiptare, i cili u pasua nga sulmi i gjithanshëm i reparteve të rregullta dhe mercenare. Shqiptarët rezistuan me heroizëm, por krahu u Muhurrit, nga sulmonte tradhtari Taf Kaziu, u detyrua të tërhiqej. Këtë çarje e shfrytëzuan forcat jugosllave, të cilat depërtuan në thellësi të Malësisë, deri sa dolën në Dejën e Macukullit, në shpinë të forcave shqiptare. Në sektorët e tjerë, ushtarët dhe vullnetarët dibranë rezistuan gati 40 orë, pastaj u tërhoqën në Lurë. Ditën e tretë, më 28 tetor 1921, në Lanën e Lurës u zhvillua beteja vendimtare. Me një vetëmohim të jashtëzakonshëm, malësorët dibranë, ushtarë dhe civilë, u përleshën me ushtritë jugosllave dhe, në përfundim të një beteje të përgjakshme, e detyruan armikun të tërhiqej në breg të Drinit. Fitorja e Lanës së Lurës pati pasoja të rëndësishme. Me të u dogj karta e fundit e qeverisë së Beogradit. Fuqitë e mëdha u bindën për saktësinë e akuzave që qeveria e Tiranës kishte ngritur herë pas here kundër qeverisë së Beogradit. Veprimet aventureske të Jugosllavisë vunë në shqetësim edhe miqtë e saj. Britania e Madhe e informuar me saktësi mbi çfarë po ndodhte në Dibër u shqetësua jo aq për fatin e Shqipërisë se sa për atë të Jugosllavisë. Kjo për arsye se Jugosllavia po e çonte vendin e saj në një konflikt me shqiptarët e egërsuar, nga i cili ajo mund të kishte pasoja të rënda. Për të evituar këto pasoja të rënda, të cilat qeveritarët nacionalistë të Beogradit nuk donin t’i merrnin parasysh, kryeministri britanik, Llojd Xhorxh, i drejtoi Lidhjes së Kombeve , më 7 nëntor 1921, një telegram me një ton tepër idhnak e tepër të prerë. “Përparimi i vazhdueshëm i trupave jugosllave në Shqipëri – thuhej në telegram – duke qenë nga ato veprime që turbullojnë paqen ndërkombëtare, po e shtyn qeverinë britanike që të tërheqë vëmendjen e Këshillit të Kombeve mbi këtë ngjarje dhe ju lutet që të merrni menjëherë masa për të thirrur mbledhjen e Këshillit me qëllim që të studiojë situatën dhe të bjerë në ujdi mbi masat që duhen marrë në bazë të artikullit 16 në rast se qeveria jugosllave do të refuzojë ose do të vonojë zbatimin e detyrimeve që i ngarkon statuti i Lidhjes së Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve – thuhej më tej, – i ka caktuar kufijtë e Shqipërisë. Vendimi i saj do t’u njoftohet shumë shpejt palëve të interesuara. – Llojd Xhorxh”
Në bazë të nenit 16, Jugosllavia akuzohej kështu si shtet agresor kundër Shqipërisë dhe paralajmërohej se po të mos tërhiqte trupat e veta nga treva dibrane do të përjashtohej nga Lidhja e Kombeve. Në të njëjtën kohë u shpall se po nisej për në Shqipëri një komision ndërkombëtar për të vërtetuar në terren zbatimin e vendimit që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 nëntor 1921, për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugosllave nga Shqipëria. Megjithatë, qeveria e Beogradit i vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira në Shqipëri, përpara se të vinte në kufi komisioni ndërkombëtar i caktuar për të vëzhguar zbatimin e vendimit të Lidhjes së Kombeve.
Në fakt, këtë radhë, qeveria e Beogradit nuk pati më mundësi t’u bënte bisht akteve ndërkombëtare. Ajo mori menjëherë masa për të tërhequr ushtritë nga trualli shqiptar para se të arrinin në Dibër anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar. Kështu, kur komisioni i përbërë nga një finlandez (J.J.Sederholm), një njorvegjez (J. Meinich) dhe një luksemburgas (Ch.Schaefer), pqasi kaloi përmes Lumës arriti në Arras më 11 dhjetor 1921, ushtritë jugosllave ishin larguar përtej kufirit 24 orë më parë. Disa ditë më vonë, ata i raportuan Këshillit të Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera:
“Të gjitha fshatrat që ndodhen në fushën e Drinit, kanë vuajtur barbarisht nga serbët; në pjesën më të madhe të këtyre fshatrave, shumica e shtëpive janë rrënuar. Megjithatë duket se këto rrënime u takojnë okupacioneve serbe të viteve 1913 dhe 1920, por ka mundësi që ndonjëra prej tyre të jetë rrënuar këtë vit”.
Vendimi që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 nëntor 1921 për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugoslllave nga Shqipëria, ishte një fitore e madhe që korri Shqipëria në arenën ndërkombëtare, të cilën popullsia patriote e Dibrës e pagoi duke i dhënë atdheut me qindra dëshmorë. Se ç’vlerë pati kjo fitore shqiptare për palën jugosllave , do t’ia lëmë të na e thotë një studiues serb, Dragutin Nikoliqi, doktor i shkencave në fushën e së drejtës ndërkombëtare, i cili ka shkruar ndër të tjera: “Kudo u formua bindja se Jugosllavia kishte synime agresive ndaj Shqipërisë. Ja përse qeveria jugosllave doli nga kjo grindje jo vetëm e poshtëruar, por njëkohësisht e mundur sepse kjo qeveri, në këto rrethana nuk mundi të bënte asgjë tjetër veçse të nënshtrohej përpara vendimit të 9 nëntorit 1921, kundër të cilit do të ngrihet gjithë opinioni publik i vendit” Kristo Frashëri, Historia e Dibrës, faqe 365-367.