Pllakë përkujtimore për KONICËN në Rue d’Albanië, në Bruksel /
nga Agron Shele/
“…më 7 të Prillit 1939, Flamuri ynë
u çduk në gjak; edhe në qoftë se duket,
duket i lidhur me litarin e robërisë.
Por vazhdon së valuari lirisht në zemër
të çdo Shqipëtari që ka sedrë, nder dhe kuptim.
Edhe ka për të valuar sa kohë që të mbetet në faqe
të dheut një shqipëtar i vërtetë.”
Faik KONICA
Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Shqipërisë, jeta social-kulturore e komunitetit shqiptar këtu në Bruksel është përfshirë nga një sërë aktivitetesh dhe eventesh të ndryshme, si :restaurimi bustit të Skënderbeut , takimet simbolike në Parlamentin Evropian, vendosja e pllakës përkujtimore të martirit dhe heroit Enver Hadri,i cili ishte themeluesit i së parës shoqtatë për të drejtat e njeriut, të drejta që sensibilizuan Komunitetin Evropian dhe atë Ndërkombëtar për dhunën dhe represionin serb në Kosovë, , takime të ndryshme me tematikë historike dhe letrare si dhe botimi antologjisë poetike në gjuhën frënge me rreth 80 autorë shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare.. Nën këtë nismë “Shoqata Kulturore Konica”, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë , në 27 Tetor 2012, organizuan një tjetër event të rëndësishëm, sikurse ishte vendosja dhe inagurimi i pllakës përkujtimore të personalitetit te madh kombëtar Faik Konica, në ish shtëpinë ku kishte jetuar, punuar dhe botuar gazetën “Albania”, si dhe orën letrare me të ftaurin special nga Uashigtoni Z. Ilir Ikonomi, autorin e librit “Faik Konica, Jeta në Uashington”.
Fillimi i aktivitetit do të niste në rrugën “Rue d’ Albania, rrugë në të cilën kishte jetuar Faik Konica , ku të gjithë pjesmarrësit dhe të ftuarit do priteshin sipas traditës shqiptare nga Znj Hadri, bashkëshorte e martirit Enver Hadri, dhe poseduesja e kësaj prone sot. Ngrohtësia e krijuar nga kjo familje tipike shqiptare, si dhe përfaqësimi pjesmarrësve nga gjithë trevat shqiptare do krijonte një sferë shumë të këndshme dhe shembull për tu ndjekur nga komunitetet e tjera shqiptare në vende të ndryshme të botës.Në këtë takim nderonin me pjesmarrjen e tyre ambasadori i Shqipërisë Z.Ilir Tepelena, ambasadori i Kosovës Ilir Dygolli ,përfaqësuesi ambasadës së Maqedonisë Daim Iliazi dhe përfaqësuesit shqiptarë pranë NATO-s .Vendosja e pllakës përkujtimore ishte nismë e drejtëpërdrejtë e komunitëtit shqiptar, Shoqatës “Konica” dhe mbështetje e komunës Sint-Gilles, në Bruksel. Fjalën e hapjes në cermoninë e inagurmit të pllakës përkujtimore e bëri Kryetari Shoqatës Kulturore “Konica” z. Genti Metaj, i cili foli për kontributin e Konicës në Bruksel, mesazhin e madh dhe rolin e Gazetës Albania në komunitet dhe më gjerë, si dhe potencialin e tij intelektual, potencial që u vu në shërbim të interesave të mëdha kombëtare. Ambasadori i Shqipërisë z Tepelena do përshendeste të pranishmit, do falenderonte inisiatorët, si dhe do ndalej në modelin e krijuar nga ky personalitet në fushën e diplomacisë. Më pas përshëndetën dhe ambasadorët e tjerë dhe së fundi fjalën përmbyllëse e mbajti historiani, poeti, përkthyesi dhe piktori Lek Pervizi. Përfaqësuesja e Shoqatës Kulturore “Konica” znj Alisa Aliu dhe ambasadori shqiptar Z Ilir Tepelena zbuluan pllakën përkujtimore mes duartrokitjesh dhe një sfere shumë të gëzushme për gjithë pjesmarrësit, duke e berë rrugën Albania më Shqiptare, më të plotësuar dhe më emblematike .
Përurohet libri i Ilir Ikonomit: “Faik Konica, jeta në Uashington”
Pas cermonisë së inagurimit të pllakës përkujtimore, pjesmarrësit u drejtuan për në sallën e Shërbimit Social të Hebrenjve, sallë ku zhvillohet shumica e aktiviteteve shqiptare dhe kjo jo rastësisht, por me domethënie të plotë për miqësisë dhe mirënjohjen e madhe që ka populli izraelit për mbrojtjen dhe ndihmën që ju afroi Shqipëria dhe shqiptarët gjatë viteve më të vështira të mbijetesës dhe egzistencës së tyre në Luftën e Dytë Botërore.
Për auditorin u zhvillua një bisedë e hapur me autorin e librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, z. Ilir Ikonomi i cili kishte ardhur posaçërisht për këtë event përkujtimor nga Uashingtoni. Monitorimin e kësaj bisede mbi përmbajtjen dhe faktet historike të librit e animoi znj.Shqiponja Duro, koordinatore e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë. Biseda e hapur u ndal në rolin e Konicës si diplomat, marëdhëniet e tij me ish-Qeverinë e Zogut, replikat e tij me Fan Nolin, aspekte të krijimtarisë së tij eseiste, letrare…si dhe u cekën disa elemente nga karakteri i tij dhe jeta e tij private. Z. Ikonomi u ndal në faktin se Konica kishte armën më të fortë në atë kontekst kohor: erudicionin, ironinë, sarkazmën dhe humorin. Fakti që Konica, qysh djaloshar 20-vjeçar çeli gazetën Albania në Bruksel; dëshmojnë për formimin e tij të hershëm.
Në Uashington ai mbrriti me misionin e njohjes së vendit të vogël që ai përfaqësonte dhe këtë mision e kreu me sukses edhe mbasi ish-Qeveria e Zogut u rrëzua mbas pushtimit të vendit nga Italia (1939). Konica ishte në atë kohë-shton autori i librit- diplomati më i përgatitur se gjithë diplomatët e tjerë të botës. Kjo mund të ilustrohet edhe me marrjen e çmimit të Konicës “kapelja e lartë” nga revista më elitare në Uashington “Gjykatësi”.Përsa i përket replikave të tij me Nolin; ato kishin karakter konkurues, por në fund, në emër të idealit të përbashkët, ata pajtohen dhe se bashku takohen për herë të fundit në pallatin e vogël të Konicës (mbas pushtimit të vendit Konica nuk pranoi të përfaqësojë Qeverinë e pushtuesëve Italianë në Tiranë, dhe humbi kështu akreditimin si diplomat). Për auditorin, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, znj. Duro recitoi vargjet e Konicës për flamurin shqiptar:
“…më 7 të Prillit 1939, Flamuri ynë
u çduk në gjak; edhe në qoftë se duket,
duket i lidhur me litarin e robërisë.
Por vazhdon së valuari lirisht në zemër
të çdo Shqipëtari që ka sedrë, nder dhe kuptim.
Edhe ka për të valuar sa kohë që të mbetet në faqe
të dheut një shqipëtar i vërtetë.”
Faik KONICA