Një ndër lexuesit e rregulltë të gazetës “Dielli” z. Loro Stajka me banim në Virxhinia, i shkroi ditën e djeshme një email editorit të Diellit, ku veçonte artikullin e shkrimtarit Anton Çefa “Të kujtojmë Arshi Pipen në 100-vjetorin e lindjes”.
I nderuar editor Greca
Në gazetën Dielli online lexova shkrimin e zotni Anton Çefa për të kujtuar Profesor Arshi Pipën në 100 vjetorin e Lindjes. Më pëlqeu fort. Të ndjerin Arshi Pipa e kam pasë njoftë personalisht dhe kam pasë nderin që ta kisha në shtëpi dhe kemi hang’ nji kashatë bukë në shtëpinë time.
Po Ju dërgoj nji vjershë të Arshi Pipës, që më pëlqen fort. E ka titullin”Shkodra”. Po ta shifni të arsyeshme botojeni në Dielli. Vjersha asht shkrue herët dhe asht botue për të parën herë në të përmujshmen Letra-Kulturore”FRYMA”, Viti I, Nr.2, Fruer 1944.
Shumë të fala
Loro Stajka.
***
Poezinë e sjellë në fletë të scanuara nga z. Stajka, e rishkruam duke ruajtur origjinalin dhe për kënaqësinë e lexuesëve po e publikojmë.
***
ARSHI PIPA
SH K O D R A
O Shkodër, prrallë e lashtë e pakufishme,
ku fiken shekujt tue t’këndue te djepi,
mandej te vorri, kangen e lavdishme
perandore të shojtun heu sa shkrepi!
Kur delshin nga liqeni i qartë anizat
t’lehta porsi nga çerdhja zogjt e ujit!
Valvitej flamuri mbi t’arta shtizat
e larga pushteti i yt i shkodte t’huejit!
O nanë ilire! Hyjnore si Zane
ujnash ishte Rozafa atherë kur gjîn
muroi pa shum ankime përmbi kodër!
E qumshti e gjaku përnjiheri rînë
themelet e tua! për lumnin, o Shkodër
e kshtjellit ngrehun mbi nji zêmër nane!
II
O vala e Drinit, ti madhnin tregona
t’asaj qi Zojë qe mbi shoqet e smira,
tregò sa gjaku i ngjei valat e dlira
ndër luftat e pareshtuna e sa frona
mbretënsh u-rrokullisën nga
dëshira
t‘falisuna kur deshtën trojet tona
me prekun e qortueshëm brodh jehona
anash gjith dheut prej malevet të lira!
Prej gjinit t’Ohrit ku Sentona kishte
banesat e nënujshme e te liqeni
tjetër ku Galateja erdh nga Heleni
djepin për me i kërkue Yllit ferishte,
prej lugjevet t’Metojës ku e amshueme
rrin bora e i ep ushqip lumit binjak,
o Drin, ndër valat tua brohorija
e mbarë nji fisi ndalej kur lavdija
shkëlqei te Rozafati përmi prak!
III
Ma vonë ma vonë t’ u-turbullue ty uji,
kur vala e jote bajti lundra t’reja,
kur përmbi altarin e atdheut i hueji
dhunoi nën thêmër çka shêjtnue pat beja.
O vaj! E kot kunorë, o Shkodër, t’hishme
t’endin ty malet kur jetim asht djepi
qi pat përkundun fatet e lavdishme
kur çveshun gjethsh asht lari i yt plepi!
E sot, sot çka teproi nga fara e moçme?
Sot koha jote e meritueshme asht nata:
mundesh me qá pa droje se korite!
Për ty vajton liqeni e Buena e ngrata
e ledhet e tua, o Shkodër, vorret e tua,
shpoti e hishun e namit t’nji dite!