Prof.Muhamed Mufaku
Ditë më parë (më 25 prill), në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York u hap ekspozita kushtuar poetit, shkrimtarit dhe piktorit libanezo-amerikan, Halil Xhubran, siç është i njohur në vendlindje e në letërsinë arabe ose Kahlil Gibran, siç u njoh në Amerikë e më gjerë, me veprat e tij që u përkthyen në shumë gjuhë të botës.
Në të vërtetë ekspozita ishte e planifikuar për 2020, por për shkak të COVIDI-19 u shty për sivjet që lidhet me 100-vjetorin e librit të njohur, që u botua më 1923 në New York, e më vonë u përkthye në shumë gjuhë të botës. Ndaj, ekspozita u hap me titullin “Kahlil Gibran returns to New York”, pasi që u sollën prej Muzeut të Xhubranit në Liban 30 vepra të realizuara gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndonëse Xhubrani njihet më shumë si poet e shkrimtar, në këtë ekspozitë shumica e veprave kanë të bëjnë me artin, kurse u ekspozuan vetëm shtatë dorëshkrime të tij origjinale, në mesin e të cilave drafti i librit “Profeti” me disa shënime me dorën e vetë autorit, ashtu siç e dërgoi atëherë për botim në New York.
Edhe pse është i njohur në shqip si poet e shkrimtar, ai më shumë u mor me vizatime, duke lënë nja 700 piktura, 80 prej të cilave ende ruhen në Mezeun Telfair në shtetin Georgia.
Nisja në kohën e Vaso Pashës
Halil Xhubran u lind më 1883 në fshatin malor Basharri në veri të Malit të Libanit, i cili ishte në atë kohë një njësi administrative autonome në krye me një guvernator osman të krishterë. Mu në atë vit rilindasi Vaso Pasha u emërua guvernator dhe mbeti në atë pozitë deri në vdekje, më 26 qershor 1892. Xhubrani u rrit në kushte të vështira, pasi që i ati shpenzoi atë që kishte dhe u burgos për shkak të borxheve, ndaj nëna e tij vendosi të shpërngulet për në SHBA më 1895, duke i marrë atë më të vëllain e motrën. Në fillim u vendosën në Boston ,ku u regjistrua gabimisht si Kahlil Gibran,duke jetuar në kushte të vështira derisa u kthyen përsëri në Liban më 1898. Ndërkohë, që në fëmijëri Xhubrani tërhoqi vëmendjen me talentin e tij në vizatim, kurse talenti i tij për poezi e prozë arabe u paraqit gjatë qëndrimit të tij në Liban prej 1898 deri më 1902.
Me të kthyer në Boston më 1902, Xhubran filloi të merret më shumë me art dhe vizitimet e tij u ekspozuan më 1904 në “Studio Day”, kurse më 1905 botoi në New York librin e parë në arabisht “Profili i artit të muzikës”. Talenti i tij në art e tërhoqi vëmendjen e intelektuales Marry Haskell, e cila e këshilloi Xhubranin për ta studiuar artin në Paris, duke financuar qëndrimin e tij prej vitit 1908 deri më 1910. Kjo fazë kishte shumë domethënie, pasi që u njoftua dhe u shoqërua me artistë, poetë e shkrimtarë evropianë, si dhe me opozitarë siriano-libanezë të sundimit absolut osman.
Më t’u kthyer në SHBA, Xhubrani u vendos në New York më 1911, ku zhvilloi një aktivitet intensiv artistik dhe letrar në arabisht dhe në anglisht. Veç më 1912 iu botua romani “Krahët e thyer”, i cili ishte një ndër romanet e para në letërsinë arabe. Në fushën e artit, Xhubrani u paraqit fuqimisht me veprat e tij, të cilat u prezantua më 1914 në galerinë “Montross” dhe më 1917 në galerinë “M. Knoedler & Co.” në New York. Me botimin e librit të tij të parë në anglisht, “I marri” më 1918 filloi të paraqitet tani si shkrimtar origjinal që fitoi famë në SHBA e në botë më botimin e librit të tij “Profeti”, më 1923.
Në këtë libër shihet qartë ndikimi i qëndrimit të tij në Paris dhe gërshetimi i filozofisë orientale dhe evropiane me revoltën e tij kundër absolutizmit dhe për liri të mendimit. Vërtet, Xhubrani në këtë vepër paraqitet sikurse F. Nietzche në “Kështu foli Zarathustra” me emrin Almustafa, një prej emrave të profetit Muhamed (i zgjedhuri) si vizionar për një botë tjetër më të mirë para sfidave të reja të shekullit XX. Mu për këtë libri u përkthye së shpejti në gjuhët evropiane dhe u bë një ndër librat më të lexuar dhe më të shitura të shekullit XX.
Xhubrani vazhdoi të krijojë në arabisht me një frymë të re moderne që ia solli letërsisë arabe një risi në formë e përmbajtjeje. Më 1920 – me një plejadë shkrimtarësh libanezë të vendosur në New York – themeloi lidhjen letrare “PEN Leage”, e cilado të bënte një kthesë të madhe, duke hapur rrugën për paraqitjen e poezisë arabe, krejtësisht ndryshe nga ajo tradicionale, nën ndikimin e romantizmit perëndimor.
Ndonëse Xhubrani vazhdoi krijimtarinë në anglisht, duke botuar “Rërë e shkumë” më 1926 e deri në librin e fundit “Hyjtë e tokës”, që u botua në mars 1931, vetëm një muaj para vdekjes, përkatësisht më 10 prill 1931 si pasojë e tuberkulozit. Për shkak të porosisë së tij që të varroset në vendlindje, trupi i tij mbeti në New York disa muaj deri sa u bart më 1932 në Bsharri të Libanit, ku u varros në një manastir që u shndërrua në muze të Xhubranit.
Xhubrani në shqip e më gjerë
Xhubrani në gjuhën shqipe u prezantua për herë të parë më 1954 nga orientalisti Hasan Kaleshi (atëherë asistent në Degën e Orientalistikës në Beograd), duke ia botuar një prozë poetike me titull “Helm në mjaltë” në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, e cila u ribotua më 2022 në vëllimin e 8-të të Veprave të Kaleshit. Me ardhjen e Kaleshit në Prishtinë dhe themelimin e Degës së Orientalistikës më 1973, kjo degë u bë iniciatorë për prezantimin e Xhubranit në tërë Jugosllavinë. Asistenti i ri Esad Durkoviqi u doktorua atëherë në letërsinë e re arabe, që u krijua në SHBA rreth Xhubranit, ndaj mori iniciativën për botimin e Veprave të zgjedhura të Xhubranit (duke përfshirë “Profetin”) në Zagreb më 1987. Këto vepra, që u botuan atëherë me tirazh prej 5 mijë kopjesh, u ribotuan disa herë në Sarajevë e Rjekë, e disa prej tyre u botuan si lektyrë për shkolla.
Mu atë vit (1987) poeti dhe përkthyesi i njohur asokohe Nehat S. Hoxha e botoi përkthimin e librit “Profeti” të Halil Xhibranit. Ndonëse në botimet në Zagreb e Sarajevë u përdor trajta arabe e emrit (Halil Xhubran), Nehat Hoxha e përdori trajtën që e përdori Kaleshi (Halil Xhibran), kurse më vonë u paraqiten përkthime të tjera në shqip me trajtën amerikane të emrit me të cilin u njoh autori: Kahlil Gibran.
Ndonëse Prishtina, me atë hapje që kishte për letërsinë botërore, e prezantoi në shqip për herë të parë librin “Profeti” të Xhubranit, me hapjen e Shqipërisë që nga viti 1990, Xhubrani u bë hit në Shqipërinë postkomuniste. Kështu, në Tiranë dolën tri përkthime të ndryshme të librit “Profeti” me veprat e tjera të Xhubranit. Përkthimin e parë që doli më 2003 e realizoi Maksim Rakipaj, që u ribotua më 2016, kurse përkthimin e dytë e realizoi Jozef Radi dhe u botua më 2009, ndërsa përkthimin e tretë e bëri Sait N. Saiti dhe u botua më 2017. Ndërkohë, në Prishtinë doli më 2016 përkthimi i dytë (i pesti në realitet), që e realizoi Elvi Sidheri dhe e botoi “Pema”. Me këtë vazhdë të interesimit u botua në Tiranë më 2019 edhe “Antologjia” në përkthim të Bajram Karabollës, që përfshinte vepra të tjera të Xhubranit. Megjithatë, si në shumë vende të botës, sivjet po shënohet 100-vjetori i “Profetit” me aktivitete e manifestime të ndryshme, duke filluar e ekspozitën ndërkombëtare në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.
Legjenda:
1.Posteri i ekspozitës në New York.
2.Autoportret
3.Botimi i pare i “Profetit” më 1923
4.Përkthimi shqip i “Profetit”,Prishtinë 2016