Nga ROZI THEOHARI/Boston/
Ishte pasditja e së premtes së 20 majit 2005, kur, me telefon,mikja ime amerikane Ann Negri më lajmëroi se Anton Athanasi kishte ndërruar jetë. Hapa emisionin e lajmeve lokale në TV dhe u përballa me fotografinë e të ndjerit: Antoni i ri, me një kostum blu, shik, me një buzëqeshje të çiltër, me dy vetullat e zeza kaleshe, karakteristike për fytyrën e tij dhe dy sy depërtues. Spikerja përsëriti disa herë lajmin: “U shua Anthony, “Albanian restaurateur”, themeluesi i Antony’s
“Pier 4”, përfaqësuesi i veçantë dhe i respektuar i njërit prej brezave më madhështorë të komunitetit të qytetit të Lynn-it e të Bostonit, i cili dikur tha: “Hard work” (puna e vështirë) e ndërtoi këtë vend (Amerikën)”… Ai luftoi tre vjet me sëmundjen e Alzheimer-it deri sa ajo e mundi…”
Një ndjenjë nderimi, krenarie, përzier me ngashërim me përshkon trupin. Qëndroj disa minuta në dritare, ku përballë, në krye të një masivi shkëmbor në breg të oqeanit, pronë e familjes Athanas, ngrihet hijerëndë e luksoz një nga restorantet e tyre të dëgjuara, “Anthony’s Hoëthorne-by-the sea”, në Sëampscott. Dallgët e bardha të oqeanit afrohen me radhë njëra pas tjetrës e godasin butësisht muret-kështjellë të ndërtesës, si të sjellin ngushëllime për humbjen e të zotit.
Sjell ndër mend një ditë vjeshtë të 1994-s, kur qëndroja e hutuar dhe e mahnitur në hollin e restorantit “Pier 4” në Boston, e vështroja për herë të parë atë luks e mirëqenie e s’më besohej se gjithë ai kompleks aristokratik ishte pronë e një bashkatdhetari.
-Hë, moj shqiptarkë, ke ardhur edhe ti të kërkosh punë?
U ktheva menjëherë dhe u ndodha ballë për ballë me zotin Athanas, i cili po buzëqeshte plot mirësi: “- Kemi vende të lira vetëm në kuzhinë, por aty është punë e rëndë për ju gratë…”
Në fillimin e viteve ’90, emigrantët e parë shqiptarë iu turrën industrisë kulinare. Restorantet e Antoni Athanasit hapën dyert dhe punësuan dhjetëra djem e vajza shqiptare.
-Unë jam gazetare, – i thashë shpejt e shpejt,- dëshiroj të marr një intervistë nga ju…
Ai më tha “Mirë se erdhe”, toku dorën me mua e më ftoi të uleshim në një kolltuk pranë vatrës gjigante ku digjeshin dy gërxhele.
-Dëgjo këtu…, prej nga të kemi?
-Nga Korça…, jemi të dy patriotë!
-Unë jam patriot me të tërë shqiptarët…, por dije se nuk kam kohë…, i kam edhe minutat të numëruara.
Ai bëri të ngrihej, unë e sulmova me pyetje.
-Më vjen keq, të thashë s’kam kohë.- Ai me përshëndeti me mirësjellje dhe ngjiti me nxitim shkallët ku e prisnin dy kameriere.
Po atë vjeshtë, për festen tradicionale të 28 Nëntorit u mblodhën shqiptaro-amerikanët e Bostonit, si çdo vit, të kremtonin Ditën e Flamurit në “Pier 4”. Sallat dhe interieret e restorantit ishin zbukuruar me flamurë kombëtarë e drita shumëngjyrëshe, të cilat feksnin dukshëm në sfondin blu të oqeanit përtej vetratave. Tek ngjitja shkallët e shtruara me kadife vishnje, më zuri syri zotin Anton Athanasi, i cili po mbante me zor një tavolinë të madhe, i ndihmuar edhe nga një kamerier. Ne të ftuarit që vinim për herë të parë, mbetëm gojëhapur tek shihnim atë skenë. Iu afrova zotit Anton e I pëshpërita: “Nuk u gjendka një kamerier tjetër për këtë punë?
Ai, sa më pa, u kujtua për intervistën e ma preu: – Jemi jashtëzakonisht të zënë…, kanë ardhur shumë të ftuar…, duhen tavolina…
Duheshin tavolina të tjera e të tjera çdo vit që festohej 28 Nëntori në “Pier 4”, sepse njerëzit vinin mizëri në atë manifestim madhështor në mjediset e restorantit modern, me ushqim të bollshëm e të zgjedhur, të pritur me dashuri e respekt nga zoti e zonja Athanas.
Një vit më vonë, në një ditë nëntori, tek i bija ziles së telefonit të sekretares së “Pier 4” për të rezervuar biletat e festës, m’u përgjigj një zë burri:
– Mos fol anglisht, – më tha,- e kuptoj qe je shqiptarkë.
Ishte zëri i Anton Athanasit. Ai pyeti për emrin tim dhe sa bileta doja.
– Më falni, zotëri, po pse u dashka të merreni ju edhe me
listën e të ftuarve?!…
– Sepse sekretarja ka shkuar në bankë dhe unë po qëndroj te telefoni deri sa ajo të kthehet.
Ai qeshi se më njohu nga emri e duke u shfajësuar më tha:
– Tashti, po deshe, bisedojmë, se jam në qetësi…por bjeri shkurt.
Unë u stepa për një çast. Nuk më ndodhej pranë as letër, as laps. Para se ta merrja veten, ai filloi të fliste ngadalë e me humor e u ankua se u shmangej intervistave të gazetarëve, të cilët shpesh i “vidhnin” kohën.
E pyeta në e mbante mend ditën e parë të ardhjes në Amerikë dhe ai m’u përgjigj: – “Po.”Anton Athanasi e pa Statujën e Lirisë për herë të parë në vitin 1915, në moshën 5- vjeçare.
“A u menduat shumë kur niset biznesin e parë?”, – e pyeta.
“Amerikanët përdorin një shprehje të ngjashme: “Kur e bën ai, pse të mos e bëj edhe unë?” Kjo ishte shtytja e parë…Kur e ke filluar punën pa frikë, kur e ke marrë në sy dështimin dhe kur nuk kënaqesh nga ajo që ke arritur, vazhdo…vazhdo… se e ke rrugën të hapur”, -u përgjigj ai.
“Pse ju zgjodhët pikërisht biznesin e restoranteve?”, – e pyeta.
“ Sepse është rruga më e lehtë të fillosh një biznes, – u përgjigj ai, – merr me qira një lokal, fillon të blesh ushqimet, të gatuash e t’i tregtosh. Më vonë, me fitimet e blen lokalin dhe zgjeron biznesin. Italianët dhe grekët që kishin filluar para nesh, na dhanë një eksperiencë të mirë.”
“ Ju përmendët zgjerimin e biznesit, kaq shpejt arrihet ai?”
“Ai nuk arrihet kaq lehtë…Dëgjo tani…mund të bëj një krahasim me çfarë thotë Bibla…Ju mund të ndërtoni një shtëpi mbi rërë shumë shpejt, por të ndërtosh një shtëpi mbi shkëmb ka vështirësi, do mund, lodhje. Po kur vjen tufani, shtëpinë e rërës e shkatërron dhe e hedh tutje, ndërsa shtëpia mbi shkëmb qëndron e paprekur… Unë nuk punoj shkel e shko e vetëm për të sotmen…Unë “ndërtoj mbi shkëmb”, punoj e lodhem shumë e mendoj për të ardhmen…”
“Babai im, – i thashë,- kur është larguar nga Shqipëria për në Amerikë ka udhëtuar pothuaj në të njëjtën kohë me ju dhe në të njëjtën rrugë, nga Korça në Pire, Greqi, me kuaj e më tutje me vapor. Edhe ai punoi rëndë e bleu një restorant në Detroit…Gjithë jetën më ka ngacmuar kureshtja sesi do të jetonim, sikur të na kishte marrë edhe ne babai në Amerikë…”
“Ndoshta sot nuk do të mbaje në dorë penën, por thikën në kuzhinën e restorantit,” – tha ai me humor.
U ngjetha kur mendova se edhe familja jonë do të kishte kaluar rrugën e mundimshme e me plot të papritura të familjes
Athanas, prej ditës së mbërritjes në “tokën e premtuar.” Prindërit e Antonit u vendosën në qytetin Nju-Bedford dhe gjetën punë në një fabrikë pambuku me një pagë të ulët, ndërsa Antoni i vogël ndihmonte xhaxhanë të shiste fruta e perime me një karrocë që e shtynte me dorë në Fanueil Hall, aty ku sot ngrihet Quincy Market.
“Nëna ime, – psherëtiu Antoni, – qysh në vogëli më kishte mësuar të isha punëtor, nikoqir e t’ua kaloja moshatarëve.
Babai, Simoni, ishte këmbëngulës të mos e kaloja kohën kot.
Më jepte një shportë me banane e më thoshte: “Po nuk i shite të gjitha bananet, mos më hajde në shtëpi.” Unë vrisja
mendjen si të veproja. Zija vend në të dy anët e urës ku kishte kalimtarë më shumë dhe arrija t’i shisja të gjitha. Kështu më
mbetej pak kohe e lirë të kthehesha në shtëpi e të kryeja detyrat e shkollës.”
Anton Athanasi e ka pas dashur shumë të ëmën dhe ka vazhduar ta kujtojë e ta respektojë pas vdekjes se saj. Në një nga zyrat e tij është i varur në mur portreti i Evangjelia Athanasit. Ai dëshironte të ndërtonte në Shqipëri një spital të madh me emrin e nënës së tij…
Antoni e përmend nënën e tij edhe për diçka tjetër. Ai ka deklaruar para gazetarëve e vendeve publike se ishte pikërisht nëna e tij, e cila e solli farën e kosit me vapor nga fshati Trebickë dhe ai e cilëson: “Our Culture”. “Ne shqiptarët e sollëm në Amerikë farën e kosit!”…Ishte tharmi i vendlindjes, ishin traditat e familjes shqiptare që, duke udhëtuar mbi Atlantik, fillonin të hidhnin rrënjë pak nga pak në kontinentin e ri.
Në moshën 13 vjeç Antoni e la shkollën e gjeti punë në një fabrikë të Bedfordit. Detyra e tij ishte ndezja e sobave me dru e qymyr për zyrat e shefave, punë të cilën, siç thotë ai, e kishte kryer edhe në shtëpi tok me motrat e vëllezërit. Ai punonte 7 ditë në javë e shpinte në shtëpi 12 dollarë. Më vonë ai punoi si “busboy” dhe kamerier në një nga restorantet e dëgjuar të qytetit. Ai ishte i pari shqiptaro-amerikan që punonte në atë restorant dhe kur u kthye në shtëpi nga dita e parë e punës u duartrokit nga njerëzit e familjes dhe miqtë.
Pesëdhjetë vjet me vonë në një fjalim mbajtur në Fanuiel Hall, para më tepër se 400 pjesëmarrësve ai tha: “Në qoftë se ju mendoni se jam i suksesshëm tani, ju duhet të më shikonit mua atëherë.”
Në moshën 14 vjeç ai punonte si pjatalarës, por një grevë e gjatë punëtorësh e dobësoi ekonominë e Bedfordit, kështu Antoni lëvizi në Nju- Jork, ku punoi tek restoranti i xhaxhait tjetër. Aty Antoni kreu të gjitha llojet e punëve që ka një restorant, përveç punës në zyrë, për të cilën ai nuk e vrau mendjen shumë gjatë veprimtarisë së jetës.
Dhe erdhi një dite kur ai, me kursimet e fituara, hapi vetë në Nju-Jork një restorant të vogël 45-vendësh me punësim për dy vetë counter-service. Por ky hap i rëndësishëm në jetën e tij u ndërpre shpejt, sepse për fat të keq, i vdiq i ati dhe u detyrua të kthehej sa më parë në Bedford. Djali 20-vjeçar punoi në Nju Bedford në fillim si kamerier e më vonë kryekamerier, duke e ndihmuar familjen me 3.000 dollarët e tij të kursyera.
…”Kisha një shok të afërm, – përfundon Antoni, – ishim të dy korçarë e moshatarë, quhej Vasil. Me të shpesh i qaja hallet e i flisja për projektet që kisha në kokë. Një dite shkuam në plazh, të dy ishim djem të rinj, na pëlqente noti në oqean…
Duke qëndruar shtrirë në rërë, me sytë nga qielli, i thashë Vasilit se dëshiroja të hapja në Lynn një lokal të vogël “Hot Dog”. Ai e pëlqeu mendimin tim e më inkurajoi…”
Lynni është i përmendur si qendër industriale pranë Bostonit dhe si një qytet me popullsi të madhe emigrantësh.
Banorët e parë kanë qenë anglezë, më vonë erdhën irlandezë, italianë, francezë-kanadezë, grekë, armenë e të tjerë, të cilët punonin në fabrikat e këpucëve. Antoni i kishte rënë lapsit se hapja e një “Hot Dogu” pranë këtyre fabrikave do të kishte xhiro të madhe e do t’i sillte fitime të mëdha. Ai nuk e la dëshirën ta mundonte për një kohë të gjatë, por e hapi një lokal të tillë në Lynn. Biznesi po i shkonte mirë, por nuk vazhdoi veçse disa muaj. Ishte koha e depresionit ekonomik, që përfshiu gjithë Amerikën, lokalet e dyqanet falimentonin shpejt dhe pronarët i shisnin me çmime fare të ulëta. Antoni, me intuitën e tij të tregtarit që s’e gënjeu kurrë, e shiti shpejt “Hot Dog”-un dhe bleu në ankand restorantin më të bukur të Lynn-it.
Këmbëngulës për të ngritur një restorant me pamje tërheqëse dhe “first-class”, me 1938 ai hapi restorantin Anthony’s Hawthorne ne downtown Lynn. Hawthorne ishte mbyllur në kohën e depresionit ekonomik, por i krijoi mundësinë Antonit i cili gjeti atë që kërkonte për dy-tri mijë dollarë. Por në mbarim të vitit të parë Athanasi fitoi 23.000 dollarë. Në fillimin e viteve ’50 Anthony’s Hawthorne u bë restoranti me kapacitet më të madh me vendulje në gjithë Massachusettsin, me një fitim me shume se një milion dollarë në vit.
Duke iu referuar kronikave, Athanasi, megjithëse punonte 7 ditë në javë e gjente kohën të merrej edhe me aktivitet patriotik duke marrë pjesë në konferencat e mitingjet që organizonte kryesisht “Vatra” dhe organizata të tjera të diasporës. Ai ndjehej krenar kur takohej me bashkatdhetarët
dhe mësonte për sukseset që kishin arritur në biznes, në përvetësimin e një profesioni apo në graduimet universitare.
Në fjalimin që mbajti në Festivalin shqiptar të Bostonit, në maj 1975, Anton Athanasi midis të tjerash tha: “…E quaj veten krenar që jam shqiptar…ka shumë gjëra për të cilat i jam mirënjohës dhe e falenderoj vendlindjen time…E quaj veten të privilegjuar që jam rritur “në pëqirin e nënës”, në familjen time që më edukoi sipas zakoneve e traditave shqiptare… E quaj veten me fat që kam njohur bishop Nolin, Faik Konicën e patriotë të tjerë, të cilët filluan Rilindjen e dytë të Shqipërisë… Ideali i tyre ishte vëllazërimi i shqiptarëve pa dallim feje e ideje… gjë për të cilën ndihmoi edhe Katedralja e Shën Gjergjit e drejtuar nga At Noli…” Me tej A.Athanasi përgëzoi punën e madhe dhe aktivitetin që kryente “Vatra”
dhe “Djelli” për të krijuar komunitetin shqiptaro-amerikan dhe institucionet e tij, për të edukuar grupin etnik të shqiptarëve, me qëllim që gjithsecili të bëhej një qytetar i mirë amerikan. Dashuria dhe krenaria për atdheun e tij e afroi Antonin me “Vatrën” në krye të së cilës qëndroi për disa vite.
LEGJENDA “ATHANAS”
Në zonën e Bostonit, nëse i thua një amerikani “jam
shqiptar” ai ta kthen: “Si Anthony?”. Kaq familjare e
popullore janë bërë pesë restorantet e tij “Athanas”, sa ky
emër sot është bërë mit. Në pronësi të familjes Athanas sot
janë: Anthony’s Hawthorne në Lynn, i cili është hapur me
1938; Hawthorne-by-the Sea ne Swampscott, i cili u hap me
1947 dhe sot është zgjeruar me Anthony’s Pier 4 Café; The
General Glover në Marblehead, i cili është hapur me 1957;
Anthony’s Pier 4 ne Boston Harbor, i cili është hapur me 1963;
Cummaquid Inn ne Cape Cod, i cili është hapur me 1975. Në
të gjithë restorantet, sot janë të punësuar rreth 800 punonjës.
Qysh prej fillimit të viteve ‘90 një numër i madh
kamerieresh janë emigrantë shqiptarë, të cilët Antoni i zgjodhi
sipas aftësive, paraqitjes profesionale dhe shkathtësisë.
Klientët shqiptaro-amerikanë, të cilët frekuentojnë restorantet
e familjes Antoni gjithmonë e kanë ndier veten si në shtëpinë
e tyre duke komunikuar shqip me kamerierët dhe punonjësit
e tjerë të shërbimit, aq me tepër nga kostumet e tyre jelek e
xhaketë të kuqe e pantallona të zeza që i përngjajnë flamurit
tonë. Gjatë aktivitetit të restoranteve në dekada, Antoni i jepte
shumë rëndësi paraqitjes së mirë fizike dhe sjelljes së
kamerierit. Tregojnë se pranë derës së kuzhinës së restorantit,
ai kishte varur një pasqyrë të madhe e poshtë saj shënimin
me gërma të mëdha: “Në qoftë se nuk dukesh mirë, mos dil
jashtë nga kjo derë!” Kamerieri, i ngarkuar me pjatat në
tabaka, duhet të shihej në pasqyrë para se t’i shërbente klientit.
Ndoshta ky duket një detaj i vogël, por edhe ai ka kontribuar
në rritjen e fitimeve të restoranteve “Athanas”. Me këtë
përpikmëri e disiplinë kanë punuar edhe djemtë e tij.
Restorantet e familjes sot administrohen nga katër djemtë
e Antonit, Anthony Jr., Michael, Robert dhe Paul, të cilët u
rritën bashkë me biznesin. Ata janë impenjuar në të dy sektorët
e lokaleve, në atë të pasmin, kuzhinën dhe në atë të përparmin,
zyrat. Ata filluan si “busboy”, kamerierë dhe arritën deri te
pozicioni i menaxherit. Vëllezërit biznesmenë punojnë si një
skuadër e vetme, që të çojnë më tej nderin dhe lavdinë e
familjes Athanas.
Ndërtimi i “Pier 4” në Boston Harbor, një“vaporrestorant”,
ishte një ëndërr e Anton Athanasit, e cila filloi
qysh në vitin 1959 kur ai bleu sheshin e një hekurudhë të
vjetër në një vend të shkretë të Bostonit. Por sot aty ngrihet
madhështore ndërtesa e një restoranti me famë jo vetëm në
Amerikë, por edhe në të gjithë botën. Ndërtimi dhe
kompletimi i lokaleve dhe interiereve përfunduan në vitin
1963. Antoni e përuroi restorantin disa ditë para se të ndodhte
vrasja tragjike e presidentit amerikan Kenedi dhe kjo u ruajt
në memorien e amerikanëve.
Në vitin e fillimit të funksionimit të restorantit “Pier 4”,
Antoni, me zgjuarsinë e vet, ftoi për darke falas të gjithë
shoferët e taksive të Bostonit, duke i thirrur edhe për kafe sa
herë u binte rruga andej. Ky gjest u pagua mirë: shoferët
filluan të sillnin me taksi klientë të cilëve u propozonin të
kalonin një ditë të mahnitshme në një restorant akoma të
padëgjuar mirë, aty ku klientët me të vërtetë mbeteshin të
kënaqur e filluan të propagandonin këtë vend. Vit pas viti
“Pier 4” u bë një magnet që tërhiqte yjet e kinematografisë,
median e televizionin, udhëheqës politikë dhe kremtime
festash nga e gjithë bota. Ne vaporin-restorant janë vendosur,
i pari flamuri shqiptar dhe më tej flamurë nga e gjithë bota.
Muret e hollit të restorantit janë të mbushura me fotot e
vizitorëve të famshëm te “Pier 4”, përfshirë edhe Elisabet
Taylor, Mery Griffin, John Carson, Don Rickles, Joe DiMaggio,
Judy Garland dhe Wayne Nweton. Elita e politikanëve të
Bostonit e kanë “Pier 4” si vendin e takimeve, sidomos gjatë
fushatave të zgjedhjeve e vizitojnë senatorë e kongresmenë.
Aty janë organizuar gjithashtu qindra kremtime festash
kombëtare shqiptare dhe takime të tjera të rëndësishme të
diasporës shqiptaro-amerikane të mbarë Amerikës,
veçanërisht në festat e Nëntorit.
Që prej vitit 1963 dhe deri me 1981 të ardhurat vjetore
të “Pier 4” arrinin deri në 12 milionë dollarë. Me 1984 në këtë
restorant servireshin afërsisht 700.000 porcione ushqimi për
çdo vit dhe u cilësua restoranti i 50-të më i suksesshmi në
Amerikë. Për 40 vjet Anton Athanasi ka qenë një figurë e
spikatur në organizatat kulinare lokale dhe nacionale. Ai ka
fituar një numër gradimesh, çmime dhe fletë nderi përfshire
dhe “Silver Plate Aëard” nga “The International Foodservice
Manufacturers Association”. Antoni Athanas, themeluesi dhe
presidenti i restoranteve elegante të familjes, është një ndër
personalitetet më të shquara të biznesit në Boston. Athanasi
është ngritur shkallë pas shkalle për t’u bërë modeli i Amerikës
në industrinë e restoranteve, duke personifikuar realizimin e
ëndrrës amerikane.
Me 1967 “Pier 4” në Boston u cilësua një ndër restorantet
më të mëdha të Amerikës dhe Anton Athanasi u nderua, duke
fituar “The Golden Door Award of the International Institute
of Boston”dhe “Business Executives Dining Award” për tre
vjet rresht. Anton Athanasi shërbeu edhe si president i “The
Massachusetts Restaurant Association” dhe si anëtar i bordit
të “The National Restaurant Association”, i cili me 1976 u
cilësua me emrin e “biznesmenit më të mirë të vitit.” Por me
humorin e tij, Antoni përsëriste gjithnjë shprehjen proverbiale:
“Unë jam aq i mirë sa ç’është gatimi im i fundit…” Lista e
çmimeve dhe dekorimeve të fituara prej tij është pa fund. Ai
u nderua me “Honory Doctor of Bussiness Administration
degree” nga Southeastern Massachusetts University me 1977;
“Diploma of Honor” nga National Institute for the Foodservice
Industry me 1983; “Honorary Doctorate degree” nga
International Institute of Culinary Arts, ne Massachusetts;
“The Lifetime Achievement Award” nga Mass. Hospitality
Association me 1999; si dhe nga dhjetëra organizata e
institucione të tjera, ku zoti Anton mban një vend nderi. Deri
në ditët e fundit të qëndrimit të tij në “Pier 4” ai punonte ditë
për ditë, 7 ditë në javë, në ditë të zakonshme arrinte në
restorant rreth orës 10, kurse në ditët e festave në orën 7 të
mëngjesit dhe qëndronte aty tërë ditën. Në fundjavë punonte
deri në orën 12 të natës. Ai inspektonte lokalin e madh të
kuzhinës çdo mëngjes para se të vinin punonjësit e tjerë. Në
intervistën dhënë një gazetari Athanasi tha : “Çlodhem me
atë që bëj. Shkurt, çlodhem duke punuar. Po e lë punën të le
jeta—kjo është filozofia ime.”
Në kulmin e lulëzimit, në vitet 1960-70 “Pier 4” u bë vendi
ku mblidheshin kastat e fuqishme të politikës, politikanë,
bankierë, gjykatës, sportistë, yje të kinematografisë dhe festime
të ndryshme. A.Athanasi, një “multi-milioner”, që i fitoi
paratë me mundin e djersën e tij, jo të dhuruara ose të
trashëguara, përmendte gjithnjë me humor udhëtimin mbi
një gomar të vogël, në moshën 5-vjeçare, si fillimi i rrugës për
të ardhur në Amerikë. Ndërsa shumë vjet më vonë, kur ngiste
makinën e tij “Mercedes”, thoshte: “Një makinë nuk është
ndonjë gjë speciale për mua, është diçka, një mjet, që të çon
këtu-atje e kaq. Por, dreqi ta hajë, të mbaron punë më shpejt
se një gomar!…”
“Unë mendoj se ai ishte pionieri dhe një shembull për ne
të gjithë, ai bleu vendin e “Pier 4”, që asnjeri nuk do të
dëshironte ta blinte dhe ishte i vetmi që mendoi sesi do ta
ndryshonte atë mjedis, vetëm me fantazinë e tij… Aty
vendosej fati i tij ose, më mirë, atë e udhëhoqi fati… Njerëzit
vinin e drekonin tek ai si të tërhequr nga një ëndërr, vit pas
viti. Rastiste që bujtësit prisnin edhe dy orë e gjysmë për të
zënë një tavolinë. Ai tërhoqi jo vetëm vëmendjen e Amerikës,