Nga Manjola Barçi-Kozi*/
Shënimi i Editorit të Diellit: Ky shkrim i mësueses që jep mësim në New York, Manjola Barçi- Kozi nuk është publikuar vetëm pë “Like”. E rëndësishme është ta lexoni dhe të shfaqni mendimin dhe përvojën tuaj.Eshtë kërkesë edhe e mësuese Manjolës. Lexim të këndshëm:
Rreth një muaj e gjysëm më parë shkollat në NY u mbyllën. Me këtë rast edhe unë nuk shkova më në punë. Nuk shkova fizikisht në ndërtesën e shkollës, por punën e vazhdova dhe e vazhdoj nga shtëpia. Nga këtu ku jetoj më duhet rreth 50 minuta që të shkoj në ndërtesën e shkollës por unë ngrihem shpejt–ora 4:30 e mëngjesit më gjen zgjuar. Në fakt më pëlqen shumë të fle në mëngjës dhe të zgjohem në 4:30 nuk është kënaqësi për mua. Por besoj në faktin që jam një profesioniste dhe para se të filloj punë duhet ta pasaqes veten si të tillë-me një fjalë me zgjimin në mëngjes deri në ora 6 që dal nga shtëpia kujdesem për veten. Pastaj duhet të shkoj herët në punë sepse pas orës 7 nuk gjej dot më as parking. Sakrificë e madhe thotë mamaja ime…
E shkruajta këtë parathënie për të justifikuar faktin që përreth dy javëve të para më pëlqeu të punoja nga shtëpia. Në fund të fundit, nga ora 4:40 deri në 7:30 që zgjohesha nga gjumi i thonin edhe tre orë të tjera qetësi. Jo trafik, jo nxitim, dhe si përfundim më pak stres. Ose të paktën kështu mendova…
Ka gjëra në jetë që sado të vjetër të jemi nuk i kuptojmë deri sa ti provojmë vetë mbi kurriz. Në fund të fundit bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër, sepse pa dyshim edhe plehu (kuptohet me gjithë përbërjen e tij) është më i shumtë…
Dhe kështu gjithçka vazhdoi. Këtu e mbyllyr në shtëpi po mundohem të bëj gjthçka që mundem. Por edhe po mundohem të mësoj diçka nga kjo përvojë. Këto janë 5 nga gjërat që kam mësuar nga kjo situatë … Deri tani bëhet fjala. Sepse, jam e sigurt se do të mësoj shumë më tepër nëse kjo karantinë vazhdon….
Mësimi # 1
Është shumë e vështirë të mësosh fëmijët e tu.
Është shumë e vështirë të mësosh fëmijët e tu gjithë ditën, çdo orë mësimi, të gjitha lëndët. Ju lutem, nëse ka ndonjë që nuk pajtohet me mua, më njoftoni, dhe ju lutem me tregoni sekretin.
Epo, si mësuese që je do të thonit ju, unë të paktën duhet të jem në gjendje t’i mësoja vetë fëmijët e mi! Në fund të fundit nëse nuk mund të mësoj të mitë, si mund t’i mësoj fëmijët e të tjerëve? Si mund të më besojnë prindërit e tjerë nese nuk mundem ta bëj këtë? Ok, gjykomëni sa të doni por qenka e vështirë. Jo për faktin se nuk kam njohuri, jo për faktin se më mungojnë strategjitë, madje as sepse nuk kam durim. Kjo është për shkak se ata nuk dëgjojnë!
Manjola, do të thoni ju. Je shqiptare apo jo? Një shpullë (apo dy) do t’i sillte në vijë! E vërtetë, shqiptare jam por fëmijët pretendojnë se janë Amerikanë, apo jo? Dhe siç themi ne shqiptarët-siç është vendi bëhet kuvendi. Kundërargumenti: Unë jam nëna – unë jam gatur për t’i dashur, për ti kuptuar, dhe jo për ti bërtitur dhe për ti dhënë urdhra. Larg qoftë për ti futur nga një shpullë! Dhe kështu që unë vazhdoj t’u flas e flas fëmijëve të mi, si një papagall i zellshëm, që të mbarojnë detyrat, që të mësojnë apo lexojnë, nganjëherë me zë të ulët, pastaj me të bërtitura kur më ka ardhur në majë të hundës–por ata prapë bëjnë të tyren…Derisa mësuesit e tyre u telefojnë dhe si me magi gjithçka kompletohet. Zoti i bekoftë mësuesit kudo që janë… !
Mesimi # 2
Është shumë stresuese agonia e parashikimit të asaj që mund të ndodhë.
Ndërsa shtrihem për të fjetur shumë netë mendoj se si do të përfundoj ky makth. Kush e ka radhën të shuhet sot? Po nesër? Mendoj për fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrën, gjithë të afërmit dhe them—epo edhe vetja më dhimbet apo jo? Si ta përballoj këtë stres? Hajde Manjola do të thoshte ndokush. Më një pije mundësisht si shqiptare që je, dhe i harron të gjitha. Epo unë nuk pi – ose të paktën nuk pi gjatë orarit të punës, kështu që vendosa të shoh psikologun(vizitë virtuale sigurisht). Mendoj se e meritoj të them se u promovova–më parë kisha një psikolog tani një psikiatër. Kështu bëra. Psikiatri më vuri në Zoloft për rreth një muaj, derisa nuk munda më. Nuk isha unë! Nuk mund të ndieja asgjë. As për të qarë nuk qaja dot. As një pike loti po ju them. A e imagjinoni dot një shqiptare që të mos qajë, të mos mërzitet, apo të bërtas sa ta dëgjoj komshia?? Më në fund ndalova. Dy javë më vonë lëshova një pikë lot pas kaq shumë kohësh. Halelujah! Telefonova gjithë dynjanë dhe u dhash lajmin a mirë…
Mësimi # 3
Sa të hapësh dhe të mbyllësh sytë mund të humbësh gjithçka.
Edhe pse nuk dua e gjej veten shpesh duke menduar se si, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, mund ti humbësh të gjitha. Shëndetin, punën, makinën që nuk mundesh më ta përballosh sepse ke humbur punën që paguante për të… Dhe pastaj LIRINË. Ah, liria e bekuar! Kush do të dëshironte të jetonte pa të?! Mundohem ta bind veten se kjo gjendje është vetëm e përkohshme. Je e lirë të dalësh patjetër, çfarë të pengon-i them vetes. Por prapë ndihem si një zog i mbyllur në kafaz. Dera është e hapur por unë prapë rri ngujuar. Po e jap lirinë time me dëshirë! Lirinë për të dalë kur të dua dhe nga të dua, pa u trembur nga askush dhe asgjë, pa u fshehur pas një farë maskë apo dorëza, të çilat jam e lumtur që i bleva para se ky ferr të lirohej, gjë që më çon tek ajo që doja të thoja: Sa e lehtë është të humbësh gjthçka, dhe më e frikshme është kur mendon se jo vetëm natyra mund të jetë krimininele por ne njerëzit vetë. Dhe nëse pas kësaj eksperience makabre nuk hapim sytë, dhe mësojmë nga ç’po katandisim, herën tjetër do të jetë shumë vonë… tepër vonë.
Mësimi # 4
Qenka shumë e vështirë të rrish para kompjuterit gjithë ditën.
Koha e teknologjisë. Sa të lumtur jemi që po e jetojmë. A mund ta imagjinoni më të jetoni sikur edhe një ditë pa telefonin celular? Apo pa laptopin? Epo me fat jemi! Nga ora 8:00 e mëngjesit -2: 30 pasdite unë duhet të qëndroj para kompjuterit tim. Në ora 8:00 am mbledhje kolektivi në google. Nga ora 8:30 deri ne 10:30 postoj detyrat e nxënësve për gjithë ditën. Nga ora 10:00 deri ne 11:30 marr pjesë në takimin e parë me nxënësit. Nga 12:00 deri në 1:00 takimi i dytë vijon. Dhe pastaj në ora 1:00 mbledhje kolektivi përsëri. Në 1:30 deri në 2:30 mbledhje me kabinetet e ndryshme ditore. Aspak nuk kam për qëllim të ankohem se po punoj, vetëm se po përshkruaj rutinën ditore. Pastaj, më dhemb shpina, gishtat më lëshojnë miza dhe zëri më është ngjirur nga të ulëriturat gjithë ditën. Pastaj dua të përmend edhe sytë. Sytë e mi të dobët … kam syze tani në çdo cep të shtëpisë, nuk mund të lexoj më pa to, shkronjat dhe aplikimet ne telefonin dhe tabletin tim janë të zmadhuar deri në maksimum.
Vendosa të hulumtuj. Çfarë po ndodh me mua? Mosha bën të vetën themi ne, po kaq shpejt vallë? Nga hulumtimi i zellshëm, mësova se duke qenë para një ekrani shpeshherë, sytë punojnë më shumë se ç’duhet. Si rezultat mund të zhvillojmë simptoma të lidhura me shikimim. Disa nga këto simptoma sipas Shoqatës Optometrike Amerikanë janë: Presion në sy, dhimbje koke, shikim i turbullt, sy të thatë si dhe dhimbje në qafë dhe shpatull, midis të tjerave.
Shikimi i një kompjuteri apo ekrani dixhital shpesh i bën sytë të punojnë më shumë. Si rezultat, karakteristikat unike dhe kërkesat e larta vizuale të shikimit të pajisjeve kompjuterike dhe digjitale të ekranit i bëjnë shumë individë të ndjeshëm ndaj zhvillimit të simptomave të lidhura me vizionin. Shumë nga simptomat vizuale të përjetuara nga përdoruesit janë vetëm të përkohshme–shoqata përmend–dhe do të bien pas ndalimit të punës së kompjuterit ose përdorimit të pajisjes dixhitale. Sidoqoftë, disa individë mund të përjetojnë aftësi vizuale të vazhdueshme, siç është vizioni i paqartë në distancë, edhe pasi të ndalet puna në një kompjuter. Zot na ruaj!!! Edhe fillin nuk e fus dot më përmes gjilpërës–i them mamasë time ta bëjë.
Mësimi # 5
E kuptoj se tani më shumë se kurrë kam nevojë që gjërat të kthehen në normalitet
Tani që gjërat janë ndryshe nga zakonisht e kuptoj që dua më shumë se kurrë që ato të kthehen në normalitet. Le të çohem në 4:30 të mëngjesit, le të shkoj në punë në orën 7 edhe pse një orë para se fillon mësimi. Kam dëshirë të udhëtoj shtigje të aftërta apo të largëta, të shkelura apo të pashkelura pa u frikësuar se larg qoftë virusi e ka ndotur. Kam dëshirë të përqafoj motrën, nipin, mbesën time pa u dërguar një puthje nga larg–poshtë maskës së puthitur fort. Kam dëshirë të takoj një shoqe dhe të shijoj një margarita, një të premte mbas pune, mbas një jave të lodhshme. Kur gjithçka të jetë kthyer në normalitet, nuk do mendoj shumë se cilën nga këto gjëra do bëj më parë-vetëm do ti bëj me një vlerësim që nuk besoj se e kam pasur ndonjëherë…
Epo edhe këtij përçmimi që na ka gjetur, me emrin virusi corona do ja vemë vulën, siç thotë një shprehje.Dhe kështu le të bëhet! Këtë pranverë do ta kalojmë me karantinën, me të ndenjurit brenda, me të ndenjurat gjithë ditën para kompjuterit, me të mësuarit gjithsëcili fëmijët e vet… Edhe për këtë të fundit shqetësohem si një edukuese e brezit të ri, dhe një prind gjithashtu. Sa shumë mangësi do kenë fëmijët tanë në edukimin e tyre këtë vit! Por pastaj më kujtohet shprehja: Më mirë një gomar i gjallë sesa një doktor i vdekur! Shpresoj që do të dalim më të fortë nga kjo situatë, dhe për më tepër do të mësojmë të vlerësojmë çfarë kemi, sepse ndoshta vetëm ndoshta, ndonjë ditë do na duhet prapë të mbyllim sytë dhe kur ti hapim, asgjë nuk do të jetë më si më parë.
- Komentoni më poshtë: Cilat janë disa nga gjërat që ju po mësoni gjatë kësaj karantine? (Publikoi Dielli online www.gazetadielli.com)