GËZUAR DITËLINDJEN VATËR SHQIPTARËVE!/
VATRA ËSHTË VLERË KOMBËTARE-TA RUAJMË!/
Vatra krenohet sot në 109 vjetorin e Lindjes, me shumë punë të mëdha Kombëtare që i kryen vatranët në kohët më kritike që prej dy dekadave të para atë shekullit XX:
- I parapriu Pavarësisë së Shqipërisë dhe orientoi Kuvendin e Vlorës që të shihte nga Perëndimi.
- Krijoi Trupat VULLNETARE të Mbrojtjes më 1916, i stërviti për 5 vite,dhe më 1920 i dërgoi në Shqipëri, ku djemtë e Vatrës i dolën për zot Atdheut, stabilizuan kufijtë jugorë dhe u bënë pjesë e Luftës së Vlorës. Ata u bënë pjesë e Gardës Kombëtare, paçka se Komandantin që i stërviti në SHBA dhe i udhëhoqi në Shqipëri, Aqif Përmetin, e pushkatuan. Pse? La Amerikën që t’i shërbente Atdheut.
- VATRA, krijoi që më 1915 Bandën Muzikore të saj, që njihet si “BANDA KOMBËTARE E VATRËS” e cila në Shkurt 1920 shkoi në Shqipëri dhe ngriti frymën Kombëtare me koncertet nëpër Shqipëri. Banda e Vatrës u bë pjesë e Luftës së Vlorës dhe Hymni i asaj Lufte heroike ka për kompozitor dirigjentin e Bandës së Vatrës, Thoma Nasi.
- Vatra organizoi më 3 Qershor 1917 Fushatën e madhe të ndihmave”Të shpëtojmë Shqipërinë”, ku u mblodhën 150 mijë dollarë(një punëtor merrte në ato kohë 5-7 dollarë në javë), janë miliona dollarë me kursin e Këto para u përdorën për të lobuar për Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësi që e kishim humbur gjatë Luftës së Parë Botërore.
- VATRA-Ndërhyri pranë Presidentit Wilson, që të shpëtonte Pavarësinë e Shqipërisë. Fan s Noli e takoi Presidentin amerikan më 4 Korrik 1918, tek bëheshin homazhet tek varri i Presidentit George Washington, dhe iu Lut, që të mbronte pavarësinë e Kombit më të vjetër në Ballkan, trojet e të cilit ishin uzurpuar nga fqinjët.
- Vatra organizoi shërbimin e munguar diplomatik në mungesë të shtetit shqiptar: Emëroi delegatët e saj nëpër Europë dhe SHBA, duke i paguar ata me rroga përmes fushatave që thirreshin”Dita e Delegatit”. Delegatët vepronin në Kryeqytetet e Fuqive të Mëdha: Londër, Paris, Washington, Gjenevë etj. Kryedelegati Mehmet Konica paguhej me 1,600 franga në muaj. Delegatët diplomatik të Vatrës sensibilzuan shtetet e mëdha që të njihnin pavarësinë e humbur.
- Vatra organizoi një Fushatë të madhe financiare më 1920 -1922, ajo që thirret Huaja e Parë e Shtetit Shqiptar, patriotin Mithat Frashëri, të deleguarin e Qeverisë që doli nga Kongresi Lushnjës, të kryesuar nga Sulejman Delvina, dhe arriti t’i siguronte shtetit shqiptar 198 mijë dollarë.
- Vatra shtypi për nevojat e shtetit, zyrave, shkollave më shumë se 120 mijë libra që i dërgoi në Shqipëri.
- Vatra i qëndroi me stoicizëm për gati një gjysëm shekulli luftës së ashpër që bënë kundër saj Tirana dhe Beogradi.
- Në Nëntor 1969, në përvjetorin e 60-të gazetës së Saj”Dielli” Vatra” organizoi bashkimin e Diasporës shqiptare të Amerikës dhe asaj të Arbëreshëve të Italisë. Në atë veprimtari 10 ditore, Vatra u tregoi amerikanëve se kush ishin shqiptarët, cila ishte kultura dhe trashëgimia e tyre: Konferenca, ekspozita, Mesha të përbashkëta për të gjithë besimet, një paradë e madhe me 5 mijë pjesmarrës në Manhattan, etj…
- Vatra, sot Vatra, duke ringritur degët e saj në shumë shtete të Amerikës së Veriu dhe Kanada si dhe duke organizuar”Miqtë e Vatrës” në trojet Kombëtare, vazhdon të jetë në shërbim të Kombit në shekullin e dytë të jetës së saj dhe mbanë gjallë traditat, kulturën Kombëtare, gjuhën, Historinë dhe gjithçka shqiptare.
- VATRA ËSHTË VLERË KOMBËTARE-TA RUAJMË!
Le ta ruajmë Vatrën edhe nga vatranët që e duan atë për veten e tyre, për familjet e tyre, për lavdinë e tyre personale! Të ruhemi nga përçarjet dhe përçarsit!