Amerika pas 11 Shtatorit, ideologjia e islamit radikal dhe strategjia e presidentit Trump/
Nga Rafael Floqi/
Për banorët e New York-ut, por edhe për shumë amerikanë e qytetarë të botës, 11 Shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet kurrë. Edhe sot si 17 vjet më parë janë të freskëta skenat kur dy aeroplanë që transportonin pasagjerë u përplasën me ato që njiheshin si Kullat Binjake. Avionët ishin marrë peng nga një grup terroristësh të organizuar e frymëzuar nga Al Kaeda. Dy avionë të tjerë gjithashtu ndryshuan rrugën e parashikuar atë ditë, njëri duke u përplasur në selinë qendrore të Pentagonit e tjetri u rrëzua pa arritur Washington-in nga kundrëveprimi i pasagjerëve amerikanë. Në mes mijëra vetëve që humbën jetën atë ditë, ishin edhe tre shqiptaro-amerikanë: Simon Dedvukaj, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj. 11 Shtatori 2001 nuk ishte vetëm një sulm kundër Amerikës e New York-ut, por një sulm kundër mbarë njerëzimit, dhe ai ndryshoi botën për gjithmonë. Sot, 17 vjet më vonë, kur SHBA e bota po kujton viktimat e asaj tragjedie, edhe ne këtu në komunitet kujtojmë me respekt e dhimbje tre bashkatdhetarët tanë. Por edhe biem në mendime.
11 Shtatori, tregues i plagëve tona të pashëruara
Por koha ka kaluar, tani në New Jork në vendngjarjen e tragjedisë, u rihap të shtunën një stacion nëntokësor metroje, dikur i shkatërruar, kur u shembën Kullat Binjake, pothuajse dy dekada pas sulmeve të 11 Shtatorit. Stacioni është një nga pjesët e fundit më të rëndësishme të Qendrës Tregtare Botërore që u rihap, ndërsa në Manhattan vazhdohet të rindërtohet ajo çka humbi nga tragjedia. Rruga e Cortlandt Street në Linjën nr. 1, e cila ndodhej drejtpërdrejt nën Qendrën Botërore të Tregtisë, ka qenë e papërdorur për 17 vitet e fundit – megjithëse ka pasur mjaft ndërtime lart, duke përfshirë Qendrën e re të Tregtisë dhe Transportin Oculus Hub.
Që kur kullat u rrëzuan një pjesë të ndërtesave ranë përmes terminalit. Fotot e marra pas sulmit tregojnë stacionin e varrosur nën mbeturina, dhe një vrimë të hapur mbi të, ku dukeshin trarët metalikë që kërruseshin në gjysmën e tyre. Tavani duhej të rinovohej plotësisht dhe duhet të rindërtoheshin 1,200 metra rrugë. Të shtunën e kaluar në mesdite trenat filluan të rendin në stacionin, qe tani quhet WTC Cortlandt,. Rihapja u bë vetëm pak ditë përpara 17 vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit. Kanë kaluar 17 vjet por sa gjera kanë ndryshuar qysh nga ajo ditë?
Ka kaluar mjaft kohë kur ajo heshtje e rëndë zëvendësoi lotët e zemëruar. Megjithatë pothuajse të gjithë amerikanet mbi moshën 21 vjeçare mund të tregojnë se ku gjendeshin, kur mësuan se Amerika papritur ishte në luftë me një armik të fshehtë. Ky është një tregues i plagëve tona të pashëruara se është pothuajse e pamundur të mendosh për një roman të madh, film apo seri televizive dramatike që mos ketë trajtuar 9/11 si temën e saj qendrore. Por edhe pse një sukses edhe vdekja e Osama bin Ladenit në vitin 2011, nuk solli paqe në Afganistan dhe as pakësim të kërcënimit terrorist në mbarë botën.
Kalimi i kohës ka bërë disa momente që duken të vogla ne kujtesën tone pas 9/11. Si ai p.sh kur Xhorxh W. Bushi vizitoi atëherë një qendër islamike më 17 shtator, dhe deklaroi: “Amerika numëron miliona muslimanë në mesin e qytetarëve tanë dhe myslimanët japin një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për vendin tonë. … Dhe ata duhet të trajtohen me respekt. Në zemërimin dhe emocionet tona, amerikanët tanë duhet të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt “.
Një klishe e pashmangshme në ditët pas 11 Shtatorit ishte refreni që amerikanët duhej të vazhdonin të bënin një jetë normale ne çdo aspekt (qysh nga udhëtimet me aeroplan, blerja e pajisjeve të mëdha ose hyrja në një kinema të mbushur plot e përplot me njerëz shkuarja në koncerte), ose përndryshe terroristët do të kishin fituar.
Privaci vs. Siguri
Një gjurmët e përhershme që mbetet edhe sot, 17 vjet më vonë, ku gjërat duken më normale në sipërfaqe, përsëri përbrenda në ndërgjegjen njerëzore mbeten dyshime. Ne bëjmë gjerat e zakonshme, shkojmë në punë, vizitojmë dentistin, shkojmë në pazar , shohim një seri televizive dhe planifikojmë të ardhmen tonë sikur 9/11 nuk ka ndodhur. Por frika e terrorizmit ka lënë një gjurmë të përhershme në psikologjinë tonë. Një anketë e Institutit Gallup në qershor zbuloi se 38 përqind e amerikanëve thonë se ata kanë më pak gjasa të marrin pjesë në event të madh dhe 26 përqind syresh kanë më pak gjasa të hyjnë në rrokaqiejt për shkak të frikës nga terrorizmi. Çuditërisht, sipas Gallup, më pak amerikanë (32 përqind) janë të gatshëm të shkonin në tubime të mëdha në nëntor 2001, dy muaj pas sulmeve. Dhe sot, dramatikisht, 57 përqind e republikanëve në krahasim me 35 përqind të demokratëve thonë se ata janë “shumë të shqetësuar” ose “disi të brengosur” në mos ata ose ndonjë anëtar i familjes do të jenë viktimë e terrorizmit. Jeta jonë e përditshme ka ndryshuar sot në mënyra të tjera, që ne mezi vëmë re, por prapë kjo mbetet e dukshme Personeli i armatosur që ruan aeroportet dhe stacionet e trenave tanë, tani është një dukuri rutinë. Këto ditë, ne jemi të detyruar të tregojmë licencën e shoferit disa herë në ditë – dhe rrallëherë kjo për shkelje trafiku. Sot e drejta për privatësi, vazhdimisht po gërryhet në emër të sigurisë. Këto janë kompromise që shumica e amerikanëve do t’i pranonin në këmbim të 17 viteve, pa pasur ndonjë një sulm te madh terrorist, si ai i 11 Shtatorit. Por konsensusi popullor nuk duhet të na verbojë se poashtu në realitet ne kemi marrë vendime në emër të sigurisë, gjë brezat e mëparshëm të amerikanëve do t’i kishin të vështirë për t’i kuptuar. Gjë të cilat madje sot maturantët e sotëm 17 –vjeçarë i quajnë si të mirëqena, pasi ata nuk arrijnë ta kuptojnë ndryshimin , dhe për ta, 11 Shtatori është vetëm 2 faqe më shumë në Historinë e Amerikës. Shumë ujëra kanë rrjedhur dhe gjërat kanë ndryshuar .
Pas 17 vjetësh, terroristët e 11 Shtatorit të padënuar
Por ende mbetet një pikëpyetje e madhe, pse terroristët si Khalid Sheikh Mohammed, ideatori i 11 Shtatorit një militant islamik pakistanez i burgosur nga Shtetet e Bashkuara në kampin e burgut të Guantanamos në bazë të akuzave për terrorizëm , i cili u quajt si “arkitekti kryesor i sulmeve të 11 Shtatorit” në Raportin e Komisionit të 11 Shtatorit, edhe sot pas 17 vjetësh ai dhe të tjerët edhe pse e pranuan fajin mbeten i pa ekzekutuar? Administrata Obama dhe ish -Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder duhet ta sqarojnë këtë .
Kur presidentit Donald Trump caktoi drejtoren e re CIA-s, Gina Haspelin, Komiteti i Inteligjencës i Senatit ishin më të interesuar për rolin e saj të diskutueshëm në programin e “waterbording” të epokës Bush. Dhe për ironi , kritiku i saj i fundit nuk ishte ndonjë grup i të drejtave të njeriut apo një senator demokrat –por vetë Khalid Sheikh Mohammed, organizatori i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Ai u torturua gjithashtu nga CIA, duke përfshirë edhe duke u mbytur me ujë – dmth “ waterbording”. Duke u mbytur dhe duke u mbytur në mënyrë të përsëritur duke derdhur ujë mbi një pëlhurë në gojë dhe hundë derisa ai ishte afër mbytjes – 183 herë gjatë 15 seancave ndërsa ishte në paraburgim në SHBA. Aktualisht ai është arrestuar në burgun amerikan në Gjirin e Guantanamos, Kubë – dhe se ai duket se ka diçka për të thënë për Gina Haspelin. Duket se ai Jihadin e tij po e vazhdon nga burgu kundër sistemit gjyqësor amerikan.
Masat ndaj terrorizmit dhe rreziku i anti -muslimanizmit
Nga ana tjetër, nuk duhet bere asnjë gabim në lidhje me atë se terrorizmi radikal islamik është një kërcënim transcendental ndaj vlerave, lirisë dhe mënyrës sonë të jetës së Amerikës. Është absolutisht qesharake të mendohet se nxitja e një ndasie mes myslimanëve dhe jo-muslimanëve, ose ndalimi i njerëzve nga shtatë vendet që u vunë në shënjestër nga Presidenti Trump do të eliminonte terrorizmin në Amerikë. Që prej 11 Shtatorit, asnjë Amerikë nuk është vrarë nga një sulm terrorist nga të shtatë vendet (Irak, Siri, Iran, Sudan, Libi, Somali dhe Jemen) të veçuar në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump.
Kohët e fundit, pjesa më e madhe e terroristëve që kanë vrarë amerikanë dhe qindra qytetarë në të gjithë botën, janë te rritur në vendet ku kryen aktet. Ashtu si varfëria, terrorizmi brenda vendit është një farë e keqe, shumë e vështirë për t’u çrrënjosur. Kritikët e presidentit Trump thonë se kjo politikë e tij shërben vetëm për të siguruar municione të rekrutimit për armiqtë që Amerika u ka shpallur luftë kundër të gjithë botës muslimane. Vlerësimet janë se vetëm 45,000 muslimanë mbështesin ISIS nga 1.8 miliardë muslimanë që ka në mbarë botën dhe 3 milionë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump duhet të dërgojë mesazhin tek myslimanët anembanë botës që ne e pranojmë se ISIS është një grup i vogël fanatikësh dhe nuk përfaqëson pikëpamjen mbizotëruese të shumicës dërrmuese të myslimanëve ndaj Perëndimit. Presidenti Donald Trump e bëri luftën kundër “terrorizmit radikal islamik” dhe kjo është bërë politika e SHBA-së. Duke e venë theksin mbi ideologjinë, kjo është një luftë ndryshe në kundërshtim me dy paraardhësit e tij. Ndërkohë që ish-Presidenti Xhorxh W. Bush dhe se Presidenti Barak Obama e kanë shmangur luftën ndaj terrorit në terma ideologjikë nga frika e tjetërsimit të aleatëve muslimanë, por Trump ka theksuar këtë dimension dhe nevojën për ta kundërshtuar atë ideologjikisht. Ai mbështeti “luftën ideologjike” kundër shtetit islamik dhe u zotua të punojë me NATO-n dhe “miqtë tanë në Lindjen e Mesme” dhe për të gjetur “tokë të përbashkët” madje edhe me Rusinë për të mposhtur ISIS-n, dhe duket se e arriti.
Por sot edhe pse rreziku i Shtetit Islamik është zvogëluar në masë të madhe, megjithatë degët e tij dhe grupet e tjera terroriste vazhdojnë të bëjnë kërdi në të gjithë botën. Lufta kundër terrorit tani renditet si lufta më e gjatë në Amerikë. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, lufta kundër terrorizmit nuk zë vend më në titujt kryesorë te medias dhe është zëvendësuar nga politikat e ashpra vendore dhe pikat e nxehta si programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe mosmarrëveshjet tregtare me Kinën. Sidoqoftë lufta kundër terrorit vazhdon të mbetet por se fusha e betejës për atë luftë po ndryshon ndjeshëm.
Kalifati Kibernetik i ISIS-t dhe ujqit e vetmuar
“Administrata ime do të ndjekë në mënyrë agresive operacione ushtarake të përbashkëta dhe me koalicionin për të shtypur dhe shkatërruar ISIS-in, me bashkëpunimin ndërkombëtar për të prerë fondet e tyre, për të zgjeruar shkëmbimin e inteligjencës dhe për “cyberwarfare” për të prishur dhe çaktivizuar propagandën dhe rekrutimin e tyre”, tha para inaugurimit Trump..
Sot në Lindjen e Mesme, fushata ushtarake e zhvilluar nga SHBA dhe partnerët e saj të koalicionit gjatë dy viteve të fundit e kane degraduar me sukses “kalifatin” fizik të grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Por mesazhi dhe apeli ideologjik i grupit vazhdojnë të rezonojnë, nëpërmjet internetit dhe mediave sociale si pjesë e një strategjie të sofistikuar të medias globale. Për më tepër, shteti islamik tani gjithashtu përbën një lloj tjetër kërcënimi, pasi “nxënësit” e prototipit të tij radikal në Siri dhe Irak (janë përhapur ne më shumë se 80 vende të ndryshme)po fillojnë të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ndërkohë, grupe të tjera terroriste kanë lulëzuar në hije, të ndihmuar nga preokupimi kryesor i Amerikës me grupin e Shtetit Islamik. Duke përfituar , si rezultat i operacioneve të koalicionit në Afganistan, al-Kaeda ka përdorur vitet e kaluara mundësinë për të rindërtuar rrjetet e veta dhe për të rimarrë veten si një alternativë më autentike dhe e moderuar lokale ndaj Shtetit Islamik, me rezultate të rëndësishme. Ekspertët tani thonë se rrjeti Bin Laden kontrollon më shumë territore sesa në çdo kohë në historinë e tij dhe e ka pozicionuar veten si një kërcënim afatgjatë për Perëndimin. Talibanët gjithashtu po ringjallen në Afganistan, ku edhe një herë paraqet një sfidë në rritje për qeverinë e dobët qendrore të atij vendi. Dhe në Afrikë, grupet si Boko Haram i Nigerisë dhe Shabaabi i Etiopisë vazhdojnë të kërcënojnë paqen kontinentale, pavarësisht nga përpjekjet më të mira të autoriteteve lokale. Në të vërtetë, vendet në mbarë botën tani po ballafaqohen me një raund të ri kërcënimesh terroriste – të nxitur nga rënia e grupit të Shtetit Islamik, si dhe nga ringjallja e ekstremizmit lokal. Sulmet e kohëve të fundit në vende si Surabaya, Indonezi , ne Francë, në Britani, Kanada, sulmet me makina si ato në Londër apo New York dhe komplote të tilla si përpjekja e dështuar për të shpërthyer një paradë të katërt të korrikut në Cleveland, Ohio, tregojnë faktin se grupi i Shtetit Islamik dhe udhëtarët e tij ideologjik vazhdojnë të ushtrojnë fuqinë për të frymëzuar, mobilizuar dhe kërcënojnë shoqëritë demokratike. Administrata dhe profesionistët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë e kuptojnë këtë shumë mirë, edhe nëse publiku dhe elitat politike gjithnjë e më shumë nuk e bëjnë këtë. Tani shumica e sulmeve janë nga të ashtuquajturit ujq të vetmuar, që indoktrinimi i tyre është ideologjik neper mediave sociale. Në të vërtetë, Europol, autoriteti i zbatimit të ligjit në Evropë, kohët e fundit e klasifikon kërcënimin e terrorizmit në Evropë si “të lartë”, pavarësisht nga rënia e Shtetit Islamik. Dobësimi i sigurisë ne Evropë rrjedh edhe nga emigrimi i shkallës së lartë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që ka ndodhur gjatë gjysmë dekadës së kaluar – emigrim që ekstremistët islamikë janë përpjekur të shfrytëzojnë për të depërtuar në eurozonë. Këtë kërkon të kufizojë politika Trump e emigracionit.
Ndërkohë, thirrja e përhershme e Shtetit Islamik, al-Kaedas dhe e bashkëpunëtorëve te tyre të ndryshëm ka nxitur vende të ndryshme nga Azia Qendrore dhe Afrika e Veriut për të rritur përpjekjet e tyre për të luftuar ideologjikisht ekstremizmin islam.
Strategjia e re Trump-it
Tani presidenti Donald Trump thuhet se po adopton një strategji të re në Siri që do bënte që shohë trupat amerikane të qëndrojnë në Siri pafundësisht. Tani që grupi terrorist ISIS është larguar kryesisht në shkretëtirë, administrata Trump dëshiron të përqendrohet dhe të sigurohet që të gjitha forcat iraniane të largohen nga Siria përpara, tha një përfaqësues i Departamentit të Shtetit të enjten. Xhejms Xhefri, një oficer i shërbimit të jashtëm i pensionuar, i cili ishte përzgjedhur kohët e fundit nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo për të qenë përfaqësuesi i tij për angazhimin e Sirisë, u tha gazetarëve:
“Politika e re nuk është se nuk do te tërhiqemi nga Siria deri në fund të vitit”. Ai shtoi: “Kjo do të thotë që ne nuk jemi me ngut.” Jeffrey tha se është “i bindur” se Trump ka plan të ri, të cilin ai tha se do të përfshijë një “iniciativë të madhe diplomatike” që do ta shpalosë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ajo që ekspertët e sigurisë dhe qeveria amerikane e di se edhe në dekadën e kaluar Shtetet e Bashkuara arritën fitore të mëdha strategjike kundër rrjetit Bin Laden, bashkëpunëtorëve të tij dhe degëve të tij (si Shteti Islamik). Por megjithatë në Amerikë nuk duhet të lulëzojë një ndjenjë e rremë sigurie nga këto suksese. Nevojitet vigjilencë dhe kërkime të vazhdueshme për ta kuptuar sfidën e vazhdueshme që vjen nga radikalizmi islamik – dhe duhet që politikëbërësit amerikanë të jenë në gjendje të krijojnë politika të përshtatshme për të trajtuar ndryshimet e kërcënimit terrorist, që të mos kemi një tjetër, 11 Shtator.