Sokol Paja/
New York, 19 Nëntor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëve të Alfabetit Shqip mikpriti 110 nxënës, mësues dhe prindër të Shkollës shqipe Alba Life. Një vizitë shumë emocionuese e fëmijëve shqiptarë, trashëgimtarëve të vazhdimësisë së rracës sonë të bukur shqiptare, të historisë sonë të lavdishme, të kulturës sonë të veçantë, gjuhës dhe identitetit tonë këmbëtar shqiptar. Një festival i ngjyrave kuq e zi që ngriti peshë zemrat e të gjithë të pranishmëve. Fëmijët e Shkollës Shqipe përformuan në mënyrë të shkëlqyer duke kënduar këngët: Ty flamur të duam shumë, Gjuha shqipe-gjuha jonë, Rroftë Shqipëria etj. Fëmijët recituan poezi kushtuar Pavarësisë, Gjuhës Shqipe, heronjve të kombit tonë duke emocionuar të gjithë të pranishmit. Fjalën përshëndetëse në emër të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli e bëri Editori i cili theksoi ndihmën dhe mbështetjen që Vatra e Dielli i ka dhënë Shkollave Shqipe në historinë 110 vjeçare. Fëmijët që mësojnë shqip, që këndojnë shqip, që flasin shqip jashtë Atdheut, janë ambasadorët e vërtetë të kombit tonë. Në fjalën e tyre para të pranishmëve, themeluesi i Shkollës Shqipe Alba Life z.Qemal Zylo dhe mësuesja zonja Kozeta Zylo shprehën vlerësim për Vatrën si qendër atdhetarie në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i bashkon gjithmonë shqiptarët nga të gjitha trojet në tokën e premtuar të Amerikës. Federata Vatra është zjarri i pa shuar i atdhedashurisë që mban gjallë shpirtin patriotik shqiptar përtej Atlantikut. Vatra e Dielli janë historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve të Amerikës.