– Vatra, Dielli dhe përcjellja e imzot Nolit 55 vite të shkuara
*Vatranët mbajtën 40 ditë zi për humbjen e atit shpirtëror, At
Fan S. Noli…
-DIELLI: Shqiptarë, a e dëgjuat? IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!
*Si e përcollën vatranët vdekjen e imzot Nolit
* Misioni shqiptar në New York u ndalua që të merrte pjesë në varrimin e Nolit në Boston.
* Telegrami i Mehmet Shehut dhe i Halim Budos, tendenca për përçarjen e shqiptarëve të Amerikës.
* Shteti komunist i kërkoi Amerikës trupin e Nolit
NGA DALIP GRECA/
Jeta e Imzot Nolit kishte marre goditje ne vjeshten e vitit
1964. Me 2 Nentor u operua. U hap dhe u pa se brenda ishte shfaqur e keqja,
semundja kanceroze qe do t’i merrte jeten. E mbyllen sakaq. Pas 2 javesh doli
nga spitali. Me 20 Dhjetor u nis drejt shtepise Dimrore qe ia kishte blere
Vatra ne Florida. Atje, nen diellin e Florides do t’i shtynte castet e fundit
te jetes. U shua me 13 mars, ne oren 11 te dites, kur Meri Xhons e kishte
nxjerre te pershendetej me diellin e ngrohte. Por gjithcka mbaroi aty. Ai u
shua.Lajmi tronditës është përcjellë në Gazetën Dielli të 17 Marsi 1965, e
mërkurë me titullin: Shqiptarë a e dëgjuat? IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!
Në komentin hyrës shkruhej me shkronja të zeza: Njeriu që përfaqësoi racën
shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës,
nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e
shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më
të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe
për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastër përulet përpara
trupit të kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të
bekuara, që lartësuan Kombin shqiptar dhe Vatrën tonë.
Komisioni i Vatrës urdhëroi 40 ditë zi për të gjithë vatranët për humbjen e
prijësit shpirtëror. Përmes lotëve ata ngushëlluan njëri-tjetrin dhe pranë
arkivolit të Atit të Kombit vajtuan: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë
raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do
të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si
Atë, si themelonjës, si prijës, TY- Atin Shqiptarëve!
Në kohëndarjen nga jeta të atij që editoi i pari Diellin, Gazeta e Vatrës
kishte për editor Athanas Gegën, një diejtar i kohës, një nacionalist
antikomunist ndër më të betuarit, ndërsa kryetar i Vatrës ishte James Thanas.
Në faqen e parë të Gazetës DIELLI publikohej shkrimi i Editorit Gegaj
VATRANË: VDIQ ATI YNË!, ndërsa kryetari i Vatrës në të njëjtën faqe botonte
përcjelljen zyrtare të lajmit tronditës:VDIQ ATI I TË GJITHË SHQIPTARËVE. Po në
faqen e parë të Diellit, botohej edhe shkrimi”VATRA NË ZI”, një
shënim shpirtëror i Antoni Athanans në gjuhën angleze, një esse nga Peter D.
Peterson, si dhe mesazhe nga personalitete të botës shqiptare dhe të huaj.
Si dhe kur e mori Vatra lajmin e hidhur
Drejtuesit e Vatrës e kishin marrë lajmin e hidhur, të nesërmen e vdekjes, me 14 mars, ndërkohë që ishin në mbledhjen e bordit. Nga rekordet e Vatrës sjellim reagimin: I hidhëruar thellsisht nga kjo humbje e madhe, Komisioni ndërpreu rendin e ditës, mbajti një minut heshtje dhe më pas filloi nga përgatitjet për përcjelljen e Atit shpirtëror. Vendimi: I gjithë numri i Diellit do t’i kushtohej Nolit!Numri u përgatit në një kohë rekord: U punua të dielën, të Hënën, të martën u dërgua në shtypshkronjë dhe u shpërnda të Mërkurën. Të gjitha degëve iu përcoll me telefon e telegrame lajmi i vdekjes dhe botimi i Diellit. Ky edicion, që pati dhe një ribotim, u dërgua në të gjitha kolonitë shqiptare edhe në Europë e Australi.
Lamtumirë kryezot!
Vdekja e imzot Nolit i pikëlloi thellë shqiptarët e Amerikës.
Kryetari i Vatrës shkruante:”Ati i të gjithë shqiptarëve, kryetari ynë
shpirtëror, u nda nga ne e na la të shkretë dhe të varfër. Me vdekjen e Tij
mbyllet një kapitull i historisë shqiptare, sepse ne humbëm udhëheqësin tonë
dhe themelonjësin e Kishës Kombëtare, Federatës Vatra, si dhe të parin prift
shqiptar e të parin editor të Diellit. Kryezot dhe metropolit i Kishës sonë,
burrë shteti, diplomat,shkrimtar i mbaruar, theolog, muzikant, orator i shquar,
poet, studiues i çështjeve shqiptare.
Lamtumirë o Kryezot!
Lamtumirë Ati Ynë, vendin që leni bosh është e vështirë dhe e pamundur ta zërë
ndonjë tjetër. Lamtumirë At, se po vete të shlodhesh nga puna e gjatë dhe nga
zhurma e kësaj Bote duke u çliruar nga vargonjtë e kësaj jete dhe nga
pamarrveshjet që ngjajnë në çdo shoqëri njerëzore. Po ndarja jote, na shqetësoi
shumë e na la të shkretë. E të kërkojmë ndjesë se si bijtë e tu nuk e kemi bërë
përherë detyrën tonë.
Veprat tuaja, At i dashur, do të çmohen më tepër paskëtaj. Është shumë zor që
ta gëlltitim këtë hidhërim, se jemi në mes të valëve dhe s’ka kush të na
dërgojë më, të na japë Këshilla për problemet e vështira që kemi përpara. Ju
keni qenë shtylla e fortë ku mbështetej i tërë komuniteti ynë, ju keni qenë
shtylla jonë, dhe e popullit shqiptar.
Lamtumirë, o Ati ynë, se ti e kreve punën si një nga njerëzit më të përsosur të
racës dhe gjakut shqiptar: Well done! We Will miss You very much!
Çlodhu në qetësi!
“Fortesa e Shqiptarizmës u përmbys”-Kështu e qau ikjen e Noli,
dishepulli i tij, editor për 18 vjet i gazetës Dielli,sekretari i Vatrës Qerim
Panariti.
Arkivoli me trupin e Nolit, nga Florida në Boston
Noli u shua me 13 Mars. Trupi i Hirësisë së Tij udhëtoi nga
Miami i Floridës drejt Bostonit më 15 Mars.Shoqeruesi i tij ne udhetimin mortor
drejt Bostonit ishte Geri Riska.Po atë ditë, pra të Hënën e 15 Marsit, në orën
3 e 30 minuta arriti në aeroportine Bostonit. Vatra dërgoi në aeroport që ta
prisnin arkivolin: anëtarin e Bordit të saj z. Anthony Athanas, Barny
Kirka-arkëtar i Vatrës, dhe Peter Chikos, Mangar i Diellit. Arkivoli me trupin
e e Imzot Noli nga aeroporti u dërgua në Funeral Home, ku e veshën me
paramentet (rrobat) peshkopale. Me 16 Mars arkivoli u dërgua në Kryekishën e
Shën Gjergjit. Trupi u ekspozua për vizitorët në mjedisët e KryeKishës së
Shëngjergjit me 17, 18, 19 Mars 1965. Shqiptarët e shumtë që kishin ardhë edhe
nga kontinete të largët, e përuleshin me nderim para arkivolit dhe qanin me lot
të nxehtë ikjen e prijësit. Drejtuesit e Vatrës i shprehën ngushëllimet para
arkivolit të kryetarit të tyre, të mërkurën e 17 Marsit.
“Dielli” e qau me lot të nxehtë editorin e vet të parë, duke kërkuar
fjalët më të përzgjedhura për ta përcjellë.Editori Athanas Gegaj
shkruante:”I veshur me rrobat e praruara episkopale, i mbuluar me Flamurin
Kombëtar, …Ai dukej se po flinte gjumin e përjetshëm.Fytyra si në bronx, e
zbehtë, pa shumë rudha.” Mbi arkivolin e Nolit u përulën mbi 5 mijë
shqiptarë. Lamtumirën ia dhanë me lutje e fjalime të zjarrta Ikonom Sokrat
Sotiri, i cili foli në gjuhën shqipe dhe Atë Sotir Dilogjika në gjuhën angleze.
Përcjellja nga krerët fetarë
Në Kishën e Shëngjergjit u organizuan ceremonitë e rastit.
Shqiptarët e përcollën me fjalë zemre e lot të nxehtë udhëheqësin e tyre.
Krerët fetarë nuk i kursyen vlerësimet dhe lutjet. Imam Vehbi Ismaili, e
cilësoi ikjen e Nolit si një fatekqësi që goditi gjithë koloninë shqiptaro-amerikane,
e mbarë popullin shqiptar, pse me këtë fatkeqësi shqiptarët humbën frymëzuesin
e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin dhe Kryemësuesin e të gjitha
Lëvizjeve Patriotike, fetare e kulturore në këtë vend të bekuar. Me këtë
humbje, tha ai, shuhet një kandil që ndriçoi dhe udhëhoqi me sukses Lëvizjen e
madhe kombëtare në SHBA. Me këtë goditje venitet lulja e Simbolit të Bashkimit
dhe të mburrjes Kombëtare, si para Botës Shqiptare, ashtu dhe para Botës së
Huaj, përfundonte Imam Vehbi Ismaili.
Dijetari tjetër fetar, Baba Rexhepi, e konsideroi Nolin si një pishtar që
ndriçoi botën shqiptare për gjysëm shekulli, njeriu që krijoi Atdhe, aty ku
s’pat, këtu në Amerikë. Me ikjen e Nolit,tha ai, fiket një pishtar i ndritun që
për më se një gjysmë shekulli i dha dritë botërisht Atdheut të largët me pendën
e tij fatlume në lami të ndryshme të diturisë. Emigracioni shqiptar, i hershëm
dhe i ri, humbi pionierin që u mundua dhe ia doli më së miri për të krijuar
Atdhe aty ku s’pat. Në Amerikë Imzoti, mbas përpjekjeve të tij politike, me
suskes e pa sukses- të kohës së rinisë,e zhvilloi veprimtarinë e vet të
shumëanshme në lëmin e diturisë, që spikati në tre drejtime kryesore: Histori,
Liturgji dhe Muzikë. Po la dhe poezi, të cilat do ta radhojnë emrin e të
Përndritshmit ndër poetët e mirë të Letërsisë Shqipe. Por ajo që do ta bëjë të
pavdekshëm Imzot Nolin në Historinë e hershme dhe të vonë të Diasporës
shqiptare, është krijimi mes vështirësive i Kishës Orthodokse Metropolitane
Shqiptare në Amerikë: Luftë nga të Huajtë dhe moskuptim nga të vetët! Ai krijoi
13 Kisha famullitare Orthodokse Shqiptare në ShBA, me liturgjinë në gjuhën
shqipe, duke i treguar edhe një herë botës shqiptare dhe asaj të huaj, se kur
është puna për vepra të nalta, dijmë që edhe me sakrifica të bashkohemi për t’i
dhënë Lavdi Zotit dhe për të naltësue emrin shqiptar, kudo që gjendet raca jonë
etnike.
Monsinjor Zef Oroshi, shkruante në ngushëllimin përcjellës:” Me rastin e
humbjes së pazëvendësueshme të Metropolitit të Madh, dëshiroj t’u parqes bashkëvllaznve
Orthodoks të Amerikës, në emën të Grupit Katolik Shqiptar- teksa të formuem,
dhe timin personal, përdhimtuninat ma të thellat e ma të ndieshmet, njëheri tue
i lutë Zotit të gjithëpushtetshëm, që t’i ndrisi Për zgjedhjen e Pas-Ardhsit
dhe vijimin e veprës së pavdekshme të Metropolitit Fan Stylian Nolit: Për Fe e
Atdhe!-R.I.P
At. Dr. Zef Oroshi.
Varrimi u krye me 20 mars në Forest Hills
Varrimi u krye të premten me 20 Mars 1965. Lulet dhe lotët e
shqiptarëve të Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit në një ditë të ftohtë, ditë
me borë. Vatra ksihte porositur të gjitha degët të përfaqësoheshin në
përcjelljen e Atit dhe të porositnin kurora me lule. Në krye të kortezhit
mortor printe Governori i Shteti z.John Volpe me krerët fetarë. Bota shqiptare
përfaqësohej jo vetëm nga të gjitha orgnanizata në SHBA, por edhe nga Kanadaja,
Evropa e Australia. Kortezhi ishte tepër i madh dhe në rrugët e Bostonit ishte
ndaluar qarkullimi rrugor nga policia në nder të përcjelljes së prjësit
shpirtëror të Shqiptarve.Ishin mijëra qytetarë shqiptarë dhe amerikanë që e
përcollën kryeprijësin e shqiptarëve të Amerikës. Nga Kisha e Shëngjergjit e
deri në Forest Hills, banesa e fundit ku do të prehej Ati i shqiptarizmës,
kortezhi dukej se nuk kishte të sosur.
Në varrezat e Forest Hills, të mbuluar nga dëbora, arkivoli u ndal. Imam Vehbi
Ismaili dhe Baba Rexhepi do të mbanin fjalime lamtumire.
Bashkë me Nolin po mbyllej aty në Forest Hills epoka mëse 50 vjeçare
Noliane.Sami Repishti në përcjelljen e imzot Nolit shkruante në Dielli: Tetëdhjet
e sa vjetë ma parë, kur Shqipnia s’ishte zojë dhe shqiptarët s’ishin zotë,
lindi Noli. Në gji të ngrohtë familjesh arbnore Ai mësoi Shqipen, kur shqipja
s’shkruhej, desht Shqipninë kur ajo fyhej, desht shqiptarin, kur ai përbuzej,
desh të vorfnin për ç’ka s’kishte, desh vëllaun pse s’pati vlla, desh njeriun
si krijesë të Zotit….E kishte thanë Zoti që Noli të flasë gjuhën e
shqiptarëve. Bariu kishte ardhë. Në kishë, në rrugë, në qytet e fshat, në
Parlamentin e madh në kësollën e vogël, të malit, zani i tij kumboi i fuqishëm.
Flet Noli! Vllazën:Ndigjojeni zanin e zemrës shqiptare! Profesor Repishti e
mbyllte elegjinë kushtuar Nolit: Vdekja e mori Nolin, por Noli vetë, na la
Nolin për jetë mes nesh!
Degët e Vatrës dhe vatranët nga të gjitha anët ngushëllonin për ikjen e
kryetarit të tyre. Arkëtari i i asaj kohe i Vatrës, Barney Kirka
vajtonte:” Imzot, shtjerrë sytë nga qielli e vështro dhe vizito këtë
vreshtë që e ka mbjellë dora jote, dhe na ndriço që të plotësojmë porosinë
tënde të çkëlqyer. Nga Ohio përcillej vaji i kryetarit të degës 54, ndërsa
Ingj. Mahmut Cungu, e cilësonte imzot Nolin si “Ylli i fundit dhe më i
shkëlqyshmi i Rilindjes Kombëtare, u shua sot, por aurora e pavdekshme e tij do
të jetë drita udhërrëfyese drejt bashkimit kombëtar dhe çlirimit të Atdheut.
Nga Nju Jorku në emër të degës 29 ngushëllonin Kryetari Shazuvan Pashun dhe
Sekretari Agim Karagjozi. Në telegramin ngushëllues shkruhej:” Thellsisht
të hidhëruar nga humbja e burrit të madh shqiptar,Hirësisë së Tij, Fan S Noli,
kryetar Nderi dhe Themelues i Vatrës, lusim Zotin ti japë prehje shpirtit të
tij!
Degët e Vatrës nga Chikago, Detroit, Meriland, Pitsburgh, PA, Ontario-Canada, e
shumë të tjrea ngushëllonin me telegrame.
Udhëheqësit e komunitetit sjellin në kujtesë testamentin shpirtëror të Nolit
Edhe organizatat e tjera u bënë pjesë e dhimbjes së kolonisë
shqiptare për Ikjen e Imzot Nolit. Familja Mbretërore ngushëllonte me 17 Mars,
që nga Madridi:” Lajmi i idhët i humbjes të patriotit të madh Imzot Nolit
na shqetësoi së tepërmi. Shërbimet e mëdhaja që i ka sjellë Atdheut kanë qenë
dhe mbeten gjithmonë të çmushme. Si unë dhe Mbertnesha bashkohemi me Vatrën në
këtë zi të madhe. Shpirti i Tij u qetësoftë në Paqe e qetësi!
Leka I
Në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ngushëllonte Prof. Rexhep Krasniqi: I
nderuar President i Vatrës
Thellësisht të prekur për humbjen e madhe që ka pësuar Kombësia e Shqiptarëve
me vdekjen e Imzot Fan S. Nolit, udhëheqësit të ndritshëm shpirtëror, letrarit
gjenial, mbrojtësit të shquar të shqiptarizmit në Botë,bashkëthemeluesit dhe
Kryetar Nderi i Vateës famëmadhe, në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ju
shpreh ngushëllimet më të ndjeshme.
Rexhep Krasniqi, Kryetar.
Në emër të Asmblesë së Kombeve të Robëruara ngushëllonte kryetarin e Vatrës
Jammes Thanas, Z.Vasil Gërmenji-Kryetar dhe Brutus Coste, sekretar i
përgjithshëm. Për Hasan Dostin, vdekja e Peshkop Nolit, patriot i madh,
themelonjës i Kishës Autoqefale, Kryetar Nderi i Federatës Vatra, ishte një
humbje e rëndë për të gjithë Kombin Shqiptar. Shoqërohem në zinë që goditi
Vatrën dhe shfaq ndjenja të simpatisë së sinqertë. Populli Shqiptar është i
sigurtë se Vatra do të vijojë mbushjen e Misionit të mbrojtjes së Lirisë,
indipendencës së tërësisë toksore të Shqipërisë dhe mbajtjes së presitigjit të
Kishës Autoqefale Orthodokse që përfaqësojnë Testamentin shpirtëror të
Përjetshëm të Kryeprijësit të Madh që varroset sot jashtë Atdheut në tokën e
Georgë Ëashngtonit.
Hasan Dosti Los Angeles.
Në emër të Ballit Kombëtar të Bashkuar ngushëlonin Theodor Papalilo dhe Halim
Begeja, nga Blloku Independent Kol Çuni, në emër të Partiasë Katundare
Organizata e Bashkimit Shqiptar dhe Heroizma Shqiptare, ngushëllonte Isa Elez
Ndreu, në emër të Lidhjes së tretë të Prizrenit ngushëllonte Ismet Ukë Sadiku,
nga Australia ngushëllimet e shqiptarve i përcillte Safet Aliaj, nga shqiptarët
e Turqisë ngushëllonte kryetari i Kolonisë Shqiptare të Stambollit dr. Tare
Libohova.
Për vdekjen e Nolit shkroi edhe shtypi amerikan: The New York Times, Boston
Globe, The Evening Gaztte- Worcester, Boston Herald,The Boston Sunday Globg,
Post Journal-Jamestown, Worcester Daily Telegraph, Miami Herlad etj.
Qeveria amerikane nuk e lejoi misionin shqiptar të shkonte në varrimin e Nolit
Misioni Shqiptar kërkoi
leje tek Qeveria Amerikane që të shkonte në ceremoninë e varrimit ët Nolit në
Kryekishën e Shën Gjergjit, që t’i bënte nderet në emër të Shtetit Shqiptar,
por nuk u lejua. Shefi i misionit Shqiptar u ankua me anë të një proteste
drejtuar sekretarit të përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara. Përgjigjen e dha
publikisht në media në emër të autoriteteve amerikane Mr. Stefenson, kryetar i
misionit Amerikan në OKB. Ai shprehu nderim për Peshkop nolin në emër të
qeverisë amerikane, por tha se nuk mund ta kuptonte se si mund të nderohej një
fetar si Noli nga Kryetari i Misionit Shqiptar, që përfaqësonte një qeveri
ateiste”! Ja si e komentoi gazeta e Vatrës këtë refuzim të amerikanëve:
Përfaqësuesit e Misionit Permanent të Qeverisë Komuniste të Tiranës, për arsye
diplomatike, nuk u lejuan të vinë në Boston. Kurora lulesh të dërguara nga
autoritetet komuniste të Tiranë figuronin në Shën Gjergj. Gjesti i Qeverisë
amerikane, komenton Dielli, nuk ka të bëjë me popullin shqiptar; ky është vetëm
një akt diplomatik me Ëashingtonin, janë masa reciproke e asgëj tjetër.
Gjithësesi qeveria e Tiranës nuk e gëlltiti lehtazi masën ndaluese të
amerikanëve, por shkoi më tej: Kërkoi trasportimine trupit të Kryepeshkop Nolit
në Shqipëri. Këtë kërkesë të Qeverisë së Tiranës e konfirmon Dielli në kronikën
e shkurtër me titull”Trupi i At Nolit Pushon në Amerikë”, publikuar
me 24 Mars. Dielli shkruan: Sipas informatave që kemi, Qeveria Komunsite e
Tiranës kërkoi transportimin e trupit të Kryepeshkopit tonë në Shqipëri. At
Noli që nga viti 1932, kur mori pasaportën amerikane, jetoi vazhdimisht në
Amerikë dhe qe një nështetas amerikan. Gazeta jonë nuk bën asnjë koment më
shumë për këtë çështje.
Megjithatë, duket se editori dhe Vatra ndërrojnë mendje për të mos e komentuar
faktin, aq më shumë kur Shefi i Misionit Permanent Shqiptar dhe Kryeministri
Mehmet Shehu, dërgojnë telegrame ngushëllimi(Ia dërguan Kishës dhe Organizatës
Shqipëria e Lirë), që tentojnë të përçajnë shqiptarët e Amerikës. Thënë më
shqip, Qeveria e Tiranës bënë prova nëse mund ta shkëpusë Nolin nga Vatra
pasvdekjes. Në numrin e Diellit të 7 prillit 1965, Vatra i rikthehet problemit
të Mehmet Shehut dhe Halim Budos. Dielli merr shkas nga një telegram që
kryeministri i atdhershëm i Shqipërisë Mehmet Shehu, i dërgonte Kishës
Orthodokse Shqiptare në Amerikë. Dielli korrekton Mehmet Shehun dhe Halim
Budon, përfaqsuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, për formulimin gabim të
emërtesë së Kishës shqiptare në Amerikë dhe për togfjalshin që përdor Mehmet
Shehu, vëllezërve patriotë. Dielli shkruan” Gabon rëndë Mehmet Shehu kur
na drejtohet me fjalët”Vëllezër patriotë”, ne nuk jemi vëllezër të
atyre që shtypin popullin. Gabon rëndë edhe kur e kërkon trupin e Hirësisë Noli
drejtëpërdrejtë nga Kisha kombëtare -amerikane. Ai harron se -Kisha, duke qenë
një institucion amerikan nuk ka të drejtë të vendos në një çështje kaq delikate
e që është kompetencë e autoriteteve amerikane, dhe vetëm i atyre, sepse At
Noli është nënshtetas amerikan. Këto gjëra Mehmet Shehu i din, por nuk i
dijnë”patriotët vëllezër”(këtu është fjala për anëtarët e Organizatës
Shqipëria e Lirë, që bashkëpunonin ngushtësisht me regjimin e Tiranës), që duke
qenë amerikanë, lipset që të mos çajnë fare kokën për shokun Mehmet Shehu,
qesëndis Dielli. Shqiptaro-amerikanët kanë për Kryetar presidentin L.
B.Johnson. Pra Mehmet Shehu na fyen rëndë duke kërkuar të na ndajë dhe të
themelojë këtu në Amerikë një kollonë të pestë me’vëllezërit patriotë”.
Më pas Dielli merret gjatë me telegramin e Halim Budos, me tituj kilometrikë,
si e ciëlson gazeta e Vatrës. Diplomati komunist, shfaq keqardhjen sepse
Qeveria Amerikane nuk e lejoi të vinte në Boston”që të mirrja pjesë si
përfaqësues i popullit shqiptar”.
Dielli komenton:Amerika bëri mirë sepse Halim Budo mbron Kinën, Vietnamin e
Veriut, Kubën dhe atakon Amerikën. Kësaj i thonë përfaqësi e popullit shqiptar?
Budo, shkruan Dielli, që është njeri me kulturë, por janë kanë larë trurin me
doktrinën e Marksit, Englesit, Leninit, Stalinit e Maos, citon Nolin më së pari
në”Kryetrimat që çliruan Shqipërinë” e harron se kjo shprehje ishet e
mirë në atë kohë, por pastaj nuk pinë më ujë , sepse Amerika i konsideronte si
aleatë ata që u mshihnin nën maskën e Frontit Nacionalçlirimtar, çpikje si ato
të gjitha vendeve komuniste, që përmbysin një regjim e ngrinin nëj tjetër dhe
më të zi.
Dielli komenton një shprehje të Budos në telegramin ngushëllues, ku
shkruante:” Fronti Demokratik i Shqipërisë e Qeveria e Republikës së
Shqipërisë kanë parë gjithëmonë te personi i Nolit patriotin e madh e të
palodhur.”
“Akoma nuk janë mërzitur me këto shprehje?” shkruan Gazeta e Vatrës,
e cila shkon në përfundimin se: Sa për At Nolin, po ta kishte pasur në dorë
Qeveria e kuqe, Ati Ynë sigurisht do të kishte mbaruar në burg ose edhe në
litar, ku ksihin shkuar shokët e tij. Një njeri siç ishte Peshkop Noli do të kishte
protestuar me tërë afshin e zemrës së tij kundër gjaksirave që ngjanë nën
regjimin komunist gjer në ditët e sotme. Tani kërkojnë të na e grabisin për së
vdekuri,e të lavdërohen me emrin e tij. Noli, kur e kuptoi se kush ishin trimat
komunistë, që e lanë me gjak të tërë trollin shqiptar(siç ua dedikonte ai
Albumin e vet), i mbushën vendin me kampe përqëndrimi e burgje, varën e
pushkatuan e zhdukën nag faqja e dheut patriotët shqiptarë. Dielli replikon
gjatë me telegramin propagandistik të kryediploamtit komunist në New York, që
përpiqej t’i hidhe benzinë zjarrit të përçarjes, duke i ndarë shqiptarët e
Amerikës në armiq dhe vëllezër patriotë.
Sigurisht qëllimi i Qeverisë komuniste nuk u relaizua, Kryetari i Vatrës mbeti
përjetë me Vatrën. I përjetshëm qoftë Kujtimi i Imzot Nolit!