NDUE BACAJ
Në mbeshtetje të protestave, kerkesave, memorandumeve e peticioneve të krenëve e popullsisë të Hotit , Grudes ,Trieshit , Kojës , Kelmendit , Kastratit, Shkrelit e më gjërë , që kerkonin të mbronin trojet shqiptare të Malesisë Madhe nga aneksimi i Malit Zi , ju ishte bashkuar edhe Komiteti i Lidhjes Kombëtare Shqiptare Shkodër (ose dega e Lidhjes së Prizrenit Shkodër). Ky komitet i cili kishte si rezidencë shtepinë e Pjeter Gurakuqit, (babait të Luigj Gurakuqit), herë pas here mbështeste qëndresën e Maleve dhe Bajraqeve të Malesisë së Madhe, si në luftë me pendë dhe në luftë me pushkë. Për një nga këto kohë plotë afsh atdhetarie bënë fjalë edhe protesta e datës 18 maj 1880 , e cila ka në themel mbeshtetjen diplomatike , por edhe qëndresën luftarake, nëse kjo çeshtje e pa drejtë nuk zgjidhet nga Fuqitë e Europes plakë, që e kishin ngatërruar me kongresin e Berlinit, në këtë kohë kur edhe pushtuesi turko-osman ishte ligështuar si mos me keq, dhe nuk ishte në gjendje të mbrojë trojet që mbante të pushtuara prej shekujsh..
PROTESTA E KOMITETIT TË SHKODRËS , DREJTUAR KOSUJVE TË FRANCËS, AUSTROHUNGARISË, ANGLISË E ITALISË ME REZIDENCË NË SHKODËR.
SHKODËR, 18 MAJ 1880 : “…Ne shqiptarët, besojmë plotesisht se marrëveshja per lëshimin territorial (për dhënien e Hotit e Grudës Malit Zi) , e cila shkelë keq të drejtat tona të shenjta dhe që është burim për një konflikt të menjëhershem e të pergjakshëm , të padenjë për kohë edhe më pak të qytetruara, do të jetë bërë në mënyrë të pavullnetshme nga qeveria osmane dhe nuk ka qënë kundërshtuar nga fuqitë ndermjetëse , sepse ka mundësi të kenë qënë keqinformuar për ndjejat që frymëzojnë këta popuj, aspiratat e të cilëve synojnë të ruajnë integritetin e vendit dhe karakterin e tyre kombëtar , që tash katër shekuj nuk e kanë ndryshuar kurrë. Shqipëria, atdheu ynë i dashur dhe i pafat , i cili ka shkruar faqe të lavdishme në historinë e kombeve , nuk do as të shitet e as të shkëmbehet, dhe as nuk do të durojë kurrë një pushtim të huaj dhe aq më tepër atë sllav, sepse ndryshojmë shumë prej sllavëve per nga kombësia , gjuha , karakteri , zakonet , veshjet dhe traditat. Ne nuk dëshirojmë tjetër veçse të jemi shqiptar, nuk duam veçse tërsinë e vendit tonë , të atdheut tonë , që sikundër për ne është i dashur për të gjithë popujt e qytetruar të botës , të cilëve u lutemi , duke i bërë thirrje drejtësisë tyre , dhe duke kërkuar të kuptojnë fatin e rëndë që na kërcënon , të mos lejojnë të bëhet mbi kurrizin tonë një poshtersi kaq e madhe. Ky ka qënë dhe është qellimi ynë i shenjtë. Ndjeja , frika se mos po humbet kombësia, që kur u mor vesh lajmi i zi i lëshimit të trojeve të Hotit e Grudes, i gjithë populli i Shqipërisë ,me një unanimitet si kurrë ndonjeherë ,vendosën më mirë të pranojnë vdekjen, për të cilen janë përgaditur , sesa t’i lëshojnë edhe një pellembë tokë qeverisë malazeze. Ky vendim u zbatua në fakt, sepse 10 mijë luftëtarë u bashkuan si një trup i vetëm dhe u gjetën në krye të një jave të rrjeshtuar ndër kufijtë , për të ndaluar vershimin që armiku u perpoq të bënte me forcën e armëve , dhe me një numër të madh ushtarësh , të cilët akoma po kërcenojnë tek portat tona. Ne , është mirë ta përsërisim atë që ka qënë thënë në manifestin e parë të bërë nga krerët e Hotit e të Grudes (me 21 shtator 1879 N.B.) ; nuk kemi ndërmend tjetër veçse t’i përmbahemi , rreptësisht traktatit të Berlinit dhe të qendrojmë vetëm në mbrojtje , sepse siç nuk duam të pushtohemi prej të tjerve, nuk duam të bëhemi pushtues. Por siç po ndodh kundër çdo qellimi të mirë tonit , kjo gjendje e paqëndrueshme dhe e pavendosur e punëve nuk mund të zgjasë më shumë, qoftë sepse Shqipëria , duke pasur parasysh gjendjen kritike ekonomike në të cilën rënkon nuk është në gjendje të mbajë për shumë kohë një ushtri, qoftë sepse per shkak të qëndrimit kërcënues që vazhdon të mbajë kundër nesh Mali i Zi , kombi nuk mund të përmbahet më pa e bërë të sigurt tersinë e vet kombëtare ; kështu që për çdo ngjarje ose për një përleshje të përgjakshme, përgjegjësia le të bjerë mbi qeverinë malazeze , që është shkaktarja e drejtë-perdrejtë e kësaj pune, mbasi kerkon t’i leshohet një territor që nuk është i saj dhe që nuk i perket sipas të drejtës së kombësisë. Duke parashtruar sa u tha më lartë , u lutemi nxehtësisht , zoterinjëve konsuj (të Francës , Austrohungarisë , Anglisë e Italisë N.B.) që kanë qënderim këtu (në Shkodër) të marrin shënim për vendosmerinë tonë dhe t’ua njoftojnë sa më parë fuqive që ata kaq denjesisht perfaqesojnë . Ne shpresojmë në mënyrë të patundur se ato do ta marrin parasysh si duhet, dhe për të sqaruar mbi gjendjen e vertet të çeshtjes , jo vetem do të pengojnë derdhjen e gjakut shqiptare , që do ti therrasë hakmarrjes qiellit dhe të gjithë botës , por do të marrin masa që edhe Shqipërisë të mos i mohohet dhe t’i njihen ato të drejta që për të gjithë popujt e tjerë kanë qënë të respektuara në menyren dhe formen më të mirë. Me kaq , të nënshkruarit , antarë të Komitetit Shqiptar kanë nderin të tregohen me nderim të thellë..:
Daut Shukri efendiu , Selim Reçaj Efendiu , Sulejman beu , Haxhi Haki , Ahmet agë Çoba , E’them agë Kazazi , Hasan beu , Brahim efendiu , Haxhi Hysejn Drishti , Muhamet Bektashi , Ahmet Haxhi , Ademi , Sali agë Doçi , Nikoll Gjush Serreqi , Simon Simoni , Mark Naraçi , Gjon Muzhani ,Filip Suma dhe Andon Shiroka . Në mbrojtje të Hotit dhe Grudës , pranë degës të lidhjes Prizrenit Shkodër ishte formuar shtabi ushtarak të cilin e kryesonte koloneli i karierës Hodo Sokoli … ndërsa nga Malesia bënin pjesë nga Hoti , Dedë Gjon Luli (që ishte edhe zevendëskomandanti i ushtrisë vullnetare) dhe Ismail Marku , nga Gruda Smajl Martini e Baca Kurti , nga Kelmendi Nikë Lekë Pepa dhe Ujk Gila , kurse nga Kastrati Shaban Elezi dhe Gjon Deda…
Siç shihet të gjithë antarët e Komitetit të lidhjes Shqiptare (Shkodër) ishin në unanimitet të plotë per tu dalur zot trojeve shqiptare , si ata të besimit musliman, dhe ata të besimit katolik , gjë e cila shfuqizon ndonjë tendencë që kerkonte t’a paraqesë Lidhjen e Prizrenit apo, Degen e saj në Shkodër (me emrin Komitet…) si organizëm të krijuar nga perandoria turke-osmane për qellimet e saja, kur në fakte ishte krijuar nga shqiptarët patriot pa dallime krahine , feje dhe ideje , por me një qellim të shenjtë , mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga “klyshët” e Rusisë në Ballkan (serbo-malazezët).. Edhe pse shqiptarët në ato kohë kishin pak miq e shumë armiq me luftën e tyre me pendë e pushkë bënë të mundur të mos ndodhte krejt ashtu siç ishte planifikuar zi e ma zi për shumë troje shqiptare që edhe sot një pjesë e këtyre trojeve vuajnë padrejtësinë e atyre kohëve të Europës plakë, që kishte forcën por jo të drejten…
REFERENCAT : 1.Akte te Rilindjes Kombetare Shqiptare 1878 – 1912 , faqe 100-101 , perg.nga Stefanaq Pollo dhe Selami Pulaha, botim i Akademise se Shkencave…Instituti i Historise (1978 ).
2.Mr.Gjergj Nikprelaj, Dedë Gjo’Luli, mbrojtës i trojeve shqiptare, në një cep të Ilirisë, fq.85, perg. për botim dhe redaktua nga Anton Kolë Berishaj, Art Club, Ulqin 2007.
3.Xhafer Belegu “Lidhja e Prizrenit” fq.89-91, Tiranë 1939.