Sot është 15 dhjetor, një datë e trishtë që na kujton ikjen e parakohshme te njerit prej kolosve të shqiptarizmit, zbulonjësit të Flamurit të Skënderbeut, kryelëronjësit dhe ustait të gjuhës Shqipe, diplomatit, eseistit, ikones FAIK KONICA.Po si, në c’rrethana u shua kolosi? Le të shfletojmë librin e Ilir Ikonomit “Faik Konica, Jeta ne Uashington” , i cili e ka përshkruar kështu ikjen e Faikut: Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.
Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar….
FAN S. NOLI PER KONICEN
… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.
Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën.
Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjest mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.
Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.
Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.
Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.
Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kishte parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.
Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.
Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.
Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.
Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.
Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.
Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.
Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.
Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.
Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.
Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.
Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.
***
Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte….
Që më 1897, Konica 21 vjeçar iu drejtua me thirrje zemre “shqiptarëve mëmëdhe-dëshërimtarë për t’u mbledhur rreth e rrotull flamurit tonë”. Shumë herë ngjeu penën për bëmat dhe në bëmat skënderbejane, që shkëlqyen në Europë nën flamurin kastriotas, me emrin e Albanisë, emër me të cilin ai pagëzoi revistën e tij. Solli në ballinen e kësaj kryevepre emblemën me shqiponjë të Skënderbeut, vargjet e popullit për Kryetrimin, si dhe vargjet e veta e të rilindësve për atë që u quajt “Dragoi i Shqipërisë”, “Babai i Kombit”, “Mbreti i Shqiptarëve”. Vuri në qendër të prozës poetike Mrikën 17 vjeçare, “me leshrat që i derdheshin gjer në vithe të kalit” dhe që mbrojti Skënderbeun në shesh të betejës me gjoksin e saj të njomë shpuar tejpërtej nga shigjetë e turkut. E shenjtëroi vashën luftëtare shqiptare si gruan e thjeshtë të popullit francez me gjoksin zbuluar majë barrikadës në tablonë e Delacroix “Liria udhëheq popullin”. Solli Shegën, “Lulen e Maleve”, “Perëndeshën e luftës”, siç thotë, atë zanë e Dianë shqiptare që ra edhe ajo në shesh të betejës, kur plumbi i halldupit “i prekojti siskën e rrumbullakët dhe ndoti me të kuq bardhësinë e saj”. Dhe, pas Mamicës e Vojsavës në lot për vdekjen e Kryetrimit dhe rënien e Krujës, pas “Vajtimit për robëri të shqiptarëve” ringjalli në Kujtesën e Kombit – si një Feniks që rilind nga hiri çdo pesëqind vjet – edhe vetë Kryeheroin, atë vit fatlum 1912 kur, me emrin dhe “Flamurin e tij të kuq dhe shqiponjë të zezë dykrenare”, dha kushtrimin final për t’u dhënë turqve dërrmën e fundit dhe kur shqiptarët, “duke parë atë flamur, të cilin nuk e kishin harruar, i faleshin me gaz edhe e prisnin si fytyrën e gjallë të çlirimit”.
Më 1899, Konica thuri me vargje klasike poezinë “Flamuri”. Që në strofat e para dy-vargëshe, që shquhen për ritmikë luftarake, si një marsh i vërtetë, ai e sheh simbolin flamur të lidhur fort me emrin e Skënderbeut, burim frymëzimi shpirtëror për shqiptarët: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte, / Ish e fortë ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë, / Një shqiponjë me dy krerë, / Ai lirisht hapej n’ erë “…
***
POEZI NGA FAIK KONICA
FITOVA MOJ ZEMBËR
Fitova, fitova, fitova, fitova, moj zembër
Ah mos derth më lot ah mos derth më lot
Nga zgjedhë e dashurisë shpëtova sot.
I flaktë i verbër gjer sot un’ i gjori,
E desha diallushen lumi mënt më mori,
Remës marësisht i shkoj tani koha,
Zjarri i dashurisë mu shua shpëtova.
Kur buz’ e saj qeshte zembra ndizej,
Vështronjam pshertinja nga malli dot s’flisnje,
Tani ësht’ i thyer zinxhiri mërzitshmë,
Që më mbante lidhur posi skllav të frikshm.
DRIT’ E SHPIRTIT TIM
Drit’ e Shpirtit t’im,
Ki pakëz besim:
Se pa ty s’roj dot,
Jeta është kot.
Unë i mjeri heq,
Zëmra më rënkon:
Si s’të vjen keq,
Pse më mundon?
NJË TË DASHUR KUSH KA GJETUR
Një të dashur kush ka gjetur,
Q’është e besës dhe e drejtë
Le ta puthë le ta dojë,
Jetën le t’ja ëmbëlsojë,
Dhe me lule le t’ja shtrojë.
Po besnike që të jetë,
Në kafas duhet ta ketë,
Djallushet kur ndrojnë erë,
Ju pëlqen nga no njëherë,
Të shijojnë tjatër verë.
Kur veçan Hëna kadritë,
Miq, i hapni mirë sytë,
Se bandilli përgjon çastin,
Vogëloshes i jep rastin,
Hap edhe zbraz kafazin.
FLAMURI
Skënderbeu kur jetonte
Shqipëria lulëzonte.
Ishe e fortë, ish e zonjë
Kish në flamur një shqiponjë
Një shqiponjë me dy krerë
Ai lirisht hapej në erë.
Kur armiku na vërvitej
Flamuri i kombit ngrihej
Gjëmonin një mij trumbeta
Suleshin treqindmij veta.
Derdhji ngjakun si të marrë
Që të mbaheshin Shqipëtarë.
Derdhjin gjakun pa peshuar
Për flamunrin e bekuar.
Po trimatshkuanpërjetë,
Shqipëriambet e shkretë
Trimat shkuan edhe vanë
Kordhët po ndryshken mënjanë.
Kordhët ndryshkën e në baltë
Na ra flamuri i naltë!
Na raflamuri i naltë
Mbeti e u kalb në baltë!
Sot kan dalë ca zuzarë
Që ulërti në shqipëtarë,
Po këtë emër e lanë
U bashkuan me aganë
E punojnë nat’ e ditë
Që të mbtemi pa dritë,
O zuzar, o tradhëtorë
Ne na bëjtit shërbëtorë,
Na e vuatli të lirinë
E na shkel të Shqipërinë.
Rrëmbyet e po rrëmbeni
Gjith se ç’patmë e se ç’kemi!
Po mjaft! Koha ësht afër,
Kur të ndizet luft’e ashpër,
Lufta tri her’e bekuar
Qëna ka për të shpëtuar,
Jo luftë kundrë Turqisë,
Jo kundrë mbretit Shqipërisë,
Po luftë për ca zuzarë
Që u lind në shqipëtarë
E, armiq të Shqipërisë,
I fryj në dritës së lirisë,
S’na lënë dhe ne të tjerët,
T’dalim nga gjum’i errët,
Po ç’dëgjoj në ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë
Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash!
Ngrehuni, o shqipëtarë,
T’i shtypim këta zuzarë!
(1899)
KUSHTRIMI OSE MARSEJEZA E SHQIPËTARËVE
Përpara djemtë e Shqipërisë
Zëri i kushtrimit po gjëmon!
Kundër nesh i mizorisë
I ndryri Flamur po valon!
Malet tona po ushtojnë.
Nga bërtimet e nizamit:
Egërsirat Ju kërkojnë
Nder’ e gruas, gjaknë e djalit!
Burra, kush është trim,
Në luftim me nxitim,
Me hov, me hov!
Bini me tërbim!
Armikut për shpërblim.
II
Ç’kanë me ne këta barbarë
Shtazë në shpirt e në turi?
Hapni sytë o shqipëtar,
Shikoni hekurat gati,
Qafën kujt duan t’i vënë
Nën zgjedhë, e nën kërbaç.
E turp i tmerrshëm i pa dhënë
Shkabën ta ngasim si margaç!
Topi buçet, pushkët p’ushtojnë
Plagë, me plumb, vdekje dhe zjarr.
Trumbetat ndizen dhe çfryjnë!
Yt fat po lozet,
Komb Shqipëtar.
Që nga Janina
E gjer në Shkodër,
Burrë dhe grua,
Foshnje dhe plak,
Çdo lum e përrua
Çdo shesh e kodër,
Po rrjedhin lot
Po rrjedhin gjak.
Burra, kush është trim.
Dridhuni ujq të Mongolisë,
Dhe ju shqiptar për mallkim
Që ç’panë sytë e Shqipërisë
Ah, dridhuni se s’ka shpëtim!
Çdo krah do ngrihet të ju bjerë
Dhe këta trima po të mbeten,
Vend’ ynë pjell trima të tjerë
Gati të ngrihen të ju dridhen
Burra kush është trim
Zemrohuni një herë
Mprihni kordhën për të prerë
Mprihni kordhë e mprihni pallë
Të ju ndritin yj në ballë.
Flamur të ngrini në erë
Me shqiponjën me dy krerë.
Dhe në vend ‘ tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!
VAJTIM PËR ROBËRI TË SHQIPTARËVET
O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!
Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.
As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.
As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?
Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.
Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!
O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,
Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,
E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!
(1901)
ANADOLLAKU NË MESALLE
Ka ndenjur si një ka
Po ha edhe po ha,
Shembet me pilaf,
Fruhet me hoshaf;
S`ka kohë të flasë
Hedhe sa të pëlcasë:
Llop një bakllava,
Llop një hallva,
Llop një revani,
Llop muhalebi.
Therret:-Hiç je medum!
– O burra, bre dudum!
Kërkon një syltjaç,
Porosit një kulaç,
Rrëmben një bugaçe,
– Të rrëmbec një kapaçe!
Të tërë për një darkë,
Të tëra në një barkë!
Kur lodhet sa ngjinjet,
Pushon e shtrihet
Shtrihet dudumi
Dhe na e zë gjumi.
Nesër kur të zgjohet
E, me “bismil-lah”,
Prapë pilaf
E prap hoshaf.
“Qebap boll-boll
Koxha Anadoll!”
More dudum kokëkungull
Gojëbuall e barkrrumbull
Thuamë, të rëntë pika!
Ç`të duhet ty politika?
Hiq, more dudum dore, hajde
Të të kllasëm në një kade
Plot me mjalt`e me reçel
Ha pi e kurrë mos del.
(1901)
HELENA E TROJËS
Në Trojë, nga maja e një kullë të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
Poshtë nënë muret luftën që luftonMenella syzi me Parin flokëartë..
Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndërron
e stolisur si ditën që hipi në fron
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.
Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
Goditën me sulm për të mundur a për të vdekur
Gjëmojnë duke çuar zërin në qiell.
Gjaku u ka hyrë faqe dhe duar
Kordhë me kordhë hekuri me hekur
Përpiqen, tringëllojnë, shkëlqejnë në diell.