Nga Dalip Greca/
Sot është Ditëlindja e Gazetës “Dielli”, e të vetmes Gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në SHBA. Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndricoi Dielli i shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drjetohej nga : Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka, Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, ish pleq. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi.
Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program gazetë, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Studiuesit që janë marrë me studimin e atij programi janë në ndarë në pikpamjen se kush ishte autori që e kishte shkruar; një pjesë këmbëngulin se autori ishet Fan S. Noli, një pjesë tjetër kanë mendimin se atë e ka shkruar Faik Konica, por ata bashkohen në vlerësimin dhe rëndësinë, duke e cilësuar si dokument historik që i parapriu Lëvizjes kombëtare në SHBA. Vetë gazeta Dielli tek e komentonte programin e vet në numrin e 50 vjetorit, e cilësonte kështu:(“Dielli, Shkëmbi i patundur i Rilindjes Kombëtare”. Ndërsa menaxheri i parë i Diellit, George Konda(Gjoleka), shkruante:”Programi i Diellit është një dokument hostorik; një trumbetë që ftonte emigrantin shqiptar analfabet të armatoseshin dhe të shpëtojnë vendin nga robëri e huaj…Autori i programit nuk i përtyp fjalët, ..S’është njeri memec. S’ka frikë. Nuk iu drodh dora kur e shkroi. Nuk iu tremb syri. Vuri në kartë ato që i ndjente zemra dhe shpirti i tij.”. Sipas Gjolekës autor i këtij programi ishte “Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por guxojë të kërkojë një Shqipëri për Shqiptarët”.
Në numrin e vet të parë me 15 shkurt 1909, Dielli e shpallte publikisht:Kryefjala jonë është’SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT”. Në programin e vet Dielli kërkonte:Njohjen e kombësisë shqiptare prej qeverisë Turke. Në kombësinë Shqiptare hyjnë të gjithë ata që flasin shqip, pa vënë re cfare besimi, shkruante gazeta. Dielli kërkonte njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Në gjykatoret dhe sundimoret e vendit të përdoret vetëm gjuha shqipe. As një gjykatës apo sundimtar që nuk e njeh gjuhën shqipe, nuk mund të punonte në këto institucione. E njëjta gjë vlente edhe për drjetuesit e feve.
Dielli kërkonte Arsim Kombëtar Shqiptar, shkolla për djem e për vajza vetëm në gjuhën shqipe. Mësuesit të mos ishin fetarë, por të shkolluar në shkolla profesionale. Të merrej si model shkolla amerikane, ku nuk bëhen mësime fetare në shkollat fillore. Po ashtu kërkohej zhvillimi i arsimit professional , shkolla bujqësore, mjeshtrije etj. Programi i Diellit kërkonte zhvillim ekonomik Kombëtar,po ashtu kërkohej që të shkoqiteshin kufijtë e Shqipërisë. Në programin e vet me 15 Shkurt 1909, e shihet Shqipërinë autonome, që kishet të përbashkët me Turqinë vetëm ushtrinë, punët e luftës dhe punët e Jashtme. Gjithcka tjetër ishte në dorën e shqiptarëve.
Kur festohej 50 vjetori i gazetës Dielli, me 24 gusht 1959, editori i parë , Fan Noli, u deklaroi vatranëve: “Kur themeluam Diellin me 15 të shkurtit 1909, nuk besonim që Turqia do shkonte nga Ballkani aq shpejt, ndonëse e dinim që ditët i kishte të shkurtëra, pranadaj për atë shkak, në programin e Diellit, kërkonim nga Turqia, pikat maksimume, por jo ckëputje prej saj. Kërkonim shkolla në gjuhën tonë, kërkonim kufi të caktuara me katër vilajetet: Kosovën, Shkodrën, Janinën dhe Manastirin brenda, dhe më në fund shtonim në program-Shqipëria të mos ketë gjë të përbashkët me Turqinë, vec ushtrinë, punët e jashtme dhe punët e luftës…Sot 50 vjet më vonë, gëzojmë një Shqipëri indipendente, por jo një shtet me katër vilajetet sikundër e dëshironim neve asi kohe.Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të Vatrës dhe Diellit, duhet të jemi kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam Kishën Kombëtare, botuam libra me rëndësi letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit muntëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli.
Në mbyllje të fjalës së tij Imzot Noli uronte”Urojmë me gjithë zemër që Dielli, gazetë e parë në gjuhën shqipe , që u botua e përditme,të arrinjë të festonjë dhe njëqind vjecarin.100 vjecarin e uruar nga Noli, Dielli u ringjall, pas dy vite e gjysëm mosbotim, dhe organizoi një festim madhështor në një nga Universitetet e New York-ut, në Monroe College, që nga ajo ditë Dielli shënoi ringjallje me kontribute të vatranëve, duan apo nuk duan skeptikët ta pranojnë këtë fakt. Sot ai feston ditëlindjen e 108-të.
Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 Shkurt 1909 dhe është mbajtë ndezë deri më sot. 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.Ftesa që Shoqata Besa-Besën i dërgoi Faikut për të ardhë në SHBA dhe për të drejtuar Gazetën Dielli, ishte një gjetje e shkëlqyer për fatet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në SHBA, ishte dhe një fat për Diellin.Ditën, muajin, vitin, që ishte mbyllë mbyllë “Albania” e Faik Konicës, 15 Shkurt 1909, nisi ndricimi i Diellit në SHBA. Pa u mbushur një muaj nga botimi, më 14 Mars 1909, Shoqëria Besa-Besën, organ i së cilës ishte Dielli, mbajti mbledhjen në Labor Hall, Boston,për të zgjidhur zyrtarët e vitit dhe për të biseduar mbarëvajtjen e Gazetës “Dielli”. Nga rekordet e para 107 vitesh na vijnë detajet e asaj mbledhjeje, që u hap në orën 2 e 30 pasdreke me një fjalë të shkurtër prej At Fan S. Nolit, i cili tregoi shkurtazi qëllimet e asaj mbledhjeje. Pas tij folën Kristo Kirka, Nik Poçi, Efthim Naum dhe George Konda Gjoleka. Në këtë mbledhje u lexuan letrat e ardhura për Besa -Besën nga Shoqëria”Mall’ i Mëmëdheut”, James Toën NY, dhe prej disa individëve nga Sant Louis, Mo, dhe Hudsson, MA. Zyrtarë për atë vit, Besa-Besën zgjodhi: Koli Kristofor-arkëtar; Kristo Kirka- Shkronjës,Menaxher i Gazetës- George Konda Gjoleka, ndërsa Goni Adams, plak.Pikërisht në atë mbledhje u propozua nga komisioni i ri që të thirrej si drejtor i gazetës “Dielli” Faik Bej Konica, ish drejtor i Albanias, revistë që ishte mbyllë në të njëjtën ditë që nisi Dielli të ndritë. Propozimi u prit me të thirrura të përbashkëta:”Rroftë Shqipëria”; “Rroftë”Dielli”! “Rroftë Faik Bej Konitza”!
Ky njoftim u publikua nga gazeta Dielli me 23 Mars 1909. U deshën diçka më shumë se 7 muaj që Faik Bej Konica të mbërrinte në Boston. Udhëtimi i tij me anijen Ivernia, kishte nisë nga Londra. Natyrisht që pas gjithë këtij skenari, ishte Imzot Noli, i cili atë ditë të 9 tetorit 1909, kishte dalë vetë ta priste. Dielli shkroi në numrin e tij të 15 tetorit 1909:” Vapori Ivernia arriu me 9 e 30 minuta dhe një gjysëm orë më vonë dolli jashtë atdhetari ynë i shkëlqyer i veshur me kostumin kombëtar të Shqipërisë… Menjëherë e rrethuan korrespondentët e gazetave të Boston-it, dhe dikush e merrte në fotografi, dikush e pyeste për çështjen shqiptare…. Dielli vijon shkrimin: Pasi shpëtoi prej duarëve të tyre u poq me shqiptarët që e prisnin, dhe me një karroçë ardhë në Hotel “Ylli i Shqipërisë”, ku u poq me shqiptarët e tjerë. Por as këtu nuk e lanë të qetë reporterët. Faik Konica i çkoqiti gjërë e gjatë çështjen shqiptare një korrespondenti të Gazetës”Herald”, i cili i mori dhe 3-4 fotografi të tjera me kostumin Toskërisht…..Numri 30 i Diellit, që u printua me 22 Tetor 1909, doli nën drejtimin e Faik Konicës Editor, dhe George Konda menaxher. Faik Konica, edhe pse punoi vetëm 6 muaj, ai e futi Diellin në shinta e një gazete serioze.
Konica i dha Diellit ndriçimin e shpirtit të tij dhe në shtyllat e gazetës hodhi farën edukimit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës, pjesa më e madhe e të cilëve ishte e paarsimuar. Nën editimin e Konicës, përsa kohë Gazeta ishte pronë e shoqërisë Besa-Besë, dolën 47 numra të Diellit. Faiku përmes Diellit çoi më tej punën kombëtare dhe letrare të Albanisë. Ai nisi të botonte aty edhe vepra letrare siç ndodhi në numrin e shkurtit 1910 botimi i komedisë me një akt”Tregtari i Vlorës”, një përshtatje në shqip. Po në atë numër ai pat paralajmëruar se do të botonte edhe një libër me pjesë letrare, vjersha, kallzime, përralla me autor atë vetë, madje jepej dhe titulli i përmbledhjes”Kondili i Kuq”. Vepra nuk u botua. Kur gazeta mbushi vitin e parë, Faiku shkroi artikullin”Moti i parë”. Ky shkrim u botua në Diellin e 11 shkurtit 1910. Shkëpusim një fargment nga ky artikull: Me këtë numër Dielli mbush motin e paër të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga nonjë herë, rri mbi një gur dhe ehdh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci, dhe ç’mbaroi gjer atje. Ashtu edhe ne do të marrim force të re duke shikuar punët që bëmë gjer sot…”
Editori Konitza falenderon shoqërinë Besa-Besën,dhe bashkëpunëtorët më këto fjalë:”Kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj(Kristo Kirka), pleqësisë së nxehtë kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra…Dreqtor i DIELLIT mbush një detyrë të veçantë duke rërfyer se sa i çmon mundimet e të dashurit atdhetar, Z. G. Konda Gjoleka, i cili ka marrë përsipër sundimin e gazetës. Dhe s’mund të heshtim emrat e Z. Eftim Natsi, i cili nga atdhesia ka marrë gjurmët e të dy vëllezërve të njohur të tij, si dhe Z. Ilo Zografi. Në vende të tjera, mundet që shtypografët të vështrohen si punëtorë; po, në Përlindjen Shqiptare, roli i tyre është me rëndësi, se bashkëpunojnë për zgjimin e një Kombi. Zyra e Diellit u shtua që nga ca kohë me një sekretar, Z. Vani Çekani, puna e të cilit na solli shumë dobi dhe pemë.”
Artikulli i Konicës përfundon me urimin: “Shprehim që Dielli të gëzojë për shumë vjet të kremten e mot-motit të tij!”…
Pakush e kishte menduar se në motmotin e parë të gazetës Konica do të divorcohej përkohësisht nga Dielli.Nuk kaluan më shumë se 2 javë,nga artikulli me frymë optimiste shkruar nga vetë Editori me rastin e përvjetorit, kur më 25 shkurt Faik Konitza , i dërgoi Pleqësisë së Shoqërisë Besa-Besën një letër, ku njoftonte dorëheqjen e tij si Editor i Diellit. Përse? Përgjigjia ka mbetë enigmë…
Editori jetëgjatë i Diellit, për gati dy dekada, Qerim Panariti,një ndër kundërshtarët e rreptë të Faik Konicës, por që i dha dritë librit të mbetur përgjysëm të Faikut “Shqipëria-kopështi shkëmbor i Evropës Juglindore”, shkruan se Konica u grind me bashkëpunëtorët dhe pas 6 muajësh e la gazetën dhe iku…
Vetë Faiku nuk e jep motivin e ikjes. Veçse në letrën e tij të shkurtër informuse të 25 shkurtit 1910, nuk mund të shquash zemrim:”Është e tepër të shtoj që e quaj detyrë të mbajë vendin tim në gazetë derisa të zgjidhet dhe të vijë dreqtori i ri. Kam shpresë që me kohë gazeta të rritet dhe të forcohet shumë.Gjith’ atdhetarët e vërtetë do t’i ndihin dhe do t’a mprojnë. Vetëm të vaktit do të marrin shkak që të hiqen mënjanë.” Komisioni Besa-Besën e drejtoi Diellin pa Editor nga 25 Marsi deri në 29 prill 1910. Faik Konitza e editoi sërish për pak kohë 6 Maj-1 Korrik 1910(për kureshtarët që duan detaje, sqarojmë se ky numër i fundit i edituar nga Faik Konica,doli vetëm me 2 faqe). Nga 1 Korriku gjer Tetor 1910, Dielli u mbyll. Fan Noli e vijoi punën e editorit nga nga 7 Tetor 1910 gjer më 7 Korrik 1911, punë që e vijoi Eftim Natasi nga 13 Korriku deri 14 Shtator 1911, kohë kur do të vinte Kristo Floqi.
Po çfarë ndodhi me Faikun? Duket se fjalët e Panaritit nuk ishin fare pa bazë. Konica krijoi një fletore të përjavshme tjetër në Sent-Luis me titullin”Trumpeta e Krujës”, që nisi të dalë në gjuhën shqipe, faqja e katër ishte anglisht. Numrin e parë e publikoi me 20 mars 1911. Qëndrimi i tij politik është më i ashpër se sa tek Dielli tek deklaron:”Unë jam një separatist politikisht, intelektualisht dhe moralisht. Kjo do të thotë se dëshiroj që të shkëputet çfarëdo lidhje ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, të zhduken sa të jetë e mundur të gjitha pasojat e pushtimit…”
Tek “Trumpeta e Krujës” ai botoi poezi lirike, por edhe me thekse politike siç ishte”Flamuri”, që ishte botuar më 1899 tek “Albania”. Në numrin e tretë të Trumpetës botoi një himn marcial sipas metrikës së “La Marseillaise”, titulluar ‘Kushtrimi”. Mendoj se Kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1911 kanë pasë ndikimin e vet në krijimet kushtrimore te Konicës në Trumpeta e Krujës. Ai shkruan në faqet e Trumpetës se shqiptarët e Amerikës i kanë kërkuar atij dhe Nolit që të shkojnë tek malësorët e t’I ndihin. Veç kësaj Faiku evokon bëma trimërore të Isa Boletinit me trimat e tij…Profesor Jup Kastrati shkruan se nga nëntori i vitit 1913 deri në prill 1914, Faiku vazhdoi at botojë fletoren e tij”Trumbeta e Krujës”, por kësaj radhe në Durrës, dhe pas dy numrash ia ndërroi emrin në “Ushtimi i Krujës”, e cila u drejtua fillimisht nga Konica, më pas nga Leonidha Naçe, e më në fund nga Josif Bageri.
Në shtyllat e Diellit pena e Konicës e bëri Diellin një gazetë me ndikim në botën shqiptare. Siç konstatonte Namik Resuli:Faik Konica ishte një publicist shumë i dëgjuar; gazetari e politikani më i adhuruar, por edhe më i urrejturi në Shqipëri, polemisti dhe satiriku më i fortë, më i rreptë, e më i drejtuar, por është njëkohësisht edhe shkrimtari e prozatori më i mirë, më i madh e më tërheqës i toskëve. Në kolonat e Diellit, edhe pse më pak se ç’pritej, Faik Konica solli prozë brilante. Proza e Faikut është e këndshme, e limuar, e thjeshtë, fort e rrjedhshme. Ajo zbret në zemër të lexuesit si nektari i perëndive që deh dhe ngreh shpirtin në një botë tjetër, në një botë bukurish të pasosura…
Ajo ç’ka e veçon penën e Faikut është polemika: ai ishte një polemist i rrallë- çdo gjë që ai shkroi si polemist zemroi qindra këndonjës për gjërat që thoshte por të gjithëve ua mbylli gojën për mënyrën e zotësinë e aftësisë së të shprehurit, e mënyrës se si i rëndiste fjalët dhe idetë.
Ka dhe një kuriozitet për Diellin,ku festoi përvjetorin e parë : Guverna turke e ndaloi hyrjen e tij lirisht në Turqi. Korrespondenti i Diellit në Stamboll, me pseudonimin”Liridashësi”, shkruan:”Sot pa gdhirë mirë: gazetat turqisht çpallën me bujë të veçantë ndalimin e hyrjes në Turqi të gazetës Arnautçe(Shqip) që del në Shimali(veri) Amerika….Nga 20 Qershori 1910, Dielli nisi të botohej me dy emra”Dielli dhe Flamuri”. Emri i dytë iu shtua që të hynte lirisht në Perandorine Otomane. “Flamuri” iu hoq gazetës me 28 Shtator 1911, kur Turqia hoqi ndalimin e hyrjes në vendet e PerandorisV. Ata ditë Dielli shkroi:” O vëllezërit t’anë të Shqipërisë, priteni krahapur këtë mik të vjetër që vjen përsëri sheshit t’ju bëjë vizitë. Vjen nga një vent i largmë, nga një botë tjatër, dhe nëqoftë se vjen i lodhur mos u cuditni, se udha është e gjatë dhe e mërzitshme. JU sjell një barrë përgëzimesh nga dyzet mijë shqiptarë të Amerikës, që vuajnë, që dëshirojnë, që shprehin…”
Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj. Poeti dhe studiuesi Anton Cefa që e drejtoi Diellin nga viti 1994 deri në vitin 2009(në fakt Dielli nuk u publikua nga mesi i vitit 2006 deri në shtator 2009), i dha Diellit një fizionomi të re duke i dhënë përparësi Letërsisë dhe studimeve, por pa e shmangur nga misioni si zëdhënës i Vatrës. Fryma kombëtare mbeti e shenjtë për Diellin e Vatrës.
Prej 8 vitesh Dielli drejtohet nga K/Redaktori Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në Online, ndërkohë që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.
Gazeta”Dielli” është regjistri më i vjetër i Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e pashkolluar të Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombit Shqiptar. Dielli është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50.
Dielli ka merita të mëdha edhe në fushën e Letërsisë dhe Kritikës Letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta”Dielli” mbetet zëdhënsja dhe misionarja më e respektuar dhe më e cmuar e shqiptarizmit në SHBA.
Dielli u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt Atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj Atdheut.Diktatura komuniste u përpoq ta shuante Diellin, por nuk ia arriti, edhe pse i pushkatoi apo i burgosi disa nga editoret dhe menaxheret e saj si: Bahri Omari, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Aqif Përmeti, Aqile Tasi e të tjerë.
Vatra dhe Gazeat e saj “Dielli” përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja Kombëtare. Kanë thënë shpesh se Dielli dhe Vatra do të shuheshin, por jo, ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekulline dytë.Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm(ka shkruar Peter r. Prifti).Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë.(Specialen e plote do ta lexoni ne Diellin e printuar)
Asllan Bushati says
E uroj Gazeten “Dielli” ne diten e 108 te lindjes qe te kete jete sa me te gjate. Uroj shkruesit e numurit te pare deri tek i fundit, editorine pare deri tek editori i sotem Zoti Dalip Greca. Uroj qe “Dielli” te kethehet ne nje tribune te mendimit perparuar kombetar dhe te jete deshmitar i realizimit te enderres se vatraneve dhe gjithe shqiptareve:”Bashkimi ne nje shtet te veten i gjithe trojeve shqiptare”. Urimet me te mira Dielli yne. Brezat qe do te vijne te lexofshin me endje edhe ne 3017, 4017 e pse jo edhe ne 5017.
Sadik Elshani says
Gezuar! Ky “Diell” kurre mos perendofte!
Alfons Grishaj says
Lindja e gazetarise ne bote lindi si nevoje informacioni..
Dielli , lindi si informcion , por dhe si tribune thirrje per liri!
Asnje gazete ne historine e shqiperise nuk e ka lavdine dhe forcen e fjales kombetare si Dielli.
Gazetat qe erdhen pas Diellit , paten dhe kane kahje anesore dhe fitimprurese…, kurse Dielli ekziston fale
frymes se patriotizmit Vatrane .
Nje falemderim i veçante shkon per Editorin e Diellit , Dalip Greca dhe bashkepunetoret e tij.
Urime!!!
Alfons Grishaj
Alfons Grishaj says
Lindja e gazetarise ne bote lindi si nevoje informacioni..
Dielli , lindi si informcion , por dhe si tribune thirrje per liri!
Asnje gazete ne historine e shqiperise nuk e ka lavdine dhe forcen e fjales kombetare si Dielli.
Gazetat qe erdhen pas Diellit , paten dhe kane kahje anesore dhe fitimprurese…, kurse, Dielli ekziston fale
frymes se patriotizmit Vatrane .
Nje falemderim i veçante shkon per Editorin e Diellit , Dalip Greca dhe bashkepunetoret e tij.
Urime!!!
Alfons Grishaj
shefqet says
Gezuar 108 vjetorin e lindjes “Dielli” i shqiptareve.. Nderim dhe respekt per gjitha bashkepunetoret shqiptare e te huaj, qe e kane kthyer kete gazete ne nje tribune te mendimit e veprimit te shqiptarizmes dhe te tradites me te mire Rilindase..
Eshte fakt qe ne kete shekull e ca te ekzistences se saj gazeta DIELLI, ka percjelle me mire se kushdo realitetin shqiptar jo vetem ne SHBA, por ne gjithe trevat ku jetojne shqiptare. Kjo gazete historike e shqiptareve nepermjet larmise se shumellojshme te tematikave dhe zhanreve eshte bere e dashur per mijera shqiptare ne cdo cep te globit, gje qe shton pergjegjsine e stafit te saj
Ndaj le ti urojme Diellit tone te perbashket, sa me shume jetegjatesi, sa me shume shkrime te arrira, sa me shume lexues ne te ardhmen.
Shefqet Kercelli
Agim Rexhaj says
Gezuar 108 vjetori gazetes Dielli – Organ i Federates Panshqiptare te Amerikes Vatra, Gazeta e pare qe vjene nga koha e Rilindjese Kombetare dhe qe ende botohet ne New York ne SHBA.
Zoti e bekofte Gazeten DIELLI, Zoti i bekofte themeluesit e Gazetes DIELLI, Editoret dhe te gjithe bashkepuntoret dhe kontribuesit qe nga 15 – Shkurti i vitit 1909 e deri me sot.
Urime dhe falenderim Editorit te tanishem Zotit Dalip Greca qe vazhdon ta botoj Diellin regullisht nje here ne muaj ne print dhe 24 ore, shtate dite te javes, duke e pasqyruar ne faqet Online me lajme Kombetare dhe nderkombetare ,falenderim per te gjithe bashkepuntoret nga gjashte kontinentet, falenderim donatorve dhe Vatraneve, qe vullnetarisht e ndihmojne Editorin per me lajme, apo edhe ata qe i japin ndihme teknike, per bartjen nga shtypshkronja, pergatitjen per postim dhe gjithcka tjeter.
Urime!
Agim Rexhaj