*’Marrëzia që mori jetën e 4 dëshmorëve të lirisë është ende në këmbë, e kemi për detyrë ta rrëzojmë’/
*Mesazhi i Lulzim Bashës sot në 26 vjetorin e përkujtimit të 4 dëshmorëve të 2 prillit në Shkodër/
NGA LULZIM BASHA/
Dita e sotme është dita e përkujtimit dhe nderimit për katër dëshmorët e 2 Prillit, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën.
Dita e përkujtimit dhe e nderimit, për sakrificën më sublime të katër të rinjve të përjetshëm të Shkodrës, dhe 82 qytetarëve të tjerë të plagosur nga plumbat e bishës komuniste në grahmat e saj të fundit.
Por dita e sotme është edhe dita e nderimit dhe e kujtimit për Shkodrën, për çmimin e lartë që ajo gjithmonë ka ditur të paguajë për lirinë dhe për demokracinë.
Sot është dita jo vetëm t’i drejtohem Shkodrës dhe shkodranëve me mirënjohjen më të thellë që më del nga shpirti, si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës, si shqiptar e patriot, por po kështu t’i them Shkodrës dhe shkodranëve, se bashkë me dhimbjen e thellë, nderimin dhe perkujtimin, për katër heronjtë e 2 Prillit, jeni dhe duhet të jeni, jemi dhe duhet të jemi krenarë, për këtë çmim kaq të lartë që keni vendosur në altarin e lirisë dhe demokracisë.
Sepse asgjë tjetër nuk i ndan më qartë shoqëritë, në të civilizuara apo barbare, në të naltsueme apo të ulta, se sa vlera e njohjes, e dijes dhe e luftës deri në çmimin më të lartë për lirinë dhe për demokracinë.
Kjo është çka e dallon Shkodrën dhe e lartëson atë në të gjithë kapitujt e historisë sonë kombëtare.Ndaj, Shqipëria dhe shqiptarët krenohen përherë me Shkodrën. Sepse çmimi i lirisë nuk ka qenë e nuk do të jetë asnjëherë i lirë, por asnjëherë nuk do të mungojnë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e krenarisë, e forcës dhe vendosmërisë shkodrane, nga Shkodra në Vlorë, nga Durrësi në Korçë e kudo anembanë hapësirës shqiptare, të cilët do të dinë përherë të përballen për këtë vlerë të lartë pa të cilën nuk ia vlen të jetohet.
Asnjëherë nuk ka qenë më aktuale sakrifica e 2 Prillit në këto 27 vite, se sa sot. Sepse, asnjëherë nuk ka qenë më e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për të rrëzuar me votë qeverinë.
Në kushtet e një deliri që buron nga aleanca e rinovuar mes politikës dhe krimit, e rinovuar jo thjesht me krimin politik që përgjaku Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë para 26 vitësh por, e rinovuar nga aleanca e politikës me krimin e organizuar, deliri i pushtetarëve të sotëm thotë atë që nuk ia zinte goja, as diktatorit të fundit; se demokracia mundet të bëjë edhe pa opozitën, se zgjedhje mund të ketë edhe pa opozitën.
Marrëzia që shkaktoi katër dëshmorët e 2 Prillit dhe 82 qytetarëve të plagosur, nuk ka vdekur.
Themelet e demokracisë që hodhëm, nuk janë të forta. Republika që u ngrit mbi këto themele, plotësoi disa prej detyrave dhe ëndrrave të qytetarëve shqiptarë që u ngritën për liri dhe demokraci dhe të atyre që u flijuan për to, por tashmë kjo republikë e themelet e saj, janë të pamjaftueshme, për të mbajtur ngrehinën e shpresave dhe ëndrrave që burojnë nga gjoksi i shqiptarëve të emancipuar që nuk mund të pranojnë asgjë më pak se standardi europian dhe euroatlantik, duke filluar nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
E në veçanti shpresat e ëndrrat e rinisë shqiptare, në ballë të cilës qëndron me vendosmëri, me kurorën e krenarisë, rinia e Shkodrës.
Ndaj më duket e përshtatshme dhe e domosdoshme, te përsëris përpara këtij altari frymëzues që përkujton sakrificën sublime të katër dëshmorëve tanë dhe që kujton sakrificën shekullore të shkodranëve dhe të shqiptarëve për liri dhe demokraci, se sot e deri në fitoren e betejës që kemi vendosur më 18 shkurt, zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit europian dhe Republikë e Re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë.
Marrëzia duhet dhe do të marrë fund!
Shkodra dhe Shqipëria do t’i japin fund!
Amaneti i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës do të kryhet deri në fund.
Zoti e bekoftë Shkodrën!
Zoti i bekoftë dëshmorët tanë në altarin e demokracisë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!