• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

QYTETI I NDËRTUAR ME URDHËR TË PIRROS U DOGJ BRENDA NJË NATE ME URDHËR TË GJENERALIT ROMAK EMILIUS PAULLUS NË VITIN 167 PARA KRISHTIT

May 9, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia
1.
Qyteti që ndërtoi Pirro gjendet disi km më sipër ndoshta 7km në fshatrat Saraqinisht. Antigoneja është një ballkon ku në prerin tënd qëndron lugina e Drinos përballë qytetit të Gjirokastrës. Fokusi përfshinë një pamje magjepse .Rrënojat këtu qëndrojnë kohës prej fund të shekullit të 3-të dhe në fillim të shekullit të 2-të, kur mori formën e një qytet shteti dhe u kthye në një nga vendbanimet më të rëndësishme të antikitetit. Qyteti shtrihet në një kurriz të gjatë e të sheshtë të kodrës së Jermës rreth 700 metra mbi nivelin e detit, në afërsi të fshatit Saraqinishtë, përballë pamjeve të bukura të Gjirokastrës.Sipërfaqja e përgjithshme e qytetit brenda dhe jashtë mureve është rreth 90 hektarë
2.
Shetitje ne hapësirat e pamata te qytetit qe mban emrin e Mbretereshesh Antigona. Lojra sportive ne lendinat plot lule. Ushqim i shijshëm nen hijet e lisave shekullore. Uje i paster dhe i fresket nga burimet me ujë kristal te Antigonese. Shetitje me kuaj dhe bicikleta. Futboll dhe voljeboll. Birra dhe pije freskuese, qofte dhe shishqebap zgare, djathe dhe veze fshati. Kjo është një ditë pikniku në qytetin e Pirros.Antigoneja në pranverë shtrohet në një qylim masiv të gjelbër.Autobuzët,automobilat e .tjerë qëndrojnë më sipër ngase ledhet janë të mbushura kanë me rrënoja.Pllajat mërzejnë në diell i bëjnë, hije trupit të vet.Përpara se të lini pas korijet e gjelbëruara, vështrimin e fundit hedheni nga qyteti i Pirros.Duke folur për Lushin dua të them se Lushi ka ndërrmara ekspedita,dhe e ka zbukuar qytetin e Pirros me një sërë projektesh. Ndiqni ritmin e kësaj dite .Në përmbajte shfaqet e qetësuar,e zakonshme,gati e rëndomtë,mirëpo brendia e saj është plot thesare.Thesarët e kësaj bote, nuk fshihen në brendi të tokës,por rrojnë në thellësitë e shpirtërave . Kapjen e fillit,që bëri Lushi ,bënë për ti paraprirë poezisë,delli i pashfaqur ende,nuk dihej rruga, që do të ecte,traga dhe fushpamja që do të përshkonte , gjurmët nuk shiheshin qartazi,por brendia e shpirtit pluskonte lëvizje sizmike.Lushi dhe 5 shtetarë të tjerë e kthyen Antigonen në një qëndër arkeologjiek të viziztueshme.Duhet vlersuar edhe kontributi i tyre , leximi i të cilës është paraprirë nga puna dhe idet për të ndricuar një qytetërim të humbur. Pikërisht fryma e këtij njeriu plot ide.Era nuk e rrëzoi në përruan e thellë.E zgjoi atë ëndërr të fshehur,shpirti i lartësuar për të bërë punëra tëmbara.Prandaj ndikimi i Lushit nuk shfaqet rastësor,i beftë,por është përcaktues është një lloj skalitje siç bënë me gurin skulptori, pikërisht në saj të forcës,që i dha fryma e tyre,Antigoneja sot është qëndër e vizitueshme.Ata që kthehen prej andej janë koshientë të tregojnë se kanë parë një qytete magji kur mjegulla e bardhë si një napë e ka përprirë të gjithën dhe mbretesha Antigona ende flë në kujtesën e qytetit. Po Pirro ku është?Prej vitit 2011gërmimet në Antigone i kryen një ekspeditë e Institutit Arkeologjik me udhëheqës prof .Dr Dhimitër Condi.
3.
Historia e qytetit. Gërmimet e para janë bërë nga arkeologu grek Evangeliades Demitrios në vitin 1913, por ishte arkeologu i njohur shqiptar Dhimosten Budina i cili, në vitet 1970 dhe 1980, zbuloi planin e qytetit dhe gjithashtu emrin e tij. Një seri prej monedhash bronzi të gjetura gjatë këtyre gërmimeve ishin përdorur ndoshta për të votuar në asamblenë e qytetit. Ato ishin stampuar me mbishkrimin Antigonean nga ku u identifikua dhe emrin i qytetit historik për herë të parë. Pirroja i vuri emrin qytetit Antigonea – sipas emrit të gruas së tij të parë, vajza e një familje fisnike maqedonase të Berenikës dhe Fillipit. Më vonë Berenika u martua me Ptolemeun, mbretin e Egjiptit dhe pasardhës i Aleksandrit të Madh, në oborrin e të cilëve Pirro u njoh me Antigonenë. Përveç gruas se tij, Pirroja nderoi edhe vjehrrën –Berenikën duke i vënë emrin e saj një qyteti të Epirit .Kur Pirro ishte 17 vjeç, sipas Plutarkut, historian i lashtë, një kryengritje e përmbysi atë si mbret dhe ai u vendos nën kujdestarinë e Mbretit Dhimitër i Maqedonisë. Më vonë dërgua në oborrin e Ptolemeut. “Duke qenë se Pirro ishte i shumë i aftë të bënte për vete njerëzit e fortë dhe i urrente frikacakët, dhe meqenëse ishte shumë i sjellshëm dhe i urtë në jetë, sipas shkrimeve të Plutarkut, ai u zgjodh midis shumë princërve të tjerë të martohej me Antigonën. Kjo martesë i dha Pirros një emër shumë të mirë dhe e bëri shumë të njohur. Me ndihmën e gruas së tij të mirë, Pirroja ia doli të mblidhte para, të ngrinte ushtrinë dhe të kthehej drejt Epirit për te rimarrë fronin mbretëror. Antigonea, qyteti i dytë i provincës Epiriote të Kaonisë, pas Foinikes, si nga përmasat edhe nga rëndësia, kontrollonte të famshmen Via Egnatia që lidhte Dyrrachium (Durrësin), Apolloninë dhe Orikumin, me malësitë e Janinës dhe Epirit Jugor. Për shkak të pozitës së rëndësishme gjeografike, në një kodër dominuese te quajtur Jerma, në mes të luginës së Drinos, Antigonea u bë e njohur si përfaqësuese e kulmit të zhvillimit ekonomik. Qyteti ishte i rrethuar nga mure solide rreth 4,000 m gjatësi, që mbronin qytetin nga të gjitha anët, veçanërisht në pjesën jugore dhe perëndimore ku rreziku ishte më i madh për shkak të terrenit. Muret fortifikuese dhe ato të shumicës së shtëpive të zbuluara deri tani, jane bërë me blloqe të madhësive të mesme e të mëdha guri gëlqeror, të marra nga gurorja e malit të Lunxhërisë. Askund tjetër si në Antigone, krahasimisht me shume qytete të tjera të fortifikuara në maja malesh, tipike për qytetet e lashta të zbuluar në Shqiperisë së sotme, arkeologë kanë mundësi të studiojnë zhvillimin urbanistik dhe arkitekturor. Kjo sepse Antigonea dallohet nga qytetet e tjera të lashta për planin e saj urban të tipit hipodamik, katërkëndësh dhe të rregullt, i ngjashëm me shumë qytete helene të Greqisë. Për herë të parë në qytetet e lashta në Evropë elementet urbane dhe arkitektonike të zbuluara, japin një ide të planifikimit te qytetit, duke treguar se Antigonea është ndërtuar me një urdhër, dhe nuk është zhvilluar më ndër vite. Në vitin 198 para Krishtit, ushtria romake mposhti ushtrinë e Filipit te V-të, mbretit të Maqedonisë afër Antigonesë. Ashtu siç raportohet nga gjeografi Strabo, në vitin 167 para Krishtit, Antigonea dhe 70 qytete te tjera të Epirit u shkatërruan nga ushtria e Amilius Paullus, i cili mori hak për dëmet e shkaktuara Italisë nga Lufta e Pirros. Zhvillimet e mëtejshme të qytetit dëshmohen vetëm nga mbetjet e gjetura të kishës, në dyshemenë e së cilës ka një mozaik të Shën Kristoforit dhe një emblemë greke që dëshmon ekzistencën e qytetit ne periudhën paleo – kristiane. Kjo kishë ishte ndoshta godina e fundit e ndërtuar në rrënojat e Antigonesë së lashtë dhe që u shkatërrua gjatë sulmeve sllave në shekullin e 6-të të erës sonë.
Antigonea, qyteti i ndërtuar me urdhër të Pirros për nder të gruas së tij si shenjë e dashurisë së tij, u dogj brenda një nate me urdhër të gjeneralit Romak Emilius Paullus në vitin 167 Para Krishtit si hakmarrje dhe në shenjë urrejtje, për aleancën e një pjese të fiseve Epirote me Maqedonasit që luftuan kundër Romakëve.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, qyteti i ndertuar nga Pirro, u dogj brenda nje nate

”DY HEROINA SHQIPTARE”

May 8, 2013 by dgreca

NGA ARKIV I DIELLIT/

Duke përgatitur lidhjen e koleksionit të Gazetës Dielli për vitin 1984 më ra në sy titulli hapës i faqes së parë të numrit 14 (Viti i 75-të i botimit), tetor 1984, i edituar atëherë nga ish gazetari i Zërit të Amerikës, mjeshtri i penës që shkruante me frymën e rilindasve, Xhevat Kallajxhiu, ish kryeredaktor i Gazetës Demokratia e Gjirokastrës në vitet ’30-‘40 të shekullit të shkuar. Ishte viti i tetë që Kallajxhiu editonte Diellin; e kishte pranuar thirrjen e Vatrës më 1 tetor 1976.
Gazeta e tetorit ’84 hapej me aktin e dy motrave Zamira dhe Isabela Islami, të cilat kishin kapërcyer detin me not dhe kishin kaluar në Korfuz, ku ishin dorëzuar tek autoritetet greke. Motrart kishin shpëtuar vetë nga vuajtjet e ferrit komunist, por vëllai i tyre, Klementi kishte humbur jetën. Dielli e përshkruan aventurën e dy motrave nëpër dallgët e detit, aventurë që kishte zgjatur 12 orë. Pena e Xhevat Kallajxhiut e përshkruan aktin e tyre heroik dhe i cilëson ato si “dy heroina.”
Humbjen e vëllait, Kelmendit, Dielli e përshkruan kështu: Që të tre notuan pranë njëri tjetrit gjer në afërsi të Korfuzit, por atje nga korrentet e detit, e humbën njëri-tjetrin. Zamira dhe Isabela u gjetën dhe u muarën nga një Jaht Italian, i cili i çoi në Korfuz. I vëllai, mjerisht nuk u gjet dhe nuk dihet se si përfundoi fati i tij.
Duke u përpjekur të sjellë detaje, Dielli shkruan: Të dy motrat dhe i vëllai e kishin bërë me kohë planin për t’u arratisur nga Shqipëria dhe kur u erdhi rasti i volitshëm, kur shkuan në Sarandë për pushime, e vunë në zbatim.
Arratisja e guximshme e Zamirës dhe Isabelës u lajmëruan nga Agjensitë dhe gazetat e Greqisë dhe të shumë vendeve të tjera të Botës, njoftonte Dielli. Gazetat botuan me tituj të mëdhenj hollësirat e arratisjes dhe intervistat si dhe fotografitë e këtyre dy heroniave shqiptare.
Kur Dielli botonte këtë koment për “Dy heroinat” njoftonte se ato ndodheshin përkohësisht në Athinë dhe pritej që të vinin shpejt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu Dielli paralajmëronte se ato do të vendoseshin për ca kohë në Detroit , ku ndodhej daiu i tyre (në fakt i priti djali i xhaxhait të nënës), zoti Isuf Selenica bashkë me familjen e tij. Në fakt motrart mbërritën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 dhjetor 1984 dhe u vendosën për gjashtë muaj në Detroit për të kaluar më pas në Washington.
Dielli shfaqte shpresën se për zonjushat Zamira dhe Isabela do të shkruante sërish dhe shtonte: Për tani kufizohemi vetëm duke i uruar që t’i marrë fati për mbarë!
Motrat Zamira dhe Isabela i përkisnin një familje atdhetare që kishte dhënë shumë për Kombin, kishin dhënë kontribut për krijimin e shtetit shqiptar, si nga nëna ashtu edhe nga baba, por regjimi komunist i masakroi, pushkatoi, burgosi, internoi. Edhe gjyshja 90 vjeçare ishte internuar, edhe prindërit dy here. Vetë motrat kishin kaluar 10 vite internimi para arratisjes,ndërsa vëllai, para arratisjes kishte qenë në burg për “agjitacion e propogandë”. Pikërisht kur ishte arrestuar i vëllai ato ishin internuar në Çermë të Lushnjës (dalip Greca)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Arkivi i Diellit, dalip greca, Dy heroinat shqiptare

VOA shqiptare, një yll i largët i shpresës së lirisë për miliona shqiptarë

May 8, 2013 by dgreca

Fjalimi i gazetarit Frank SHKRELI, ish drejtor për Euro-Azinë, i cili punoi për 30 vjet në Zërin e Amerikës, me rastin e 70 vjetorit të seksionit shqip në Zërin e Amerikës, më 7 Maj 2013./

Mirëdita të gjithëve. Është bukur të shohësh të pranishëm kaq shumë miq dhe kolegë brenda dhe jashtë Zërit të Amerikës. Ashtu siç shumë nga ju e dini, unë praktikisht jam rritur në këtë ndërtesë. Prandaj kthimi këtu është gjithmonë një kënaqësi e madhe për mua. Është si të kthehesh në shtëpi.
Kam qenë i lidhur me seksionin shqip të VOA-s për rreth 25 vjet nga karriera ime 30-vjeçare këtu në Zërin e Amerikës, së pari direkt si një transmetues ndërkombëtar dhe Shef i Shërbimit dhe pastaj në mënyrë të tërthortë si Këshilltar Programi për Divizionin Evropian dhe si Drejtor i Divizionit Evropian, dhe seksioni shqip ishte një nga shërbimet nën mbikëqyrjen time.
VOA shqiptar pati një fillim shumë modest. Kur unë iu bashkova Shërbimit Shqiptar në qershor të vitit 1974, shërbimi ishte i vogël. Personeli përbëhej vetëm nga Shefi i Shërbimit dhe 4 gazetarë. Mosha mesatare e tyre ishte 62 vjeç, ndërsa unë isha 24 vjeç. Edhe pse i kisha kaluar testet e nevojshme të kualifikimit dhe u verifikova si i sigurt, nuk kisha asnjë ide se ku po hyja dhe gjatë viteve të mia të para aty, vazhdimisht e pyesja veten nëse kisha bërë zgjedhjen e duhur duke u bashkuar me Zërin e Amerikës.
VOA shqiptare e vogël, por guximtare u përball me mungesën e stafit për të paktën 45 vitet e para të historisë së saj. Duke pasur parasysh natyrën e regjimit komunist shqiptar, Shërbimi Shqiptar – ndryshe nga shërbimet e tjera të VOA-s që transmetoheshin në Evropën Lindore – nuk kishte asnjë lloj kontakti me audiencën e saj në Shqipëri. Për shkak të mungesës së stafit, na është dashur të punojmë shumë, shpesh pa ndalesë, shtatë ditë në javë për periudha të gjata kohore. Por gjithsesi kjo nuk ishte gjëja më e vështirë, ajo që ishte e vështirë gjatë këtyre viteve, ishte fakti se ne nuk kishim asnjë ide nëse dikush ishte duke na dëgjuar nga ana tjetër. Mbaj mend një prej kolegëve të mi, Xhevat Kallajxhi nga Gjirokastra, kur pasi mbaronim programin, ai kthehej nga unë dhe thonte: “E mo Shkreli, thua na dëgjoi njeri sot?”. Shqipëria ishte një shoqëri e mbyllur komuniste, si asnjë vend tjetër.
Dhe pastaj ndodhi çasti historik, Muri i Berlinit ra. Në marsin e vitit 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike dhe atëherë për herë të parë, pas gati 50 vjetësh më në fund krijuam idenë që në të vërtetë ekzistonte një audiencë në Shqipëri, dhe ndoshta ishte një nga audiencat më të mëdha e transmetimeve ndërkombëtare. Ne mësuam për popullaritetin e madh të VOA-s Shqiptare gjatë vizitave tona në Tiranë – unë shkova me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit të Shtetit në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, dhe Elez Biberaj, shefi i Shërbimit në atë kohë, erdhi në Tiranë rreth një javë më vonë me delegacionin kongresional të Senatorit Dennis DeConcini.
Ka pasur shumë momente zbulimi të vërtetash dhe takimesh emocionuese për ne gjatë atij udhëtimi në Shqipëri, në fillim të vitit 1991. Por mendoj se, një nga momentet më të paharrueshme ka qenë kur anëtarët e të dy delegacioneve po bisedonin para hyrjes së hotel Dajtit të famshëm dhe papritur e papandehur, kalimtarët filluan të mblidheshin nga kurioziteti për të takuar vizitorët e rinj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kongresmenët tanë filluan të shtrëngonin duart me qytetarët e emocionuar të Tiranës. Në atë turbullirë, dikush duhet të ketë pëshpëritur emrin e Elez Biberaj, dhe ndërsa turma sa erdhi dhe u bë më e madhe, ata zbuluan se Elezi ishte në të vërtetë aty. Turma e zhurmshme ia plasi në ato momente një brohoritje spontane të përbashkët: “VOA-Bush, VOA-Bush”. Zoti Bush ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë.
Pasi turma filloi të shpërndahej, kongresmeni Bob McEuen nga shteti i Ohajos iu afrua zotit Biberaj, i cili ishte shef i Shërbimit Shqiptar, dhe i tha: “Ju keni bëri më shumë sesa kushdo tjetër për demokracinë në Shqipëri”.
Edhe pse kishim dëgjuar prej së largu që, gjatë transmetimeve të emisioneve të VOA-s rrugët e Tiranës ishin pothuajse bosh, sepse njerëzit qëndronin në shtëpi për të dëgjuar VOA-n në gjuhën shqipe, kjo vizitë na bindi se përkundër dënimeve të rënda të regjimit komunist për ata që dëgjonin Zërin e Amerikës – Shqiptarët, megjithatë ishin sintonuar në frekuencat e Zërit të Amerikës për dekada të tëra dhe në numër të madh. Ky trend ka vazhduar deri më sot, ku Shërbimi Shqiptar ende ka një audiencë mbi 50%.
Një faktor që e ka veçuar VOA-n shqiptare nga pjesa tjetër e shërbimeve gjuhësore këtu në Zërin e Amerikës, ishte audienca e madhe në numër. Mbaj mend që gjatë viteve ‘90, kur unë isha Drejtor i Divizionit Evropian, VOA shqiptare kishte arritur nivele të papara të dëgjueshmërisë dhe shikueshmërisë. Ajo kishte shkaktuar zili, jo vetëm tek shërbimet botërore në këtë ndërtesë, por edhe tek transmetuesit ndërkombëtarë në të gjithë botën.
Mbaj mend homologun tim për Evropën në BBC që më pyeste mua se, cili ishte sekreti i VOA-s në shqip- duke pasur parasysh numrin e madh të audiencës, siç tha ai,” që nuk është parë ndonjëherë në mesin e transmetuesve ndërkombëtarë”.
Për shumë vite, VOA shqiptare gëzoi dëgjueshmëri dhe shikueshmëri në rangun e 50-80 për qind, si në Shqipëri dhe në Kosovë.
Pra, kështu siç jemi mbledhur sot këtu për të festuar sukseset e VOA-s shqiptare gjatë 70 viteve të fundit, një fakt vendimtar për tu kujtuar është edhe rëndësia e VOA-s, si një organizatë, e cila me shërbime të tilla si shërbimi shqip, e ka mbështetur për dekada me radhë shprehjen e lirë, të lajmeve të pacensoruara dhe informimit të popujve në të gjithë botën që vuanin për median e lirë, ose që kishin media pjesërisht të lira. Para se Joe Biden të bëhej zëvendëspresident, si Senator, disa vite më parë, pikërisht në këtë sallë, na foli në lidhje me vlerën e transmetimeve ndërkombëtare duke thënë se, “Pasi provoi veten gjatë krizës së Kosovës, duke siguruar të vërtetën në lidhje me mizoritë në Kosovë. Fuqia e kësaj rrjedhë të qëndrueshme të së vërtetës është e qartë në situatën e shteteve diktatoriale: ata përpiqen të ndalojnë popullin e tyre të dëgjojë. Por siç kemi mësuar nga Lufta e Ftohtë, Perdja e Hekurt nuk ishte e padepërtueshme. Fjala e çau atë përmes. Audiencat që jetonin prapa Perdes morën zemër kur mësuan se bota nuk i kishte harruar ata”, tha zoti Bajden.
Amerika, përmes transmetimeve të VOA-s për 70-vjet, kurrë nuk e harroi popullin shqiptar, madje edhe në çastet e tyre më të errëta gjatë çmendurisë komuniste.
Miqë dhe kolegë të mi dua tu siguroj të gjithëve! VOA shqiptare për 70 vjet shërbeu si një yll i largët i shpresës së lirisë për miliona shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, dhe Kosovë, por në të gjithë Ballkanin. VOA shqiptare ka pasur një mision fisnik për avancimin e lirisë, dhe në mungesë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve për gati 50-vjet, VOA shërbeu edhe si ura e vetme ndërmjet popullit amerikan dhe atij shqiptar. Ajo ishte kështu, 70-vjet më parë, dhe kështu është edhe sot. Besoj se nuk është rastësi që shqiptarët janë ndër njerëzit më miqësor ndaj Shteteve të Bashkuara.

Por kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjatë Luftës së Ftohtë, VOA u denoncua nga komunistët si një zë kritik dhe në fakt si një zë “armiqësor” dhe “anti-revolucionar”, kundër komunizmit. Armiqësor sipas tyre, por për ne këtu, në Zërin e Amerikës, gjithçka që bëmë ishte vetëm në kërkim të së vërtetës dhe në mbrojtje të lirisë së njeriut dhe demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Unë, si njëri prej atyre ish – “armiqve”, nuk kam ndërmend të kërkoj ndjesë për asgjë që kemi bërë gjatë gjithë historisë 70-vjeçare të VOA-s shqip.
Miqtë e mi dhe kolegë në Shërbimin e VOA-s shqiptare dhe në gjithë këtë organizatë, unë e di që shumica prej jush ndjehen si unë, që nuk ka nder dhe privilegj më të madh se sa të kesh pasur një karrierë që i ka shërbyer vendit tënd të adoptuar, këtij vendi të madh tonit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe në procesin që ndihmoi vendin e origjinës sonë, në avancimin e të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë për të gjithë, si dhe mirëkuptimit ndërkombëtar. Misioni fisnik i Zërit të Amerikës vazhdon më tej, dhe unë jam krenar dhe i privilegjuar që kam qenë i lidhur me Zërin e Amerikës në përgjithësi dhe VOA-n shqiptare në veçanti, si dhe që kam punuar me kaq shumë prej jush për 30 nga këto 70-vitet e historisë së Zërit të Amerikës. Unë jam krenar për reputacionin dhe integritetin gazetaresk të VOA-s si një burim i besueshëm botëror për lajme dhe informacione, ashtu siç jeni dhe ju.
Pra, për 70 vitet e ardhshme, Zëri i Amerikës duhet forcuar dhe jo dobësuar, dhe gjatë këtij procesi bëjeni të ardhmen e VOA-s, të denjë siç ishte ato 70 vite që kaluan. Vazhdoni kështu më punën e mirë!

Unë ju uroj gjithë suksesin e mundshëm gjatë 70 viteve të ardhshme!

*Fjala e mbajtur gjatë 70 vjetorit të seksionit shqip në Zërin e Amerikës, më 7 Maj 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: fjalimi me rastin e 70 vjetorit, Frank shkreli, seksioni shqip, te Zerit te Amerikes

”JU FLET ZËRI I AMERIKËS”

May 8, 2013 by dgreca

Me rastin e 70-vjetorit të Shërbimit Shqip të VOA-s/
Nga Frank Shkreli*/

Ishte viti 1942. Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e saj. Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend me rëndësi në atë kohë që nuk kishte një radio stacion për transmetime drejtuar botës së jashtme. Presionet e luftës dhe nevoja për ti shpjeguar kryesisht Evropës por edhe botës rolin e Amerikës në atë luftë, bëjnë që Shtetet e Bashkuara të inaugurojnë organin e parë të transmetimeve ndërkombëtare, të quajtur Zëri i Amerikës. Këjo radio filloi programin e parë prej 15-minutash në gjermanisht. Emisioni filloi me angazhimin drejtuar dëgjuesve, se “Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do të jemi me ju nga Amerika për të folur për luftën…..Lajmet mund të jenë të mira ose lajmet mund të jenë të këqia por ne Ne do tu themi të vërtetën”.
Një vit më vonë, më 1943, Zëri i Amerikës, përveç gjuhëve të tjera, fillon transmetimet e tija edhe në gjuhën shqipe. Këtë vit u mbushën 70 vjetë nga inaugurimi i transmetimit të parë me valë të shkurtëra në gjuhën shqipe. Për të festuar këtë jubilar, Drejtoria e Euroazisë dhe Seksioni i gjuhës Shqip i Zërit të Amerikës organizuan të marten një ceremoni ku ishin të ftuar presidentë, diplomatë dhe zyrtarë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia, anëtarë të Kongresit Amerikan si edhe personalitetete nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Ceremonia, që zgjati më shumë se dy orë, u mbajtë në sallën e madhe të selisë së Zërit të Amerikës në Uashington ku u mbajtën fjalime dhe u dorëzuan dekorime nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani për seksionin shqip të Zërit të Amerikës dhe për Dr. Elez Biberaj, ish-shefin e seksionit shqip të VOAs dhe tani drejtor
i Euroazisë pranë këtij enti.
Lista e personaliteteve që folën me këtë rast ishte e gjatë, duke filluar nga zyrtarët më të lartë të VOAs, përfshirë drejtorin e përgjithshëm Dejvid Ensor, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Filip Riker, fituesin e Çmimit Nobel për Mjekësi, shqiptaro-amerikani Dr. Ferid Murad. Përshëndetën gjithashtu edhe Kongresisti amerikan Eliot Engel, ish- senatori Denis Di Koncini, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri Uiliam Rajerson, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Profesori Nikolas Pano i Universitetit Northuestern Illionoi dhe të tjerë. Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës, të cilët kishin dërguar përfaqsuesit e tyre të posaçëm për të marrë pjesë në këtë ceremoni, përshëndetën të pranishmit me video mesazhe. Presidenti shqiptar Nishani duke kujtuar këtë përvjetor tha se “Zëri i Amerikës na dha shpresë gjatë një periudhe të errët të historisë sonë.’’ Ndërsa Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha në video mesazhin e saj se, “Zëri i Amerikës ishte i vetmi zë që raportonte gjatë luftës në Kosovë si edhe për krizën e refugjatëve, e që mund të dëgjohej nga populli ynë. Shpresoj që Zëri i Amerikës të mos shuhet kurrë”, tha ajo.
Kongresisti Eliot Engel përshëndeti Seksionin shqip të Zërit të Amerikës për informimin e shqiptarëve, duke thënë se “Amerika ka gjithnjë nevojë për Zërin e Amerikës….’’, dhe ish-Senatori Denis Di Koncini shtoi se Zëri i Amerikës mbetet jetik për të transmetuar lajmet për popujt e rajonit dhe për të treguar se amerikanët kujdesen gjithnjë për ta’’. Profesor Nikolas Pano foli për rolin që ka luajtur Zëri i Amerikës në marrëdhënjet midis dy popujve, dhe ish-ambasadori amerikan në Tiranë Uilliam Rajërson kujtoi vizitën e ish- Sekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Bejker duke thënë se pyetja e parë që i bëhej atij para vizitës së ish-zyrtarit të lartë amerikan ishte nëse Elez Biberaj, shefi i atëhershëm i Shërbimit Shqip,do vinte në Tiranë.
Ceremonia u mbyllë me një pritje koktej ku të pranishmit u shmallën me njëri tjetrin dhe shkëmbenin historira për rolin që ky institucion ndërkombëtar lajmesh dhe informacioni ka luajtur në periudha të ndryshme të historisë së kombit shqiptar gjatë 70-vjetëve të fundit. Zëri i Amerikës në gjuhën Shqipe, sipas një deklarate të VOAs, lëshuar për median me këtë rast, thotë se programet e VOAs në gjuhën shqipe mbeten gjithnjë edhe sot një prej programeve multimedia më popullore në Shqipëri ku tërheq 48% të shikuesve/dëgjuesve/lexuesve dhe shton se në Kosovë, 57% e të rriturve i marrin lajmet nga programet shqip të VOAs.
Në të vërtetë historia e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe është edhe një histori e kombit shqiptar por edhe e marrëdhënjeve shqiptario=amerikane, ashtu siç ishin gjatë 7-vjetëve të kaluara, nga Lufta e nxehtë e Dytë Botërore e deri tek mbarimi i luftës së Ftohët dhe çlirimit të Kosovës. Megjithëse nganjëherë i shtrydhur midis gazetarisë dhe diplomacisë, sidomos gjatë dekadave të para të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës, në radhët e Shqiptarëve por edhe në mbarë botën, brenda një kohe të shkurtër krijoi një reputacion si radio stacion lajmesh me integritet, në të cilin mund të vareshin dëgjuesit për saktësinë, gjithëanëshmërinë dhe objektivitetin. Gjatë dekadave të ekzistencës së tij, Zëri i Amerikës ka raportuar në mënyrë objektive mbi ngjarje të brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për fatin dhe të drejtat e Shqiptarëve kudo. Pothuaj nuk ka çështje që ka prekur ose që ka interesuar Shqiptarët që të mos jetë mbuluar nga Zëri i Amerikës. Gjithashtu, politikanët dhe personalitet më të ndryshme nga të gjitha fushat dhe trevat shqiptare pa dallim e kanë gjetur gjithmonë të hapur dritaren e Zërit të Amerikës për të shfaqur pikëpamjet e tyre mbi problemet e kombit shqiptar.
*Autori ka punuar për VOA-n për 30-vjetë, si gazetar, shef i Shërbimit Shqip si edhe ish-drejtor i VOA-s për Evropën.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: 70 vjetori i Zerit te Amerikes, Frank shkreli

JA, SI NA SHFAQET LUMTURI YMERI, ME “DRITËHIJE DASHURIE”…

May 8, 2013 by dgreca

Nga Prof Murat Gecaj/
1.
Ndoshta, nuk u takuam fare rastësisht, në atë lokal të Tiranës, me emrin “Monako”. Edhe kohë më parë, kisha pirë një çaj me arsimtaren dhe poeten Lumturi Ymri, e cila emrin letrar e ka, “Bersava”. Sigurisht, arsyeja kryesore ishte, sepse aty shërben i biri, Erindi. Me këtë rast, u njoha edhe me të bijën, Bersën dhe motrën e Lumes, Seferien.
Sigurisht, biseda jonë ishte e përqendruar në krijimtarinë poetike të Lumturisë. Krahas detyrës së përditëshme në shkollë, ajo nisi të shkruante poezi, në kohën e lirë. Që në takimin e parë, më kishte treguar për planet botuese, por dhe e vërejta këto ditë, në “Facebook”, kopertinat e librit të saj më të ri. Pra, ajo kishte dalë para lexueve me vëllimin e tretë poetik, “Dritëhije dashurie”. Ndërsa dy vëllimet e mëparshme kanë titujt: “Natë, mbi gjysëmbotë” (Tiranë, 2011) dhe “Qielli në qeli” (Tiranë, 2012). Ishte kënaqësi, kur tani Lumja ma dha me shënim librin e saj, ashtu si dhe unë i dhurova librin tim më të ri, “Me zemër në vendlindje” (Shënime nga Suedia).
Kur po pinim çaj dhe në atë lokal bëmë ndonjë fofografi, e vëzhgova me kërshëri mjedisin, ku ndodheshim. Në mure kishte piktura të bukura, si një mozaik shumëngjyrësh dhe i shkonte për shtat bisedave tona, pra për poezitë e kësaj poeteje, e cila po e vazhdon me vendosmëri udhën e saj të krijimtarisë. Prandaj e urova nga zemra për punën e bërë dhe librin e saj, tashmë, e kam vendosur në një tavolinë, ku zakonisht janë në “radhë” ata, që kam për të lexuar.
2.
Ky vëllim poetik është venë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Ada”, me drejtues Roland Lushin dhe redaktor ka Demir Gjergjin. Ndërsa hyrjen e ka shkruar poeti Ndue Lazri, me banim në qytetin Bolonjë-Itali. Ndër të tjera, aty lexojmë këto radhë: “Lumturi Ymeri paraqitet në këtë vëllim me botën e saj të gjerë dhe me një kolorit të pasur ngjyrash: femër, nënë, bashkëshorte, krijuese, qenie shoqërore, vëzhguese e mprehtë e realitetit dhe e problemeve”.
Ndërsa e shfletoj këtë libër, me syrin e një dashamiri për krijueset e fushës së bukur të poezisë, më bie në sy tematika e tij e larmishme, bota e pasur shpirtërore e autores, e pasqyruar bukur dhe me frymëzim, në dy cikle të tij. Kryefjalë janë vargjet e poezisë “Ecje-prekjet”, në mbyllje të së cilës ajo shkruan: “Eci dhe prek,/ gjej dhe ndiej,/ të miat DASHURI,/ është kjo LUMTURI?!”.
E kush nga krijuesit nuk e ka kujtuar dhe nuk ka shkruar për fëmijërinë e vet? Prandaj edhe Bersava, poete me ndjenja të holla, nuk kishte se si t’i largohej asaj. Prandaj e mori udhën, ngarkuar plot mall dhe emocione të bukura: “U nisa ta takoj atje,/ku zë fill rrënja e mallit,/e gurgullon(te) një krua…”. Po, është fare e natyrshme, se me kujtime dhe mallin e pashuar, janë të lidhura ato për prindërit. I kujtohet me mallëngjim “aroma e bukës së pjekur,/ nga duart e Nënës!” dhe më tej: “Prapë poezia/ më çoi te nëna/ e palodhur, duar-flori!” Po kështu, shkruan vargje dhimbeje e malli për dajon e saj: “…nuk harroj/ lulet/ në çastin/ e fundit!…”( “Çast lamtumire”). Me këto ndjenja dhimbjeje e malli shprehet edhe te poezia “Kalldrëmi”, ku në fund të poezisë lexojmë: “Sot,/ nën pllaka të mermerta/ rënkojnë gurët e kujtimeve,/ me gishta të…nxehtë”. Ndërsa poetja e shprehë trishtimin e vet edhe për ngjarjen tragjike të 13 studentëve, të cilët e humbën jetën nëpër honet e Himarës: “Lotët pikin dhimbje e dhimbja lotë…/Yje, që zbresin prej qiellit në tokë!”
Në disa poezi, që nuk do t’i përmendi të gjitha, autorja shprehet me gjuhë poetike, për dashurinë e dhimbjet, që përjetohen prej saj gjatë jetës. Ajo na shfaqet edhe një nënë e dhëmbshur, e cila është burim i ripërteritjes njerëzore: (“Gravurë”, “Ëndërr pezull”, “Krahasimi”, “Supe të brishtë”, “Fluturim i ndërprerë” etj.)
Shpesh thonë se poetët janë “të pakuptueshëm”, se “shohin ëndrra me sy hapur” etj. Mendoj se ka diçka të vërtetë këtu, pra se këta krijues e “vuajnë” shpirtërisht realitetin, qoftë ky i lumtur ose i hidhur. Ndërsa, pastaj, këto ndjenja njerëzore i pasqyrojnë e i derdhin në vargjet e tyre. Kështu, edhe Lumturia (Bersava) nuk ka shpëtuar nga kjo “sëmundje ngjitëse”. Këtë gjë e vërejmë në disa poezi, por po riprodhoj vetëm ndonjë varg të tyre: “Sikur…/ të isha Unë…/ Do të isha këtu,/ Ku s’jam…” (“Sikur…!”), “Tashmë koka nuk më nxë!” (“Unë…”) ose “Vetëm mendjen/ lutem, të jet’/ në vend/ të vet!”(“Meditim për veten”).
Nuk janë vetëm vargjet e trishta, që lexojmë në këtë vëllim poetik. Autorja i gëzohet jetës dhe ngazëllehet për krijesat, që solli në këtë botë dhe kënaqet e lumturohet, bashkë me ta: “Biri im, / ti ece brenda trupit tim,/ plekse rrënjët e tua,/ me indet e mia” (“Ditëlindja”). Kënaqësinë për jetën e ndiejmë të shprehur në disa poezi, si: “E shthura gërshetin”, “Diej, do të blej”, “Qëndise, penë…!” etj.
Të këndshme janë edhe poezitë e pjesës “Intermexo”, ku autorja e tregon hapur dëshirën e saj të sinqertë: “Të thith frymë në terr,/të bëj fjalë në dritë!” Në nëntë faqe, aty ajo na jep “copëza” nga shpirti i saj poetik. Ndërsa, në mbyllje, lexojmë vargjet aq domethënës: “Të ecësh me këmbë në tokë,/ vërtertë të ngatërrojnë ferrat,/ por të ecësh me këmbë në ajër,/ nuk mund t’i realizosh ËNDRRAT!”
Në ciklin e dytë, “Shihemi, ku shuhemi…”, mund të përmendnim disa poezi më të arrira, që nga “Të linda prej zemrës”, “Nuk do kishte poezi pa ty”, “Flet dashuria”, ”Unë, ti” etj. dhe deri te “Jetë e kaltër”. Këtu autorja e shfaqë optimizmin e jetës: “Në(n) flladin tënd,/ e kaltër qeshë/ fytyra ime./ Zbret retë e mallit,/ në krahë pulëbardhash,/ çojmë puthje stinësh”.
3.
Është kënaqësi e veçantë, kur kolegë e miq, por dhe lexues të ndryshëm, e çmojnë dhe e përshëndesin botimin e një libri. Natyrshëm, këto ndjenja të bukura i përjeton edhe poetja Lumturi Ymeri (Bersava), pas shpërndarjes së njoftimit për vënjen në qarkullim të librit të ri, “Dritëhije dashurie”. Sigurisht, ajo ka marrë mjaft urime e përgëzime të tilla gojore. Por mua më tërhoqën vëmendjen edhe fjalët, që kanë shënuar disa prej tyre, në “Facebook”.
Ja, p.sh., se çfarë shkruan njëri nga ata, Sokrat Habilaj: “Urimet më të mira, në këtë dritë, drite…vetëm dritë!” Me gjuhë të tillë miratimi e kënaqësie kanë shkruar edhe Lili Bimi, Edlira Xhani-Velaj, Haxhi Dikolli etj. Prandaj, mua, nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm ta bashkoj me ata urimin tim dhe, së bashku, ta përgëzojmë atë e të presim, duke besuar se botime të tjera të bukura do ta pasojnë këtë libër të ri, të autores Lumturi Ymeri (Bersava).
Tiranë, 8 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Lumturi Ymeri, Murat Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT