• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

“Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”

June 10, 2013 by dgreca

Sipas zyrës së Department of Parks of Westchester Cpunty, që është bashkë organizues i kësaj ngjarjeje, me Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, Harsdale, New York, në këtë Piknik kan qenë rreth 3500 – 4000 veta./

Shkruan: BEQIR SINA, New York/

Valhalla Westchester County, New York: Çdo vit, komuniteti shqiptaro-amerikan i zonës “Tri-Shteteve” NY-NJ-CT, në nderime të Ditës së Traditës dhe Trashëgimisë Shqiptare”, mban një Piknik, i cili është më i madhi në Amerikë, dhe i vetmi më i organizuari deri tani. Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York”, është kthyer në një festë të gjallë të muzikës shqiptare, valle tradicionale, simboleve tona kombëtare, aktiviteteve sportive, kulturore e artistke dheushqim shqiptar në ditën esaj vjetore të ashtuquajtur Dita e Trashëgimisë Shqiptare.

Si çdo vjet edhe kësaj të diele ajo është mbajtur në një parqet më të mëdha publike në këtë zonë Kensico Plaza Dam,( 98 acre park), në Valhalla Westchester County, New York. Kjo ngjarje është mbajtur nën kujdesin e Departamentit të Parqeve të Argëtimit të Qarkut Westchester, dhe Qendrës Kulturore “Nënë Tereza Center” në Kishën Katolike Shqiptare – Zojës së Shkodrës.
Kjo ngjarje vjetore është një haraç për kulturën shqiptare, duke përfshirë edhe veshje tradicionale shqiptare, instrumente muzikore unike shqiptare dhe një mundësi të rrallë për të dëgjuar dhe të parë një shumëllojshmëri të muzikës shqiptaredhe valleve, si dhetë shijonë ushqim tradicional shqiptar. Kultura ofrohen nga këngëtarët popullor shqiptar dhe kërcimtarët e Grupit të Vajzave dhe Djemëve të Valltarëve të Kishës. Përveç kësaj, ajo është një kënaqësi për të plotësuar një ngjarjefamiljare, duke e kombinuar atë me sportet dhe aktivitetet për fëmijë me një atmosferë pikniku tipike si ato që mbahen në Amerikë.
Sipas zyrës së Department of Parks of Westchester Cpunty, që është bashkë organizues i kësaj ngjarjeje, me Qendrën “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York, në këtë Piknik kan qenë rreth 3500 – 4000 veta.

Pikniku “Dita e Traditës Shqiptare – New York”, u ndoq nga personalitete të shquara të komunitetit dhe zyrtarët e lart të Qarkut Westchester. Përveç famullitarit Dom Pjetër Popaj dhe meshtarit Dom Viktor Dedaj, ishin present edhe dy meshtarë nga Shqipëria, Dom Ernest Troshani dhe Dom Gjergj Meta. Prefekti i Qarkut Westchester, z. Rob Astorino me disa nga zyra e tij, moren pjesë ne piknik. Zoti Astorino, me fjalë të zgjedhura i përshendeti të pranishmit, duke i ftuar edhe ata që nuk janë banorë të Westchester-it sot ta ndiejnë vetën në shtëpinë e vet, t’a ndjenë “veten pakëz shqiptarë” në këtë “sofër” gjigande të krenarisë dhe bujarisë shqiptare.

Ceremoninë e hapi drejtuesi i aktivitetit, z. Fran Çotaj, duke ju dëshiruar mirëseardhjen të gjithëve dhe duke presentuar orkestren “Toska” dhe këngëtarët Gëzim Nika, Kela Deda, Lisa Junçaj dhe Aferdita Hoxha, të cilët vazhduan argëtimin deri në mbyllje, në orën 7 të mbrëmjes.

Piknikun festiv e gjallëruan edhe më shumë grupi artistik “Rozafati” i Qendres “Nëna Tereze”, me drejtoreshë Gina Çotaj dhe koreografe Angjelina Nika. Kurse shumë të rinj e të reja, pa ndonjë lidhje me ndonjë grup artistik, të cilët ishin veshur me kostume popullore iu bashkuan vallëtarëve në vallëzime.

Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York, rrefet se si ata kan arritur qëllimit që këta të rinjë e të reja, të ruajnë traditën dhe kulturën shqiptare , ashtu edhe për të krijuar lidhje miqësore me fëmijë të tjerë me të cilët i bashkojnë lidhjet me botën shqiptare, në mërgim.

Shkreli, i tha gazetës Bota Sot, vetë fakti që, në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë, ishtë edhe një aktivitet tjetër i organizuar nga Plavë-Gucia, do ta konsideroja si u arrijt qellimi. Gjithsesi, tha ai kur marrin pjesë më se tri mijë vetë, nuk mund të konsiderohet tjetër përveç arritje e lartë, dhe, gjeja më e rendësishme, duhet të jetë ndërlidhjet mes të rinjve shqiptarë, pa dallim besimi apo krahine. Të gjithë ishin SHQIPTRARË, theksoi ai..

“Në çdo pjesë të parkut të madh, theksojë Shkreli, ndihej vetëm gjuha shqipe, tingëllonte kënga shqipe, kërcehej vallja shqipe. Fushat e gjera të sportit ishin plot e përplot me të rinj që tentonin të fitonin trofeun e ditës. Me siguri që, gjatë kësaj pasditje u shëndrruan shumë numra telefonash, shumë e-maile, apo mjete të tjera të komunikimit.”

Ai vuri në pah edhe disa nga karakteristika kryesore, të këtij pikniku, që sipas tij ai ishte gjithpërfshimsia e shqiptarëve, pa kurrëfarë dallimi. Vihej re, ceku Shkreli se edhe nga rajoni Plavë Guci, edhe pse edhe ata kishin një piknik të ngjajshëm, kishte mjaft të pranishëm në këtë kishës. Pra, sikur e thotë shpesh famullitari, Dom Pjetër Popaj, “këtu dallohej ata që na bashkon e jo që na ndanë”. Kjo është kënaqësi e madhe për çdo shqiptar vullnetmirë, të cilit përkatësia fetare nuk i bëhët pengesë.”

Ky Piknik duket se i shërben asaj ndjenjës së thellë shpirtërore të bashkëjetesës e respektit ndaj njeri tjerit dhe vendit ku jetojmë , Shteteve të Bashkuara nëpërmjet nderimit e mbajtjes gjallë të trashëgimisë sonë kulturore, dhe kulutrës e simboleve Amerikane.

Në gjitha anët e parkut dalloheshin edhe qytetarë të etnive të tjera, si dhe të racave të lloj-llojshme. Interesimi i tyre, natyrisht, ishte të mësonin diçka pë Shqipërinë, për shqiptarët, për gjellnat e ndryshme që nuk i kishin shijuar më parë dhje se ku mund të gjindeshin restorante që shërbejnë këto gjellna. Shumë nga ata, edhe të moshuar, provonin të kërcenin vallet shqiptare.

Ky piknik, tha zoti Mark Shkreli ishte nje konfirmim i seriozitetit të organizatorit tashmë të konsoliduar dhe angazhimit të saj për arritje të shkëlqyera dhe krijimit të lidhjeve të ngrohta mes anëtarëve, organizatorëve, dhe vullentarëve të Kishës, që japin një kontribut në mbarë vajtjen e piknikut.

“Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” tanimë, u shpreh zoti Mark Shkreli, është konfirmuar si bartëse e kulturës dhe artit shqiptarë në ShBA. Mos të harrojmë se manifestimet më të mëdhaja që organizohen në ShBA, përveç Ditës së Traditës Shqiptare sot, janë Festivali Shqiptar, i cili për më se 20 vite (22 pë të qenë i sakët) bashkon rreth tri mijë spektatorë dhe qet në skenë rreth 300 artistë amatorë dhe profesionistë; Karnavali treditorë, në trollin e Kishës, me pjesëmarrje të më se pesë mijë veta; mbrëmje gazmore për të rinjt çdo muaj, shenim i të gjitha datave të rëndësishme nga historia, letersia, etj., gjithmonë duke përfshirë të gjithë komunitetin të “Tre-Shtetëshit” New York-New Jersey-Connecticut, ku, përveç priftit si organizator, dallohet edhe hoxha.” thotë zoti Mark Shkreli Drejtor i Qendrës “Nëna Tereze” pranë Kishës “Zoja e Shkofrës”, Harsdale, New York,

Disa nga pikat më të veçanta në mbyllje të këtij aktiviteti çdo vjetor ishin:

Pikërisht, në ora 07;00 të mbrëmjes kur edhe ra sipari i Piknikut “Dita e Traditës Shqiptare – New York 2013”, u dorëzuan trofetë dhe medaljet fituesve të futbolit, të renditur sipas suksesit: në vend të parë skuadra Albanian Brothers, me lojtarë nga i gjithë komuniteti i New Yorkut,,në vend të dytë Cemi nga Malsia – New York, dhe në vend të tretë skuadra e djemëve të Kelmendit nga New Yorku.

Foto kredit : Facebook Our Lady of Shkodra:

 

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: Dita e tradites, Pikniku i Kishes, qershor 2013, Zpja e Shkodres

Boll mo! E kemi kuptuar lojën

June 10, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra /

Mjaft mo, se na ngulfatet! Nuk jemi shqiptarët e kohës së Esad Pashë Toptanit, ku “dum`babatë” luanin lehtë me ne. Ata na diktonin se si te mbathemi, se si te vishemi se si te flasim. Ata na i caktonin rrugët e jetës. Hoxhët e sotit duhen t`a dijnë ndryshimin me shqiptarët e permendur më lartë dhe neve të sotit, se ne dijmë shkrim-lexim, se ne sot flasim shumë gjuhë të huaja, se edhe ne të tjerët dijmë të shkruajmë dhe lexojmë edhe arabisht, perveq tjerash, nëse kjo është e rëndësishme.

Mos i keqinterpretoni gjërat, mos na ngulfatni. Na leni rehat në rrugën tonë që na e ka caktuar vetë perëndia. Rruga e jonë, ajo e trajektores së DIELLIT, është e vetmja rrugë që ne sot e dijmë dhe mundemi, dhe do t`a ndjekim.

Mos na i pudrosni gjeneratat e reja, me pluhurin e rrugës pa dalje. Kot e keni. Ne jemi ata që nuk do të lejojmë kthimin prapa, nuk do t`i lejojmë askujt që të na pengon në rritjen e miqësisë me Europën. Europa jemi ne.

Ne shqiptarët myslimanë kemi praktikuar ato pak rite të mbetura nga okupimi shumëshekullor turko- mysliman dhe jemi ballafaquar me problemet e vërteta të jetës, qoftë për një mbijetesë apo një jetë më të mirë. Vlerësimi i të huajve ishte se jemi “myslimanë të lehtë”. Por, çfarë u mendua kur na quajtën “myslimanë të lehtë”? Europa na don vetëm kështu. E edhe ne e duam Europën ashtu si është.

Qëllimi i shkrimit tim është që ata që duan t`a mësojnë të vërtetën mbi vellot, shamijat, perqet, ferexhenë dhe “havalën “dhe në përgjithësi mëshefjen e femrës nga “sytë e botës”. Qëllimi shumë i pastër pa kurrfarë tentimi të ç`vlerësimit të feve. Ato (fetë) le të vazhdojnë me qenë. Ato le të punojnë për ata që duan, por pa kurrfarë imponimi ligjor për të tjerët.

Jam konsultuar me një literaturë të shëndoshë nga burimet arabe dhe çdo fjali që e përmendi në teksin e më poshtëm e ka burimin e shkruar, prej nga është shkëputur.
Më tregoni ju lutëm se a është kështu si shkruajnë muslimanët e moderuar?

Do i përmendi termet arabe për mbulesë të femres të cilat po keqpërdoren nga ata që po iu shkon për shtati: hijâb (higjab); jilbâb (gjilbab); khimâr.(himar)

Çka thotë libri i shenjtë për vellon? Asgjë. Bile asgjë. Kurrkund nuk përmendet koka e femrës. Fjala “flokët” (sha`ar) aty nuk gjindet fare. Zoti nuk thotë asgjë as për mbulimin e as për zbulimin e flokëve. Nuk ishte qëllimi i ardhjes së Kur`anit që t`i mësoj njerzit se si të vishen. Fjala vello, me qëllimin se si i ipet sot, nuk është pjesë e fjalorit dhe porosive kuranore. Velloja është një “krijesë” e shariatit.

Nga historia dhe origjina, bartja e Hijabit është institucionalizuar nga ”Sharia”, ligji fetar i Islamit. Hijabi është i ndëlidhur vetëm me dy vargje të Kuranit, dhe iu është imponuar muslimanëve. Fjala është për vargjet 24:30, 31, 33:59.

1. Surja : Nuur (Drita), vargjet 30-31.

Korani i paraqetë principet e ligjit të thjeshtësisë (modestisë) në kapitullin24 (Nuur) Drita- thjeshtësia iu përshkruhet si muslimanëve ashtu edhe muslimaneve: “ Thuaju besimtarëve që të largojnë shikimin që të ruajnë dëlirësinë, dhe t`i hedhin vello mbi gjoksin e gjinjtë e tyre… Allahu është i sigurtë , njohtës shumë i mirë se çka ata bëjnë…30,31.

Sipas vargjeve të mësipërme, muslimani duhet të veshet si i ka hije njeriut në mënyrë të thjeshtë. Pra nuk parashifet asnjë ndalesë e as denim për femrat e shpluara. (e përkthyer dhe e spjeguar nga Muhammad Asad” Mesazhet e Kur`anit” (Dar el- Andalus 1984). Himari,dhe përdorimi i tij shërben për të mbuluar gjoksin lakuriq të femrës së kohës “dhe që” gjoksi nuk është, që pa tjetër duhet të shihet.

2- Surja 59 ( Al Ahzab) vargjet 58-59

Sipas tij në atë kohë si femrat ashtu edhe meshkujt binin pre e provokimeve dhe shkeljeve morale. Nëse femra muslimane duhej të mveshte një pelerinë të madhe, kur dilte nga shtëpija, arsyeja ishte që të mos ngacmon me pamjen e saj dhe të sulmohet.

Bartja e vellos, hijabit nuk është urdhër koranik. (Ibrahim B. Sayed “ Women in Islam: Hijab(Islamic Reaserch Fondation International, 1998)

Kurse, Zonja Nazira Zin al-Din në Al Sufur Wa`l-hijab (Beirut, Quzma Publication) shkruan “Moraliteti im dhe vetëdija ime pa njolla është më e vlerëshme se sa bartja e mbulesës. Asgjë e mirë nuk duhet të pritet nga pamja (dukja) e jashtme, të gjitha të mirat dhe virtytet qëndrojnë ne mbrendinë time.”

Bartja e mbuleses së femrës eshtë bër sot në disa vende një deshirë politike, një teatralizim i deshirës për të qenë e lirë. Krejt se çka mendojmë për femrën të mbështjellet apo jo, në Kor`an nuk gjendet asnjë përshkrim i tillë.

Hijabi dhe injoranca është mbështjellësi që e mbulon zemrën, dhe e pengon kërkimin e së vërtetës për të pasur qasje në bashkim me Zotin dhe që e pengon njohjen e mësheftësisë së mbrendshme.. Atributet dhe sjelljet tona negative si egocetrizmi, lakmia, materializmi, egoizmi, deshira, kerkesat tona dhe çfrytëzimi i kufizuar i vetvetës si një mbulojë e trashë do të pengon dritën e shenjtë të Zotit të ndriqon zemrat tona. Me këtë rast ne e injorojmë të vërtetën, unin tonë të vërtetë dhe mbesim në kufirin me pamjen e së të vërtetës. Sipas Kor`anit, ”velloja dhe terri është në sytë e të padijshmit, të largojmë mosdijen e të ballafaqohemi më të vërtetën.”

Hijabi – mbulesë e mbrendshme shpritërore.

Emri “Hijab( Higjab) në Kur`an vetëm 7 herë përmendet, pesë prej tyre si “Hijab” dhe dy herë si “Hijaban”. Shifni 7:46, 17:45, 19:17, 33:53, 38:32, 41:5, 42:51. Asnjëherë fjala “Hijab” nuk është përdorur, si po na thuhet sot nga të pangopshmit në lidhje “me kodin e veshjes së femrës muslimane. Velloja apo hijabi në Kuran nuk ka të bëj aspak me ligjet e veshjes së femrës, bile as asaj arabe.

Sot, krejt kjo është për të vendosur diktaturat në shtetet e caktuara të botës, për të krijuar një kundërsulm nga të moderuarit e për të pasur alibi për shtrirje të tyre. S`ka aspak të bëj me Islamin e vërtetë.

Dr. Tarik Suwaidan thot: Në shumë vende arabe tradita e moqme ka rifilluar të praktikohet. Nëse e hedhim një vështrim të thellë për atë që ishte praktikuar në shekullin e 7-të, ne do të shofim shumë qartë “në shtëpitë e kohes nuk kishte mure dhe duhej të veheshin perde për t`u ndarë burrat nga gratë, dhe se ato gra muslimane nuk duheshin të bashkëbisedonin me burrat dhe të qëndronin të ndara pas një perdeje..”

Pavarësisht nga pohimet e eruditëve (dijetarëve) konservatorë, nuk ka asnjë bazë në ”Librin e Shenjtë“ për mbështjelljen e femrave si gjë të obligueshme, por përpjekja e tyre është një sulm i tërthotë në imponimin torturues ndaj suverenitetit të grave, dhe se të gjitha autoritetet e pavarura e vërtetojnë se nuk ka asnjë bazë për këto urdhëresa kufizuese. Përveq kësaj, ideja se Perëndia apo al-Llâh i preferon gratë e mbuluara ose që trupi i grave është awra, vjen ngase gratë duhen të jenë të mbrojtura ndaj sulmit të burrave dhe shoqërisë imorale, kurse hijabi është i rremë dhe vetëm për të penguar qasjen e gruas në pavarësinë arsimore, sociale dhe politike.

Kurse në tokat mbarëshqiptare, qellimet shihen prej kosmosit dhe janë të qarta: lufta për pushtet, dhe përkushtimi për të dërguar në vend porosinë e porositësve. Shkolla është një vend i formimit e i edukimit të qytetarëve të rinj për t`i përgatitur të jetojnë në një shoqëri laike me respekt të lirisë fetare. Në shkollat tona në Kosovë ka katolikë, myslimanë, protestan, ortodoks, të padeklaruar, ata janë aty të jetojnë si njerëz të lirë në të gjitha pikëpamjet fetare. Në Kosovë, bartja e shamisë u imponohet vajzave të reja, qoftë nga familja, qoftë nga bashkëfetarët. Ajo shpreh një përulje jo ndaj Perëndisë, por ndaj presionit të rrethit. Bartja e shamisë në Kosovë shpreh manifestimin e një integrizmi fetar e që është i rrezikshëm për ne, pasi këtu jemi edhe jomyslimanët të një kombi, gjuhe dhe historie.

Stigmatizimi i femrës myslimane në Kosovë është një fenomen i ri i shfaqur pas luftës së fundit dhe debati lidhur me shaminë islamike i ka dhënë shoqërisë një dimension të ri.

Boll mo! E kemi kuptuar lojën.

Filed Under: Komente Tagged With: Bool mo, e kemi kuptuar lojen, Fahri Xharra

TAKIMI AMERIKANO-KINEZ JO-ZYRTAR NË KALIFORNI

June 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo takim, qoftë edhe jo-zyrtar, midis udhëheqsish të fuqive të mëdha siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina, është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për të dy vendet, por edhe për mbarë botën, pasi takime të tilla midis këtyre dy vendeve kanë pasoja, jo vetëm për marrëdhënjet dy palëshe, por edhe për marrëdhënjet ndërkombëtare në përgjithësi dhe për stabilitetin botëror në veçanti.   Fund javën që kaloi Presidenti Obama u takua në Kaliforni me Presidentin e ri të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, që ishte takimi i parë i udhëheqsit amerikan me udhëheqsin e ri kinez.

Para takimit, zyrtarët amerikanë e cilësuan këtë takim jo zyrtar, si një rast të mirë për presidentët Obama dhe Xi për të biseduar haptas dhe sinqerisht mbi problemet në marrëdhënjet midis dy vendeve.   Shtëpia e Bardhë tha, para sesjoneve jo-zyrtare, se qëllimi i takimit ishte gjithashtu që Presidenti Obama të njihej për së afërmi me Presidentin e ri kinez, në një atmosferë jo formale, ose siç u cilësua nga disa për nga informaliteti, si në një takim me ”Këmish me mëngë të shkurtëra”.

Sipas njoftimeve të Shtëpisë së Bardhë, dy udhëheqsit e lartë biseduan mbi një seri çështjesh bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare, dhe shqyrtuan përparimet dhe sfidat në marrëdhënjet amerikano-kineze gjatë katër vjetëve të fundit, dhe biseduan mbi mënyrat e avancimit të bashkpunimit, por edhe të menaxhimit të ndryshimeve në qendrimet politike dhe ekonomike midis Uashingtonit dhe Pekinit, gjatë viteve të ardhëshme.    Gjatë bisedimeve jo formale prej dy ditësh, Presidenti Obama e siguroi udhëheqsin kinez Xi se Shtetet e Bashkuara mirëpresin rritjen paqësore të Kinës si fuqi botërore, duke thënë se, “Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Kina të vazhdojë rrugën e suksesit, sepse ne besojmë se një Kinë në paqë, stabile dhe e begatë nuk është vetëm diçka e mirë për Kinën, por  është gjithashtu  edhe në interesin e botës dhe të Shteteve të Bashkuara”,  tha Presidenti Obama.

Nga pikëpamja amerikane, midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ka shumë problem – përfshirë të drejtat e nejriut dhe vlerat universal – por ndër kryesoret që  sipas lajmeve u biseduan gjatë  takimeve  fundin e javës së kaluar në Kaliforni –janë proteksionizmi tregtar,   vjedhja kibernetike dhe  resepktimi i pronësisë intelektuale.  Këto shqetsime të Amerikës, Presidenti Obama i shfaqi duke thënë se,  “Shtetet e Bashkuara përpiqen të sigurojnë një ekonomi ndërkombëtare dhe një rend ekonomik ndërkombëtar, në të cilin kombet e ndryshme zbatojnë të njëjta rregulla, dmth, një rend ekonomik që është i lirë dhe i drejtë, dhe një rend në bazë të të cilit Shtetet e Bashkuara dhe Kina punojnë së bashku për zgjidhjen e problemeve, siç është siguria hibernetike dhe mbrojtja e pasurisë intelektuale.  Kina, sipas  njoftimeve zyrtare dhe jo zyrtare, ka vazhduar të vjedhë sekretet mbrojtëse dhe tregëtare të Amerikës, nepërmjet sulmeve hibernetike, gjë që ka keqësuar tensionet amerikano-kineze dhe ka shkaktuar reagime të ashpëra edhe në Kongresin Amerikan .

Përsa i përket Pekinit, një ndër shqetësimet kryesore të Kinës është politika e re amerikane ndaj Azisë, politikë të cilën udhëheqja kineze e konsideron si një përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të penguar Kinën që të bëhet një superfuqi botërore.   Megjithëkëtë, udhëheqsi i ri kinez tha gjatë bisedimeve me Presidentin Obama në Kaliforni se ai beson se marrëdhënjet midis dy vendeve kanë arritur një pikë historike dhe se ato mund të jenë një model për marrëdhënjet midis fuqive të mëdha.

Një ndër çështjet kryesore të bisedimeve, dhe për të cilën të dy palët shfaqën të njëjtin qëndrim, ishte Koreja e Veriut dhe programi i saj bërthamor.   Si Pekini ashtu edhe Uashingtoni u angazhuan se nuk do të pranojnë që regjimi komunist i Koresë së Veriut të sigurojë  armë bërthamore.
Por duke gjykuar nga deklaratat e zyrtarëve amerikanë, pas përfundimit të takimit amerikano-kinez, siç duket, mbi çështjet kryesore dhe shqetsuese për Amerikën,  nuk u arrijtë ndonjë mirëkuptim midis palëve, dmth., përsa i përket dy çështjeve me rëndësi, ndalimit të sulmeve hibernetike kineze dhe vjedhjes së pronës intelektuale amerikane nga ana e Kinës.   Këshilltari në largim i Presidentit Obama për Çështje të Sigurimit Kombëtar, Tom Donilon megjithëse i cilësoi bisedimet si konstruktive dhe pozitive, u tha për gazetarëve se nëqoftse Kina nuk ndërmerr përpjekje serioze për të zgjidhë çështjet e sigurisë hibernetike dhe nëqoftse, Pekini vazhdon sipas tij, “vjedhjen e drejtë për drejtë të pasurisë intelektuale të Shteteteve të Bashkuara”, atëherë, shtoi ai, “këjosituatë do të krijonte një problem shumë të vështirë në marrëdhënjet e tanishme ekonomike”,  midis dy vendeve.

Siç duket,  Presidenti Obama, duke marrë iniciativën për të ftuar presidentin e ri kinez në një vizitë dhe takim jo-zyrtar në fillim të mandatit të dytë të tij si president dhe menjëherë pas ardhjes në fuqi të Presidentit të ri kinez Xi Jinping, shpresonte që të shënonte fillimin e një epoke të re në marrëdhënjet amerikano-kineze, me shpresë për të zgjidhur problemet e vjetëra dhe për të zhvilluar mundësi të reja për avancimin e marrëdhënjeve midis dy vendeve.    Këshilltarit në largim i Presidentit Obama për Çështje të Sigurimit Kombëtar, Tom Donilon,   ka thënë pak kohë më parë, në një fjalim tek Fondacioni i Azisë se qëllimi  “i politikës amerikane karshi Kinës ka qenë dhe është përmirësimi i cilësisë së marrëdhënjeve në përgjithësi midis dy vendeve, duke promovuar një konkurencë të shëndosh ekonomike, duke menaxhuar dhe kontrolluar mosmarrveshjet dhe njëkohësisht  duke siguruar që gjatë  këtij procesi të mbrohen interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të respektohen të drejtat e njeriut dhe vlerat universale.”

Ky ishte qëllimi i  Uashingtonit zyrtar për takimin amerikano-kinez fund javën e kaluar, por njëri nga disidentët kryesorë kinez në mërgim, Wei Jingsheng u citua nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se, për derisa Kina mbetet nën udhëheqjen e një partie, asaj komuniste,  Shtetet e Bashkuara, sipas tij, nuk duhet të presin marrëdhënje serioze bashkpunimi me Pekinin.   Ai shtoi duke thënë se, “Sistemi politik dhe shoqëror amerikan është shumë tërheqës për njerëzit e thjeshtë në Kinë dhe si rrjedhim, regjimi komunist i Kinës e shikon këtë fakt si një kërcënim themelor ndaj mbijetesës së regjimit komunist në Pekin.”

Është pothuaj e pamundur që dy fuqi të mëdha me interesa ekonomike dhe gjeopolitike të ndryshme, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të jenë dakort mbi të gjitha çështjet bilaterale dhe ndërkombëtare.    Por takimi jo zyrtar fund javën që kaloi në Kaliforni midis presidentëve të Amerikës dhe Kinës tregon se — cilat do qofshin problemet midis dy vendeve, e ato janë të shumëta, sidomos në fushën e të drejtave të njeriut dhe të vlerave universale — Uashingtoni dhe Pekini, të pakën janë duke u përpjekur që të mbajnë hapur linjet e komunikimit dhe të menaxhojnë  deri diku këto marrëdhënje ashtuqë të mos dalin jashtë kontrollit.  Dhe njëkohësisht  të  provojnë se megjith ndryshimet e mëdha politike, ideologjike  dhe parimore midis tyre, ekzistojnë mundësi për një bashkpunim praktik për çështje të interesit të përbashkët.

Mbajta hapur e linjeve të komunikimit, në nivelin më të lartë midis dy vendeve është tepër e rëndësishme, pasi kemi të bëjmë me një Kinë e cila po tregon gjithnjë e më shumë tendenca ekspansioniste ushtarake në rajonin e Paqësorit dhe kemi të bëjmë me një regjim i cili e sheh të nevojshme që të shtypë  segmente të ndryshme të shoqërisë që nuk pajtohen me politikat e tij, ndërkohë që autoritetet komuniste kineze tregojnë frikën që kanë  nga populli i vet, duke bllokuar  diskutimet në internet në lidhje me përvjetorin e masakrave të 4 Qershorit, 1989, në sheshin Tiananmen të Pekinit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, Jo zyrtar, ne kalifornia, Takimi Amerikano-Kinez

VAJZA E KAMPEVE TE INTERNIMIT

June 10, 2013 by dgreca

Vdekja e papritur e saj, në moshë të re ka tronditur jo vetëm , prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë, të afërmit e saj farefisin Mirakaj dhe Spahiu, por tërë ish të burgosurit politik, ish të internuarit, miq edhe shokët e kësaj familje në SHBA

Nga BEQIR SINA, New York/

 FERMINGDALE – LONG ISLAND NY : Familja Mirakaj dhe Libohova, anëtarë të komunitetin Shqiptar, miqtë dhe të njohurit i dhanë pak ditë më parë lamtumirën e fundit Manjola Mirakaj – Libohova. Ajo vdiq të shtunën më datën 31 Maj, mbas një sëmundje të randë duke lënë pas vetes dy vajzat Anën dhe Emën, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë dhe prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj.

Manjola lindi në kampin famkeqë të internimit në Gradishtë të Lushnjes, më 24 Janar 1969 dhe fati i saj e solli që qysh në moshë të njomë , të njoh vuajtjen dhe vështërsit e jetës, duke parë me syt e saj edhe dhunën e diktaturës komuniste, mbasi babai i saj Leka kur Manjola dhe Matilda ishin të vogla – kaloi 10 vjetë në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Qafë Barit.

Vdekja e papritur e saj, në moshë të re ka tronditur jo vetëm , prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë, të afërmit e saj farefisin Mirakaj dhe Spahiu, por tërë ish të burgosurit politik, ish të internuarit, miq edhe shokët e kësaj familje në SHBA.

Manjola, është një nga ato mijëra vajzat( fëmijët), që lindën dhe u rritën në kampet e interrnimit, të privuara për shkak të politikës komuniste që ndiqte regjimi i Enver Hoxhës vetëm për fëmijët në kampet i interrnimit, ku ajo kaloi disa dekada, deri sa me ardhjen e demokracisë, doli më në fund në botën e lirë.

Eugen Mirlika, një ish i burgosur politik që jeton në Itali, shkruan në essen e tij “Kujtim të një “Lulje”, Manjola Mirakaj, që u nda nga jeta me 31 maj 2013, shkuran se :”Çdo gjë më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetës të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.”

Më tej Merlika thotë , “si të gjithë shoqet e shokët e saj, si një fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj”, shkruan Merilika, ai dhe familja e tij u presekutua për 45 vjet në Shqipëri.

Mirëpo, natyrisht, që nuk ka vdekje të madhe apo të vogël, mbasi çdo vdekje është e dhimbshme, por, ikja e Manjolës ishte tepër e rëndë, aq sa përballja me sëmundjen e rëndë, e cila ishte një betejë e vështirë, që Manjola nuk mundi ta fitojë me gjithë kurajon e madhe, që e karaterizonte atë, me gjithë dëshirën për jetën dhe mrekullinë e mjeksisë së këtij vendi të bekuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Manjola u lind në kampin e internimit të Gradishtës më 24 janar 1969 dhe ndërroi jetë me 31 maj 2013

Fëmijëria e saj u përballë me absurdin e diktaturës, ku në vend të lodrave i afruan apelin e detyruar, privimin nga gjërat më elemntare të jetës, frikën dhe presekutimin. Sepse, ajo ishte pjestare e dy familjeve të njohuar në anët e tyre, por dhe në gjithë Shqipërin, familjes Mirakaj dhe Spahiu. Çka padrejtësisht ajo u “dënua” po nga absurdi që përdorte rregjimi i egër komunistë, me të vetmin fajë që kishte bërë ajo dhe ata mijëra fëmijë të presekutuar, sepse ishte një fëmijë nga dy familjet e mëdha.

Mbasi edhe vet jeta e këtyre njerëzve, që u pushkatuan pa gjyqe, u torturuan, u bugosën, ua morën pronat dhe çka patën, u syrgjenosen kampeve të internimit i dërguan të shoqëruar me policë injorantë, nëpër keneta dhe moçale, i privaun ata dhe fëmijët e tyre edhe nga të drejtat më elementare, duke përfshirë edhe shkollimin e tyre. Andaj sot jeta e tyre paraqet një histori të hidhur dhe të papërshkuar . Ajo është një histori trekëndëshe, e këtyre njerëzve, e cila qendron në mes të dinjitetit të familjes, dashurisë për atdheun dhe kombit, dhe të besimit ndaj fesë, që ata i përkisnin.

Ngaqë, karakteri i tyre i fortë, shpirti i tyre i madh njerëzor, bujar dhe tepër fisnik, me një formim dhe kulturë të thekur përendimore, në të cilën mbajtën edhe shpresën e tyre gjallë, besimin dhe idealin e tyre fisnik, edhe sot dy dekada mbasi ai rregjim u rrëzua, po këta njerëz si arkitekt gjenial – po këta njerëz që u shtypën dhe u dhunan për 45 vjet, u ngritën një ditë si triumfues mbi një “ndërtesë që kishte qenë kalbur dhe e rrënuar” me kohë.

Një “ndërtesë” që ata e quanin “Kala e Komunizmit”, e cila, megjithse, i përkiste botës së qyteruar, të asaj bote që ky komb i shumë vuajtur, në zemër të Europës, i kishte dhënë aq shumë, dhe me të drejtë i përkiste, ashtu si dhe që këta njerëz i përkisnin sepse kishin dhënë shumë Shqipërisë, kombit të tyre.

Me një fjalë, jeta e këtyre njerëzve, që u pushkatuan pa gjyqe, u torturuan, u bugosën, ua morën pronat dhe çka patën, i syrgjenosen kampeve të internimit nëpër keneta dhe moçale, i privaun ata dhe fëmijët e tyre edhe nga të drejtat më elementare, rinia e tyre dhe shkollimin. Ajo, që patjetër, sot është një përshkrim i rrugëtimit të tyre, nëpër tri mbretëritë e përjetshme të gjithë njerëzimit: “Lindjes, Jetës dhe Vdekjes”.

Gjatë këtij udhëtimi të gjatë përfytyror, që zgjati aq sa që nuk mendohej, ishin po këta njerëz që provuan të përshkruajnë dhimbjen dhe vuajtjen që ua shkatoi rregjimi diktaorial – gjendjen e shpirtit të njeriut, pas të gjitha atyre vuajtjeve të tmershme, “Shtegtimet me plaçka në krah si Golgota”, nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, lot dhe dhimbje, por dhe shpresë.

Këtë e përshkroi mjaft bukur edhe Dom Nikolin Përgjini, një prift që edhe ai së bashku me familjen e kaloi ferrin komunistë, për pesë vjet në kampet e interrnimit në Shqipëri, në “Meshën e Dritës” në Kishën St. Thomas, në Long Island – New York. Në shtëpin e Zotit, ku do të përcilleshin lutjet për shpirtin e Manjolës, nga prindërit e saj Leka e Lola, vëllai dhe motra, njerëzit më të afërt të familjes së saj dhe dhjetra bashkëvuajtës të saj – që kan ardhur në Amerikë nga kampet e interrnimit në Shqipëri.

“Unë si klerikë jo pak herë, tha në Meshën e Dritës, Dom Nikolini, e kam përdorur atë vështërsinë që kan kaluar këta njërëz, por edhe gjithashtu disa herë në predikimet e mija, duke i bekuar këta njërëz për karakterin e fort e asaj kohe dhe për qëndrimin dhe shpresën – që kurr nuk u përulen dhe nuk u dorëzuan para vështërsive.”

Natyrisht, që sot tha Dom Nikolini, gjatë predikimit nuk flasim këtu për Xhinën gjyshen e Manjolës, por flasim për vet Manjolën – ku jemi bashkuar për ti thënë lamtumirën e fundit këtij engjulli – pra Manjolës. E në të njëjtën kohë, theksojë ai, kujtojë edhe ato fjalët e saj – duke e përshkruar tamam atë karakterin e fort që qendrojë në vështërsi.

Dom Nikolini iu drejtua prindërve të Manjolës, bashkëshoritit të saj më të pikëlluarave të kësaj humbje, me fjalët se “po mundohem pak a shumë t’ju drejtohem ju si familje që të keni po atë karakter atë forcë edhe atë besim atë këmbëngulje, atë vazhdim të jetës, megjithëse, Ju sot jeni në pikëllim të madh. Jeni në dhimbje, jeni në lot! jeni në vuajtje, ku po i thoni lamtumirën e fundit, bijës suaj, gruas, nanës, motrës, mbesës, kushurirës, shoqes, bashkëvuajtjes suaj të pa harrueshme.” tha Dom Nikolin Përgjini

Ndërsa, vijojë ai “I kuptoj mjaft mirë në këto momente lotët dhe hidhërimin tuaj, duke kujtuar edhe ato vështërsitë që keni kaluar ju të gjithë pjesëmarrës në ato vite që jan pothuajse të paharrueshme, megjithëse, tani keni ardhur në Amerikë, ku jeta është mjaft e bukur. Dhe, kur Manjola ishte e martuar me fëmijë, dhe papritmas u sëmurë në moshë shumë të re, në një kohë që mund të gëzonte edhe më shumë veten, burrin dhe fëmijët, familjen e saj , shoqërin dhe gjithë dashamirët, u nda nga ne për në jetën e pasosur, dhe kjo dhimbje e madhe mund të na kalojë vetem e vetem në qoftë se ne si qytetar ose si të krishter, e përcjellim atë me pyetjet që Krishit ju drejtua Martës kur i tha :” A e kupton ti kush jam unë- Unë jam ai që jap ringjalljen dhe shpresën”. Dhe ajo në atë përvuajtjen e saj i tha :”Yes Lord – Po Zot!”

Gjatë predikimit të Meshës së Dritës, Dom Nikolini, tha se të gjithë duhet të besojm që jeta nuk mbaron me vdekjen –

Për Dom Nikolinin :”Njeriu që edhe pse ndoshta largohet nga ne dhe ne nuk kemi mundësi të flasim dhe ta përkasim atë të komunikojmë si kemi komunikuar, përpara kur ai ka qenë në jet, do të thotë se një njeri që beson në Zot me të vërtet, dhe është i bindur se komunikimi me ato që kan shkuar në jetën e pasosur vazhdon dhe është e mundëshme”.

Ai lut që Manjola të pushoi në paqe! “Ju si familje jam i sigurtë që keni shumë kujtesa – keni shumë mendime , vazhdoi predikimin e tij Dom Nikolini, keni shumë eksperienca dhe kujtime, që ju jam i sigurtë që ju do ti mbani dhe do ti ruani të shtrejta dhe do ti kujtoni gjithmonë ato momente që ju i vlerësoni tek ky njeri, që ai ka pasë si vlera dhe karakter të fortë dhe ti thoni se sot e gjithmonë ne do të kujtojmë, do të lutemi për ju dhe në të njëjtën kohë do të kërkojmë që edhe ju të luteni për ne. ”

Pas meshës një orëshe kortezhi me dhjetra njerëz iu drejtua rrugës drejt Varrezave Saint Charles Cemetery në Wellwood në Farmingdale, të ishullit Long Island – New York.

Dom Nikolin Përgjini, aty mbi varrin e hapur, ku ishte vendosë arkivoli me trupin e pajetë të Manjolës, mbajti lutjen e fundit. Dënesa dhe lot, pshertima dhimbjeje dëgjohen në turmë, duke hedhur mbi arkivolin e saj nga një trandafilë të freskët. Të gjithë vendosin kurora me lule të freskëta mbi arkivol. Sa shumë lule sa shumë trandafila sa shumë kuruora me lule! Ngaqë një lule, që u këput ishte dhe vetë vajza e bukur e kampeve të internimit, Manjola Mirakaj. Nëna Dolorez, i ka ulur sytë e përlotur mbi arkivol dhe përcjell dhimbjen. Leka, i ati vajzës, që ka përballuar situata të vështira në hetusinë dhe burgjet e diktaturës, në kampet e internimit, dhe ka treguar karakter të fortë, arrin ta mbajë veten dhe përcjell tek pjesmarrësit e shumtë në varrim mesazhe falenderimi e mirësie. Pas varrimit sipas zakoneve familja, Mirakaj shtroi drekën e fundit për Mnajolën!

Në fund nëpërmjet organit të Vatrës, DIELLI, në emër të familjes Mirakaj dhe Libohova, ata falenderojn me këtë rast, të gjithë miqtë dhe dashamirët që iu janë gjetur pranë në këto momentet e vështira të ndarjes nga kjo jetë, të bijës , gruas dhe nanës të pa harushme për dy vajzat Anna dhe Emma.

Flenderojmë, thotë familja Mirakaj dhe Libohova, të gjithë ata të njohur e të panjohur që na u gjenden afër nëpërmjet telefonatave dhe mjeteve elektronike në rrjetet sociale të internetit, që na shprehen dhimbjen dhe na ngushëlluan për humbjen e Manjolës.

Ju a kthefshim të gjithëve në ditë gëzimi me nderime Lek, Dolores Mirakaj dhe bashkëshorti i saj Agjah Libohova. Lamtumirë Manjola, vajza me karakter të fortë e kampeve të internimit! Shpirti në Paqë!

 

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Dolorez Miraka, Lek Miraka, Manjola Mirakaj Libohova, vajza e kampeve te internimit

NJË STUDIM, QË DEL NË DRITË, NGA “PLUHURI I HARRESËS”…

June 10, 2013 by dgreca

(Prof. Kolë Tahiri, “Pranimi i fëmijëve në shkollë, në moshën 6-vjeçare dhe përshpejtimi i zhvillimit fizik e psikik”, Tiranë, 2013)

Nga: Prof. MURAT GECAJ/publicist e studiues-Tiranë/

1.

Libri, që doli nga shtypi këto ditë, është tema e disertacionit, “Pranimi i fëmijëve në shkollë, në moshën 6-vjeçare dhe përshpejtimi i zhvillimit fizik e psikik”, i hartuar nga studiuesi Kolë Tahiri. Ai ishte miratuar nga Këshilli Shkencor i Institutit te Studimeve Pedagogjike, në Tiranë, në vitin 1984, për gradën “Kandidat i shkencave pedagogjike” (konvertuar, më vonë, në “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në hyrje të librit, publikuar nga Shtëpia Botuese “Edlora”-Tiranë, nga autori janë edhe pak radhë sqaruese për lexuesit, pasi përmbajtja e tij është e pandryshuar, pra ashtu siç është paraqitur në fillim.

Disertacioni në fjalë, përbëhet nga dy pjesë kryesore, që ndiqen nga përfundimet përkatese shkencore, psikologjike e pedagogjike. Në formë të përmbledhur, ato jepen në fragmentet e autoreferatit, i cili ndodhet në faqet e fundit të këtij libri, si: objekti e hipoteza, përmbajtja, qëllimi, metodat e përfundimet dhe detyrat e studimit.

Nga këndvështrimi i sotëm, në disertacion bien në sy edhe dy çështje kryesore:

 

E para, në kushtet e shtetit monist, kur në çdo gjë politika qëndronte “në plan të parë”, ai nuk mund t’i shpëtonte ngarkesës me fjalët dhe slloganet politike e ideologjike, të partisë-shtet dhe të udhëheqësit kryesor të saj. Në këtë botim, ato jane ruajtur të paprekura, pra ashtu siç kanë qenë shkruar nga autori i disertacionit, afër 40 vite më parë. Ashtu siç e nënvizon tani prof. Kolë Tahiri, kjo gjë dëshmon edhe për shkallën e nderhyrjes brutale të politikës dhe ideologjisë, në punën kërkimore e studimore shkencore të kohës. Por edhe po të hiqen ose çvishen këto sllogane nga disertacioni, në përgjithësi, ai nuk e humbet përmbajtjen shkencore të tij. Bile, përkundrazi, i rritet vlera e mirëfilltë psikologjike e pedagogjike. E themi këtë gjë se, në tërësinë e tyre, çështjet e trajtuara në këtë punim, në rrafshin psikologjik e pedagogjik, i ruajnë edhe tani vlerat e tyre.

 

2.

Siç është e njohur, problemi madhor në fushën e arsimit, për vitet ’80-të të shekullit të kaluar, pra  i zbritjes së moshës se pranimit të fëmijëve në klasën e parë të arsimit të detyruar, kërkonte argumentime të thella, psikologjike e pedagogjike, të bazuara eksperimentalisht, në praktikën e shkollës sonë. Pa këto, sigurisht, nuk mund të merrej as pergjegjësia e mbështetjes së vendimit të Qeverisë së kohës, për zbritjen e moshës  së pranimit në shkollë dhe autori nuk do të guxonte ta ngrinte studimin e tij, në shkallën e  një disertacioni për gradë shkencore, në fushen e psikologjisë e pedagogjisë.

Në disertacionin e hartuar, i cili paraqitet tani në libër të veçantë, theksohet se, në përshpejtimin e zhvillimit fizik e psikik, ka ndikuar edhe stadi ekonomik i vendit tonë, në kushtet e periudhës, kur u shkrua ai. Dihet se, pas Luftës së Dytë Botërore, si rrjedhojë e pjesëmarrjes së gjerë të njerëzve në punën ndërtimtare, me besimin në të ardhmen më të mirë dhe ndihmave, që u dhanë nga jashtë (kredive sovjetike e kineze), ky nivel zhvillimi, krahasuar me prapambetjen e trashëguar dhe shkatërrimet e luftës, nuk  ishte i padukshëm. Pra, nënvizon autori në hyrjen e librit të tij, argumenti për kohen, kur bëhet fjalë, ka qenë real dhe qëndronte. Këtu, duhet shtuar edhe fakti, se ky përshpejtim, si ligj objektiv,  është shfaqur, sidomos, në shekullin XX edhe në vendë të tjerë të Europës e më gjerë.

Ky disertacion, i kthyer tani në libër, parë edhe me syrin e sotëm, mendojmë se ka disa veçanti. Midis tyre, vihet re se studimi është bazuar tërësisht në eksperimentimin shkencor, i cili ka zgjatur katër vite shkollore. Ai ka shërbyer një ndër argumentet kryesore për marrjen e vendimit, nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor, për zbritjen e moshës së pranimit të femijëve në shkollë, nga 7, në 6 vjeç. Pra, kishte gjetur miratim të plotë dhe shtrirje në shkallë vendi. Ndoshta, për atë periudhë, ka qenë i vetmi studim psiko-pedagogjik, i kryer në shkollën tonë edhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet organeve të arsimit dhe atyre të shëndetësisë.

Për herë të parë, sqaron autori i librit, prof. Kolë Tahiri, në studimet tona eksperimentale psiko-pedagogjike, të dhënat e matjeve antropometrike  (peshë, gjatësi, cirkoferencë e toraksit) i janë nënshtruar përpunimit matematik statistikor, nga katedra përkatëse e Fakultetit të Inxhinierisë në Universistetin e Tiranës, e drejtuar nga prof. Kadri Zhulali.

Pa u ndalur me imtësi të përmbajtjes së këtij disertacioni, të publikuar tashmë në një libër, vërehet se ky punim  ruan vlera shkencore, psikologjike e pedagogjike, jo vetem si pikë referimi në historinë e arsimit dhe shkollës sonë, në vitet e fundit të shek.XX,  por përmban  edhe vlera aktuale, si për specialistët dhe mësuesit e shkollës fillore, pse jo, edhe për prindërit. Sigurisht, çështjet e trajtuara duhen vështruar e vlerësuar edhe në përshtatje me kushtet e sotme, kur studimet në fushën e arsimit, të psikologjisë e pedagogjisë, kanë ecur më përpara. Kjo gjë është e lidhur ngusht me hapjen e vendit tonë ndaj botës perëndimore, pas vitit 1990.

Në libër merret informacion se, për kryerjen e këtij eksperimentimi, u përfshinë, me ndërgjegjegje e profesionalizëm, mësuesit e nxënësit e 13 shkollave, në 5 rrethe të vendit tonë, në qytete e fshatra. Autori, që nga Brukseli i Belgjikës, ku është emigrant tash 15 vjet, kujton me vlerësim dhe respekt disa prej tyre,  si: Luçie Gera, Vjollca Raboshta e Pjetër Nika (në rrethin e Shkodrës); Violeta Saliu (Lezhë), Ruzhdie Kola e Bajram Muça (Mat), K.Prifti (Korçë), Minerva Rusi e Nimete Demiraj (Tiranë) etj. Ata janë shquar për punë të kualifikuar, në klasat e tyre, si dhe në veprimtaritë për shkëmbimin e përvojës, me pjesëmarrje në seminare e konferenca shkencore, me  propagandimin e arritjeve në shtypin e kohës etj. Po kështu, autori përmendë metodistët e përkushtuar të kabineteve pedagogjike të asaj kohe, si: Col Dizdari e Faik Luli (Shkodër), Gjon Simoni e Col Dizdari (Lezhë), Adem Kuka (Burrel), si dhe drejtoritë e shkollave, ku janë zhvilluar eksperimentet. Duke i kujtuar e falënderuar ata, shprehet ai, se do te ishte në nderin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që t’i propozonte për dekorime të veçanta, që janë plotësisht të merituara.

Në fund të hyrjes së këtij libri, autori nënvizon se, për nxjerrjen nga “pluhuri i harresës” dhe botimin e këtij disertacioni, u bë shkas edhe një e dhënë e pasaktë, e publikuar pak kohë më parë, në shtypin tonë. Autori i shkrimit, me sa duket i bazuar vetëm në disa terma të nxjerra nga ndonjë manual dhe kështu i painformuar mirë, pa u thelluar në të vërtetën shkencore për këto studime, autorësinë e tërë kësaj pune ia ka dhënë një studiuesi tjetër të nderuar, por që ai nuk është marrë ndonjëherë me studime ose eksperimentime për zbritjen e moshës së pranimit të fëmijëve në shkollë dhe përshpejtimin e zhvillimit fizik e psikik të tyre.

Me këtë rast, e urojmë autorin e këtij disertacioni dhe që tani u jepet lexuesve tanë në një libër, prof. Kolë Tahirin, për punën e bërë dhe përkushtimin e treguar, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në fushën e arsimit tonë kombëtar, të historisë së arsimit dhe te mendimit psikologjik e pedagogjik shqiptar.

Tiranë, 7 qershor 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kole Tahiri, ne moshen 6 vjecare, ne shkolle, pranimi i femijeve, studim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT