• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

SHEKULLI I KLLAPISË

July 22, 2013 by dgreca

Një film mbi shëmbjen  e komunizmit  shfaqet në Kongresin amerikan/
 Nga Frank Shkreli/
Komisioni për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, i njohur  edhe si Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara  njoftoi se ditën e martë  me 23 korrik do të sponsorizojë, në njërën prej sallave të Kongresit, çfaqjen e filmit “Shekulli i Kllapisë”.    Filmi është i bazuar në librin me titull, “Shekulli i Kllapisë: Shëmbja dhe Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik”, e autorit të njohur amerikan të çështjeve ruso-sovjetike, Dejvid Satër,  i cili ka punuar për gazetat Uoll Strit Xhurnal dhe Fajnënshël Tajmas dhe tani punon pranë Institutit Hudson.    Pas shfaqjes së filmit, sipas njoftimit të Komisionit Amerikan të Helsinkit,  anëtarët e Kongresit dhe publiku do të kenë mundësi të diskutojnë  mbi filmin me vet autorin Dejvid Satër  dhe me presidentin e  Radios Evropa e Lirë, Kevin Klose, edhe ai  një ekspert i çështjeve ruso-sovjetike.
Filmi, “Shekulli i Kllapisë”, i bazuar në librin me të njëjtn titull, botur në vitin 1966 është një kronikë e shëmbjes së regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, dhe tërthorazi në gjithë zonën ish-komuniste, e treguar nepërmjet përvojave personale të individëve të ndryshëm nga të gjitha nivelet e shoqërisë sovjetike,e të cilët kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve transformuese historike që çuan në rrëximin e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në mbarë  Evropën Lindore.   Filmi, i bazuar librin “Shekulli i Kllapisë” i Dejvid Satër, është cilësuar, si “një prej portreteve më të mira psikologjike të Rusisë gjatë 1970-ave dhe 1980-ave”.    Filmi ka fituar çmimin prestigjioz Van Gough në Festivalin e Filmave në Amsterdam, për vitin 2013 dhe është çfaqur, përveç në Amerikë, edhe në Rusi, në Angli, Gjermani, Kanada e gjetkë.
Dejvid Satër, i cili ka shërbyer si korrespondent në Moskë për gazeta dhe media të ndryshme, përfshirë gazetën prestgjioze amerikane Uoll Strit Xhurnal dhe atë britanike Fajnënshël Tajms,  në rolin e ekspertit ka shkruar një numër librash dhe artikujsh dhe ka dhënë intervista, enteve  më të njohura mediatike të botës, përfshirë edhe Zërit të Amerikës, mbi shëmbjen e regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik.    Por, përveç portretizimit të sistemit komunist sovjetik,  libri dhe filmi i bazuar në librin, “Shekulli i Kllapisë”, në të vërtetë portretizojnë  me mjeshtëri edhe tiparet karakteristike të shoqërive të tjera nën regjimet komuniste anë e mbanë Evropës lindore, gjatë “Shekullit të Kllapisë”.   Si korrespondent në Moskë gjatë asaj periudhe fatkeqe por historike, Dejvid Satër ishte dëshmitar i pasojave shkatërruese, për shoqërinë sovjetike dhe për individin, të një ideologjie komuniste fanatike, që sipas tij,ndër të tjera – ishte shkaktare e urisë së përmasave të mëdha në Ukrainë, një idelogji që me ligj urëdhëroi ndalimin e fesë, torturoi, burgosi dhe dërgoi në kampe përqendrimi në Siberi dhe gjetkë, miliona kundërshtarë politikë, etnikë dhe fetarë.   Filmi i Dejvid Satër tregon  me të vërtetë, efektet  dhe goditjet shkatërrimtare shpirtërore dhe materiale të komunizmit mbi shoqërinë dhe individët, të cilët kanë patur fatin e keq të jetonin nën atë regjim.

Në një intervistë për një revistë amerikane, Dejvid Satër ka thënë se filmi, “Shekulli i Kllapisë”, ka të bëjë me “Shëmbjen dhe shkatrrimin e regjimit komunist sovjetik, i parë nga përvoja personale, ashtu siç është përjetuar nga vet popujt sovjetikë”.   Ai thotë se, ” Skenari  i filmit tregon  pasojat e rënda dhe se çdo të thoshte të ndërtohej një shtet i tërë në bazë të një ideje fals e të gabuar dhe se si informacioni i saktë mbi gënjeshtrën e madhe,   më në fund çoi në shkatërrimin e shpejtë dhe të pandalshëm të Bashkimit Sovjetik.”   Dejvid Satër shpjegon se filmi përmban  intervista me persona dëshmitarë të ngjarjeve, dhe konkretizon përvojat e tyre që më në fund çuan  në rrëximin e regjimit komunist.    Skenari i filmit e çon shikuesin në qendrat e KGB-së, aty ku merreshin në pyetje disidentët dhe kundërshtarët politikë të regjimit,  si dhe në kampet e përqendrimit, ku protesta më e vogël e një të burgosuri sjellte ndëshkime të rënda për të dhe për të tjerët, përfshirë izolim në qeli.  Edhe kampet e punës së detyruar të mbushura me kundërshtarë e disidentë politikë të të gjitha bindjeve e të cilët pësonin tortura të llojllojshme, janë gjithashtu pjesë e skenave të filmit.Filmi portretizon Aleksandër Shatravka-n, i cili kishte kaluar kufirin me Finlandën, por finlandezët  e këthejnë mbrapa duke  ua  dorëzuar atë autoriteteve komuniste sovjetike, të cilët si pasojë  e torturojnë në një spital të çmendurish.  Një tjetër, person që shfaqet në film, është Nina Smirnova, një vajzë e re sakate, e cila lutej në një kishë për tu shëruar dhe e cila u persekutua nga autoritetet komuniste, pasi  për mrekulli ajo filloi të ecte rishtas.   Dhe individi i tretë që portretizon filmi, “Shekulli i Kllpisë”,  është një i ri nga qyteti Shadrinsk, i cili besonte vendosmërisht dhe me bindje në ideologjinë komuniste, por i cili ndërkohë mësoi se cili ishte realiteti i regjimit komunist sovjetik ndërsa po luftonte në Afganistan.

I pyetur se cili është objektivi i filmit, Dejvid Satër  tha se “duke treguar realitetin e frikshëm të jetës nën regjimin komunist nepërmjet përvojave personale, filmi ka për qëllim të tregojë se çdo të thotë të jetoje në një shoqëri të bazuar në një ide fals e të gënjeshtërt.   Dhe synon gjithashtu që të kallëxojë pasojat tragjike të përpjekjeve të ideologëve komunistë, për të ndryshuar, me force, natyrën njerëzore…dhe njëherazi për të treguar realitetin se si njerzit ishin të detyruar të jetonin dhe të vepronin në bazë të këtij realiteti të trilluar dhe të rremë.”

Filmi, “Shekulli i Kllapisë” i bazuar në librin me të njëjtin titull i autorit Dejvid Satër, ”hedhë poshtë çdo nocion që ende mund të ekzistojë në disa qarqe dhe në radhët e disa individëve  nostalgjikë, se ideologjia komuniste ishte progresive dhe humane”.   Libri dhe filmi venë në dukje se cila në të vërtetë ishte arsyeja  që u   shemb sistemi komunist, duke u bazuar në dëshmitë  dhe përvojën  e atyre të shkretëve që e pësuan rëndë  nga mos pajtimi i tyre me ideologjinë komuniste, dhe njëkohësisht hedhë dritë mbi arsyet se pse u shëmb perandoria komuniste.

Filmi, “Shekulli i Kllapisë”, portretizon gjendjen tepër të keqe në Bashkimin Sovjetik, sidomos gjatë 20-vjetëve të fundit të ekzistencës së regjimit të tij, si njëra prej dy fuqive më të mëdha në botë, dhe njëkohsisht nxjerrë në dritë gënjeshtrat dhe deluzionet e regjimit si dhe brutalitetin e policisë sekrete sovjetike KGB ndaj kundërshtarve të regjimit dhe të partisë komuniste.  Autori Satër, me mjeshtëri dhe   pasion paraqet  se si  popujt sovjetikë, por edhe popujt e vendeve të tjera komuniste, jetonin dhe vepronin duke u mbështetur në një gënjeshtër të madhe të një regjimi brutal, siç ishin regjimet komuniste anë e mbanë Evropës.   Dy të këqiat e shekullit të kaluar, nazizmi dhe komunizmi, kishin shumë gjëra të përbashkëta, por dallonin për nga grupet qe ata kishin në shënjestër për eliminim.   Nazistët përqendroheshin në zhdukjen e një grupi të veçantë etnik, ndërsa komunistët fokusoheshin në zhdukjen e të gjithë atyre, të cilët ata i konsideronin si persona që kërcënonin ekzistencën e regjimit komunist.

Filmi i bazuar në librin e  Dejvid Satër, më në fund,  demonstron se regjimi komunist sovjetik dhe regjimet si  motra anë e mbanë Evropës lindore — duke u mbështetur dhe duke ndjekur një ideologji fanatike që refuzonte të njihte liritë civile dhe të drejtat bazë të njeriut — u këthyen nga ekperimente të mëdha shoqërore, në një katastrofë gjigante dhe falimentin të rëndë për të gjithë.   Sistemi komunist dështoi në mënyrën më fatkeqe për të krijuar “njeriun e ri” dhe “shoqërinë e përfeksionuar”.   Me librin e tij, “Shekulli në Kllapi” dhe tani me filmin kinematografik të bazuar në këtë libër, autori dhe eksperti i çështjeve ruso- sovjetike, Dejvid Satër i ka bërë një shërbim të çmueshëm njerëzimit duke hedhur dritë për publikun dhe tani për Kongresin amerikan,  mbi natyrën e vërtetë të komunizmit, ashtuqë krimet dhe masakrat për të cilat ai flet në këtë antologji kinomatografike të mos përsëriten kurrë më.  Dhe  me shpresë që njerzit të dalin nga kllapia e harresës së mëkateve dhe krimeve si dhe e të miliona viktimave të pafajshme të regjimit komunist sovjetik, dhe regjimeve të tjera komuniste të Evropës lindore.   Këjo duket se është edhe arsyeja kryesore që filmi po sponsorizohet nga Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara për tu shfaqur të marten, me 23 Korrik, në njërën prej sallave të mëdha të Kongresit amerikan.

Filed Under: Kulture Tagged With: age of delirium, filmi, Frank shkreli, Shekulli i Kllapise

AH SIKUR…!

July 22, 2013 by dgreca

-Gënjeshtra- /

 Skicë-esé nga DRITA LUSHI/

 Na gënjejnë qysh  në  lindje.

Po, po!

Me një biberon gënjeshtër (rrens), mamatë  na “mashtrojnë”,e na bëjnë  të besojmë  se  kemi  gjirin e tyre në gojë.

E ne, as motakë, në  abc-në  e vetëdijes  sonë  hapvogël  themi :

“Ah sikur!”

“Sikur  të kishte qumësht, ky “gji”, atëherë  do të  ishim më mirë, sa të qetë do flinim!”

E këtë, e themi me sytë, qe ia ngulim mamave tona, të cilat mendojnë se nuk kuptojmë, e vazhdojnë punën të qeta.

Ndonjëherë  zemërohemi aq shumë,  sa qajmë.

Kjo, është  protesta  jonë  e vetme ndaj “gënjeshtrës” që na bëjnë, sapo lindim.

Po  edhe  ne gjithashtu, gënjejmë fëmijët  tanë. Po, po, i gënjejmë në të njëjtën mënyrë.

Një “gënjeshtër” që na e mësuan  të tjerët  qysh në lindje,  e zbatojmë  edhe ne, jo pa kuptuar, por me vetëdije.

Nis  kështu “riciklimi” i gënjeshtrës, dhe trashëgimi  i  saj.

Ne një moshë  pak më  të  madhe, kur i pyesim  mamatë  tona se, si lindëm , asnjëherë  nuk na kanë treguar te vërtetën.

Por ndonjëherë, edhe kur u  themi të vërtetën, fëmijët  s’besojnë.

Pasi i thashë vajzës  sime, që  e kisha lindur me operacion, filloi dyshimi i  saj, se mos  ndoshta,  ish’ e  birësuar, për  faktin se është e vetme.

Disa  gënjeshtra,  i marrim për  të vërteta, e disa të vërteta i marrim si gënjeshtra.

Natyra e njeriut, është  sa e komplikuar  aq  edhe  e pafajshme.

Ndonjëherë na pëlqen të na gënjejnë.

Ndonjëherë, na gënjejnë, dhe ne, bëjmë sikur besojmë.

Ndonjëherë na gënjejnë  dhe  s’e kuptojmë kurrë, gjithë jetën

Na kanë  gënjyer edhe në shkollë.

Na  kanë  gënjyer librat, kur  shkruanin, se ishim vendi më i  lumtur dhe i lirë në botë, paçka se i binim derës së komshiut  në  fund të  pesëmbëdhjetëditëshit, për huanë e zakonshme.

E ne, i gëzoheshim të lumtur kësaj “mrekullie” që natyra ia kishte dhënë vetëm vendit  tonë  të bekuar.

(Oh, ç’gënjeshtër e bukur!Të mundësh të  jetosh e mbijetosh nga një mashtrim!)

E na dhimbsej  bota e “shkretë” e njerëzit e saj të uritur e të varfër!

Në njëfarë mënyrë na gënjyen edhe mësuesit qe na i spjeguan këto libra.

Mësuam të  gënjejmë, për mësimet, për notat e për ndonjë  gjë të vogël.

Gënjyem dhe kur dolëm me  ndonjë djalë, deri në ditën që ai, u bë dhëndërr shtëpie.

Po Sot?

Gënjeshtrat sot, janë kthyer në murlan që  fryn  nga të katër anët.

E ne, të çoroditur mundohemi të mbrohemi, të  strukemi,e  herë-herë të vëmë në punë  imunitetin që organizmi ynë  ka mundur të fitojë  nga përballja,  me thurje e ndërthurje, kompozim e dekompozim  të viteve të gënjeshtërt  e gënjeshtrat  e sa e sa viteve.

Sot  gënjeshtra, ështe modernizuar.

Gënjeshtrat,  veshin  fustanet  e shekullit  të njëzet e një, minifunde  të blera  on line.

Gënjeshtrat  ecin me vetura të shtrenjta, jetojnë  në apartamentpallate.

Gënjeshtrat  s’dalin lakuriq, nuk prostituojnë.

Ato kanë  pronar/e  që i mbajnë  fort, me fanatizëm e xhelozi.

Gati-gati, të vjen  t’a  kesh  “zili” gënjeshtrën.

E ç’bejmë ne, kur kjo  lartohet kaq bukur e hijshëm para syve tanë?

Nisim edhe ne, të  gënjejmë  veten.

A nuk  është  gënjeshtër ndaj  vetes, kur s’duam  të pranojmë  diçka që ndodh  konkretisht,por “ënderrojmë” mënyrën  që do të donim ne?

A nuk genjejme veten,kur nuk arrijmë  dot  atë që duam, kur nuk arrijmë synimin, postin, njeriun që pëlqejmë, mirëqenien, paratë, kur s’mundemi  t’i   blejmë fëmijës atë që do?

Ne keto raste, ndërgjegjia dhe vetëdija naivizohen me dashje prej nesh, per t’ia lënë vendin fantazisë së gënjeshtert, që ne të mos ndiejme shumë zhgënjimin e mos arritjes së qëllimeve tona.

Në çastin që fillojmë të gënjejmë veten, e i shohim ndodhitë, njerëzit, me syrin që do na pëlqente, tashmë,  megjithese të rritur, ashtu sikurse motakë përsëri themi:

“Ah, Sikur!”

E  thirrja dëshirore, vihet në punë me nxitim, larg vetëdijes që s’do të na lejonte  të pranomin gënjeshtrën si trampolinë, për të  arritur  atë  që do të donim.

“Ah, sikur!”- themi në  a-b-c-në  tonë motake.

“Ah, sikur!”- themi ne  y-z-zh-në  tonë maturë.

E pavarësisht se na gënjejnë e gënjejmë, pavarësisht nga timbrimi i bukur në të shqiptuar i “ah, sikur!”, gënjeshtra më  e keqe është ajo ndaj vetes.

Zgjidhja më e mirë  është ndarja me të, për të mos qenë të droguarit-vartës të saj.

Të  jesh  i  lirë, e të shohësh me  sy hapur, nuk është  dhe  aq e vështirë, paçka se mund të  jetë dhe  e dhimbshme, paçka se diku mund të ketë shumë diell, e diku shumë  shi…

“Ah, sikur!”…të mos kishte lindur kurrë gënjeshtra!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ah Sikur, Drita Lushi, Genjeshtra, skice esse

ERMONELA JAHO- DALLËNDYSHJA E PUCINIT(LA RONDINE), NE COVENT GARDEN OPERA HOUSE, LONDËR

July 22, 2013 by dgreca

Shkruan: MAL BERISHA*/

La Rondine (Dallëndyshja) Premjerë/

17 korrik 2013.  Teatri londinez – Covent Garden Opera House – vazhdon jetën e tij të përditshme. Në njerën anë të tij, në skene ka mbledhur artistë nga më të mirët e globit. Nga ana tjetër mbushet me spektatorët më sqimëtare  të botës, me shijen më të hollë për muzikën, me elitën e ndjekësve të muzikës klasike londineze të cilët nuk falin as gabimin më të thjeshtë, as rrëshqitjen më të vogël zanore. Për Teatrin Mbretëror kjo është një ditë e rëndësishme si çdo ditë premjere. Është shfaqja e njërës prej operave më të bukura  të një autori me emër të madh, Xhiakomo Puçini. Është La Rondine (Dallëndyshja). Në këtë natë të shënuar, ku një numër i pafund teatrosh londinezë hapin siparin e tyre, në Covent Garden Opera House ka diçka të jashtëzakonshme, jo vetëm për audiencën e kësaj shfaqje por më shumë se për këdo, për ne shqiptarët e Britanisë së Madhe. Kjo natë është e jashtëzakonshme sa për artisten Ermonela Jaho aq edhe për Ambasadën Shqiptare në Londër dhe lidhet me emrin dhe reputacionin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Është Diva Globale e cila këtë skenë ka vite që e shkel, dhe sa herë që vjen, aq herë e shton numrin e pasonjësve të vet. Sa here që vjen, aq herë ua rrit krenarinë shqiptarëve në këtë vend ku arti çmohet ndoshta më shumë se çdogjë tjetër. Po kush është Ermonela në fakt, ashtu siç i është paraqitur ajo publikut londinez në përshkrimin e bërë në librin shoqërues të biletës për artistët interpretues të kësaj Opere në rolin e Magda de Civry?

“E lindur në Tiranë ajo studjoi muzikë në vendin e saj e pastaj në Romë. Ajo ka debutuar në Tiranë që e vogel duke interpretuar rolin e Violetës që kur ishte 17 vjeçe. Paraqitjet e saj të viteve të fundit para publikut përfshijnë Violetën në Royal Opera, Berlin State Opera, Opera de Lyon, Hamburg State Opera, Arena di Verona, Vienna State Opera, Deutche Opera Berlin, Bavarian State Opera, Sour Angelica Royal Opera; Cio-Cio-San e Baterflait në Filadelfia, Koln, Liceo, Barcelona; Mimin e Bohemës në Berlin State Opera, La Monnaie, Bruksel; Liun  e Turandove në Filadelfia, San Diego; Luisa Millerin dhe Anna Bolenën në Opera de Lyon; Magda de Civryn e La Rondine në Trieste Vitella, La Clemenza di Tito dhe Xhulietën në Capulleti e i Montechchi në Avignion; Micaealan në Glyndbporne, Romë, Arena di Verona; Margaritën e Faustit në Helsinki;  Massenet’s Manon në La Scala, Milan, Marsjejë; Madamë Baterflain e ka luajtur në operat e Hamburgut, Avinjonit, Champs Elize, Paris; Violetën në Operan e Vjenës, Mimin në Londër dhe në Lyon e sa e sa tjera”.

Nëse do të vijonim  me emrat e veprave dhe vendeve ku ka interpretuar Ermonela Jaho, kjo listë  do të ishte shumë e gjatë. Por le të kthehemi tek “Dallëndyshja” e 17 qershorit në Covent Garden Opera House në Londër.

 

                Opera apo Operetë?

 

Opera Dallëndyshja (La Rondine) e Puçinit është shkruar në vitin 1915. Ajo ishte porositur nga Caritheater i Vjenës si një opera me një libret gjerman. Puçini e shkruajti atë bazuar në libretin e Xhuzepe Adamit në gjuhën italiane. Por pikërisht atë vit Italia hyri në luftën e Parë Botërore duke patur në anën tjetër të frontit Austrinë. Të shkruante një opera për Austrinë, për patriotin italian, kompozitorin e madh Puçini, ishte e pamundur. Prandaj ai zgjodhi ta ekzekutonte veprën në premjerë në një vend asnjanës,  në Monte Carlo. Premjera u dha në vitin 1917. Që prej asaj kohe kjo vepër është interpretuar shumë herë por gjithmonë është diskutuar nëse ishte opera apo operetë. Ajo nuk është as opera komike as tragjike por ka ndoshta mbylljen më melankolike në historinë e skenës operistike. Diskutimi për të vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ermonela Jaho i jep Veprës një pamje dhe kuptim të ri.

Artistët e mëdhenj lenë gjurmë ne çdo paraqitje para publikut. Puna e artistit është përherë një punë krijuese, kërkuese elementësh të rinj, gjetjesh të mjeteve artistike të pa përdorura më parë. Ndryshe gjërat do bëheshin të zakonshme. Parë në këtë plan, ajo që sjell këngëtarja jonë në skenën mbretërore është diçka e re, diçka e dallueshme, e veçantë. Në natën e 17 qershorit ajo e mbajti publikun londinez
pezull, në ajër, me frymë të ndalur. Në sallën mijëra vetësh dëgjohej vetëm tingulli i zërit të saj i shoqëruar nga një orkestër që nuk ka asgjë më pak se ajo çfarë bëhët në Mbretërinë e Muzikës – Operan Mbretërore Londineze. Zëri i saj i kthjellët, magjik, deri në prekje fundore të çdo ndjenje njerëzore me timbrin e tij është në një harmoni gati hyjnore me orkestrën, levizjet skenike, dekorin, dritat dhe tërë pamjen spektakolare të sallës. Lëvizjet e stërmenduara në skenë, kujdesi ndaj çdo detaji, aktrimi me këngen alternohen deri në atë masë sa kur bie perdja, njeriu nuk dallon dot se sa orë, vite apo jetë ka kaluar në atë sallë magjepsëse.

Shfaqja vjen me një rritje të vazhdueshme për të ardhur tek triumfi i padiskutueshëm që shpërthen në duartrokitje, mallëngjim, dhimbje, vaj, reflektim individual të çdo njeriu që gjëndet në atë sallë. Është një triumf i padiskutueshëm. Një lloj ndërthurje ndjesishë, admirimi, një lloj katarsisi ku çdo njeri e gjen veten në mënyrën e vet, një lloj meditimi emocional që përkthehet në lotë dhimbjeje, dashuri njerëzore, hyjnizim artisti, nevojë për të parë mbrapa tek e kaluara e vetvetes. Minuta të tëra duartrokitjesh, dhe zbrazëtim i asaj salle për t’i lënë vendin shfaqjes së të nesërmes.

Duke e parë Operan La Rondine në interpretimin e trupës së Covent Garden Opera House me Divë Ermonela Jahon, mendja më vajti tek rregjisori i famshëm gjerman Rejnhard i cili drejtonte Burgteatrin e Vjenës ku luante Moisiu ynë i Madh. Kritika e asaj kohe hamendësonte rreth disa shpërthimeve në interpretimin e Moisiut të karaktereve të tilla si Hamleti dhe që shfaqeshin tek artisti ynë i madh papritur, jashtë natyrës austriake. Këtë veti të tij, kritikët ia lanë origjinës së tij shqiptare. Ky konstatim kritik ndaj Moisiut tonë vjenez më çoi të mendoja dhe të shihja në skenë një temperament tjetër, një Magda de Civry e cila i sjell Londrës një natyrë tjetër të këtij personazhi, një sjellje tjetër, shumë më të kujdesshme ndaj vlerave familjare dhe morale.

Madgi da Civry, e luajtur nga Ermonela Jaho solli para spektatorit londinez një karakter shumë të ngjashëm me një shqiptare. Puçini dhe Adami e kanë sjellë deri në fund të shfaqjes Magdan në jetën e saj aventureske dhe ata janë autorët e veprës. Por ka gjithmonë diçka të fortë, jo vetëm emocionale por edhe filozofike që artisti interpretues i vesh rolit që luan. Në këtë rast, i tërë dramaciteti i veprës ndërtohet prej artistes tonë bazuar në konfliktin e njohjes së vlerave morale, dashurisë së fortë pasionante që kërkon të ndërtojë një jetë të bukur bashkëshortore me pëlqimin e familjes, nënës së Rugeros në këtë rast nga njëra anë, dhe pengun moral të së shkuarës së saj në anën tjetër. A duhet thënë e vërteta dhe pastaj gjërat të rrjedhin si të rrjedhin? A duhet të ndërpritet ajo dashuri, që sado në dukje e panatyrëshme, ka forcë të jashtëzakonshme? A duhet marrë dashuria e çmendur e Rugeras që nuk merr parasyshë asgjë nga e kaluara, apo duhet “vrarë” ajo dashuri që pa lindur që mos të ndodhë e njejta gjë kur gjithçka të merret vesh? E tërë kjo betejë shpirtërore a Madgës – Ermonelë ka në vetvete dilemën e madhe që zakonisht e mbartin përfaqësues të kombeve me traditë ende shumë të forte morale, ku e ardhmja nuk mund të ndahet kurrësesi nga e shkuara dhe në këtë rast e dyta bëhet pengesa më serioze ndaj së parës. Kjo është tejet shqiptare në të vërtetë. Dilema deri në vendim për të lënë Rugeron, pikërisht sepse e donte atë, e trajtuar vërtetë në një mënyrë që të kujton ende një mentalitet shqiptar, e mbajti sallën në një gjëndje të plotë “kontrolli” emocional deri sa gjithçka u shkri, u tret dhe humbi thuajse në lotët e çdo spektatori përfshirë autorin e këtij shkrimi.

Mbyllje:

Performanca e Ermonela Jahos në Teatrin Mbretëror të Londrës ishte për artin shqiptar në përgjithësi,  për bashkësinë shqiptare në Britani dhe për vetë Ambasadën Shqiptare në Londër në veçanti, një ngjarje e madhe artistike. Për këta të fundit, prania e saj në veprimtari të tilla e çon akrepin e opinionit britanik për shqiptarët drejt nordit të ndritshëm duke zbehur deri në zhdukje opinionin se shqiptarët dinë vetëm të emigrojnë dhe kur e bëjnë këtë e bëjne edhe me shumë problematikë për vendasit që i presin.

Ambasada në Londër pati nderin dhe krenarinë ta mirëpresë artisten e madhe në mjediset e saj dhe po ashtu ta ndjekë në shfaqje duke marrë edhe urimet më të mira nga vetë Covent Garden Opera House për arritjet e kësaj artistje të madhe shqiptare.

*Mal Berisha : është Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut,

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dallendyshja e Pucinit, Ermonela Jaho, Mal Berisha, ne Operen e Londres

Gurët e rëndë të xhamisë së Prizrenit

July 22, 2013 by dgreca

Nga Namik Selmani/

E kisha për herë të parë që shkoja në Prizren .Prej kohësh ai qytet flinte në përfytërimin tim herë kur isha një djalë i shkolluar në bankat e shkollës pedagogjike e herë më vonë. Në Elbasan kishim edhe kujdestarë konvikti nga krahina e Prizrenit. Ata na flisnin pak fshehurazi po përfytërimi ynë ndizej edhe më shumë  Aty kishim në vitin 1967 edhe shumë djem nga Kosova që kishin ardhur fshehurazi apo edhe me detyrim në Shqipëri dhe kishin hyrë në këtë shkolë me tradita të shumta. Vinin nga një shekull i lartgët i mbushur me  gjëmimet e pushkëve  tërë zulm lavdie .me shamatosjen e Evropës e jo më pak edhe tonën Te përfytërimi im që kishte pjesë edhe Çamëria ullinjpërzhitur me varre të panjohur e të hapur fort po mblidhej litari i fjalëve dhe fleta më dukej fort  e vogël dhe e ngushtë për tërë ato mbresa që po më vinin. E nuk isha gjeneral me spaleta të rënda, e nuk isha tupanxhi si i thonë në Prizren për të thirrur të tjerë bashkëkombas në betejat e reja që prisnin të më merrnin edhe mua si ushtar të mirë e modest . E nuk isha një këngëtar që të pushtoja skenat e zhurmshme me drita e pa drita  Ani. Kisha sjellë atë vit të 2003-shit bashkë me këto kujtime që po ndiezeshin fort bukur si  furat e nënave çame apo si gacat e lisave të bjeshkës së Sharrit , të Zymit, të rrethinave një copë  Çamërie. Jo nga ajo copë që fle fort në atë të adoleshencën tënde. Por në atë që fle në vargjet e tua,  Që fle në fjalët e tua të thëna e të pathëna. Jo, kësaj radhe kisha marrë me dhjetra fotografi të mëdha me dramën e bukuruinë e Çamërisë, me piskamën e fortë të halleve të saj. Me gjëmimin e trojeve ende të pushtuara. Me jehonën  e fëshfëritjes së ullinjve e të blegërimave të jetimta të deleve që edhe kokëprera kërkonin barinjtë e dikurshëm .Barinjtë që kishin vdukur udhëve, në brazdat e hapura të tokave të tjera me amanetin e rëndë të një toke që e nuk kalohet lehtë.  Dhe e kisha sjellë këtë ëndërr ende të gjallë bash aty në Prizren, pranë një lumi që garonte me ëndrrën e këtij qyteti e të mbarë shqipfolësve LUMËBARDHI . E kisha sjellë ëndrrën e Çamërisë bash këtu pranë asaj shtëpie madhështore në atë vend që dikur kishte ngjizur ëndrrën e bashkimit atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E kisha sjellë këtë pranë xhamive të shumta që ia kanë dhënë këtij qyteti pa asnjë mëdyshje emrin “Meka e Ballkanit”  E nënë zë këndoja rrugës prej nga vija një këngë të re tërë lirizëm, tërë ngrohtësi  “Zambaku i Prizrenit”. Dikur e dëgjoja qoftë edhe duke ia vënë veshin pranë të vetmes rqdio të vogël që kishin blerë prindërit e mi  dhe që ishte e vetmja URË që më bashkonte me Kosovën, pse jo edhe me botën shuëm më të madhe se ne e mendonim. “O zambaku i Prizrenit ….

E në këtë gjerdan zambakor, më vinin zërat e Nexhmje Pagarushës që do ta takoja me aq mall vitin e  kaluar, bash në shtëpinë e saj të mbushur me lule e me ëndrra apo me nostalgjinë e së kaluarës. M’u kujtua zëri i Liljana  Çavollit, i Esat Bicurrit . E besomëni, edhe zemra më ishte bërë si një vazo ku kaherë në dimër e pranverë kisha mbjellë një zambak Prizreni duke qenë vetë lulishtyar duke qenë vetë ai që më dhuronin lule të tilla simboli i një qyteti të tërë. E më gazmonin të gjithë trupin, zemrën shpirtin, syrin e mrrolur nga pika e padukshme e lotit të fshehur në vargjet e brishta që hidhja në letër . Kudo… Në atë kohë telagjëmbash që ndante edhe fluturimin e zogjve matanë kufirit ku kishte të njëjtët shkronja e tinguj, ku kishte të njëjtat zakone të vdekjes e dasmës, ku kishte të njëtën fytyrëskuqje të dashurisë së parë, ku kishte të njëjtat lule do të ishin ëndrra më e madhe. Në to e mendoje syrin tënd duke parë Urat e Gurta të Prizrenit, të shihje udhët e tij që i ngjanin Beratit, i ngjanin Krujës, i ngjanin Shkodrës, Korçës,  Elbasanit, pale të këngëve që ishin si dy pika uji me të gjithë këngët e qyteteve tona të këndejkufirit.  E pra, po shkoja atje duke marrë me vete të gjithë ëndrrat e gjyshërve të mirë të Çamërisë që e thithnin edhe më të menduar duhanin e llullave kur kujtonin Kosovën. Kisha dërguar në ato fotografi të mëdha pak shpirt të atyre nënave. E fort po druhsha se a  mund t’i mbaja në shpatullat e mia, paksa të lodhura nga koha, nga zhgënjimet e kohës që po jetoja dhe nga pamundësia e realizimit të ëndrrave ato dëshira të bukura të tragjikta, me një Krye ëndërr si ishte BASHKIMI Mbi të gjitha po dërgoja pak nga dëshira e myslimanëve shqiptarë të Beratit, të Kavajës, të Peqinit, të Tiranës për tërë ato xhami. Dhe në atë orë të atij mëngjesi shtatori kur ezanët e namazit të Bajramit jehonin në një të dhjetën e sekondës nga njëri tjetri. Po krijohej një polifini thirrjesh të rë hyjnizim, të denja që të dërgojnë në atë balafaqim që njeriu e jeton rrallë me veten. Nga më të bukurat që mund të jetojë një qytet besimtarësh, në një ditë të bekuar e të mbarë si është ajo e Bajramit. Ishte shumë e vështirë dhe e pamundur që në atë mëngjes shtatori të mos bëje ritin e faljes së namazit të Bajramit në xhaminë më të madhe të Prizrenit. Ishte obligim besimtari. Ishte mbarësi për të nesërmen. Ishte amaneti për së gjalli për ato që nuk mund të vinin dot këtu në këtë qytet kaq të mbarë e të bekuar nga Zoti e kaq të fuqishëm për të mbijetuar në kohëra me të gjithë përbërësit e jetës së tij urbane, shpirtërore, fetare, ekonomike, kulturore, urbanistike, arsimore, ushtarake.. Vërtet protokolli kishte vetëm ekspozitën me lajëmrimëe të bëra që më oparë , me njoftime në televizionet e qytetit , me lajmin që njëri ua jepte tjetrit,  po shumë herë ato të voglat ngjarje shpesh e bëjnë shumë më të pasur ditën tënde, shumë më emocionuese atë që ti kërkon të bësh kur do të shkosh. Në ta dalë të Hotel “Therandës” të gjithë xhamitë të ftonin dyerhapur atë ditë të bekuar bajrami. Minaret e shumta të qytetit dukeshin si shtiza diellore që, ndryshe nga dielli që i dërgonte shtizat e tij të zjarrta në tokë , ato shihnin nga qielli. Mbase donin të dërgonin forcën e shpirtërave të këtyre njerëzve tashmë të lirë që i kërkonin zotit të kishin sa më shumë mbarësi. Rruga ishte me njerëz që nxitonin drejt xhamive. Nuk e kishe të vështirë që të kuptoje se shumica e tyre po shkonin të falnin namazin e Bajramit. Të veshur bukur, pastër, secili përshëndeste njerëzisht në rrugë, edhe pse mund të mos i njihnin ato që ua drejtonin. “Vëlla, mirëmëngjes e gëzuar Bajramin- iu drejtova një burri pak a shumë moshatar me mua.- Ju lutem, a më tregoni se cila është xhamia më e madhe e Prizrenit – Kam bërë nijet që të fal atje bajramin.|  Prizrenasi i urtë e kuptoi se nuk isha nga ky qytet, se isha nga ata të Shqipërisë si i thonë ata,  e me shumë dashuri ma ktheu: “Po, vëlla, edhe unë atje po shkoj. Hajt ta bajmë rrugën bashkë.”

Nuk kishte gjë më të bukur. Dita e bekuar do më sillte edhe një njohje të re, edhe pse anonime, po që nuk do të më shlyhet nga kujtesa edhe tash 10 vite më vonë . Pse jo edhe në vitet që do të vijnë . Pasi bëmë njohjet e shkurtëra nga ato që njeriu i bën në rrugët rastësore si ishte dhe ajo, më tha: “Te Xhamia që po shkojmë tash ka një histori të veçantë që është përcjellë brez pas brezi. E që ka ndoshur në kohën kur ajo ishte në mesin e punimeve të saj.” Më tej ai nisi një rrëfim që po më bënte shumë të vemendshëm. Natyrisht e kisha të vështirë që të nxirrja një letër e ta shënoja këtë intrigë publicistike e mençurore nga ato që një gazetar apo edhe njeri e gjen rralla në jetën e që ua kalon një mijë citateve  që sheh sot në portalet e interneteve të vendeve të ndryshëm. Në pozicionin e besimtarit po ma bënte dhe më të mbarë ditën e bekuar të asaj feste popullore të Prizrenit, të mbarë kombit apo edhe të mbarë botës myslimane. Ishte dita  kur kombi ynë dhe kombe të tjera luten për mbarësinë e viteve që vijnë dhe për qetësimin e shpirtërave të atyre brezave që lanë pas sa e sa pengje për lirinë, për shkronjën shqipe, për mbarësinë e ugareve të pambjella, për hijet e pyjeve, për djepet që shumë herë na u gjakosën e na mbetën pa fëmijët e së ardhmes, për….Ishte një rrëfim që të godiste ëmbëlsisht. Dikur para gati 500 vjetesh, në një ditë të zakonshme pune të 800 punëtorët ishin ndarë në sa e sa fronte pune që një objekt kulti si xhamia i ka të gjithëfarshme. Në minaret, në portikë, në mafile, në dysheme, në çati, në mure, në mjedise të shumta, në pikturat e mureve, në ndërtimin e çezmeve ku besimtarët do të merrnin avdes, në lulishtoren para saj, etj. Arkitekti i xhamisë, në atë vëzhgim të përditshëm të punëve, këmbët e dërguan në një qoshe muri ku mjeshtër Sabiti po ngrinte murin me gurë që vinin nga një cep pak larg ndërtesës së madhe e të mbushur në të njëtën kohë me djersën e qindra punëtorëve. Në të kishte mjeshtra të ardhur nga e gjithë krahina e  Kosovës nga Dibra, nga Shkodra.  Pranë tij ai kishte edhe një skelëë, të ngritur afër qosheve të murit ku kishte përherë gurë të latuar që ai të punonte vazhdimisht. Si duket secili ndërtues e kishte bërë më së miri detyrën e tij.  I vendosur mes gurëve që kishin ardhur prej shumë larg e të latuar si jo më mirë mjeshtri Sabiti ishte shumë i vemendnshëm për atë punë që kishte. Për çudinë e arkitektit e të gjithë atyre që mund ta shihnin, ai e ngriti një gur dhe në vend që ta vinte në qoshen e murit të xhamisë, e hodhi sërish në skelë. Këtë gjë e bëri edhe me një gur tjetër. Diçka po ndodhte. Asopak e zakonshme për një mjeshtër, por edhe për një njeri tjetër…Arkitekti nuk po e kuptonte këtë gjë .

–       Puna e mbarë, mjeshtër Sabit,- e përshëndeti arkitekti me shumë ngrohtësi.

– Mbarë paç, efendi e mirë se ju solli zoti. Na qoftë e lehtë mundi dhe djersa që po derdhim për këtë ved ku do ulemi në sezhde për t’iu falur Allahut

-Përse nuk e vure gurin në mur po e hodhe përsëri në skelë? – e pyeti shumë qetësisht.

Me një fytyrë paksa të skuqur e që nuk i shkonte dhe aq shumë moshës së tij mjeshtri Sabit ia kthen po kaq miqësisht, ndoshta me sinqeritetin më të madh të jetës së tij si njeri e si profesionist i njohur në të gjithë krahinën.

–       Oh, efendi, jam lodhur shumë e kam droje se mos gurët e latuar nuk vihen në vendin e duhur.

Ishte shumë e qartë si drita e diellit, si këto gurë që mund t’i prekje me dorë që mund t’i merrje në krah që mund t’i latoje, që mund t’i përkedhelje e mes shumë urimesh të zemrës t’i vije në një mur xhamie, në një mur kulle, në një mur shtëpie ku do të jehonin zërat e fëmijëve dhe zërat urtakë të lokeve dhe basacalokëve të thinjur. Ishtre e qartë si ai qieel që ishte kupolë për të gjithë atë ditë shtatori. Kjo xhami po bëhej me njerëz të lodhur. Po e mësontë këtë gjë nga ky mjeshtër. E të bëhej një xhami me njerëz të lodhur nuk ishte punë fort e mirë.  Diçka duhet të bënte.         Të nesërmen iu dha urdhër të gjithë punëtorëve që të zbrisnin nga muret nga skelat, nga minarja, të linin çdo vegël e çdo gjë. Që atë ditë duhet të shkonin për të ndërtuar një hamam pak më larg xhamisë . E kjo nuk vazhdoi pak po rreth 6 muaj . Pasi “u shlodhën” erdhën prapë në këtë xhami që të ndërtonin me atë zell me atë dashuri, me atë seriozitet që kishin, me atë djersitje të ndershme e pas shumë kohësh muret, mafilin, minaret , avdes hanen (vendi ku lahen besimtarët para namazit). Të hapnin dyert për besimtarët e të gjithë moshave. Aty brenda në hapësirat e xhamisë, por edhe jasht te gurët, ku besimtarët që vinin nga fshatrat e afërt të Prizrenit e shtronin postiqet e deleve që kishin bërë kurban në vitet e kaluara, ata bënin ritin e faljes.

Kaluar gati 500 vjet. Janë ndarë nga jeta të gjithë, të gjithë mjeshtra e arkitektë. Të njohur e anonimë. Rojtarë e latues gurësh. Ngritësit e minares e piktorët e mureve të brendshme,  të jashtme. Të gjithë. Ka mbetur e lartë kjo xhami. Një xhami që mund të ishte në të njëjtën kohë me disa emra e Suzuit, e Jakup bej Evrenozit, e Kuklibeut, e Mehmet Pashës, e Muderriz Ali Efendisë, e Haxhi Kasemit, e Tabakhanes, e Sinan pashës, e Sejdi Beut, e Terzive, e Emin Pashës, e Mustafa Pashë Prizrenit, e Kalasë,  e Rmadanit, e Sinan Qatipit,e Budak Hoxhës. Emra që kanë përpara emrin “Haxhi” që kanë emrat Qatip për kulturën e atyre që kanë  qenë ndërtues të tyre, të rrobaqepësve të panumërt të Prizrenit (terzinjtë) të pashallarëve që mbeten në portikët e tyre si të jepnin edhe sot selam për atë që bënë. Janë ndarë nga jeta brezat e muezinëve , të hafëzëve, të myderrizëve, të imamëve që ligjëruan, të ushtarëve dhe gjenaralëve, të udhëtarëve dhe turistëve që u falën në to. Kanë mbetur të panjohur edhe varret e atyre që kanë jetuar në këtë qytet. Mund të ishte kjo fabul edhe për teqetë e këtij qyteti , edhe për kishat që formonin kështu rreth 50 objekte kulti me tolerancën më të madhe fetarë të Ballkanit.

…Prizrenasi u fut në turmën e madhe të heshtur me atë solemnitet të jashtëzakonshëm që e gjeje tek të gjithë . Edhe unë isha mes tyre. Pas namazit u përqafuam si është zakoni me të gjitha ata që kishin ardhur. Shumë pleq kishin vënë në krye plisat e bardhë, të bardhë si bora. Xhamia dukej edhe më e bukur. Mua më vinte ndërmend fytyrëskuqja e mjeshtri Sabit. Ku ta gjej tani Mjeshtrin Sabit? Ku? Doja ta falenderoja jo vetëm për djersën e ndershme, për aftësinë që ai kishte  ndërtuar qoshet e Xhamisë, por sidomos për atë peshë të madhe të mençurisë së tij. Më duket si një purtekë floriri përballë mburravecërisë dhe përballë shamatorëve të pafund që i gjen  në të gjithë trojet tona shqipfolëse. Duke nisur nga tribunat e politikanëve. Duket se fjala e tij ishte po kaq e rëndë sa edhe gurët që ai rreshtonte një nga një në muret e fisme të Xhamisë.  Edhe sot e kësaj dite edhe unë dua të thjem se duhet të kesh atë mençuri që të ndërtosh, por edhe të shkruash. Edhe të medniosh. Mbi të gjitha, të ngresh  Kala Bashkimi që e kemi ëndërruar të gjithë edhe më parë kur telaklonet na gjëmbonin fytyrën, duart, shpirtin, fletën e fletores, por edhe tani kur ai është më afër.e sa herë që mbnetem në udhërkyqin e mëdyshues them me vete: ”Paske patur të drejtë O Mjeshtër i Gurëve të Fjalës së Mençur! Shumë të drejtë paske patur!|”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: guret e rende, namik Selmani, Xhamia e Prizrenit

Miti, mitika dhe egoja për famë e Lubonjës

July 22, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Këto ditë po zhvillohet një debat e gjerë rreth deklaratave të Fatos Lubonjës, të cilat ai i ka plasuar në një revistë gjermane të destinuar për Ballkanin. Ai artikull i Lubonjës, i shkruar enkas për revistën e përmendur, përmban në thelb deheroizimin e shoqërisë shqiptare, çmitizimin e historisë dhe veçmas të heronjve të sotëm, e akoma më veçmas të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij shqiptarët, të cilët mbështesin e nderojnë “vrasës” si Haradinaj, pra shqiptarët shumicë, janë “skicofrenë”.

Reagimet e shumta kanë shkuar nga njëri ekstrem te tjetri. Një palë është vënë në mbrojtje të Lubonjës. Midis tyre edhe analisti nga Prishtina, Arben Idrizi. Po kështu mediat serbe kanë ngritur lart aktin e Lubonjës. Sigurisht edhe aktin e Idrizit, i cili në reagimin e tij ndaj artikullit të Lubonjës bën një listë “vrasësish” të Kosovës, në mesin e të cilëve përmend Adem Jasharin. Kjo e ka acaruar kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, i cili ka reaguar ashpër ndaj Arben Idrizit., ndërkohë që përkharësit e Idrizit e akuzojnë Krasniqin për qëndrime raciste e fashiste. Në të vërtetë nuanca të tilla gjenden në deklaratën e Jakup Krasniqit, por askush nuk tha se “skicofrenia” për shqiptarët është gjithashtu një etiketim racist e fashist. Pashë dikënd që thoshte se “Më mirë të jesh fashist, sesa serbo-sllav”, çka do të thotë se ne shqiptarët duhet ta ridiskutojmë procesin e demitizimit nga të gjitha pikëpamjet. Pra duhet ta shkruajmë objektivisht raportin tonë me Gjermaninë e Hitlerit (jo me ideologjinë fashiste), gjithnjë të krahasuar me sundimin serb në Kosovë.

Vetë Ramush Haradinaj është treguar i matur dhe nuk ka ndezur ndonjë debat me kundërakuza ndaj Lubonjës e Idrizit. Por ai ka shpjeguar në një emision televiziv gjithë procesin e gjyikimit të tij në Hagë, duke dëshmuar me fakte e argumente pafajësinë e tij. Unë dua t´i besoj zotit Haradinaj në ato që ka shpjeguar, thjesht dhe për faktin se është i vetmi person i akuzuar dy herë dhe i vënë dy herë në gjykatën e Hagës dhe në të dy rastet ka marrë pafajësinë. Të shkosh dy herë për të njëjtën akuzë në një gjykatë ndërkombëtare dhe të shpallesh dy herë i pafajshëm, besoj se është argument i mjaftueshëm për çdo njeri normal që ai të mos etiketohet si “vrasës”, qoftë dhe nga analistë liberalë të llojit të Lubonjës e Idrizit.

Megjithatë besoj se nuk është e udhës që të merresh me vërtetësinë ose jo të një akuze të ngritur publikisht ndaj dikujt. Këto janë punë të gjykatave dhe drejtësisë e sa kohë drejtësia vepron, aq kohë i duhet besuar asaj. Problemi qëndron në argumentet e palëve gjatë reagimeve me mllefe e pasion të dukshëm. Sigurisht që është e pamundur të evitohet pasioni, mllefi, veçmas nga ata që mendojnë ndryshe nga tjetri dhe kjo nuk përbën krim. Por ftohtësia në analizën e një fenomeni të tillë ndoshta sjell më shumë qartësi, urtësi dhe logjikë. Le të ndalemi në disa aspektë të debatit:

Së pari, përkrahësit e Lubonjës e të Idrizit, sidomos ata që janë vetëshpallur si “moderatorë”, i justifikojnë ata me të qenit njerëz të lirë, me mendim të lirë e të pavarur. Ky lloj arsyetimi është i pa vend, sepse as Lubonja, as Idrizi nuk janë aq tolerantë dhe liberatorë, sa të pranojnë ose të heshtin kur ata sulmohen me akuza, të qena ose të paqena, nga të tjerët. Ne i kemi parë ata në debatet televizive, i kemi ndjekur në analizat që bëjnë dhe reagimet që kanë pasur në shtyp dhe në asnjë rast nuk kemi fiksuar në memorie ndonjë akt tolerance përballë njerëzve me pikëpamje e ide të kundërta, me të cilët ata përballen. Madje shpesh herë të dy dëshmohen më agresivë sesa kritikët e tyre që shfaqen këto ditë me shumicë në mbrojtje të Haradinajt apo “miteve” shqiptare. Aq më tepër të qenit “liberator” nuk të jep asnjë të drejtë morale e civile të bësh lista “vrasësish” e të luash rolin e prokurorit e të gjykatësit. Edhe nëse nuk ke vendime gjykatash për të provuar krimin e dikujt, analisti duhet të ketë së paku disa indicje dhe prova morale për të mbrojtur akuzën që bën. Në këtë pikëpamje Lubonja dhe Idrizi duket se duan të luajnë rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, përballë “skicofrenëve” shqiptarë, të cilët besojnë te e drejta e shqiptarëve për tu çliruar dhe me armë nga pushtimi, sundimi dhe dhuna e pashembullt e Serbisë në Kosovë.

Një analist, opinionist dhe komentator ka përgjegjësi për fjalën që artikulon. Në një analizë timen të para 20 ditëve kam përdorur fjalën “shpurë” për një grup intelektualësh dhe partiakësh, të cilët ikën dhe u rikthyen te Berisha. Miku im, Frrok Çupi, më tha se “nuk shkon kjo fjalë për këta njerëz. Ata nuk janë shpurë, janë intelektualë”. I kërkova falje. Frroku kishte të drejtë. E drejta nuk anonte nga unë. Më ka pëlqyer mua ose jo ikja e rikthimi i tyre te Berisha, kjo është pjesa e sentimentit personal. Si analist nuk kam asnjë të drejtë të përdor epitete, aq më pak të akuzoj dikë pa asnjë fakt e argument. Ndërkaq Lubonja i thotë vrasës një personaliteti politik të Kosovës, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë e argument. E si mund t´i thuash vrasës një duzine njerëzish?! Si mund t´u thuash “skicofrenë” miliona bashkkombasve të tu, siç bën Fatos Lubonja?! Eshtë e paimagjinueshme! Eshtë e pakonceptueshme! Të qenit i lirë nuk e justifikon një veprim të tillë. Së paku për këtë Lubonja dhe Idrizi duhet të kërkojnë ndjesë. Jo Ramush Haradinajt, jo listarëve të Arbenit, po opinionit publik. Të listuarit, nëse duan, kanë se ku e kërkojnë të drejtën e të vërtetën, nëse jo, le të pajtohen me të qenit kriminelë. Eshtë punë e tyre.

Së dyti, e gjithë piramida e akuzave që kanë ndërtuar Lubonja dhe Idrizi është vënë në funksion të deheroizimit. Unë besoj se një mision i tillë është fisnik dhe i drejtë. E vërteta është se të gjithë ballkanasit jetojnë me mitet e heronjve, të tradhëtarëve e të viktimës. Heronjtë i përdorin për të mbajtur të bashkuar sa më shumë njerëz rreth vetes, ose për të identifikuar racën, çka sjell fobitë, antivlerat dhe më pas konfliktet, dhunën, luftrat, vrasjet e kështu me radhë. Tradhëtitë i përdorin për të justifikuar gijotinën politike, morale ose edhe fizike kur e lejojnë rrethanat. Viktimizimin e përdorin për mbrojtje kur bëjnë prapësi dhe krime. Kjo prirje dhe ky realitet është i përhapur shumë më tepër te popujt e tjerë, përjashtuar sllovenët,  sesa te shqiptarët. Kujtoni rastin e lirimit nga Haga dhe pritjes se gjeneral Gotovinës me mbi 500 mijë njerëz në sheshin e Zagrebit. Ishte i njëjtë me rastin e Haradinajt.

Çmitizimi dhe deheroizimi në princip është një mision civil, por që shkon në raport me civilizimin e vetë shoqërisë, madje jo vetëm në një vend të caktuar, por në të gjithë rajonin. Lubonja është partizan i çmitizimit, por fatkeqësisht edhe vetë luan shpesh herë rolin e heroit. Le të kujtojmë vitin 2003-2004, kur ai u përball me Nanon dhe përdori gjithçka në funksion të rolit tragjio-komik të heroit, pra edhe të viktimës. Unë kam pasur një milion arsye më shumë sesa Lubonja që të luaja rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, por nuk e mora përsipër këtë rol, jo nga paaftësia, thjesht se nuk doja të obligoja opinionin publik me problemet e mia si botues e gazetar me shtetin, SHIK-un, gjykatat, Bashkinë e Tiranës dhe segmente të tjera të luftës kundër fjalës së lirë. Edhe unë isha gjobitur me 20 milion lekë të vjetra, madje për një shkrim të dikujt tjetër në revistën “Koha”, i cili kishte emër dhe mbiemër. Por “mbatha këmbët e ika”. Qëndrova në hije për të mos luajtur rolin e heroit, siç bëri Lubonja.

Nëse Haradinaj u kthye nga Haga si hero, Lubonja me akuzën e vrasësit, u bë “hero i fjalës së lirë”, kur kishte shumë më pak kontribute se shumë të tjerë në këtë fushë. Heronjtë e fjalës së lirë të kohës së Lubonjës morën edhe ndonjë plumb me vete e nuk u ndjenë, përveçse u përmenden në lajmet e ditës, sikur të ishin pjesë e kronikës së zezë. Fatkeqësisht te ne ndodh gjithnjë i njëjti cikël. “Antiheronjtë” shfaqen të tillë që të zënë vendin e heronjve dhe heronjtë luftojnë me thonj e me dhëmbë që të mbeten të tillë. Moralisht janë më të pranueshëm këta të dytët, sesa të parët. Ndodh ashtu si me lëvizjet tona njëshekullore për vetëvendosje, të cilat përfundojnë në luftë për pushtet. Njëra palë në emër te deheroizmit e demitizimit e shpall veten hero e mitik. Tjetra palë shpallet luftëtar për vetëvendosje e shtet-kombformim dhe përfundon te lufta për karrige, pushtet e para. Në të dyja rastet funksionon paraja, ndërkohë që në rastin e Lubonjës funksionon kapja e pushtetit mediatik, ndërsa te politika kapja e pushtetit politik.

Edhe unë besoj se është e nevojshme që heronjtë t´i shohim si njerëz, por që kanë disa cilësi të veçantë, të avancuara, siç janë aftësitë, përkushtimi, vendosmëria, guximi, pse jo dhe mençuria e urtësia. Kështu ndodh madje me kryeheroin e shqiptarëve. Edhe Skënderbeu ka qenë njëri prej prijësve shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai ka patur thjesht një ose dy cilësi më shumë sesa të tjerët, ndaj është vënë në krye të rezistencës së shqiptarëve për tu mbrojtur nga pushtimi i osmanëve. Por dhe ai ka patur difektet e tij, dhe ai ka bërë një jetë njeriu e nuk pati rënë nga qielli. Po Lubonja e disa të tjerë nuk shkojnë përtej kësaj logjike, kur ata flasin për heronj të tillë si Skënderbeu. U mveshin atyre lloj-lloj cilësish negative dhe nga heronj i shndërrojnë në antiheronj. Nëse lexojmë filozofët e shumtë, të cilët janë marrë me studimet për mitet e heronjtë, atëherë do të gjendej një mesatare e logjikshme dhe civile për të pranuar heronjtë dhe heroizmin e njerëzve. Ndërkaq Lubonja dhe Idrizi e trajtojnë me përbuzje e urrjejte të pabazuar këtë kategori njerëzore, e cila ze vend edhe në vendet e qytetëruara. Kjo ndodh gjithashtu me Arben Idrizin, kur ai i adresohet figurës së Adem Jasharit. Në një kohë paqeje, në e në kohë stabiliteti, logjika e Arbenit është vërtet e pranueshme. Madje kjo logjikë ka qenë e pranueshme nën zë edhe në kohën kur u vra Adem Jashari, përkatësisht fakti se nuk duhej sakrifikuar e gjithë familja në një konflikt të tillë si ai që ndodhi në Kosovë. Megjithatë kjo nuk e zbeh aktin e heroit, i cili u përball me një forcë të pabarabartë, ushtrinë dhe policinë serbe. Pra nuk e justifikon kritkën arbirtrare të analistit Idrizi. Aq më tepër nëse e gjykojmë Adem jasharin me qëllimin e vetëm që t´i bëhet një shërbim i caktuar propagandës së Serbisë, pra për të justifikuar krimet e saj në Kosovë. Nuk jam i sigurt as për Lubonjën, as më Idrizin, nëse me akuzat ndaj Haradinajt e Adem Jasharit ata duan të relativizojnë krimet serbe në Kosovë. Kjo nuk është as detyra ime, edhe pse thash e theme ka plot, së paku sa i përket Lubonjës.

Në këtë kuptim nuk shkojnë gjithashtu disa krahasime që i bëhen Lubonjës dhe Idrizit me Natasha Kondiçin e dikë tjetër në Serbi. Natasha Kondiç, kur flet në përkrahje të shqiptarëve, ajo i referohet vendimeve të Hagës dhe jo akuzave prej prokurorësh. Mbi këtë bazë ajo i ka dënuar gjithherë krimet serbe në Kosovë. Nuk ka luajtur asnjëhherë rolin e prokurorit, siç bëjnë Lubonja e Idrizi. Megjithatë ajo është atakuar në publikun serb si “tradhëtare” e interesave serbe. Unë nuk besoj se Lubonja e Idrizi janë “tradhëtarë” të interesave shqiptare, por besoj se janë i njëjti brumë shqiptarësh, njerëz skicofrenë (nëse besojmë se të tillë jam unë e shqiptarët e akuzuar prej Lubonjës”. Ata të dy janë njerëz mitomanë, madje nga ata që mendojnë se “Bota sillet rreth tyre”. Dredhitë e interpretimit të konteksteve të Lubonjës nuk e zhbëjnë akuzën kolektive të tij kundër nesh, pjesës tjetër të shqiptarëve. Dhe akuzat kolektive janë definime të racizmit e fashizmit në çdo vokabolar të botës.

Në vendet e qytetëruara janë zhvilluar me shekuj luftëra civile e rajonale për të shkuar te ideja reale e mitit dhe heroizmit. Nëse në shekullin e 16-të shpërtheu në Gjermani e në Europë lufta civile fetare e drejtuar nga Martin Luther, ajo u drejtua kundër autoritetit të Papës dhe rolit të tij absolut në jetën fetare europiane. Por ama vetë Martin Luther u shndërrua në një mit për evangjelistët europianë. Ndërkohë që Papa mbeti një institucion me fuqi absolute deri në ditët e sotme. Njerëzimi vërtet zhvillohet përmes të kundërtave, por jo përmes mllefeve, të cilat ne i shohim të shfaqen me bollëk edhe nga kampi pro-Lubonjë, edhe nga kundërshtarët e tij. Rolin e heroit luante gjithashtu Berat Buzhala, në rastin kur i hidhej për hakmarrje politike Jakup Krasniqit.

Së treti, mjeti me të cilin Lubonja lufton për “civilizimin” e shqiptarëve është vërtet një mjet, të cilët e përdorin njerëzit jo civilë. Kur ai thotë se “shqiptarët janë skicofrenë”, shpreh një ngërç në gjetjen e argumentit për tezat që ai lëvron. Dhe përdor fyerjen si mjet “civilizues”. Të jesh moderator, të jesh civil, të kërkosh të jesh ndryshe nga të tjerët, pra i një sëre më të lartë, më të kultivuar, do të thotë të jesh fisnik, do të thotë të jesh i urtë dhe të imponohesh me forcën e argumentit. Të përdorësh një fjalë fyese për një komb të caktuar, edhe nëse ky komb nuk i përket etnitetit që ti i përket, dëshmon për të kundërtën e asaj që predikon. Këtij lloj konflikti nuk i ikin shumica e sojit tonë të analistëve, komentatorëve dhe opinionistëve. Atëherë, pse Lubonja e përdor këtë fyerje kaq të rëndë për bashkkombasit e tij, nëse ai na quan ne bashkkombas? Jam i bindur se ai është i mësuar me autocensurën dhe e njeh mirë instiktin e prodhimit të asaj çfarë i pëlqen, në rastin konkret botuesit. Ai e di se bëhet i famshëm vetëm me skupe të tilla. Rendja pas famës është rendje pas mitit, pas heroizmave. Dhe Lubonja e luan mjaft mirë këtë rol, duke luajtur rolin e antiheroit, antimitit. Për këtë shkak mesazhi i Lubonjës është i pamoralshëm dhe shfaqet si hipokrizi. Ai shfaqet i të njëjtit model si dhe Rahmi Memushi, i cili disa ditë më parë fyente me të pavërteta dhe akuza të çuditshme të gjithë komunitetin katolik në Shqipëri. Këtij trendi të rrezikshëm për shoqërinë njerëzore i duhet dhënë fund. Lavdia dhe fama nuk arrihen mbi fatkeqësitë e të tjerëve ose bazuar në shpifje e akuza. Së paku në një rast të tillë nuk meriton askush të quhet analist, komentator, filozof a ku e di unë çfarë.

Eshtë krejt nornalë që në shoqërinë njerëzore të ketë tokësorë, të cilët me çdo mjet përpiqen për famë. Por vetëdija njerëzore, vetë shoqëria, i ka seleksionuar gjithmonë ata që artficialisht kërkojnë të arrijnë famën dhe mitin. Lubonja beson se është shndërruar në mbinjeri, kur u hakërrehet të gjithëve, kolektivisht, pa dallim. Pikërisht këtë duhet ta evitojmë në shoqëritë e civilizuara që të shndërrohemi në një komb me konkurencë efektive në mesin e vendeve të qytetëruara.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e Lubonjes, egoja per fame, Enver Bytyci, miti mitika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT