• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

VIKTOR MARTINI – PUSHTETARË TË DJESHËM E TË SOTËM, MOS LUENI ME PLAGËT TONA

July 18, 2013 by dgreca

…. SE EDHE HIJET E VORREVE TONA KANË PËR T’JU NDJEKUN E KURRË NUK DO T’IU LÂJMË TË QETË/
PYETJE:  Duke qenë se jemi edhe miq në Facebook, e di se momentalisht jeni në Shkodër, keni ardhur në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, e çfarë ndodhi me Shkodër locen që nuk votoi për PD ?
VIKTOR MARTINI: Zonja Elida. Ju falënderoj per mundesinë qe me jepni per vazhdimësi te kontributit tim ne sherbim te demokracisë e cila mungon ende ne truallin Shqiptar. Po, ndodhem ne mesin e Shkoder loces. Ndoqa me qetësinë ma te madhe votimet e 23 qershorit, bile nepermjet intervistave ne TV hodha mendimet e mia se si duhet te jete vota. Historia 23 vjeçare duhet te shikohet me synin e kritikave, sepse kjo histori nuk solli ate çka pritshin demokratet e vertetë.
Ah Shkoder locja! Gjithmonë ne kete qytet ndodhin gjana interesante e te bukura, keta qytetarë duhen shikuar me kujdes, ky popull i ketij qyteti qe provoi ditet ma te zeza te diktatures ishte i etur per liri e demokraci e ne keto rrethana e mbeshteti PDnë verbërisht pa shikuar se ne krye te saj po udhehiqte nje ish komunist. Por kur ketij populli nuk i jep ate çka i ishte premtuar, ai te zbret nga shpina e te hedh per toke. Kjo ndodhi ne zgjedhjet e 23 Qershorit.

PD NË KRYE TË SAJ I INSTALOI KOMUNISTËT – I ELEMINOI TË PERSEKUTUARIT

PYETJE: I nderuari Z.Viktor pse humbi PD?
VIKTOR MARTINI: PD humbi per shume arsye. Partia Demokratike qe ne krijimin e saj, ne frontin kryesor i instaloi te gjithë ata qe kishin nje prejardhje komuniste, vendosi dhe disa te persekutuar qe me kalimin e kohes i eleminoi, si Tomorr Dostin e ma vonë ne 2005 dhe Pjeter Arbrorin.
Une kam asistuar ne Shkoder ne tri dekadat e fundit ne zgjedhje. Ne 2005 Malësia e Madhe i prishi marrëdhaniet me Berishen, sepse Berisha hoqi nga lista per kanditaturë Gjovalin Bzheten. Mbas nje debati te ashper me nje komision te Malësisë ne zyren e Berishes, Berisha i acaruem iu tha malësorëve te Malsisë: Shkoni, se une e bëj demokraci edhe pa ju. Po ne kete vend te acaruar, dergoi Arbnorin per te kandiduar, ku humbja dihej se ishte e sigurt. Kjo krijoi pakënaqësi në Popullin Shkodran. I premtoi ta dergonte Ambasador ne Vatikan, por as kete nuk ia dha, PD nuk bëri reformat ne kthimin e pronave, nuk mbajti premtimet ne shperblimin e te persekutuarve te vendosura qe ne vitin 1991 ne parlamentin socialist…
Pushtetet 22 vjeçare zbatuan me dhelperinë më te madhe KATOVICËN qe tashti dihet edhe nga femijët. Aleancat e pamoralshme me politikanet e degraduar moralisht qenë të pranueshme ne PD per hir të karrikave. Kjo hoqi besimin ne njerëzit e ndershem se kemi te bëjmë me nje sistem moral ku s’ka per qëllim interesa ne sherbim te Popullit Shqiptar.

Gjuha e ashper e shume banale qe perdorej ne parlament acaroi çdo njeri te ndershem, sepse kjo gjuhe nuk është gjuha e Shqiptarit te vertetë.
Me nje fjale, zhgenjimi është faktor kryesor. Pushtetarët harruan se konceptet nuk jane nje vide e salduar qe nuk levizin, por nuk bën keshtu, ato duhet te levizin ne kohen e duhur me pjekuri per dobinë e Kombit Shqiptar. Them te kombit, sepse kombi perbëhet nga te gjtha partitë, te mire a po te keqij jemi vëllezer nga nana Shqiperi. Per mire apo per keq, kete do e shikojmë më vonë, populli zgjodhi RROTACIONIN. Dhe u tregoi me vote te gjitha partive: kujdes me popullin, se nuke luhet më me rrena nepërmjet premtimeve boshe. Shkoder loces i dhimbti shpirti, por demokracia e vertetë ka marrë rrugën e vet dhe uroj që të mos ndalet më kurrë. Këto ishin arsyet shkurtimisht.

SHKODRA ËSHTË DJEPI I ARTË I DEMOKRACISË DHE I KULTURËS

PYETJE: Z.Viktor, Shkodër locja është djepi i demokracisë dhe kulturës dhe prej këtij qyteti në Parlamentin e Shqipërisë gjatë këtij tranzicioni kemi patur Pjetër Arbnorin dhe Jozefina Topallin. Çfarë do të thoshit për Mandelën shqiptar dhe për zonjën Topalli ?
VIKTOR MARTINI:
Po Shkodra është djepi bile meriton te quhet djepi i artë. Pjeter Arbnori është nje bashkevujtes me dinjitet ku u perpoq me kontribue me devocion per demokracinë e per shtresat e te persekutuarve, por, mjerisht, e them me keqardhje se nuk pati rezultat, sepse ai nuk mujti me realizu ate çfarë kishte deshirë se mbi kry kishte pak a shumë diktatorin Berishian.

JOZEFINA DO TA NJOHË TË VËRTETËN – KUR VET KROKODRILAT E BERISHËS KANË PËR TA HJEDHUN MËNJANË SI TË PAVLEFSHME

Jozefina: Edhe kjo rrjedh nga shtresat tona. Me axhat e saj kam kalue disa dite te mjerimit ne burgun e Burreli, te cilet edhe mbas kaq vitesh i kujtoj me respekte. Por ajo nuk u diftue e pjekun si ata. Jozefina e te gjithë ministrat e Berishes ndihmuan ne krijimin e kultit te individit Stalinian: e quajten Berishen lider historik, e krahasuen me Skenderbeun e quajten kolosi i kombit Shqiptar. E kjo shkaktoi alergji tek njerëzit e arsyshem.

Populli Shqiptar ishte i velun me lajkat e diktatures, Partia e Enverit legjendar e tjera e tjera. Mos ta prejashtojmë se edhe kjo asht nje arsye qe PD humbi. Une ende besoj se Zonja Jozefina nje dite do ta njofi te verteten plotesisht. Por kjo ka me ndodhë kur vet krokodrilat e Berishes kanë per ta hjedhun menjanë si te pavlefshme. Por une do ta due gjithsesi perseri, sepse eshte nje pjesë qe nuk mund ta shkepus nga karvani i vujtejeve tona ashtu si dhe te tjeret.

DALJA E PJETËR ARBNORIT NGA PARLAMENTI ISHTE SKEMA E BERISHËS

PYETJE: Në zgjedhjet e 2005, Zoti Pjetër Arbnori doli jashtë parlamentit të Shqipërisë, si e komentoni këtë fakt ?
VIKTOR MARTINI:
Dalja e Pjeter Arbnorit nga parlamenti ishte skema e Berishes, sikur e thashë më sipër.

JAM PËR LUSTRACIONIN, NUK JAM PËR T’IA HAPË DOSJET POPULLIT

PYETJE: I nderuari Z.Viktor, Avokati i Popullit Igli Totozani ka dalë me iniciativën për hapjen e dosjeve dhe për votimin në Parlament të Ligjit të Lustracionit, ju çfarë mendoni.
VIKTOR MARTINI:
Avokati i Popullit del me iniciativen per hapjen e dosjeve. Per kete une kam rezervat e mia. Hapja e dosjeve ashte si thika me dy teha. Hapja e dosjeve asht kusht i domosdoshem per te gjithë ata qe jane ne politiken Shqiptare dhe per te gjithë ata qe merren me predikime morale deri tek une. Kurrsesi nuk jam i mendimit t’i hapen dosjet popullit te thjeshtë, sepse ashte punue shumë me e transformue moralin e kombit Shqiptar nepermjet imponimit diktatorial. HAVELI ka thanë: “Çdo gja ua fali diktatorëve, por jo kurrë prishjen e ndergjegjes se njeriut.’ Gjermania e provoi t’i hapte dosjet e Gjermanis Lindore, por e ndaloi menjeherë, sepse gjeti shemtimin moral. Lustracioni është i pranueshëm.

Sa per trajtimin e hapjes se dosjeve tek shtresat tona, mos te preokupohet kerkush.Ne nje interviste moderatori me pyeti: Çfarë asht mesazhi i juej per bashkëvujtesit tuej? Mesazhi im ishte ky: Ju uroj bashkevuejtesve te mi, me te cilet kaluem se bashku vuejtjet, ku ndame kafshaten e bukes e cigaren pergjysem, jete te lumtun ku do qe ndodhen me familjet e tyre.
Por shtova nje urim qe mbase dikuj mund t’i duket e çuditshme: Iu urova e po iu uroj jete te lumtun te gjith atyre qe rreshqiten nen presionin e diktatures jete te lumtun edhe atyne e familjeve te tyre, sepse ata janë me te persekutuem se ne. Ne, se ne na moren rininë, dikuj jeten e pasurinë. Atyre ua moren dinjitetin me dhune. A mund te quej kurve nje grua a po vajze te ndershme qe del ne ruge e dhunohet prej maskarejve. Keshtu ndodhi dhe me keta njerëz. Te bajmë nje anmisti morale per keta fatkeqij dhe t’ua lamë kete turp furrtarëve qe pregatiten kete buke kaq te zezë, Enverit, Mehmetit me karvanin e kuq.

PA PJESËMARRJEN E SHTRESËS SË TË PËRNDJEKURVE NË PUSHTET, NUK KA DEMOKRACI

PYETJE: Të flasim pak për fatin e të përndjekurve, që mendoj se të përndjekurit vazhduan të mbeten me këtë status edhe gjatë tranzicionit, si mendoni ju Z.Viktor? Në një intervistë tek Zëri i Amerikës me rastin e grevës së urisë ju Z.Viktor keni thënë se më 1991 i thatë Ramiz Alisë t’i vejë gishtin kresë . Me rastin e grevës të urisë më 2012, ju i përsëritët zotit Berisha i të njëjtën gjë « që t’i vinte gishtin kresë ».
VIKTOR MARTINI:
Per kete duhet folun shume e jo pak. Isha nje nga organizatore e greves se urisë qe u ba ne shkalle kombtare ne vitin1991 ne palestren 17 Nandori te basketbollit. Ne kete greve kerkonim me te madhe 5 kerkesat tona e ndër te tjera pafajësinë, shperblimin material e tjera.Kjo zgjati 11 dite. Ne nje nder keto dite zoti Berisha u ul ne batanien time dhe lexoi se çfarë do kerkonte ne mbeshtetjen tonë si opozitë e asaj kohe. Lexoi aq shume dhe, ne perfundim, ai tha: A keni per te shtue gja z.Martini.Jo i thashë, keni shkru ma shum se ne kerkojmë, me shkrue asht e kollajt, me realizue asht e zorshme. Ju premtoj, tha ai, ne nderin tim e te PD se do ju japim ma shumë se kerkoni. Ishalla, shtova une me dyshim. Ajo qe dihet tashti ma asht se ato premtime edhe sot kanë mbetun te zvarrituna ne menyren ma te turpshme. Por fajin e kemi ne, qe u perqendruem ne keto shperblime, qe e shendrruen kete shoqat ne shoqat makaronash dhe i lejueme te dy partitë te lozin me fatin tonë. Duhej kerkue me te madhe edhe sot, prezenca e kesaj shtrese ne pushtet. Pa pjesëmarrjen e kesaj shtrese ne pushtet s’ka drejtesi e as demokraci. Une ju them te djeshemve dhe te sotshmeve: kujdes mos lueni me plaget tona se dhe hijet e vorreve tona kanë per t’ju ndjekun hap pas hapi e kurrë nuk do ju lajmë te qetë. Kete mesazh ia pata dergue edhe dhelpres Ramiz Alia.

PYETJE: I nderuari Z.Viktor, para tri ditësh gazetari Mustafa Nano kishte ftuar Z.Niko Kirka, i dënuar politik gjatë diktaturës, i biri Kristo Kirkës, vdekur në burgun e Burrelit, i cili denoncoi disa emra tashmë të njohur si bashkëpunëtorë të sigurimit, si Preç Zogaj dhe Artan Hoxha, emra që i kemi natë e ditë në televizionet e Shqipërisë, si mendoni ju njerëzit me Dosje gjatë sistemit komunist, që kanë qënë të përkëdhelurit e regjimit, a duhet të vazhdojnë t’i japin mend opinionit publik edhe 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës? Z.Kirka përmendi edhe emrin e Amik Kasoruhos, si spiun të nderuar me dekoratën “nderi i Kombit” nga presidenti Bujar Nishani.
VIKTOR MARTINI:
Çdo njeri asht i lirë te japin mendimin e tij ne çdo intervistë. Çdo njeri e njef keqbërësin e vet. Çdo njeri duhet te jetë i sigurt dhe i pergjegjeshem per çfarë flet ne drejtimin moral te tjetrit. Persa i perket dekorimit te personave te padenje: nuk ashte hera e pare qe Nishani dekoron njerëz te padenjë, por jo pa propozimin e qeverise. Kjo ndodhi me me presidentin Topi, por ama PD e vuni ne funksione te larta si gjykates. Ky njeri ishte ai prokurori qe denoi me vdekje Xhelal Koprencen. Por ama Topi doli e i kerkoi te falun opinionit Shqiptar duke shfuqizuar dekoraten.

ATA U FLIJUAN EDHE PËR NE, EDHE PËR TË DREJTAT TONA

PYETJE: Le të flasim pak për të përndjekurit, drama e të cilëve doli edhe një herë në pah gjatë grevës së urisë, e cila pati edhe viktima, sot Lirak Bejko nuk jeton më. Po ashtu edhe Shpëtim Karamuço, i cili nuk e la grevën, paçka se ishte në kushte të rënda shëndetësore, ju si një njeri që e keni provuar vuajtjen deri në asht nga diktatura, çfarë mendimi keni ?
VIKTOR MARTINI:
Po une i mbeshteta keta njerëz qe po flijonin jeten per te drejtat e tyne e, besa, dhe per te drejtat tona, sepse e quajta detyrim moral dhe jam i bindur se kam kryer nje detyrë humane. Bile kam shprehë rrevolten time për mosmbeshtetjen e atyne qe nuk i mbeshteten. Kete mbeshtetje e kemi ba para Organizates se Kombeve te Bashkueme. Jam befasue nga kleri katolik e mysliman, sepse vetflijimi denohet moralisht me fe. Perse nuk e shtrinen doren per ta ndalue kete mekat. Apo siç thonte i madhi Meshkalla: Detyra e shejtë ndaj Perëndisë nuk u len kohe me keqyrun plaget e njerëzis.I falnderoj grevistet te cilet me vlerësuen me nje flet falënderimit per mbeshtetjen morale qe ju bame.

RAMA TË  MOS I PËRSËRISË GABIMET E PARAARDHËSVE, SEPSE NDËSHKIMI NDAJ TIJ DO TË JETË FATAL

PYETJE: Tani në shtator do të ketë rotacion. Çfarë do t’i thoni Edi Ramës ?
VIKTOR MARTINI:
Persa i perket mesazhit tim per Z Rama asht ky. Duke kenun se ne pushtet vjen si kryeminister per herë te parë, e porosis qe te ketë kujdes e mos te perserisin gabimet e paraardheseve te tij 68 vjeçare, sepse ndeshkimi ka per te kenun fatal per te gjithe ata qe kanë deshirë te qendrojnë ne llogoret e vjetra.

Per popullin e shumëvuejtun Shqiptar, pa perjashtim, kam nje urim qe me del nga loçka e zemres. Pafshi dite te bukura jashtë politikes qe kerkon te na perçajë, gjeni vetveten atje ku te keni besim se e drejta qendron..Respekte per ju, o njerëz te ndershem, ku do qe ndodheni.

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, me Viktor Martini

Ramush Haradinaj paralajmëron Lubonjën se do te mbrohet me mjete ligjore

July 18, 2013 by dgreca

Ramush Haradinaj paralajmëron Lubonjën se do ta padisë për shpifje/

 Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur imazhin e tij dhe të Kosovës.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj shkrimit të Fatos Lubonjës të publikuar në revistën “Sudosteuropa Mittelungen”, në të cilin Lubonja e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve.

Haradinaj është shprehur i befasuar me komentet e Lubonjës duke i quajtur ato shpifje. Ai ka paralajmëruar se do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur imazhin e tij dhe të Kosovës.

Haradinaj ka vlerësuar se qëllimi kryesor i deklaratave të Fatos Lubonjës ka qenë dëmtimi i imazhit të Kosovës.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Lubonjen, Ramush Haradinaj

Fatos Lubonja i cilëson shqiptarët skizofrenikë dhe Ramush Haradinajn vrasës

July 18, 2013 by dgreca

Fatos Lubonja, në një shkrim për revistën “Sudosteuropa Mittelungen”, e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve. Për këtë arsye, ai ka kritikuar politikanët shqiptarë, duke nisur nga Berisha dhe Rama, pse kanë dalë në mbrojtje dhe kanë përgëzuar Haradinajn për lirimin e tij.

“Ironia është se të gjithë politikanët e lartë që celebruan të shfajësuarin kanë informacion të mjaftueshëm, në mos për të qenë të bindur, për të pasur dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta. Pra, se në vitet 1998–1999, dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë; se ka një numër jo të vogël të zhdukurish, ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë, që janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhtarë apo jo mbështetës të saj; dhe se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë. Ata e dinë se raporti i Këshillit të Europës i vitit 2010 e ka cilësuar gjendjen e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë si më të keqen në Ballkan edhe për shkak se vendimi i vitit 2008 i ICTY, që e nxori të pafajshëm Haradinajn herën e parë, nënvizonte vështirësitë për t’i bindur dëshmitarët nga Kosova të shkonin në Hagë dhe të dëshmonin.3 Ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK-së, Fatmir Limajt”, shkruan Lubonja.

Sipas tij, është e pabesueshme se si shqiptarët i glorifikojnë këto personazhe. Kjo ndodh, sipas tij, sepse jemi një komb skizofrenikësh.

“Kjo hipokrizi kaq kurajoze mund të shpjegohet me faktin se ky qëndrim ka të bëjë me mbisundimin e ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë në Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t’u shpëlarë trurin njerëzve. Ashtu si në kohën e komunizmit, shqiptarët vazhdojnë të ushqehen me idenë se ata janë asgjë, si qenie individuale, përpara interesave të kombit, se ata duhet të sakrifikojnë veten për atdheun dhe të mbyllin sytë ndaj çdo krimi të kryer në emër të tij. Në sajë të kësaj shpëlarjeje trush ata vazhdojnë të jetojnë në mënyrë skizofrenike midis glorifikimit të heronjve të lavdishëm që sakrifikojnë veten për kombin dhe mjerimit të maskarenjve që i vjedhin, madje edhe i vrasin ata – gjithë duke qenë po ata heronj të glorifikuar”, shkruan ndër të tjera Lubonja.

Filed Under: Featured Tagged With: Fatos Lubonja, Ramushi varses, shqiptaret skizofrene

Mbi luftën, Ramushin, drejtësinë dhe Europën!

July 18, 2013 by dgreca

Në vend të replikës me Fatos Lubonjën /

Nga Ilir KULLA/
E kam ndier veten të zhgënjyer si qytetar, si intelektual dhe si shqiptar me shkrimin e botuar dje në gazetën “Panorama” nga një intelektual shumë i çmuar i Shqipërisë së sotme si Fatos Lubonja. Që në adoleshencë jemi rritur me intelektualin Lubonja, i cili ka qenë emblemë sakrifice, vuajtjeje, opozitarizmi, persekutimi, qëndrestarie dhe rreshtimi për nga vërtetësia dhe e drejta. Pikërisht duke lexuar dje një qëndrim komplet të kundërt në raport me këto shtylla përbërëse të historisë së Lubonjës, është e domosdoshme t’i analizojmë të gjitha, një e nga një, në raport me ngjarjet, historitë, personazhet dhe realitetin e sotshëm.
* * *
Lufta popullit të Kosovës iu imponua nga makina shtetërore e dhunshme e Serbisë së atyre viteve, e cila ishte komplet e kundërta e shtetit të së drejtës, të tipit europian. Në një lloj mënyre, Serbisë dhe Milosheviçit i takon “merita” e krijimit të UÇK-së. Ajo lindi nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës, nëpër fshatra, nëpër familje të persekutuara nga komunizmi jugosllav e më tej serbomadh që nga koha e Shaban Polluzhës e ndoshta dhe më parë. Nëse sot mund të themi që a ka pasur themelues ideator UÇK-ja, patjetër, e shumë madje, por në krye të tyre qëndron Adem Demaçi, i cili po ashtu si zoti Lubonja e kaloi rininë dhe jetën nëpër burgje, i ndrydhur pas hekurave si i burgosur i ndërgjegjes, asaj ndërgjegjeje kombëtare qytetare shqiptare, e cila kërkonte të drejtën e shkollimit në gjuhën e vet, të përfaqësimit, të të shprehurit, të lirisë dhe jo në emër të ultranacionalizmit, njëlloj si z. Lubonja. Adem Demaçi dhe shokët e tij të lëvizjes së ’68-s në Kosovë, ashtu si në të gjithë Europën, mbajtën në Kosovë flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë.
* * *
Jugosllavia e pas Dejtonit ishte një Jugosllavi e cunguar, ishte Jugosllavia e Milosheviçit, ku kishte katër lloj qytetarësh, niveli i parë serbët “të përzgjedhurit” e Zotit që kishin lindur për të sunduar të tjerët. Malazezët, të cilët e dinin shumë mirë se një shkëputje me luftë nga Serbia do të thoshte shkatërrim dhe rrënim si në Bosnjë dhe ata ishin shumë të vegjël, kështu që ia vlente të vazhdonin të jetonin nën Serbi për shkak të detit dhe të 45% të popullsisë serbe, dhe jo për shkak të dashurisë mes tyre. Hungarezët e Vojvodinës, të cilët për shkak të pozitës gjeografike dhe industrive jugosllave kishin pozita të avantazhuara nga pikëpamja ekonomike dhe politike në krahasim me të tjerët, pavarësisht se ishin vetëm një krahinë autonome. Shqiptarët e Kosovës, të cilët pavarësisht se me numër qytetarësh ishin me shume se Mali i Zi e Vojvodina, bashkë ishin të dënuar të jetonin, nën aparteid të papërfaqësuar, nën dhunë të vazhdueshme të makinës ushtarake shtetërore. Mjafton të përmendim që armata më e madhe e Jugosllavisë të mbetur ishte e tëra e vendosur me trupa dhe mjete të rënda në mënyrë permanente në Kosovë, nën mungesën e drejtësisë që nga ajo e pronësisë e deri tek ajo e të folurit. Qëndresës historike paqësore të Rugovës dhe LDK-së iu përgjigjën me indiferencë të plotë dhe me dhunë sistematike shtetërore.
* * *
Në vitin 1997, ditën e protestave të studentëve, të udhëhequr nga Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., ishte në krye me studentët dhe një intelektual i shquar i asaj kohe, profesor Ejup Statovci, që u masakrua live nga forcat speciale të policisë serbe para kamerave të mbarë botës. E pra, Statovci e studentët të cilët një vit më pas do ishin të tërë në UÇK, ishin më paqësorë se vetë gandistët vetëm pak muaj para luftës. Më 28 nëntor të atij viti, në Drenicë tre njerëz dolën para kamerave me uniformën e UÇK-së, një ndër ta ishte nxënës 17-vjeçar, i cili paradite kishte qenë në shkollë. Emri i tij ishte Daut Haradinaj, vëllai i vogël i Luanit, që ishte vrarë atë vit në kufirin Shqipëri-Kosovë nga ushtria serbe, i Ramushit që kishte lënë Perëndimin e ishte kthyer të mbronte shtëpinë e vet, i Shkëlzenit që dy javë para se të përfundonte lufta u vra po ashtu nga ushtria serbe. Në mars të 1998-s ushtria serbe nuk masakroi vetëm familjen Jasharaj në Prekaz, por edhe familjen Haradinaj në Deçan. Të gjithë ata që u vranë ishin civilë, femra dhe fëmijë, kështu u krijua UÇK-ja, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Një luftë që të imponohet është një luftë e drejtë, sepse me atë ruhet dinjiteti, identiteti, qytetaria, origjina, prona gjuha dhe liria; ky nuk është nacionalizëm, por patriotizëm.
* * *
Rusvelti e dinte shumë mirë se kur të hidhej bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, nuk do të vritej Perandori japonez apo as komandantët e ushtrisë, por do të vriteshin shumë civilë, dhe një pjesë e madhe e tyre të pafajshëm. Por në emër të asaj bombe do t’i jepej fund një lufte, e cila mund të vazhdonte në Paqësor edhe për 20 vjet. Natyrisht, nuk mund të mendosh që lufta e Kosovës mund të ketë qenë një luftë ku janë zbatuar të gjitha konventat e të drejtat e njeriut, pasi çdo luftë është e pisët, por luftërat ku ushtria e shtetit lufton kundër qytetarëve të vet, pra lufta civile, është 10 herë më e pisët dhe e vështirë. Megjithatë, nën qiellin e Europës për shumë vite kjo u lejua në ish-Jugosllavi, deri kur “Pëllumbi i Paqes” së Dejtonit, Milosheviçi, nuk i theu hundët pikërisht nga ata fëmijët e katundarëve të Kosovës, bijtë e thjeshtë të popullit fukara, të cilët krijuan ushtrinë që na riktheu krenarinë qytetare e kombëtare: UÇK-në. Një ditë të bukur, në burgun e Shevingenit në Hagë, teksa Sllobodani ishte në ashensor, u gjend me Ramushin vetëm për vetëm dhe uli kokën teksa Ramushi i tha: “Eh zoti President, a ta merrte mendja ndonjëherë se një ditë do gjendeshe me mua këtu?”…. E pra, njëri u largua me arkivol nga aty, e tjetri u kthye dy herë i lirë dhe hero te njerëzit e vet. Por jo sepse gjoja ishin zhdukur dëshmitarët, por sepse në atë luftë kishte një humbës dhe një fitues, humbësit qëndruan me humbësit dhe fituesit me fituesit.
* * *
Kenedi i madh ka thënë: “Mos pyet ç’ka bërë atdheu yt për ty, por ç’ke bërë ti për atdheun tënd”. E pra, Kenedi nuk ishte nacionalist e ultranacionalist, ishte patriot, jetoi e vdiq si i tillë. Nëse një burokrate e shpifur dhe e dështuar si zonja Del Ponte, që në vend të shkruante libra duhej të bënte punën e vet si prokurore, për shumë vite kërkoi të na mbushte mendjen se Ramushi, Fatmir Limaj, Rustem Mustafa dhe e gjithë UÇK ishin kriminelë, për ta dhe për ata që mendojnë si Del Ponte ka vetëm një përgjigje: një popull i tërë nuk mund të jetë kriminel, liria nuk fitohet me pallavra, por me gjak e sakrifica.(Kortezi Panorama)

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Kulla, me Fatos Lubonjen, ne vend te replikes

IDRIZ SEFERI, HEROI KOMBETAR QE LUFTOI PER BASHKIMIN E TOKAVE SHQIPTARE

July 18, 2013 by dgreca

“U munova tanë jetën me çliru dhe bashku këtë vend, por po vdes me ixhram që nuk munda ti bëj tokat shqiptare Shqipni”,  Idriz Seferi !

Shkruan: Nga Gani Qarri /

Atdhetari i madh, heroi i kombit, si dhe njëri ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor ushtarak të kryengritjeve kombëtare për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare, Idriz Seferi, u lind në vitin 1847 në fshatin Sefer të trevës së Karadakut afër Shkupit dhe vdiq në vitin 1927 me dëshpërimin e thellë në shpirt,ngase përkundër aq shumë vuajtjesh, luftërash e përpjekjesh kombëtare, shqiptarët asnjëherë nuk arritën ti bashkonin të gjitha trojet e tyre etnike dhe bënin – Shqipëri.

Shpirti i tij luftarak dhe shtypja e madhe e bashkëkombësve nga Perandoria turke,e shtynë heroin e atyre viteve të rënda e të vështira për kombin,kur një popull i tërë luftonte për jetë a vdekje,që qysh në moshën e tij të re, duke mos duruar shtypjen e mëtejme dhe varfërinë e cila do të keqësohej së tepërmi , sidomos pas reformave të Tanzimatit, të hidhej në luftë të armatosur kundër pushtuesve osman, për çka në vitin 1875, kur ishte vetëm 28 vjeçar , do të burgosej nga pushtetarët turq.

Si patriot dhe luftëtar i shquar që ishte, Idriz Seferi u ftua dhe mori pjesë në të gjitha ngjarjet kryesore të kohës, kuvendet me rëndësi dhe luftërat vendimtare që bëheshin kundër kësaj Perandorie, për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimi shumë shekullor i saj.

Ai kudo u shqua me aftësitë e tij organizative dhe udhëheqjet e dëshmuara për strategji të larta ushtarake, i cili me të drejtë do të caktohej-udhëheqës i Betejës së Kaçanikut dhe njëri ndër prijësit kryesor të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.

Idriz Seferi, ishte njëri ndër strategët kryesor të betejave për çlirimin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt e vendbanimeve të tjera shqiptare në këto dhe më gjerë në trojet tona.

Edhe pse me kërkesat e Fuqive të Mëdha, luftëtarët kombëtar nga fundi i muajit gusht të vitit 1912,do të detyroheshin të çarmatoseshin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas fillimit të luftërave ballkanike, në tetor të vitit 1912, kur tokat shqiptare do të sulmoheshin nga të gjitha anët, ai do të mobilizohej përsëri dhe me vullnetarët e tubuar nga të gjitha trojet,do të hidhej në mbrojtjen e Bujanocit, Llapit, Gollakut, Kumanovës,e vendeve tjera,nga sulmet e pushtuesve serbomëdhenj, të cilëve do t’u shkaktonte humbje të mëdha, por me gjithë përpjekjet heroike, jo edhe t’i ndalte për kohë të gjatë, nga mungesa e armëve, municionit dhe ushqimeve, kur trojet shqiptare që të gjitha njëkohësisht, digjeshin në flakët e luftës nga çdo anë, të sulmuara njëherësh prej shumë shteteve ballkanike, si Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria.

Megjithatë, kryengritjet e tij për liri kundër pushtuesve serbë në vitet 1913 deri më 1915, dhe pushtuesve bullgarë  nga vitet 1916 deri më 1918, asnjëherë nuk do të ndaleshin, për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, deri në fund të jetës së tij.

Pra shqiptarët, për fat të keq, nuk kishin vetëm një armik,kështu që pushtuesi i radhës-qeveria shoviniste serbe,që nga viti 1900,kishte filluar ti forconte agjenturat e saj, përmes mësuesve dhe priftërinjve sllavo-ortodoks, nëpër fshatrat e përziera dhe të banuara me sllavë, të cilat vepronin nën emrin e njohur si “Dora e zezë”.

Madje ajo, do të dërgonte edhe oficer të lart ushtarak,dhe nga viti 1907, do të krijonte edhe çeta të armatosura çetnikësh,të cilat kishin për detyrë të përgatisnin terrenin për ndërhyrjen ushtarake serbe në Kosovë, pas largimit të Perandorisë Turke nga tokat tona.

Banda të armatosura dhe grupe spiunazhi,përherë  janë mbajtur dhe strehuar në kishat dhe manastiret serbe,gjithandej trojeve tona, të cilat gjatë gjithë kohës ishin dhe mbetën, vatra të agjenturave të fshehta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë

Një çetë të tillë çetnikësh, që në vitin 1907,Serbia do ta formonte edhe në fshatin Pasjan,në lindje të Gjilanit,e cila për një kohë do të strehohej e kamufluar në kishën sllavo-ortodokse të këtij fshati të banuar jo tërësisht me serbë. Por,pas paraqitjes publike, prijësi popullor i kryengritësve shqiptar, heroi Idriz Seferi do të urdhëronte asgjësimin e kësaj çete të armatosur,bashkë me udhëheqësin e saj, oficerin e lartë ushtarak,  Dragolub Nikoliq, i cili ishte dërguar enkas nga Beogradi,për këtë detyrë.

Kjo ishte vetëm një pjesë e vogël nga historia e gjatë e luftërave dhe trimërive të shumta të këtij Burri.

Ndaj,për betejat që udhëhoqi dhe heroizmat e treguara gjatë atyre viteve të vështira për kombin dhe atdheun e shqiptarëve, Idriz Seferi bashkë me Isa Buletinin u shndërruan në mite,kurse luftimet e fuqishme që ata organizuan dhe udhëhoqën me trimëri, të zhvilluara me aq sukses, në përballje me ushtri shumë herë më të mëdha armike,në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar u kthyen në  legjenda dhe vlerësuan lartë në historinë e kombit tonë.

Kryengritjet e tyre, kundër pushtimit osman, të cilat që nga reformat e Tanzimatit, nuk u ndalën asnjë herë, deri në përzënien përfundimtare të Perandorisë Osmane nga trojet tona, si dhe organizimi i mbrojtjes,për aq sa ishte e mundur nën kushtet e një lufte pothuajse duarthatë kundër shteteve ballkanike, ishin përpjekje titanike të cilat do të çonin në shpalljen historike të Pavarësisë së Shqipërisë etnike më 1912 në Vlorë, edhe pse ai do të vdiste me “ixhram” si shumë patriot tjerë të kombit,të cilët me gjithë luftën që bënë dhe vuajtjet që përjetuan,nuk arritën ti bënin të gjitha tokat shqiptare Shqipni.

*Pjesë nga libri “Krijuesit e Historisë”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Heroi Kombetar, Idriz Seferi, Kombetar, qe luftoi per bashkim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT