• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

ENDRRA E PLISIT

July 11, 2013 by dgreca

Me rastin shpalljës së Pavarësisë të dy korrikut të vitit 1990/

Ne Foto: Poeti Neki Lulaj ne Vater, Maj 2013/

Nga Neki Lulaj/ Gjermani/

Korbat mbyllen në vete majë Kalasë/
e bilbilat në kor këndojnë mbi themele të reja/
… për kupolën e ëndrrave të plisit./

Metropolet brrylohen nga vegjëlia/
Rishfaqje Dardania/
… gjaku e historia./

Bebëza e Ditës së re
përplasë djajtë në kthina myku
… all, shkëlqen sot Plisi

I bekoi Perëndia
Deri në shtegëtim
***
… kur do agoi bardhësia
Të rifrymoj Dardania
***
Thyen kornizat e Ferrit
Ditën e dytë të tmerrit

Natën me yje
Mëngjeset me dije

t’agoi bardhësia
t’ringjallet Dardania
përtej diellit të Lirisë
përtej mitit te Plisit…

 

Filed Under: Featured Tagged With: Endrra e plisit, neki Lulaj

EDHE PSE MORI KARTON TE KUQ, KUKESI KUALIFIKOHET NE EUROPA LEAGUE, TEUTA KTHEHET DUARBOSH

July 11, 2013 by dgreca

Edhe pse mori një Karton të kuq para përfundimit të ndeshjes, edhe pse nuk shënoi gol në fushën e vet, por as nuk pësoi, 0:0, ekipi debutues në kategorinë superiore të futbollit shqiptar, Kukësi, ka arritur të marrë një kualifikim historik, duke kaluar në turin e dytë të Europa League, pasi ka kaluar qysh në raundin e parë ekipin e Flora Tallinn të Estonisë me gol në fushën kundërshtare në atë barazim historik 1:1 në Estoni.

Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 0 me 0, por Kukësi është kualifikuar falë golit në fushë të kundërshtarit.Ndeshja e zhvilluar në Estoni ka përfunduar me rezultatin 1 me 1.Kukësi luajti më mirë në ndeshjen e zhvilluar në Shqipëri, por shanset e shumta nuk u konkretizuan dot.Minutat e fundit kanë qenë drithëruese, pasi Kukësi mori edhe një karton të kuq.

Teuta e Durresit kthehet duarbosh pasi ka pesuar humbje te paster, 2-0  në Kishinev nga Dacia. Skuadra durrsake ishte pothuajse inekzistente në fushë gjatë gjithë takimit, aq sa në përfundim të takimit dhe shifrat flasin qartë, 14 goditje drejt portës për moldavët dhe asnjë përpjekje nga ana e durrsakëve që mesa duket e kishin marrë shumë seriozisht mbrojtjen e rezultatit edhe pse këtë detyrë nuk ditën ta kryenin aq mirë. Fillimi mbi të gjitha i bëri lojtarët e Dacias të dukeshin të gjithë si Mesi në fushë, sigurisht duke marrë parasysh lehtësinë me të cilën depërtonin në mbrojtjen durrsake. Goli megjithatë vonoi deri në minutën e 21-të pasojë dhe e disa ndërhyrjeve të Rizvanit, që u mposht nga Stoleru. Ky I fundit nuk e pati aspak të vështirë të shënonte krejtësisht i lirë në zonë. Teuta sërish u limitua në mbrojtje dhe goli i dytë ishte në ajër. Në fraksionin e dytë, Pavlov në minutën e 75-të mundi të gjejë dhe golin e 2-0, atë të kualifikimit të con moldavët në raundin tjetër e nxjerr jashtë Teutën, që në transfertë bëri vërtetë shumë pak për të marrë kualifikimin, aq sa moldavët ishin superiorë në gjithcka, përfshi dhe ndërhyrjet e parregullta që në fund të 90 minutave u regjistruan 13-6 në favor të moldavëve, tregues që dhe në agresivitet Teutës i mungoi dicka.

 

Filed Under: Sport Tagged With: Kukesi kualifikohet, Teuta skualifikohet

DR. ARSIM SPAHIU NGA PARISI I DHUROI BIBLIOTEKËS SË FEDERATËS VATRA NË NEW YORK 5 LIBRA TE TIJ

July 11, 2013 by dgreca

Këto ditë studiuesi i pasionuar Nelson Cabej i shoqëruar nga dr. Hasan Ademaj vizitoi Shtëpinë e Vatrës, pas një vizite në Francë. Ai u prit nga editori i Diellit Dalip Greca. Z. Cabej, i njohur për studimet e tij akademike të botuara në SHBA, që kanë tërhequr vëmendjen e qarqeve akademike dhe që  janë tërhequr nga më shumë se 1000 biblioteka universitare në SHBA, solli librat që dr. Arsim Spahiu, i cili jeton në Paris, ia dhuroi Bibliotekës së Vatrës. Librat e dhuruar, që tashmë janë në iventarin e Bibliotekës së Vatrës, dhe mund të shfrtëzohen nga lexuesit dhe studiuesit,janë këto:

*Dr. Arsim Spahiu”Orakulli i Dodones dhe Epirotet”-Mitologjia dhe Feja Epirote- Vellimi I

*Dr. Arsim Spahiu- TRIPTIK EPIROT

*Dr. Arsim Spahiu-  SHTETI EPIROT

* Dr. Arsim Spahiu -GJUHA E EPIROTËVE TË VJETËR

* Dr. Arsim Spahiu – PELLAZGËT DHE ILIRËT NË GREQINË E VJETËR

Dr. Arsim Spahiu, i njohur në fushën e studimeve historike, u lind më 1942 në Prizren, në gjirin e një familje Lumjane nga Katundi i Kolesianit. Që në moshë të re ai tregon interesim për Historinë e Shqipërisë, por pasi kryen Gjimnazin në Kukës, në vitin 1960, i jepet e drejtë studimi në degën e Fizikës, në USHT. Në vitin 1962 internohet familiarisht në rrethin e Lushnjës, nga ku lirohet vetëm pas 29 vjetësh. Në vitin 1991 emigron në Francë, ku kryen studimet universitare në Histori, në Universitetin e Besancon-it. Më 2002 merr Gradën e Masterit në Histori dhe në Vitin 2005, mbasi mbron tezën mbi “Pellazgët dhe Ilirët në Greqinë e Vjetër”, merr Gradën e Doktorit në Histori të Universitetit të Franche-Comte’-së.

Ka botuar edhe “Iliriciteti i maqedonasve e epirotëve”,”Pellazgët e Ilirët në Greqinë e Vjetër” etj. Po ashtu dr. Arsim Spahiu ka botuar edhe dy romane, të shkruar gjatë kohës së internimit. Romani “Drenicarët” i botuar në 2001 është pritur mirë nga lexuesit.Dr. Arsim Spahiu është bashkëpunëtor i rregullt i gazetave në Tiranë.

Federata Vatra dhe Gazeta Dielli e falenderon Dr. Spahiun për librat e dhuruar dhe i uron sukses në fushën e studimeve dhe të krijimtarisë letrare.

Ne Foto: Studuesi Nelson Cabej me dr. Hasan Ademaj ne Biblioteken e Vatres

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Dr. Arsim Spahiu, i dhuroi Vatres, Nelson Cabej, pese libra te tij

Një roman me theks social

July 11, 2013 by dgreca

Nga Aleko Likaj/
Thani Naqo, është dhe mbetet për mua pa diskutim, një prej prozantorëve më të veçantë  shqiptarë që e di mire ta sjell artistikisht dhe në mënyrë krejt fine në këto vitet e fundit temën e fshatit, por dhe problemet e shumta e të  mprehta që shfaq shoqëria shqiptare aty, në këtë stad të zhvillimit të saj shoqëror. Ai dëshmon bindshem se është dhe mbetet një njohës shumë i mirë i atij realitet të brishtë, i njerëzve, halleve të tyre  së bashku me dramat, ëndërat, dëshirat, dhe vendet  e mjediset ku i vendos ngjarjet në romanet e tij.
            ’’I fundmi i shalgjatëve’’,  romani i mbrapmë  i  Thani Naqos, që pa dritën e botimit këto kohët e fundit, është në të njëjtën hulli, ku autori abstragon në një realitet të trishtë në zonat rurale shqiptare. Braktisja, vetmia, dhe haresa, fenomen ky që në të vërtetë është dhe bëhet dita ditës më i mprehtë e tepër social për një shoqëri, që në fakt përjeton ende agoninë në kapërcyellin e dy sistemeve, të atij që lamë pas dhe këtij që po e përjetojmë ende si një lindje prematurë.
            Autori ka vënë në qendër të romanit të tij të ri historinë e një grushti njerëzish që kanë kaluar tashmë në moshën e tretë, të mbetur të vetëm dhe të braktisur në hapsirën e një ish fshati, që dikur i kalonte të dyqind shtëpitë, por që tani nuk tymos dhe s’ka jetë brenda tij, përveçse disa ece-jakëve që përfundojnë me procesione e të dërguarit të rradhës për në varreza. Të gjithë i gëzohen faktit se një bari dyzetvjeçar, ’’I fundmi i shalgjatëve’’ do të mund që ti nisë që të gjithë për atje, në shtëpinë e fundit. Shpresojnë e luten për atë që të mos marrë edhe ai rrugën për në emigracion. Një tablo e vërtetë surealiste. Këta njerëz që duket se i kanë mbaruar që të gjitha, madje edhe dashuritë, rrinë dhe jetojnë çdo çast me marrëzitë e lajthitjet të moshës por edhe me sytë nga përtej kufijve në shtete e kontinente të largëta, ku janë tretur prej vitesh të dashurit e tyre, fëmijët, të afërmit.
Romani ka një strukturë kompozicionale të ngjeshur dhe të qepur mirë, ku asgjë nuk duket e tepërt. Është kjo arsyeja që ngjarjet e personazhet e Thani Naqos të bindin me vërtetësinë tyre, ndaj ’’I fundi i shalgjatëve’’ është dhe mbetet realist. Ka një karakter të theksuar social e shoqëror.
Dyqani i modës europiane me kukullvajzat dhe kukulldjemtë e vitrinës, në  natën e pambarimtë së bashku me fluturzat që i sillen dritës, i shërben kësisoj autorit që ta shpërvjelë historinë nën një kontrapunt mizaskene e retropektive, ashtu si në celuloidin e një filmi neorealist  të mes shekullit të kaluar, që në rastin konkret,  shërben si kryeradhë në të gjithë episodet e librit. Thani që në fillim, pa asnjë ekuivok, e vendos gishtin në plagën e thellë sociale të shoqërisë duke e analizuar fenomenin e trishtë  ku ndjehet në rradhë të parë haresa dhe indiferenca e shtetit, por edhe anomalia e ligjeve. Shpesh herë aty mungon koha dhe hapsira ku lëvizin e gjallojnë në një fatalitet të tejskajshëm ende këto krijesa njerëzore të lënën në mjerimin e tyre. Por autori vizaton dhe jep mjeshtërisht me detaje edhe botën reale e të ikurve që për nga ngarkesa dhe psikologjia mbetet gjithmonë e turbullt, me ngarkesa emocionale dhe me një pasiguri të dukshme në mjedise krejt të panjohura që ndryshojnë kryekëput  nga ato që kanë përjetuar vite më parë në tokën e tyre. Ndërkohë që nuk i a kursen groteskun  me nota të theksuar donkishoteske kolektivitetit të një shoqërie kooperativë, me histori të disa personazhve, ish funksionarë, apo militante të thekur, recitavistë sloganesh, që tashmë koha i ka kthyer në kufoma.
            Fenomenin e emigracionit dhe dilema për të braktisur gjithçkah duke haruar vetë jetën e personalitetin e tyre, Thani Naqo e sjell si një fenomen pa kthim, e plagë të thellë shoqërore që ka shkretuar gjithëçkah dhe pengon rilindjen. Mungesa e politikave për transformime e rimëkëmbje në rradhë të parë nga shteti, përgjatë gjithë këtyre viteve, sipas autorit ka vrarë shpresën. Ai nënvizon se të ikurit edhe pse sjellin ndonjë gjë tek të afërmit e tyre që kanë lënë e braktisur prej vitesh, nuk mund që ti a ndryshojnë dot  gjendjen dhe rrjedhën e jetës të ngulurve pranë tokës. Në këto dilema është dhe mbetet edhe vetë personazhi kryesor i romanit përgjatë gjithë librit përpara vitrinës së dyqanit të modës europiane, ndërsa është nisur për të kaluar Malin e Thatë, që të shkojë tek miku i tij Paganini. Por ne fund vendos qe te mos e marre ate aventure dhe ti kthehet fshatit te tij brenda asaj bote prej 27 personash te vetmuar, me shpresen e mire, se ne mos shteti, ai vete do te bej diçka me shume per ti u ndryshuar jeten te mbeturve ne trojet e fshatit të tij. Eshte nje lloj sfide
            Mendoj se autori ka ditur që artistikisht, që të tri këto kollona ku e mbështet krejt veprën e tij, ti unifikoj dhe t’i a dalë që të realizoj një roman të besueshëm, që në fakt dallon mirë për shkallën e lartë të militantizmit të saj, ku ndjehet në rradhë të parë përgjegjësia e lartë qytetare.
            Romani ka kolor dhe ndjehet brenda tij një gjuhë filmike. Thani Naqo rrëfen bukur dhe bindshëm me një lirizëm të hollë prej devolliu që të emocionon deri në tepri, plot metafora e simbole. Pikërisht me këtë brumë të shëndetshëm dhe të arrirë ai ndërton e kompozon edhe personazhet e tij. Të mbesin në mendje një galeri e pasur me vizatime; si Mësues Marroku, Paganini, Marjana, Teto Dabucka, Simo Babjeni, Berber Shejtani, Grifsha, Cigania me gji të florinjtë, Ai i Gjermanisë, Ai i Kanadasë, Berber Kokësallata… , për orgjinalitetin e karakteret e tyre. Shumica, ka në fakt një gjuhë poetike e me nëntekst. Kështu edhe vetë personazhi kryesor që na bën edhe rrëfimin. Kjo vjen, mendoj unë, nga që vetë autori përpara se të jetë një prozator serioz dhe me këmbë në tokë, është edhe gjithashtu një lirik i këndshëm në poezi tepër mbresëlënëse në botën tonë letrare.
            Mesazhi që përcjell shkrimtari Thani Naqo, duket realist e me një theks të fortë shoqëror. (Në fund të fundit ky është misioni i mirfilltë i një krijuesi i cili e ngjyen penën e tij në dramën e një shoqërie që lëngon) Ai akuzon dhe bën përgjegjëse për këtë vetê shtetin, gjithë shoqërinë shqiptare dhe klasën e papjekur politike në vend.

Filed Under: Featured Tagged With: Aleko Likaj, nje roman me theks social, Thoma Naqe

TRAGJEDIA E ÇAMËRISË VJENË NË ANGLISHT NGA PËRPARIM KAPLLANI

July 11, 2013 by dgreca

Libri “The Last Will”, ose “Amaneti i Fundit”,është një roman me elementë historikë,i bazuar në gjenecodin çam./

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Ballina e Librit, Amaneti i Fundit/

Shekulli i kaluar do mbetet ndoshta si shekulli më i mallkuar i historisë për nga krimet e shkaktuara kundër njerëzimit nga fashizmi e komunizmi si edhe nga gjenocidet, spastrimet etnike dhe shpërngulja me forcë e grupeve të ndryshme etnike nga tokat e tyre.   Libra të shumët të historisë në anglisht janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen mbi gjenocide e ndryshme në Evropë, përfshirë gjenocidin armen, deportimet sovjetike me forcë të grupeve të ndryshme, si tartarët, gulagët e burgjet e përqëndrimit dhe dislokimet e kulakëve dhe të tjerëve nga regjimet komuniste; gjenocidi i Khmer Ruzhit-it në Kamboxhia, gjenocidi në Ruanda dhe më në fund gjenocidi dhe spastrimet etnike në Bosnje dhe në Kosovë fundin e shekullit të kaluar, kur Serbia ndërmori krime kundër njerzimit, për një kohë të gjatë dhe pa ndëshkim, deri në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.   Të gjitha këto janë shembuj të tmershëm të mizorive që ka bërë njeriu kundër njeriut.

Por libri, “Amaneti i Fundit”, i Përparim Kapllanit mbi gjenocidin çam, duket se është i pari i këtij lloji në gjuhën anglisht, pasi në asnjë nga librat në gjuhën anglishte që kam patur rastin të lexoj, mbi historinë e gjenocideve dhe spastrimeve etnike në Evropë,as nuk përmëndet  “Njëra prej spastrimeve etnike më të harruara, mu në qendër të Evropës”, sipas autorit të romanit në anglisht mbi tragjedinë çame, Përparim Kapllanit.

Libri “The Last Will”, ose “Amaneti i Fundit”,është një roman me element historikë,i bazuar në gjenecodin çam.Promovimi i librit u bë fund muajin e kaluar, pikërisht me 27 Qershor, ditën e përkujtimit të gjencodit çam, në Toronto të Kanadasë, aty ku autori jeton për disa vite.  Romani u promovua nga shtëpia botuese kanadeze e njohur me inicialet IWOI, e mbështetur edhe nga Federata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Kanada.

Duke shfletuar librin historiko-letrar të Përparim Kapllanit, vihet re, ”Ndjenja e fortë e (Çamëve) për të mbijetuar”, dhe njëkohsisht theksohet krenaria e të qenit me preardhje çame: ”S’ka asgjë të keqe të jeshë nga Çamëria”. Zylyftari, një shqiptar nga Greqia, thotë, se “patjetër, do ua tregoj se kush jam unë….Unë jam krenar se jam çam dhe këtë fakt nuk do e ndryshoja për asnjë çmim”, shton Zylyftari nga Çamëria.  “Për vendlindjen e tij të ndaluar, aty ku kanë lindur dhe ku kanë jetuar para-ardhësit e tij,si dhe vendi nga ku ata u dëbuan dhe u përjashtuan me forcë nga territori që sot i përket Greqisë.”

Romani i Përparim Kapllanit pasqyron gjithashtu edhe realitetin e mungesës së vullnetit politik për tu marrë me çështjen e dhimbshme çame, sidomos nga ana e Greqisë, pasi për Athinën, ”Çështja çame nuk ekziston.   Kjo është përgjigja zyrtare e qeverisë greke”, për brutalitetin e ushtruar nga autoritetet greke ndaj viktimave dhe të mbijetuarve çamë të shpëngulur me forcë nga trojet e tyre.

Nuk është se nuk dihet për tragjedinë e Çamërisë, si edhe për atë të masakrës së Tivarit, ku me mijera shqiptarë nga Kosova u vranë e masakruan nga regjimi sllav, fatkeqsisht në bashkpunim me regjimin e athëhershëm komunist të Tiranës.   Por për kto tragjedi nuk flitet as nuk shkruhet aq shumë sepse vihet re një refuzim për të pranuar realitetin e historisë së shqiptarëve, si brenda ashtu dhe jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.   Në këtë mes, të huajt dhe fqinjtë kanë arsyet e veta gjeopolitike, jo vetëm për të mos pranuar realitetin e shqiptarëve në Ballkan, por vazhdojnë të bëjnë ç’mos për të shtrëmbruar dhe për të injoruar historinë e vërtetë, deri në pikën që, sipas tyre, këto masakra, “nuk kanë ndodhur fare”.   Por këjo nuk duhet të ndaloj shqiptarët kudo, që të vënë në dukje para botës dhe vetes së tyre, mundësisht edhe në gjuhë të huaja, siç është, “Last Will” i Përparim Kapllanit, –masakrat, shpërnguljet me forcë dhe shpronësimet, ashtuqë që sipas, Amanetit të Fundit, ”Çështja Çame të adresohet njëherë e mirë, në mënyrë kompetente… pasi të mbijetuarit e kësaj tragjedie po vdesin dhe se ankesat e tyre për drejtësi  gjithashtu do vdesin dhe do të varrosen me ‘ta   Andaj, çamët nuk kanë alternativë tjetër, veçse të paraqesin ankesat e tyre, “Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.”

Është e nevojshme që amaneti të të mbështeten me vepra, pa marrë parasyshë konsideratat gjeopolitike dhe indiferencën dhe mungesën e vullnetit politik të Tiranës zyrtare ndaj kësaj historie si një faktor kryesor, për të mos ”çuar pluhur” mbi këtë çështje.   Është vështirë të merret me mendë se si Tirana zyrtare do të merrej seriozisht me këtë çështje, ose me të tjera si kjo, kur ajo gjatë 20-viteve të tranzicionit  nuk ka treguar kurajon as moralin civil për tu përballur madje as me krimet e regjimit komunist kundër vet popullsisë shqiptare.   Është detyrim i çdo qeverie sovrane, në çdo kohë, për të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë në mbrojtje të interesave të shtetasve dhe bashkombasve të vet, si dhe për tu përpjekur për tu përpjekur për të venë në vend drejtësinë e mohuar.    Kur qeveritë sovrane nuk duan ose nuk mund të mbrojnë qytetarët dhe bashkombasit e vet, atëherë njerzit kanë të drejtë tu drejtohen enteve ndërkombëtare për drejtësi.  Por fatkeqsisht, mbetet për tu parë dhe shumë për tu bërë në lidhje me nevojën për të artikuluar dhe për të zbatuar parimin dhe për të marrë përsipër përgjegjësitë sovrane në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut të të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre, dhe padrejtsive ndaj tyre në të kaluarën dhe tani, duek filluar nga vet-vetja.   Çelsi mbetet gjithnjë, përballimi me historinë e errët të gjysëm shekullit të kaluar të kombit shqiptar nën komunizëm –sado e vështirë të jetë një gjë e tillë.   Kjo nuk ka ndodhë, dhe për derisa kjo nuk ndodhë, do jetë vështirë të kërkohet llogari dhe përgjegjësi dhe llogari nga qeveritë e tjera për masakrat, deportimin me forcë dhe shpronësimin e çamëve nga Greqia, në bazë të Amanetit të Fundit.

Mund të flasim për të kaluarën dhe për të ardhmen. E kaluara është diçka që ne nuk mund ta ndryshojmë, por duke folur për të ardhmen, nuk guxojmë që të kaluarën ta mohojmë, sado e keqe qoftë ajo.   Është thënë shpesh se mënyra më e mirë për të ndaluar përsëritjen e gjenocideve dhe krimeve përfshirë ato të shtetit mbi qytetarët e vet, është që të sigurohet që masakrat, gjenocidet dhe krimet e lloj llojshme kundër njerëzimit, të mos harrohen kurrë.

“Amaneti i Fundit” i Përparim Kapllanit është një kontribut i çmuar që sadopak informon lexuesin e interesuar anglisht-folës mbi këtë tragjedi me përmasa të mëdha dhe ende të panjohura të një pjese të kombit shqiptar, Çamërisë.   Shkrimtari Faruk Myrtaj, i cili mori pjesë në promovimin e librit në Kanada, në vlerësimin e tij ka shkruar se, “njeriu lind dikur, diku, në një truall, dhe mbetet përgjithnjë fëmijë i atij djepi!  Përparim Kapllani, qytetar i tillë i Mëmëdheut të tij edhe pasi ka mërguar në Perëndim, Kanada, për një jetë më inspiruese, merr përsipër këtë bekim/mallkim dhe përpiqet ta ndaj brengën e njerëzve të fisit të tij me tërë njerëzit e kësaj bote.”   Përveç kësaj, Amaneti i Fundit, është gjithashtu edhe një kontribut ndaj asaj kujtese të hidhur të historisë kombëtare, vepër e cila kontribon që ajo histori të mos harrohet por të përjetësohet e dokumentuar duke e kaluar atë nga brezi në brez me shpresë që të mos përsëritet më.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: The Last Will, tragjedia came

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT