• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2013

NJË LIBËR I RRALLË, KU TRAJTOHEN çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë

September 20, 2013 by dgreca

Përkitazi me botimin e librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, i autores mr. Fetnete Ramosaj, botoi Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë, 2013, 182 faqe. /

Nga Faton Mehmetaj*/

Ne Foto”Pamje nga promovimi i librit me 18 shtator 2013/

Libri i mr. Fetnete Ramosajt “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” është një libër me tematikë të rrallë, pak të trajtuar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm vendorë e të huaj, sepse megjithatë konsiderohet si “temë e nxehtë”. Edhe përkundër kësaj, Ramosaj ka bërë një punë të shkëlqyer, në radhë të parë hulumtuese e mjaft argumentuese, duke e faktuar në mënyrë të përsosur veprimtarinë e këtyre organizatave në Kosovë. Faktikisht, libri është një përmbledhje e fakteve, e provave dhe e argumenteve, është një libër i dokumentuar që tregon në mënyrë kronologjike për aktivitetin e këtyre organizatave, të cilat datojnë qysh para 100 vjetësh e që janë aktive edhe sot, me shtrirje në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Europës dhe të botës.

Edhe në këtë kohë kur rajoni po synon të integrohet në Unionin Europian, kur bota dhe Europa po bëjnë plane për një Evropë të bashkuar e unike, megjithatë organizatat ekstremiste dhe terroriste serbe, si një instrument shtetëror i Serbisë, vazhdojnë të veprojnë në Kosovë dhe në disa shtete të Europës e të botës. Përmendim këtu vetëm rastin e terroristit Breivik në Oslo të Norvegjisë, i cili deklaroi haptazi se për të kryer këtë akt është inspiruar nga organizatat sekrete serbe. Nga po të njëjtat organizata u vra ministrja e jashtme suedeze Ana Lind, pastaj gazetarja e BBC-së Jill Dando etj., për mbështetjen që i dhanë Kosovës, u vra edhe boshnjaku Shefko Sallkoviq në pjesën veriore të Kosovës etj. Duhet përmendur sulmet e njëpasnjëshme mbi popullatën civile, sukmet mbi strukturat politike serbe, që kanë kanë shfaqur çfarëdo shenje për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës, sulmet dhe vrasjet e policëve vendorë e ndërkombëtarë, sulmet e vazhdueshme me eksploziv, ku ka pasur edhe viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale, vrasjet e vazhdueshme të civilëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Selver Haradinaj, në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj sulmet e organizuara kundër disa pikave doganore të Kosovës, duke mos e anashkaluar as sulmin e 17 marsit 2008, në të cilin u plagosën rëndë e lehtë 63 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, 45 pjesëtarë të KFOR-it, dhe 70 protestues serbë. Ky sulm ishte përgatitur nga pjesëtarët e MUP-it dhe ushtarakët rezervë të ushtrisë së Serbisë.

Këto organizata vazhdimisht kanë bërë agresion ndaj Kosovës dhe pjesëve të caktuara të saj. Ishte pikërisht organizata e parë sekrete terroriste serbe me përmasa ndërkombëtare “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”), që nëpërmjet degës së saj me veprim në Bosnjë “Mlada Bosna” (“Bosnja e Re”) organizoi vrasjen e Arkidukës Franc Ferdinandi, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, për shkak se ai e kishte penguar daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Kjo vrasje u mor si shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Duhet nënvizuar se në atentatin kundër Arkidukës Franc Ferdinand,  kishte marrë pjesë pos tjerëve edhe shefi i shërbimit zbulues-kundërzbulues të Ushtrisë Serbe dhe kryesori i “Dorës së Zezë”, koloneli Dragutin Dimitrijeviq – “Apis”-i dhe Vasa Çubrilloviqi, më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe përpiluesi e disa elaborateve famëkëqija, në të cilat në detaje parashihej shfarosja e shqiptarëve.

Për të treguar pajtueshmërinë dhe lidhshmërinë historike me veprimtarinë e organizatave ekstremiste e terroriste sekrete e gjysmësekrete serbe që trajtohen në këtë libër, me iniciativën e Vuk Jeremiqit, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u këndua kënga “Marshi mbi Drin”, nën tingujt e të cilit 100 vjet me parë u vranë e u masakruan qindra mijëra banorë shqiptarë e popuj të tjerë të ish-Jugosllavisë.

Përderisa në njërën anë, në këtë kohë kur Europa dhe bota po na sugjeron t’ia shtrijmë dorën e pajtimit Serbisë e t’ia falim krimet e terrorin që e ka bërë mbi popullin shqiptar për më shumë se 100 vjet me radhë, në anën tjetër deri më tani në asnjë rast Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por po vazhdon të na terrorizojë, të na shantazhojë e diskreditojë me të gjitha mjetet, sikurse herëve të tjera, edhe përkundër marrëveshjeve të arritura, të cilat po i përdorë vetëm për të përfituar në kohë. Në këtë prizëm duhet parë edhe nismat e institucioneve më të larta të Serbisë për rehabilitimin e Drazha Mihajloviqit, Aleksandër Rankoviqit e të tjerëve, të cilët në vazhdimësi bënë krime mbi popullin shqiptar.

Në këtë libër argumentohet se nën orkestrimin e shërbimeve sekrete serbe, në pajtueshmëri të plotë edhe me elitat politike të cilat gjithnjë kanë qenë të koordinuara me Akademinë e Shkencave të Serbisë, janë planifikuar vrasjet e krerëve dhe prijësve të popullit shqiptar, duke filluar nga Hasan Prishtina, Shtjefën Gjeçovi, albanologu i shquar Millan Shuflaj, Nazim Gafurri, Ymer Berisha, Xheladin Hana, Halim Spahia, Enver Hadrit etj. Nga kjo strukturë janë bërë planet për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e veta, është bërë spastrimi i kohëpaskohshëm etnik nga popullsia shqiptare, nëpërmjet terrorit dhe gjenocidit që e kanë zhvilluar në kohë lufte apo edhe në rrethana të tjera. Me qëllime të tilla organizuan ndërrimin e dhunshëm të fesë tek shqiptarët, mbylljen e shkollave dhe burgosjet dhe vrasjet e intelektualëve në zë, mohuan kombësinë dhe autoktoninë e popullit shqiptar, ua uzurpuan pronat disa herë nëpërmjet “reformave agrare”, i burgosën të gjithë ata që patën guxim t’i ngritin çështjet kombëtare, shkruan qindra libra për ta tjetërsuar e mjegulluar të kaluarën dhe historinë e shqiptarëve, bënë gjithçka për të na e mohuar gjuhën dhe flamurin. Edhe sot pa ndryshuar në asnjë dimension Serbia i vazhdon politikat e veta ndaj Kosovës, pa kurrfarë korrigjimi edhe pse në luftën e fundit bëri tmerre të papara ndaj popullit shqiptar. Për këtë arsye me të drejtë, Hasan Prishtina, në artikullin me titull “Kush e sundon Jugosllavinë”, të botuar në gazetën “Kosova” (1933) thoshte se Jugosllavia ka qenë qysh në fillim shtet i sunduar prej shoqatash të fshehta terroriste. Pothuajse të gjitha këto organizata atëherë e sot, qëllim kryesor e kanë bashkimin e të gjitha territoreve që kishin pakica të kombësisë serbe në një shtet me Serbinë dhe serbizimin e tyre. Këto organizata atëherë e sot janë përpjekur për aneksimin e Kosovës, Maqedonisë, Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe tërë bregdetit Adriatik.

Duhet nënvizuar se organizata sekrete terroriste serbe “Dora e Zezë” nga e cila i kanë marrë orientimet organizatat tjera simotra, në programin dhe statusin e vet  (përkatësisht në “kushtetutën” dhe “rregulloren”), moto e kishte sloganin: “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”). Kjo organizatë dhe organizatat tjera deri në ditët e sotme përbëheshin kryesisht nga ushtarakët serbë të dalluar për aksione e sakrifica, udhëheqës të grupeve militante çetnike si dhe intelektualë të dalluar, të gjithë të kombësisë serbe, nënshtetas serbë dhe banorë të Serbisë, të përbetuar për ta kryer detyrën që parashtronte motoja e programit të kësaj organizate.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej këto organizata shpesh e kanë cenuar sigurinë tokësore duke hyrë “ilegalisht” dhe me dhunë në territorin e Kosovës, siç është rasti me organizatën “Garda e Car Llazarit” e dhjetëra të tjera si kjo. Këto organizata jo vetëm që kanë bërë thirrje të vazhdueshme për luftë, por kanë kryer edhe aksione konkrete brenda territorit të Kosovës, kanë marrë përgjegjësi për aktet e kryera terroriste etj. Shumica e pjesëtarëve të këtyre organizatave kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës 1998-1999, kanë marrë pjesë në masakra e në vrasje, sepse dihen me emra e me mbiemra. Të tillët sot pritet të hyjnë në Policinë e Kosovës, në MPB, në AKI e në organe të tjera të sigurisë. Kjo nuk është për t’u habitur ngase edhe pas mbarimit të luftës shumica e çetnikëve dhe kriminelëve serbë të luftës i morën pozitat më të larta në shoqëri.

Ekstremizmi serb, radikalizmi dhe nganjëherë aktet e dhunshme terroriste edhe më herët edhe gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve kanë qenë të pranishme në Kosovë. Shpesh e kemi anashkaluar praninë e këtyre organizatave, e kemi anashkaluar, e kemi minimizuar, e kohëve të fundit e kemi bërë praktikë të mos flasim fare për to.

Megjithatë kur ndodhemi përballë argumenteve, vlerësojmë ndryshe dhe adresimet janë të qarta. Kështu ndodh kur kemi në duar librin ekskluziv “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, në të cilin adresohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Ky libër i rrallë do t’u shërbejë strukturave të inteligjencës, AKI-së, policisë, gjyqësisë, qarqeve shkencore e politike, opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, për të ditur realisht për ngjarjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në të vërtetë në Kosovë dhe rreth saj.

*Faton Mehmetaj (Dr. Kandidat i Shkencave Politike dhe  Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Fation mehmetaj, Fitnete Ramosaj, Organizatat ekstremiste, serbe en Kosove

Këngëtaret lakuriq dhe lypsët e rrugëve!

September 20, 2013 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI*/

Këngëtaret pa zë dhe të zhveshura, tash e 12 vite janë në mbrojtjen e dikujt dhe atë jo pa qëllim sepse, ata të cilët fshihen pas kësaj çmendurie lakuriqe duan ta prezantojnë Kosovën dhe popullin e saj si një kolektiv pa sens dhe prirje muzikore, pa etikë dhe moral thjeshtë pa vlera artistike.

Dikur, para luftës në Kosovë, regjimi kriminal serb eksportonte ‘’fukarenj’’ dhe lypës nga Serbia në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës të cilët lypnin në rrugë, sheshe dhe lokale etj.

Qëllimi i regjimit serb ishte që para faktorit ndërkombëtar, popullin e Kosovës ta prezantoj si një kolektivitet përtac, parazit, si kolektivitet pa vlera i cili nuk di tjetër veç se të jetoj nga lëmosha që i japin tjerët. Edhe sot, kolona të gjata lypësish romë vijnë nga Shqipëria dhe shpërndahen në të gjitha viset rurale dhe urbane të Kosovës për të njëjtin qëllim, që para faktorit ndërkombëtar ta diskreditojnë këtë popull duke krijuar përshtypje se shqiptarët janë lypsa dhe se nuk e duan punën. Është shumë e çuditshme se qeveritë e dy shteteve shqiptare, të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ndërmarrin asgjë për ta ndaluar këtë dukuri tejet të shëmtuar. E dyta, aspak nuk është e vështirë që të krijohen standarde strikte edhe për këngëtar dhe këngëtare. Mos ta bëjmë arenën muzikore një skenë rrugaçësh neveritës.

Dallim në mes të këngëtareve lakuriqë e pa zë dhe lypësve nuk ka.

Të dy grupet krijojnë një përshtypje të keqe dhe prapa dy grupeve qëndrojnë njerëz të papërgjegjshëm dhe mafioz të cilët aspak nuk ja duan të mirën këtij populli dhe Kosovës. E kundërta është e vërtetë, ata janë duke përfituar nga fatkeqësia dhe tragjedia e këtij populli. Të dy këta shembuj tregojnë se disa njerëz, akoma s’po mund ta shkulin nga koka mendësinë serbe edhe pse rrahin gjoks se janë shqiptar patriot të mëdhenj sepse, jo më shumë se para katërmbëdhjetë viteve, regjimi kriminal serb, afirmimin e tij e kishte kërkuar mu ke lakuriqësia e femrave dhe këngëtareve të asaj kohe (emrat e të cilave nuk dua t’i përmendi) që është e freskët në mendjen e të gjithë shqiptarëve……!

(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ‘’Lajm’’)

Filed Under: Featured Tagged With: faik Krasniqi, kengetaret lakuriq, Lypsit e rrugeve

Histori: Çfarë ndodhi më 19 shtator?

September 20, 2013 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

1796 – Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Xhorxh Uashington publikon fjalimin e tij të lamtumirës dhe del ne pension, duke mos pranuar të qëndrojë në post për një mandat të tretë. Ai i këshillon amerikanët t’u shmangeshin partive politike duke i cilësuar ato egoiste dhe armike të qeverisë. Në fjalimin e tij të lamtumirës, Uashingtoni u kërkoi amerikanëve t’u kushtonin vëmendje arsimit dhe të ruanin moralin e fenë, si shtylla të fuqishme të lumturisë njerëzore.

1876 – Shpikësi amerikan Melville Bissell regjistroi patentën për një pastrues dyshemesh, sot fshesa elektrike.

1956 – Udheheqësit sovjetik Nikita Hrushov, gjatë vizitës në SHBA, iu dha mundësia për të vizituar Hollivudin dhe mbeti i kënaqur me pritjen e organizuar nga aktorët Shirley Maclaine dhe Frank Sinatra. Por udhëheqësi sovjetik shpërtheu në zemërim kur autoritetet i thanë se dëshira e tij për të shkuar në Disneyland nuk mund të plotësohej për arsye të protestave që mund të cënonin sigurinë e tij. Të nesërmen, ai i hypi aeroplanit nga Los Anxhelesi për në Uashington ku u takua  në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Dwight David “Ike” Eisenhower.

1974 – Erik Klapton merr diskun e artë për këngën “I Shot the Sheriff”, e cila më 14 shtator ishte ngjitur në vendin e parë në listën e këngëve të muzikës pop.

1991 – Otzi, Njeriu i Akullt u gjet nga një turist gjerman në Alpet Otztal në kufirin italo-austriak.Trupi i përket një njeriu të moshës 25 deri 35 vjeç, 1.6 metra i gjatë dhe rreth 50 kg. Otzi është njeriu më i vjetër i mumifikuar që është gjetur ndonjëherë – ai ka jetuar 5000 vjet më parë. Qimet e mbetura të kokës dëshmojnë se qedhja e flokëve ekzistonte si modë që në atë kohë. Mbi të gjitha, në lëkurën e Otzit u gjetën një numër tatuazhesh të shpuara me gjilpërë – 80% e të cilave shihen si pika të vlefshme të akupunturës moderne – kjo bën që data e ekzistencës së akupunturës të shtyhet prapa në vitin 3300 pes.

Mendim i ditës

“Asgjë interesante ndodh nëse nuk je e/i interesuar.”

Helen Keller

Filed Under: Featured Tagged With: 19 shtator, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

Mirash Ivanaj dhe Trashëgimia e tij letrare

September 20, 2013 by dgreca

Nga Dr. Lazër Radi/

Shkrue ekskluzivisht për “Diellin”

Ne Foto:Lazer Radi, Drita Ivanaj, Luan Leka/

Mirash Ivanajn e kam pasë konsiderue gjithmonë njeri të jashtzakonshëm, qoftë kur e pata profesor në gjimnaz, qoftë kur u shfaq si Ministri ma reformator i Arsimit shqiptar, qoftë kur në kohën e dhunës, e pata shok vuejtjesh e sakrificash, po edhe përkthimesh në Burgun e Tiranës…

Ndonse natyrë e tërhequn, pak a shumë vetmitare, prap se prap ai ban pjesë ndër ata të paktë intelektualë të vërtetë që kishte Shqipnia n’ato vite të vështira 20-30 kur po përcaktoheshin konturet e shtetit të ri shqiptar, Ivanaj me shpirtin e tij prej demokrati atdhetar, të reformatorit dhe luftëtarit të mendimit të lirë, n’ato kohë të vështira e të rrezikshme u bë shteghapës për emancipimin e shoqnisë dhe kulturës shqiptare.

Mirashi ishte njeri që punonte në heshtje dhe nuk duronte as zhurma e as fanfarizime rreth emnit dhe veprës së tij! Asht kjo arsyeja që Mirash Ivanaj mbeti në hije, pothuej i panjoftun për gjeneratat e reja shqiptare. Megjithatë, Ivanaj nuk ishte personalitet i  nivelit, të cilin koha mund ta përpije, ta zhduke e ta fshijë siç e fshin shpuza shkumësin në dërrasën e zezë!!

Opinioni demokratik shqiptar, ai që do të edukohet në institucionet e lira dhe demokratike, të së nesërmes do ta njohë, do ta vlerësojë dhe do t’i jetë mirnjohëse, staturës së tij në madhështinë e vërtete si atdhetar, si demokrat, si njeri i guximshëm, si njeri me karakter robespjeran, si i pakorruptueshëm dhe i  vendosun t’i çojë veprimet e veta deri në fund…

S’ka dyshim se realizimi ma i madh i Mirash Ivanajt mbetet reforma e tij e madhe radikale e arsimit tonë kombtar. Kjo asht nji vepër e madhe edhe tepër e guximshme po të merret parasysh se u krye në vitin 1933, në nji mjedis të mbrendshëm thellësisht konservator, intolerant, rrezikshmërisht refraktar ndaj çdo risie, dhe se ishte nji reformë që prekte interesat e nji grupi shtetesh të mëdha edhe të vogla, prekte interesa e disa institucioneve fetare, etj. Shqipnia ishte mbushun me shkolla të huaja. Disa prej tyne, vërtet ishin hapë me qëllime të mira dhe humanitare, po pjesa ma e madhe e tyne, sidomos ato të fqinjëve, përdoreshin si për të përhapë propagandë antishqiptare në vet territorin e këtij shteti. Në këto kushte, reforma arsimore “Ivanaj” merrte dimensione të nji shkalle kombtare: ajo synonte me krijue nji shkollë shqiptare e laike. Shkolla e jonë duhej shkëputë nga paragjykimet mesjetare dhe nga prapambetja. Përndyshe i gjithë kombi, e gjithë Shqipnia do të mbetej jashtë Europës.

E mësumeja e shqipes ndër shkollat private në truallin e Shqipnisë konsiderohej barbarizëm. Ndër shkollat e minoritetit grek këndohej me shumë entusiazëm dhe eufori kënga:

“I simea me stavro, me stavro

en dio, en dio,

skotose ton alvano, ton alvano”

“Flamuri me kryq me kryq (i Greqisë)

një dy, një dy

vra shqiptar, vra shqiptar…”

Të tilla shkolla që funksiononin në tokën shqipëtare shpresohej të sillnin qytetërimin e të zhduknin “barbarizmën” e shqiptarve. Të tilla mësime antishqiptare jepeshin në shkollat e hueja që nuk kontrolloheshin nga Shteti shqiptar.

Reforma u krye. Dhe ajo mbante emnin e nji njeriu: Mirash Ivanaj!

Ajo qe nji bombë me fuqi të madhe shkatrruese jo vetëm në mjediset konservatore të mbrendshme, por edhe në rrethet reaksionare të jashtme që kishin interesa të veçanta strategjike e territoriale ne vendin tone.

Vërtet, reforma u krye, por ajo rrezikonte ekonominë e vëndit. Qeveria po lëkundej! Mbretnia ishte gati të zmrapsej, të cedonte, të bante kompromise,  apo të lejonte koncensione…

Ivanaj nuk tundej në asnji mënyre. Ai s’pranonte të hiqte dorë nga reformat në arsim. Ajo ishte nji vullnet e tij, dhe si vizionar ai ishte i vendosun me e mbrojtë deri në fund. Dorëheqjen e mbante në xhep dhe ishte gati me e paraqitë, në rastin ma të parë që do t’i prekej reforma… Dy vjet ai luftoj me të gjitha forcat e veta: luftonte e drejta dhe kultura me varfërinë e nji shteti… ma në fund fitoj varfnia. Pra, duheshin bà disa koncensione  në dam të reformës…

Ivanaj ishte intransigjent, ai as manipulohesh as manipulonte me parimet e veta: “Frangar, non flectar” (thyhem, por s’përkulem)

Mbreti i kërkonte Mirashit të bënte disa lëshime. Kryeministri ngulte kambë. Për Ministrin Ivanaj, s’mbetej tjetër veçse të largohej…

Me vetëdijen dhe krenarinë e tij prej malsori i dorëzoi kryeministrit aktin e dorëheqjes: “nga bisedat e mbrame të zhvillueme Këshillin Ministruer, kam vu re se në çeshtjen e shkollave të minoritetit, mendimi i qeverisë asht që: “t’i përshtatet mendimit konsultiv të shumicës së gjyqit Ndërkobëtar të Hagës të shqyptuem me datë 6 Prill 1935!

Mbasi e konsideroj se interpretimi i dhanun prej meje zbatimit të ndryshimeve të neneve 206 dhe 207 të Statusit themeltar të Mbretërisë ka mbështetjen e patundëshme si në të Drejtën konstitucionale ashtu edhe në vet deklaratën shqiptare para Shoqnisë së Kombeve, e m’anë tjetër tue qenë i bindun se vetëm në shkolla të shtetit, pa as ma të voglin cenim të së drejtës individuale ose kolektive, djelmënia shqiptare mund të edukohet si e tillë dhe të fitojë si ndiesinë kombtare e ndërgjegjen shqiptare, ashtu edhe moralin shoqnuer dhe disiplinën shtetnore, me kuptimin e sakrifcit për Atdheun dhe për Mbretin, dhe nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministruer e të pranoj çfarëdo ndryshimi në zbatimin e nenit 207 të Statutit te Mbretnisë.

Për këtë arsye kam nderin t’ju paraqes dorëheqjen nga Dikasteri i Arsimit.

Pranoni, ju lutem, Zotni Kryeminister, shrehjet e nderimit tem me te naltë…”

Mirash Ivanaj

Një njëri që mbante vazhdimisht dorëheqjen në xhep, s’mund të jetë tjetër veçse nji njeri parimor, i ndershëm, atdhetar e i pathyeshëm: Jeta e tij asht e lidhun me idealet dhe jo me kolltukun apo interesat personale.

Le t’i hedhim nji sy të përciptë nji pjese materiali që pata mundësi të konsultoj në “Fondin  Ivanaj”, por së pari dua të flas për nji cikël poezish shumë të bukura të shkruara në vitet 1908-1909-1910, etj. Ky cikël poetik asht në dorëshkrim. Shkruar me nji kaligrafi të shkëlqyeshme, veçse në cirilicë, serbisht! Edhe këtu, ashtu si tek Migjeni, më ndihmoj njohja e serbishtes.

I kam fotokopjue të gjitha dhe mendoj t’i përkthej sa ma parë të jetë e mundun dhe t’i botoj në nji faqe origjinalin dhe në tjetrën  përkthimin shqip të realizue prej meje. Kësaj broshure ata e kanë titullue: “Epopeja e Njeriut”, dhe autorë janë Martin e Mirash Ivanaj. Se si janë shkrue këto poezi nuk dihet… konfirmohet bashkautorsia pa asnji sqarim do të botojmë sot një poezi, atë të parën, të përkthyeme nga unë. Poezia asht shkrue ne Beograd, në tetorin e vitin 1908, kur Mirashi ishte në gjimnaz dhe vetëm 17 vjeç.

Kangë  për të fundmin

Dikur do kalbet drun’i kryqit tim

e mbi varr gjithkah hithra do blerojnë

si mburojë e lashtë mbi kët hidhnim

gardh’i gjallë do më qëndrojë.

Kryqin e kalbun urthi ka me e shtjellë

mbi varr gram e egjër do t’kem përherë,

kurr mes tyne s’kam me pa të çelë

e njoma, e kaltra manushaqja plot erë.

Bari i vyshkun ngjyrë vdekje do jetë

e njerzit prej gardhesh do dëbojë,

nësa hithra e njomë, me t’egrën fletë

helmin e jetës, njashtu heshtje do tregojë.

Ndër dorëshkrimet gjendet edhe nji dramë “Il fuoco di Sant’ Elmos”, (Zjrri Shën Elmos) – dramë me tre akte nga Martin e Mirash Ivanaj. Janë 111 faqe të daktilografueme, shkrue në italisht, me nji prolog e me nji numër të madh personazhesh, rreth 16.

Përvec poezive “Epopeja e Njeriut” dhe dramës “Zjarri i Shën Elmos”, vepra ma përfaqsuese deri tani mbetet ditari i plotë i lanë në dorëshkrim, i daktilografuem, me titull:

“Na, qi shpëtimin e gjetëm në t’ikun” -Dritë e hije të Prillit 1939 –

Kjo vepër ka 105 faqe të daktilografuara.

Pak sqarime: Ditari ka nji hyrje interesante: tek sorteli i hotelit në Larisa dorëzohet një pako e lenë aty nga një njeri i paidentifikuar. E hap, gjen 28 fletore që përmbajnë një ditar… Libri fillon ne këtë shkrim.

Mbas ditarit “misterioz” fillon teksti:

“Na, qi shpëtimin e gjetëm në të ikun”.

Këtu paraqet kronologjia e ngjarjeve tragjike që u zhvilluan mbrënda 24 orëve të fundit të Mbretërisë Shqiptare. Nis në mëngjezin e 6 prillit dhe mbaron ne kortezhin mbretnor që kalon kufinin shqiptar në Kapështicë për me hy në Greqi. Ky tregim vazhdon… me jetën e emigracionit politik në Larisa. Këtu paraqitet nje tjetër panoramë infernale e shqiptarve të shkretë, nëpër udhët e vështira të refugjatit, t’ai që asht i detyruem me braktisë vendin e vet.

Ditari mbyllet me 22 prill 1939.

E vecanta e kësaj vepre asht se protogonisti, apo më mirë le të themi protogonistëst – me që ka dy autorësi – formojnë boshtin e krejt vepres: janë vetë Ivanajt që marrin pjesë – si personë të parë – në zhvillimin e tëre kësaj ngjarjeje tragjike. Me figura të gjalla përshkruhet drama e Kryeqytetit të Shqipërisë në çastet e pushtimit të vendit nga Italia Fashiste.

Mendoj se ky libër meriton të botohet: brezat e ardhshëm duhet ta njohin këtë katastrofë të madhe kombtare të paraqitun prej dy njerzve që vërtet zbritën në skenë dhe morën pjesë si aktorë protogonistë kur po luhej akt i fundit i tragjedisë sonë kombtare. Në kët burim primar lexuesi ka me ndeshë ngjarje dhe situata të gjalla, me njerëz që kishin emën dhe reputacion me njerzit e kohës dhe me personazhe historike.

Libri “Na, qi shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, ka dhe një parathanie, të cilën po e paraqesim të plotë si për informacionin, ashtu edhe për porosinë që jep, kujtdo që ky libër mund t’i bjerë në dorë për t’parën herë…

Ja teksti i parathanies:

Lexuesit të këtij dorëshkrimi

Ky dorëshkrim asht i kohnave të shenjueme në të! Në vitin 1941, ia kam lexue Z. Xhemal Farkës në Jeruzalem disa faqe. Prej vjetit 1942 e deri kët ia kam dhanë ne dorë të Z. Qemal Butka në Jeruzalem e Kairo.

Ky dorëshkrim asht rimarrë në dorë në verën e vitit 1944, pasi njeri nga shkruesit e tij u da kso jete, me qëllim qi, pasi të rishikohet edhe një herë, t’i mbetet së bijës së këtij të fundit, si i vetmi shkrim i prindit të sajë dhe i vllaut të këtij; tue kenë se të gjitha dorëshkrimet e këtyre dyve, punimi i 25 vjetve, janë zhdukë, me çdo send tjetër të tyne, gjatë pushtimit italian. Nuk mohohet se po t’ishin gjetë mjetet, ky dorëshkrim do t’ishte botue qysh atëherë. Po t’ishte rrah (në makinë shkrimi L.R.) ashtu si kje shkrue, pa ndreqje gjuhe ose ortografije.

Me përjashtim të nji episode të natyrës vetiake dhe të pa lidhje me ngjarjet e ditës së 7 prillit (po e ndodhun disa muej ma vonë), gjithë tjetër çka ashtë thanë në këtë shkrim, ashtë vetëm nji pasqyrë e zbetë e asaj që shkruesit mujtën me pa dhe me përjetue atë ditë…

Vajza që u përmend ma sipër ka më gjykue nëse dhe kur mund të botohet ky dorëshkrim, pa ia paksue prindit të vet, shkruesit kryesor të këtij dorëshkrimi, vleftën morale e burrnore të cilën ai aq naltë e ka mbajtë gjatë jetës së vet.

Mirash Ivanaj

Stamboll, gusht 1944

Pra siç shihet nga kjo parathanie, botimi i këtij ditari varet nga mbesa e Mirash Ivanajt, Drita Ivanaj, e cila, siç thotë autori: “…ka me gjykue nëse dhe kur mund të botohet ky dorëshkrim”.

Me kërkimet që kam ba deri më sot ndër biblioteka e ndër arkiva si dhe me qëndrimin disavjeçar në burg me Mirash Ivanajn kam mundun me përgatitë nji punim modest: “Vitet e fundit të Mirash Ivanajt” (Botue me titullin “Misteret e nji Ministri”). Ky libër sigurisht do të ngjallë interes për lexuesin shqiptar, sepse veç kujtimeve të gjalla të burgut, libri do të përmbajë dhe dy elemente të rij e të panjoftun deri më sot: Ftesa nga ana e Enver Hoxhës në Tiranë dhe ma pas futja e tij në burg.

Mirash Ivanaj, atdhetari dhe reformatori i madh i shkollës sonë kombtare, meriton mirënjohjen e Kombit. Brezat e ardhshëm duhet të informohen për rolin dhe kontributin e tij n’ato vite të largta e të turbullta 20, kur po viheshin themelet e shtetit shqiptar.

Mirashi fillimisht u mor me publicistikë e ma vonë me arsimin kombtar, ku vuni nji gur të randsishëm në themelet e kulturës shqiptare dhe kësaj Shqipnie, të cilën si atdhetar i kulluem e desh të lirë e demokratike. Nji shpirt të tillë e pasqyron edhe puna e tij e përditshme praktike dhe e frutshme, qoftë publicistika e madhe e botueme në shtypin shqiptar periodik, qoftë edhe dorëshkrimet e tij në Arkivin e Shtetit që presin dita ditës të shohin dritën e diellit.

(Dielli – Janar-shtator 1994)

Filed Under: Kulture Tagged With: Lazer Radi, Mirash Ivanaj, Trashegimia letrare

NË DARKËN E VATRËS ME PRESIDENTIN NISHANI BASHKOHET DHE NJË PERFAQESI E BASHKËSISË SHQIPTARE NË TORONTO

September 20, 2013 by dgreca

Në darken që shtron Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA të Martën me 24 Shtator 2013, në orën 7 të mbrëmjes, në MAESTRO’S Restaurant, krahas shoqatave të tjera nag Nju Jorku, si Partia Lëvizja e Legalitetit, Rrënjët Shqiptare, LDK-ja, Rugova, ka bërë rezervimet edhe një përfaqësi nga shqiptarët e Torontos.

Rezervimet mund të bëhen në telefonat që shoqërojnë njoftimin.Kliko…

Filed Under: Featured Tagged With: darka me presidentin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT